Raporti/ Largohen 4049 mësues nga puna. Në janar nis licencimi.

0
132

Driçim Çaka

Deri në qershor 2015, një sistem i ri, ku mësuesit do të vlerësohen në bazë të krediteve

984230_10152514169431523_5055114249068680202_nJanë 2065 mësues që japin mësim në shkolla jashtë profilit të tyre dhe 1984 të tjerë, të cilët nuk kanë arsimin përkatës. Të gjithë këta mësues do të largohen nga puna deri në muajin dhjetor. Këto të dhëna janë bërë publike nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla gjatë prezantimit të raportit të inspektimit të shkollave të mesme. I pranishëm në konferencën “Mësues për Shqipërinë. Kapitull i ri për reformën në arsim”, ishte dhe Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se këto të dhëna janë tronditëse. “Duhet të punojmë shumë për të ndryshuar situatën. Ka pasur emërime pa kriter, me mësues që kanë shmangie nga profili, ndërkohë që kemi evidentuar edhe mësues pa arsimin përkatës, të palicencuar. Në shkolla, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar para për më shumë orë mësimi, por këto orë nuk janë realizuar, ndërsa mësuesit ishin paguar me orë të plotë. 2065 mësues janë jashtë profilit. Problematike në Librazhd, Gjirokastër, Përmet. Ne do t’i japim fund brenda dhjetorit kësaj situate me mësues jashtë profilit. Do licencohen të gjithë mësuesit që janë në sistem dhe janë konform profesionalizimit të tyre. Deri në muajin maj të vitit të ardhshëm do të përmbyllet procesi i licencimit të mësuesve, duke krijuar data-basen e nevojshme për të bërë transparent këtë proces. Shkolla e drejtorëve do të jetë një tjetër mbështetje që do t’i jepet mësuesve që duan të bëhen drejtues”, – tha ministrja Nikolla gjatë prezantimit të raportit.

 

Licencimi i mësuesve

Largimin e 4049 mësuesve nga puna e konfirmoi dhe Kryeministri Edi Rama, i cili bëri publike edhe fazën e licencimit të çdo mësuesi, duke filluar nga janari i 2015-ës. “Pasi të mbyllet faza e parë deri në fund të dhjetorit për të pastruar sistemin dhe për të larguar mësuesit pa arsim përkatës e ata jashtë profilit, ne do të hyjmë në fazën e licencimit të çdo mësuesi të Republikës së Shqipërisë. Fati i mësuesve nuk mund ta varet as nga cila parti fiton zgjedhjet, as nga cila parti humb, as nga sa i mirë apo i keq qëllon drejtori i zyrës apo i rajonit, por duhet të varet vetëm nga aftësitë e veta të provuara përmes provimit kombëtar dhe të mishëruara në licencën e mësuesit, bashkë me kreditet e marra nga provimi. Duhet të rilindim autoritetin e mësuesit. Si mundet ne që dikë që ka studiuar gjermanisht ta vëmë mësues anglishteje? Këto gjëra do ishin për të qeshur me të madhe, nëse nuk do ishin realiteti ynë dramatik sot. E ndërsa bëhen transferime nga më të ndryshmet. Dhe këto janë gjëra që kanë ndodhur çdo vit. Jemi këtu për të përcaktuar ilaçet, sado të hidhura, që të kurojmë dhe shërojmë sistemin nga kjo sëmundje. Nuk i trembemi hidhësisë së ilaçit kur e dimë se ai është i duhuri. Të jesh mësues nuk është vend pune, është mision. Deri në qershorin e 2015-ës do të ketë një sistem me bazë të dhënash për çdo mësues të Shqipërisë, me kreditet përkatëse. E shoh me entuziazëm edhe idenë për shkollën e drejtuesve të shkollave”, – tha Kryeministri Edi Rama. Ndërsa ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha se për zgjidhjen e situatës do të zbatohen nisma, si: provimi kombëtar për aplikantët për mësues, licencimi i të gjithë mësuesve dhe krijimi i një baze kombëtare të dhënash të mësuesve deri në qershor 2015 dhe krijimi i një programi të veçantë “Mësues për Shqipërinë” që do të mbështesë mësues që janë të gatshëm të shkojnë në zona të vështira për ato profile ku ka mungesë.

 

“Revolucioni” dhe alterteksti

Kryeministri theksoi se ndërhyrja në arsimin e mesëm do të jetë një revolucion dhe se askush nuk do të marrë rrogën në muajin janar, nëse jep mësim jashtë profilit ose nëse s’ka arsimin përkatës. “Duhet të bëjmë revolucion në arsimin parauniversitar. Operacioni duhet të bëhet radikal, pa asnjë kompromis dhe asnjë mëshirë, sepse këtu luhet fati i një gjenerate dhe fati i Shqipërisë në 20-30 vjet. Do ta përmbysim urgjentisht këtë sistem, do të marrim përsipër të gjithë së bashku që brenda muajit dhjetor ky sistem të jetë përtokë i rrafshuar plotësisht. Asnjë mësues pa arsim përkatës, asnjë mësues jashtë profilit të mos mund t’i marrë më shtetit përmes taksave të shqiptarëve asnjë rrogë, duke filluar nga janari i ardhshëm”, – u shpreh Rama. Gjithashtu, Kryeministri përmendi se shumë shpejt qeveria do të rrëzojë sistemin e altertekstit. “Do shembim përtokë sistemin e altertekstit. Një paçavure ku nuk dihet se ku përfiton përfitimi i një nxënësi dhe shpenzimet e shtetit për të. Pak me mësues jashtë profili, e pak me një sistem që ta mëson shkencën mbrapsht, imagjino ku vemi. Do të ndiqet një sistem efikas. Do të zgjidhet një tekst botërisht i njohur, përveç lëndëve thellësisht shqiptare, gjuha shqipe, historia e Shqipërisë, gjeografia e Shqipërisë. S’kemi nevojë të bëjmë shpikje”, – theksoi Kryeministri.

 

1984 mësues pa arsimin përkatës

2065 mësues jashtë profilit të tyre

1184 mësues më tepër sesa nevoja në ngarkesa mësimore

 

 Reagimi/ Berisha: Rama njofton fshesën e hekurt për mësuesit. Tani ata do t’i emërojë vetë ai!!

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri Sali Berisha e quan largimin e mësuesve si një fshesë të hekurt të Kryeministrit Rama. “Të dashur miq, dy ditë me parë, Rama nga Vlora njoftoi shqiptarët se të hënën do të dëgjonin një lajm tronditës për arsimin e mesëm. Kështu sot (dje), ai njoftoi se do të nisë fshesën e hekurt të Partisë mbi mësuesit dhe mësueset e shkollave të mesme dhe zëvendësimin e tyre me xhahilë, militantë partiakë, injorantë, madje edhe pedofilë, si ndonjëri që drejton këtë antireformë në ministri. Për të pastruar me fshesën e Partisë arsimin e mesëm nga burra dhe gra që prej dekadave kanë shkrirë jetën dhe energjitë e tyre në edukimin e të rejave dhe të rinjve, Rama trilloi dhe mashtroi me pretekstin së në arsimin e mesëm, sipas tij në mësimdhënie 1480 mësues janë jashtë profilit të tyre. Kjo është gënjeshtër e turpshme. Njoftimin për fshesën ndaj mësuesve të vendit Rama e mbylli me vendimin se tani e tutje mësuesit do t’i emërojë ai nëpërmjet një provimi dhe tha se ata që nuk do binden do burgosen. Për ndonjë naiv që mund të mendojë se piktori dështak shqetësohet për cilësinë, po i rikujtoj se Rama krijoi kabinetin qeveritar intelektualisht më të dobët, me pykë, që nga koha e etërve të tij. Kështu, në kabinetin e tij të gjithë ministrat, përveç tre prej tyre, janë jo pa tituj dhe grada shkencore por janë mbetës në universitete dhe të detyruar të ndërrojnë deri në tre universitete për të marrë atë të shkretë diplomë, ose janë pa diplome apo të diplomuar apo mbrojtur masterin në universitetet që ai mbylli. Vet piktori dështak ka pasur raportin e të sëmurit mendor me shkollën, por pozita e lartë e të atit i siguronte gjithnjë notat që donte. Mësuese, mësues, nxënëse, nxënës, prindër dhe qytetarë, arsimdashës, bashkohuni të gjithë e mos lejoni një të sëmurë psikik të shkelmojë mbi dinjitetin tuaj, shkollën, edukimin tuaj dhe të fëmijëve tuaj!!”, – thuhet në mesazhin e ish-Kryeministrit Sali Berisha të postuar në rrjetin social “Facebook”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency