Rasti i Kalifornisë/ Aksidenti nuk frenon turizmin hapësinor

0
149

“SpaceShipTwo” shpërtheu pak pas ngritjes në ajër

“SpaceShipTwo”Do të duhen më shumë se 12 muaj për të zbardhur shkaqet e aksidentit të anijes turistike hapësinore, të rrëzuar të premten në Kaliforni. Por, ndërkohë që hetimi vazhdon, kompanisë “Virgin Galactic” i lejohet të zhvillojë teste të mëtejshme fluturimi, e pohuar kjo nga vetë kreu i agjencisë amerikane të sigurisë së transportit, Christopher Hart.

“Ekipi ynë e përfundoi ditën e parë të plotë të hetimit dhe, për katër deri në shtatë ditë, do të kontrollojë të dhënat e marra në terren. Pjesët e anijes ishin shpërndarë në një zonë me gjatësi 5 milje, nga njëri skaj fundor në tjetrin. Fluturimi testues është shumë mirë i dokumentuar dhe të gjitha informacionet, qoftë dhe ato më të detajuarat, do të kontrollohen me imtësi, çka do të thotë se hetimi i plotë mund të zgjasë për rreth 12 muaj”, tha Christopher Hart, kryetar i agjencisë së sigurisë së transportit.

Janë disa elemente, megjithatë, të cilët sipas Hart do të kërkojnë vëmendje të menjëhershme, e për të cilët do të komunikohet me “Virgin Galactic”. “SpaceShipTwo” shpërtheu pak pas ngritjes në ajër dy ditë më parë. Piloti 43-vjeçar, Peter Siebold, arriti të shpëtonte duke përdorur katapultën, por piloti i dytë, Michael Alsbury, 39 vjeç, nuk pati të njëjtin fat. Alsbury, me një eksperiencë fluturimi 15-vjeçare, humbi jetën në këtë incident.

Kreu i “Virgin Galactic”, Richard Branson, u shpreh i vendosur të gjejë shkakun e episodit fatkeq dhe, në një konferencë shtypi të mbajtur të shtunën, miliarderi britanik e përshkroi sigurinë si prioritetin kryesor të programit të tij, por nuk diskutoi asnjë hollësi nga aksidenti i hetuar prej zyrtarëve të transportit federal. Më pas, ai do të pohonte për BBC-në se askush nuk i nënvlerëson rreziqet e udhëtimit në hapësirë, e shtoi se kjo ishte një ditë e tmerrshme për “Virgin Galactic” e një hap i madh prapa. Kompania shpreson të nisë në 2015-n udhëtimet hapësinore komerciale, e deri tani ka marrë mbi 700 prenotime me nga 250.000 dollarë secili

 

Pyetja 2 milionë euroshe për Cameroon! A do paguajë detyrimet Britania?

Shuma prej 1.7 milionë stërlinash, ose 2.1 milion eurosh që Britania duhet të dorëzojë në Bruksel përfshin pagesa të prapambetura që nga viti 2002

Është pyetje 2 miliardë euroshe: A do ta paguajë David Cameron shumën që i kërkon Bashkimi Europian?

Me shumë gjasa kjo do të ndodhë dhe Kryeministri britanik nuk do t’i shmanget detyrimeve ndaj Unionit. Ajo që mbetet për t’u vendosur është vetëm koha se kur do të kryhet pagesa. Edhe pse afati i BE-së për të kryer pagesën është 1 dhjetori.Kontributet në buxhetin e Brukselit bazohen në një formulë të ndërlikuar, detajet e së cilës janë mjaft të lodhshme për publikun e gjerë.

Në thelb, Britanisë i kërkohen para për shkak se që prej vitit 2002 ka bërë një punë më të mirë se shumica e shteteve anëtarë të BE-së. Shuma prej 1.7 milionë stërlinash, ose 2.1 milion eurosh që Britania duhet të dorëzojë në Bruksel përfshin pagesa të prapambetura që nga viti 2002, praktikisht 150 milionë në vit, për 11 vite.

Në Britani zyrtarë të nivelit të ulët, që ishin marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë me rishikimin e pagesave ndaj BE-së, kishin dijeni për shumën, por vetëm në fillim të Samitit të fundit të Unionit shoqëruesit e Cameron u bënë të vetëdijshëm se do t’ju bëhej kërkesa, kur morën njoftimin nga homologët e tyre danezë.

Megjithatë, sipas “Financial Times”, kancelari Osborn nuk ia kaloi informacionin Kryeministrit, i cili u gjend në befasi, një lëvizje e habitshme kjo duke parë marrëdhënien e ngushtë mes tyre. Sipas mediave britanike, pakënaqësia për pagesat ndaj BE-së dhe fenomeni UKIP janë të lidhur ngushtë. Partia e opozitarit dhe euroskeptikut Najxhëll Faraxh e ka frikësuar Cameron, pasi ai e di mirë që Faraxh, edhe pse kundërshton BE-në duke marrë fonde prej saj, është aq i guximshëm sa për t’u larguar fare nga BE-ja.

Dhe duke pasur parasysh gabimin e bërë që në vitet ‘50, kur Britania nuk iu bashkua Komunitetit Ekonomik Europian, pararëndëses së Bashkimit Europian, Cameron është i vendosur që të luajë një lojë të fortë, por në fund do të përmbushë detyrimet dhe përgjegjësitë që vijnë duke qenë se vendi i tij është një ndër ekonomitë më dinamike në kontinent.

 

Trashëgimia e Irakut, UNESCO e shokuar nga shkatërrimi, kërkon mbrojtje

Drejtorja e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova, deklaroi se trashëgimia kulturore e Irakut po shkatërrohet në mënyrën më barbare pas pushtimit prej militantëve të Shtetit Islamik të një pjesë të mirë të territoreve të vendit. “Jemi të tmerruar kur shohim shkatërrimet në tempujt dhe faltoret e trashëgimisë sumere, por edhe xhamive e kishave”, tha Bokova gjatë një vizite në Muzeun e Bagdadit.

Artefaktet e lashta irakiane gjithnjë e më shumë po shiten në tregun e zi, nëpërmjet ndërmjetësve që lidhin militantët e Shtetit Islamik me blerësit e shumtë. Me shifrat marramendëse që sigurohen nga shitja e këtyre objekteve të çmuara, ata financojnë aktivitetet e tyre. Mesopotamia, fjalë që nga greqishtja përkthehet “mes dy lymenjve”, duke përkufizuar përafërsisht zonën mes lumenjve Tigër dhe Eufrat, është një zonë e pasur me histori nga qytetërimet më të lashtë të globit, ku spikasin qytetet antike Ninevehu dhe Babilonia, me kopshtet e saj të varura. Atje janë zbuluar edhe format e para të shkrimit, rreth vitit 3100 para erës së re. “Më duhet të theksoj se diversiteti kulturor, fetar dhe etnik i shtetasve irakianë duhet mbrojtur. Njerëzit këtu kanë jetuar përkrah njëri-tjetrit, në tolerancë, prej qindra e mijëra vitesh. Nuk mund të pranojmë që në shekullin e 21-të të shohim këtë spastrim të mirëfilltë kulturor”, u shpreh Bokova. Artefaktet e jashtëzakonshme të Muzeut të Bagdadit u plaçkitën në vitin 2003 pas anarkisë që pasoi rrëzimin e Sadam Huseinit nga pushteti. Megjithatë, edhe pse në fenë islame adhurimi i statujave është i papranueshëm, militantët nuk kanë skrupuj kur përfitojnë financiarisht nga shitja e tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency