Komisioni/ Vështirësitë e minatorëve në punë, miratohet ligji për uljen e moshës së pensionit

0
120

Duke nisur nga 1 janari i vitit tjetër, minatorët do të dalin 60 vjeç në pension, ndërsa për femrat do të jetë 55 vjeç. Punonjësit e nëntokës duhet të kenë përvojë pune 30-vjeçare, nga të cilat 12.6 vite nën tokë

minator ne miniereMiratohet në Komisionin për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë projektligji për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë. Projektligji ka si qëllim rregullimin e pensioneve të pleqërisë për punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, me moshë, vjetërsi të përgjithshme dhe vjetërsi pune në profesion më të vogël se ato të përcaktuara në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kjo nismë bazohet në kushtet e vështira të punës në këtë sektor, si për prezencën e elementeve të ndryshme, ashtu edhe për punën e lodhshme fizike. Projektligji parashikon ulje me pesë vite të moshës së daljes në pension të minatorëve. Duke nisur nga 1 janari i vitit tjetër, minatorët do te dalin 60 vjeç ne pension, ndërsa për femrat do jetë 55 vjeç. Punonjësit e nëntokës duhet te kenë përvoje pune 30-vjeçare, nga të cilat 12.6 vite nën tokë.

 

Përfituesit

“Priten që të përfitojnë drejtpërdrejt brenda këtij mandati qeverisës 3840 minatorë në mbarë vendin. Dëshiroj që të shpreh kënaqësinë që ky projektligj vjen në përmbushje të premtimit të bërë nga mazhoranca qeverisëse e vendit që para ardhjes në detyrë dhe si kërkesë e shumë viteve nga punonjësit e nëntokës. Dua të theksoj gjithashtu faktin se për të mbështetur kostot e zbatimit të projektligjit, sipas diskutimeve të bëra në Këshillin Kombëtar të Punës, përfaqësues të industrisë minerare dhe sindikatave, kanë rënë dakord për një rritje me 5 për qind të pagës bruto të kontributeve të sigurimeve shoqërore”, – tha zv.ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri. Deputetët ngritën edhe problemin e informalitetit që në disa raste shkon deri në 10% të të punësuarve, ndërsa kërkuan marrjen e masave për përmirësimin e kushteve për punonjësve.

 

Vështirësitë e minatorëve

Sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës, një minator paguhet mesatarisht 40.000 lekë në muaj, jeton nën mesataren e personave të tjerë që nuk punojnë në miniera. Ndërsa për të përfituar pension me ligjin e ri duhet të paguaj 2% më shumë kontribute dhe nuk marrin trajtimin e duhur shëndetësor. Kjo është situata e punonjësve të nëntokës të cilët nga mungesa e investimeve rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre. “Nga konstatimet më shumë kanë qenë informal këta persona që ndonjëherë dhe trajtohen, sepse po të kapen në punë këtyre u hiqet trajtimi. Nuk kemi dokumentim të saktë, por dihet që informaliteti ka lëvizur nga 3 deri në 10 për qind”, – tha Ali Jemeni, ekspert ligjor në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. “Dëmi profesional që shkaktohet, në mënyrë të veçantë nga silikoza që dominon një pjesë të mirë të minierave të veriut, është kaq i madh saqë sistemi shëndetësor do të paguajë për trajtimin e tyre, shumë herë më tepër se sa janë përfitimet që ata marrin. Shoqëria në fund, ka bërë shumë sforco financiare, por jo me rezultatin e duhur. Ne nuk jemi këtu për të bërë partner të fiktiviteteve. Keni mbështetjen e plotë për këtë projektligj, por do mbështetje tjetër. Nëse punohet me kushte dy herë më të vështira se sa është punuar 20 vjet më parë, dëmi shëndetësor është i një mase të madhe saqë edhe mosha e pensionit nuk do ta zgjidhë problemin”, – tha deputeti Petrit Vasili. Nëse ndryshimet në ligj bëjnë që një minatori të dal në pension pas 12 vjetësh e 6 muaj vjetërsi pune, por nuk do të jetë të gjithë për ta përfituar këtë pension sepse informalitet është deri në 10%. Projektligji kaloi në parim dhe komisioni i shëndetësisë propozoi vizita mjekësore periodike për punonjësit e nëntokës.

 

 Pagesat/ Posta Shqiptare zgjat oraret për pagesën e energjisë elektrike

Posta ka vendosur të shtyjë oraret për pagesën e energjisë elektrike. Në një njoftim të saj, Posta Shqiptare thotë se shtyrja e orarit është bërë në mbështetje të nismës së qeverisë dhe OSSHE-së për të mbledhur detyrimet e qytetarëve për arkëtimet e energjisë elektrike. “Posta Shqiptare u vjen në ndihmë qytetarëve, që në këtë mënyrë të eliminojnë radhët e gjata dhe brenda një kohe të shkurtër të paguajnë faturat e energjisë. Posta Shqiptare tashme prej vitesh mundëson ofrimin e shërbimit të arkëtimit të faturave të energjisë elektrike në zyrat e saj. Çdo qytetar që kryen arkëtimin e detyrimit të konsumit të energjisë elektrike, kalon online në sistemin e OSSHE dhe automatikisht nuk figuron më debitor. Shërbimi i pagesës për energjinë elektrike vlerësohet si një prej shërbimeve me kërkesën më të larte prej qytetarëve dhe Posta Shqiptare ka menaxhuar me sukses këtë shërbim që prej lançimit të tij në vitin 2006”, – thuhet në një njoftim të Postës Shqiptare.

 

 Shtyhet afati i aplikimit për master/ Shtresat në nevojë, dokumentet që duhen për të aplikuar në universitet

Kandidatët me statusin e ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë, të verbrit, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, jetimët, romët dhe ballkano-egjiptianët aplikojnë direkt në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit nga data 03 nëntor deri më 10 nëntor 2014. Kandidatët shprehin 5 preferenca të ndryshme lidhur me aplikimin në programet e preferuara të studimit. Dokumentet: Letër motivimi, formulari i aplikimit, diplomë universitare e ciklit të parë të studimeve, fotokopje e diplomës, fotokopje e kartës së identitetit si dhe 2 fotografi. Kandidati me statusin e ish- të dënuarit dhe të përndjekurit politik, përveç dokumentacionit të parashikuar më sipër duhet të dorëzojë dhe dokument: për ish-të dënuarit, fotokopjen e njësuar në Republikën e Shqipërisë të dokumentit që vërteton statusin e ish- të dënuarit të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Për ish- të përndjekurit politikë fotokopjen e njësuar në Republikën e Shqipërisë të dokumentit që vërteton statusin e ish- të përndjekurit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Kandidati me statusin e të verbrit, përveç dokumentacionit të mësipërm duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar të librezës së të verbrit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetërore ose kopje të noterizuar të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë. Ndërkohë po dje Ministria e Arsimit ka shtyrë dhe aftin e aplikimeve për “Master profesional” dhe “Master shkencor”, deri në datë 17 nëntor 2014.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency