Negociatat me debate/ Guvernatori i ri dhe Gjykata e Lartë, ngërçi në takimin Rama-Nishani

0
119

rama nishaniVetëm një ditë pasi kreu i Kuvendit, Ilir Meta, foli për gjetjen e konsensusit midis kreut të qeverisë dhe atij të shtetit, Kryeministri Rama zhvilloi dje një takim të paparalajmëruar në Presidencë gjatë orëve të pasdites. Në këtë takim me dyer të mbyllura për mediat, i cili zgjati për rreth 45 minuta mësohet se Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Bujar Nishani kishin në fokus të diskutimit zgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Shqipërisë. Sipas burimeve, palët duket se nuk janë dakordësuar për kandidaturat, ku ndërkohë pjesë e bisedës ka qenë edhe procesi për emërimet e anëtarëve vakantë në Këshillin Mbikëqyrës. Ndërkaq, Parlamenti miratoi dje me 79 vota pro një projektvendim që i hap rrugë zyrtarisht procesit. Procedura për zgjedhjen e tyre ka dy momente të rëndësishme. Sipas ligjit, Kuvendi do të emërojë dy anëtarë nga katër vendet e mbetura vakante në Këshillin Mbikëqyrës, një anëtar e propozon qeveria dhe një vetë Këshilli i Bankës. Ditë më parë Kryeministri Rama deklaroi: “Kemi një dialog me Presidentin. E mirëkuptoj e përgjigjen e Presidentit, nuk ka qenë e prerë me sëpatë. Në këtë proces jemi në bashkëpunim dhe shpresoj të dalë një produkt që do t’i bëjë nder vendit tonë. Koha nuk pret dhe është çështje që do zgjidhet shpejt. Ne kemi ngritur një Komision të posaçëm, ne do zgjedhim 8 nga 151 aplikimet. Ky grup do të jap dhe një opinion përfundimtar”. Ndërkohë që në takimin e djeshëm mes Presidentit dhe Kryeministrit, mendohet të jetë diskutuar edhe dhënia fund e ngërçit sa u përket anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ku sërish Kuvendi rrëzoi emrat e propozuar nga Presidenti Nishani. Ndërsa mazhoranca ka kërkuar vendosjen e kritereve shtesë dhe konsultimin, kreu i shtetit ka bërë të ditur për këtë çështje se ka respektuar kushtetutën si në frymë ashtu edhe në germë. Edhe më herët krerët e shtetit kanë zhvilluar takime mes tyre lidhur me çështjet më të rëndësishme, mes të cilave edhe guvernatori i ri i BSH, që siç kanë theksuar të dyja palët, do të ketë angazhim për një zgjidhje me konsensus, por se deri më tani palët nuk janë hasur në qëndrime të përbashkëta.

 

 Qeveria zgjedh anëtarin për Këshillin Mbikëqyrës

Pas votimit në Parlament të procedurës të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, në orët e mbrëmjes qeveria bëri të ditur emrin e kandidaturës së saj për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ajo është Denada Prifti, emër që u konfirmua nga deputeti socialist Erjon Braçe. “Qeveria e ka bërë procesin, ka përzgjedhur një zonjë me eksperiencë të gjatë në botën financiare”, – tha Braçe për “TCH”. Prifti vjen nga një përvojë e gjatë dhe e suksesshme në institucionet financiare ndërkombëtare si dhe në sektorin bankar. Karriera e saj është zhvilluar në Gjermani, në organizata financiare serioze dhe po aq në sektorin bankar. Emri i Denada Priftit si kandidaturë e qeverisë do të vendoset përkrah emrit që do të vijë nga Kuvendi, i cili miratoi procedurat për përzgjedhjen e tij në këtë seancë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency