Buxheti 2015/ Qeveria lë në baltë pushtetin vendor. Të paguajë vetë borxhin!

0
213

Ervin Kaduku

mbledhje qeverie–  Vijojnë “surprizat” e projektbuxhetit 2015

–  Shteti s’ka para të paguajë detyrimet

–  Ku përfunduan premtimet për eliminimin e borxhit publik, ku përfshihet edhe ai i vendorëve?

–  Qeveria mori borxh nga FMN-ja për shlyerje. Ku po devijohen paratë?

 Asnjë qindarkë nuk është parashikuar në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2015 për detyrimet e pashlyera të bashkive e komunave në vite ndaj bizneseve që kanë kryer punime infrastrukturore e të tjera. Kjo u pranua dje nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, gjatë diskutimit në parim të projektbuxhetit 2015 në Komisionin e Ekonomisë të Kuvendit të Shqipërisë. Cani tha se të gjitha borxhet që njësitë vendore i kanë sipërmarrjes, për shërbime apo investime publike, janë lënë jashtë dhe nuk rezultojnë të planifikuara në buxhetin 2015.

“I gjithë borxhi i qeverisë ndaj biznesit privat do të shlyhet në tre vjet. 35 miliardë në vitin 2014, 20 miliardë në vitin 2015, 16.5 miliardë në vitin 2016. Nuk ka buxheti i vitit 2015 asgjë për të shlyer veçanërisht nga buxheti qendror po ka nga buxhetet lokale. Cilido fond që i shkon buxhetit lokal, le të shlyejë detyrimet e vjetra që ka marr se sot janë në fuqi ata që kanë marr dhe tre vite, në 2011, 2012, dhe 2013, kanë marr borxhe të reja, le t’i shlyejnë ata që i kanë dalë për zot borxheve”, – tha Shkëlqim Cani, ministër i Financave.

Sipas parashikimeve të buxhetit të vitit të ardhshëm, shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2015 janë parashikuar në masën 41.2 miliardë lekë ose 2.7% e PBB-së. Në këtë zë është përllogaritur rritja e transfertës së pakushtëzuar për njësitë vendore, së bashku me Fondin e Zhvillimit te Rajoneve ne raport me vitin 2014 me rreth 28.6%.

Sipas deklaratave të Canit, qeveria është tërhequr edhe nga planifikimi fillestar. Për vitin 2015, fondi për detyrimet e prapambetura parashikohet në masën 20 miliardë lekë, nga 35 miliardë lekë që ishte në planin fillestar 2014.

Kështu, duket se kalvari i detyrimeve të pashlyera për biznesin nuk do të përfundojë vitin e ardhshëm.

Buxheti vendor i vitit 2015 është buxheti i tranzicionit nga ndarja aktuale administrativo-territoriale në implementimin e reformës së re administrative-territoriale. Kështu ky buxhet do të jetë i ndarë në dy faza, faza e parë para ndarjes së re administrative, që përkon para zgjedhjeve lokale dhe faza e dytë, pas zgjedhjeve, kohë kur bëhet efektive kjo ndarje.

 

Borxhi llogaritet në rritje

Kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të borxhit të shtetit dhe atij të garantuar të, në dobi të palëve të treta përfituese, për vitin 2015, është 89,2 miliardë lekë. Në këtë shumë sipas Ministrisë së Financave për huamarrjen vjetore neto, për mbështetjen buxhetore nga burime të brendshme dhe të huaja, do të angazhohen deri në 56, 2 miliardë lekë. Për huamarrjen neto, për financimin e projekteve të huaja, deri në 18, 9 miliardë lekë dhe për rritjen vjetore të garancive të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, pak më shumë se 14 miliardë lekë. Stoku i borxhit shtetëror vlerësohet të arrijë deri në 1 079 miliardë lekë dhe stoku i borxhit të garantuar vlerësohet të arrijë 71.1 miliardë lekë. Në rast mosrealizimi të të ardhurave të buxhetit dhe të të ardhurave nga privatizimi, huamarrja totale për financimin e deficitit prej 60.5 miliardë lekësh nuk ndryshon. Këshilli i Ministrave angazhohet të marrë masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve. Të ardhurat nga privatizimi, në rast se krijohen gjatë vitit 2015, përdoren jo më pak se 50 për qind për uljen e borxhit publik dhe pjesa tjetër përdoret, me vendim të Këshillit të Ministrave, për rritjen e kufirit të shpenzimeve kapitale. Borxhi publik në fund të muajit shtator 2014, arriti në 960.8 miliardë lekë ose 68.05% e PBB. Ky borxh përbëhet nga borxhi i brendshëm dhe i jashtëm që janë vlerësuar përkatësisht 39.30% dhe 28.74% i PBB. Ndërkohë, ky borxh deri në fund të vitit 2014 pritet që të të arrijë në nivelin 70.07% ose 72.65% në raport me PBB duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura. Peshën më të madhe për sa i përket rritjes do ta ketë borxhi i brendshëm.

 

Rriten interesat

Shpenzimet për pagesat e interesit të borxhit do të rriten me 5 miliardë lekë për vitin që vjen. Sipas parashikimeve në projektbuxhetin e vitit 2015 shpenzimet për këtë zë do të arrijnë në 51.5 miliardë lekë ose 3.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ministria e Financave parashikon që gjatë vitit 2015 pritet që të ketë një rritje të normave të interesit për instrumentet financiare shtetërore. Rritje më të lartë pritet që të ketë në segmentin e instrumenteve afatgjata, për shkak të ristrukturimit të portofolit të investitorëve (kryesisht sektori bankar) dhe orientimit drejt instrumenteve afatshkurtra, në kuadër të uljes së ekspozimit ndaj riskut dhe direktivave nga bankat mëma. Gjithashtu edhe huazimi në monedhën euro pritet që të shtrenjtohet’, pasi parashikimet flasin për një rritje të Euribor-it gjatë vitit 2015. Për sa më sipër dhe për shkak të shtesës në stok, shërbimi i borxhit gjatë vitit të ardhshëm pritet që të jetë më i lartë krahasuar me vitin aktual. Për vitin 2015 dhe në vijim, objektivi kryesor i Menaxhimit të Borxhit Publik është përmirësimi i strukturës dhe rritja e qëndrueshmërisë së borxhit duke synuar sigurimin e huamarrjes së re nëpërmjet instrumenteve afatgjatë dhe ripërsëritjen e instrumenteve ekzistues. Zbatimi i kësaj strategjie synon rritjen e jetëgjatësisë së borxhit, duke thelluar raportin midis instrumenteve afatgjatë dhe afatshkurtër deri në 58% me 42% në fund të vitit 2016, duke ulur kësisoj ndjeshëm riskun e rifinancimit dhe riskun e normave të interesit. Në të njëjtën kohë synohet edhe ruajtja e balancës midis kostos dhe riskut, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron tregu i brendshëm në momente të caktuara, nëpërmjet fleksibilitetit të kalendarit të emetimeve. Realizimi i këtyre objektivave synon rritjen e jetëgjatësisë së portofolit të borxhit të brendshëm. Në këtë kuadër, i një rëndësie të veçantë është edhe rifinancimi i Eurobond-it të emetuar në vitin 2010, nëpërmjet daljes dhe shfrytëzimit të oportuniteteve në tregun ndërkombëtar të instrumenteve financiare. Emetimi i këtij instrumenti nuk ndikon për sa i përket nivelit të stokut të borxhit, por emetimi me sukses do të ishte një garanci më shumë për sa i përket përmirësimit të strukturës së borxhit dhe në të njëjtën kohë riafirmimit të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Ministria e Financave ka vlerësuar prej një kohë të gjatë dhe ka qenë në mënyrë të vazhdueshme në komunikim me tregun dhe pjesëmarrësit e tij, duke synuar përgatitjen dhe njohjen e tregut në avancë, për ti shërbyer një rezultati pozitiv në emetimin e Eurobondit dhe kredencialeve të vendit.

 

Më shumë pagesa për borxhin e brendshëm

Financat janë përballur me një rritje të interesave të bonove të thesarit në ankandin e ditës së djeshme, të organizuar nga Banka e Shqipërisë, teksa oferta e institucioneve financiare (kryesisht banka) ka qenë më e ulët se kërkesa e qeverisë.

Sipas rezultateve të ankandit, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i bonove me afat maturimi 12-mujor u rrit në 3.28%, nga 3.25% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Kjo është rritja e tretë radhazi e yield-it të bonove 12 mujore (në ankandin e datës 23 shtator, yieldi ishte 3.22%).

Banka e Shqipërisë kishte publikuar pak ditë më parë se shumë e shpallur për shitje për bonot 12-mujore ishte 7.4 miliardë lekë, ndërsa kërkesa e investitorëve në ankand ishte rreth 6.7 miliardë lekë.

Për bonot 6-mujore, yieldi ishte 3.15%, nga 3.13% në ankandin e fundit me të njëjtin maturitet.

Burime nga Ministria e Financave kanë pohuar se kohët e fundit ata po hasin me një tërheqje të bankave (që janë aktorët kryesorë në tregun e letrave me vlerë të qeverisë) nga blerjet e borxhit afatshkurtër, një strategji që duket se po orientohet nga bankat mëmë.

 

 Investimet, në nivelet më të ulëta të shtatë viteve të fundit

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për nëntëmujorin e këtij viti, vlera e shpenzimeve kapitale të qeverisë ishte afërsisht 30 miliardë lekë, më e ulëta që nga viti 2007. Plani i realizimit të investimeve të planifikuara është mjaft i ulët, rreth 45%. Mosrealizimi është më i lartë sidomos në segmentin e investimeve me financim të brendshëm, ku 68% e investimeve të planifikuara deri në Shtator nuk janë kryer.

Këto të dhëna mund të shpjegojnë pjesërisht rezultatin zhgënjyes të tremujorit të dytë, kur ekonomia pësoi rënie me 0.6% ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2013. Megjithëse paralelisht me investimet e reja këtë vit po kryhet edhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura, efekti i tyre në ekonomi nuk është i njëjtë me investimet e reja. Pjesa më e madhe e këtyre parave ka shkuar për mbylljen e detyrimeve të ndërsjella mes bizneseve dhe të kredive bankare.

Që nga shpërthimi i krizës ekonomike, në vitin 2008, Shqipëria ka arritur të ruajë ritme të rritjes ekonomike pozitive. Kjo i detyrohet sidomos nivelit të lartë të shpenzimeve publike, që sollën edhe rritje graduale të borxhit publike deri në rreth 72% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Zbehja e investimeve këtë vit mund të ketë një efekt të ndjeshëm në rritjen ekonomike.

Ekspertët kanë dyshime se kërkesa private është përmirësuar mjaftueshëm për të kompensuar rënien e investimeve publike.

 

Sekuestrohen mallra kontrabandë në Han të Hotit

Pas një aksioni të ndërmarrë nga strukturat e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, u bë i mundur evidentimi, ndalimi dhe sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme mallrash kontrabandë në Doganën e Hanit të Hotit. Nga kontrolli i ushtruar në mjetin me targë PG GD 963/ PG107GA, me ngarkesë nga Italia, transit nëpërmjet kufirit me Malin e Zi me pronar dhe shofer një shtetas malazez, me subjekt pritës “ASHEL” sh.p.k, Shkodër, u gjetën të padeklaruara rreth 5.500 kg artikuj. Mallrat e sekuestruara janë shishe vere dhe shampanje që nuk ishin të pajisura me pullë fiskale, lëngje frutash, kafe e bluar dhe e pjekur “Lavazza”, miell gruri, detergjentë si dhe mallra të tjera ushqimore. Malli është sekuestruar nga ana e autoriteteve doganore, të cilat po kryejnë procedurat e mëtejshme ligjore. Detyrimi doganor i shmangur dhe gjoba arrijnë vlerën 1.105.560 lekë.

 

 Gjermania drejt recesionit??

Vetëm disa ditë përpara se Gjermania të publikojë të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto, krerët e bizneseve dhe politikëbërësit paralajmërojnë se ekonomia më e madhe në Evropë e ka humbur konkurrueshmërinë dhe është drejt recesionit.

Kryetari i shoqatës gjermane të bankave, Juergen Fitschen, deklaroi për CNBC se është e pamohueshme që ekonomia është ngadalësuar në muajt e fundit. “Ne nuk mund ta izolojmë vendin ndaj faktorëve që kanë kontribuar në gjendjen aktualë të vendit. Por gjithashtu rimëkëmbja e ngadaltë po ndikohet edhe nga gjendja e ekonomive fqinje dhe nga financimi i dobët i projekteve infrastrukturore në Gjermani”, – shtoi ai.

Të dhënat e tremujorit të dytë treguan se ekonomia gjermane e humbi vrullin, duke u kontraktuar për herë të parë në vitin e fundit. Gjatë tremujorit të dytë Gjermania u kontraktua me 0.2%. Dhe nëse rritja do të jetë negative edhe në tremujorin e tretë, atëherë ekonomia më e madhe në Evropë do të jetë teknikisht në recesion. Edhe kreu i institutit kërkimor Ifo, që ka një influencë të rëndësishme, u shpreh se mundësia që Gjermania të bjerë në recesion është reale.

Duke folur për “Reuters”, Hans-Werner Sinn u shpreh se kjo ekonomi është pranë recesionit për shkak të dobësisë në vendet në zhvillim që janë partnerët kryesorë të tregtisë. Gjithashtu edhe një ndër politikëbërësit e lartë të Bankës Qendrore Evropiane, Yves Mersch, u shpreh në një konferencë në Shtutgart se rimëkëmbja e bllokut dhe e ekonomisë kryesore, Gjermanisë, e ka humbur ritmin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency