Ligjet miratojnë dy anëtarët e KLD-së/ Braho: Po i nisim në luftë kundër ISIS-it. Kosta: Ja si i kam dhënë vendimet në diktaturë  

0
151

Gëzim Saliu

Shtylla: Nënkryetari i KLD-së kishte marrë kompetenca. Kosta: S’ka përmbushur detyrimet e administrimit të gjykatave. Braho: Nishani, nëna e të gjitha të këqijave

albana shtylla dhe vangjel kostaPas miratimit në grupin parlamentar socialist, kandidaturat e Albana Shtyllës dhe Vangjel Kostës për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë morën miratimin dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Duke vlerësuar të dy kandidatët, anëtarët e majtë theksuan se përmes tyre nuk do të ndryshohet KLD-ja, por fryma e këtij institucioni. Ndërkaq, në diskutim nuk kanë munguar sulmet dhe akuzat ndaj kreut të KLD-së, njëkohësisht Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Më i ashpër ishte qëndrimi i deputetit Spartak Braho, i cili pohoi se dy kandidaturat marrin një risk, duke shkuar në KLD, pasi, sipas tij: “Në mënyrë figurative ne vemë e i nisim në luftë kundër ISIS-it këta. Ai që është në krye të KLD-së është nëna e tërë të këqijave, kështu që nuk e di se çfarë do bëj, kam përshtypjen që duhet të angazhohem fort personalisht”. Ndërkaq, një tjetër pikë kryesore e seancës me pyetje-përgjigje ishte edhe ajo që lidhej me akuzat e bëra kohë më parë nga PD-ja ndaj kandidatit Vangjel Kosta për dënime politike në kohën e regjimit komunist, ku ky i fundit dha argumentet e tij. “Ai rasti që më është përmendur edhe atëherë, janë dënuar me disa vite burg një grup të rinjsh që vendosën një ditë të bukur të ndërmerrnin një anije dhe të largoheshin nga Shqipëria. Natyrisht që ai veprim sot mund të duket si heroik, por në rolin e gjyqtarit unë nuk mund të thosha që ju nuk keni shkelur ligjin. Ishte e drejta e atyre që të merrnin përsipër rreziqet e shkeljes së ligjit. Ajo që unë kam bërë, është që kam treguar kurajën dhe kam vlerësuar në tërësi rrethanat e çështjes dhe të paktën ai lloj vendimi në kuptimin e ashpërsisë do ishte i njëjtë dhe në rrethanat e ligjit të sotëm, kur jemi në kushte krejt të tjera për mbrojtjen e kufijve. Në këtë këndvështrim, ato dënime nuk mund të konsiderohen politike”, – theksoi ai. Ndërsa deputeti demokristian Nard Ndoka, duke iu drejtuar dy anëtarëve të KLD-së, kërkoi të dinte prej tyre se si e cilësonin vendimin e komisionit hetimor për shkarkimin e Çefës dhe Lelçajt dhe nëse ishin të shqetësuar nëse një gjë e tillë do të ndodhte me ta. Ndaj kësaj pyetjeve kandidatët theksuan se nuk mund të komentonin vendimin e marrë nga Kuvendi.

 

Debati për dy anëtarët e KLD-së

 Ndoka: Besoj jeni në dijeni për procedurat e shkarkimit të dy anëtarëve të KLD-së, si i gjykoni këto praktika? Kanë qenë procedurale apo ka pas ngarkesa politike? A do jenë në axhendën tuaj detyrat që komisioni hetimor ka nxjerrë si kundërvajtje shkelje të rënda të Kushtetutës? Ndieni ju shqetësimin se një praktikë e tillë mund të përligjet ndaj jush?

Fino: Nuk duhet të vëmë në siklet këta që vijnë këtu, se këta vijnë këtu për të folur për CV e tyre. Ata nuk mund të çmojnë vendimin e Kuvendit.

Shtylla: Kuvendi ka marrë një vendim, nëse do them një mendim, do të thotë të marr tagrin e një institucioni tjetër. Nuk mund të jem unë individi që të jap këtë gjykim.

Kosta: Është një vendimmarrje e shoqëruar me një procedurë, por nuk kam pasur detyrë të thellohem në këtë vendimmarrje.

Qefalia: Zoti Kosta, ju akuzoheni nga opozita për qenien tuaj prokuror gjatë periudhës ’83- ’91, në fakt ju keni qenë gjyqtar. A mundet për opinionin publik të bëhet e ditur nëse keni dhënë dënime të karakterit politik gjatë kësaj periudhe?

Kosta: Ajo ka qenë periudha kur kam qenë i sapoemëruar dhe një gjyqtari të ri nuk mund t’i besoheshin procese që konsiderohen politike. Nga komisioni i asaj kohe, pas seancës dëgjimore, janë publikuar disa vendime gjyqësore, në të cilat unë kam qenë në cilësinë e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, por që unë edhe sot, edhe atëherë, kam sqaruar publikun, nuk mund t’i konsideroj të natyrës politike. Nëse ne konsiderojmë politike vendime që janë marrë nga gjykata për të penguar ata që konsideroheshin armiq të klasës në pushtet në luftën e klasave, më duket se do ulja vlerat e atyre personave që, në fakt, kanë qenë kundërshtarë realë të regjimit, duke i krahasuar ato me personat që unë kam gjykuar. Pa dashur t’i fyej, por në pikëpamje të krahasimit të vlerave të kundërshtimit të regjimit. Persona që ishin të internuar dhe ishin larguar pa marrë leje nga vendi i internimit, vepër që dënohej pothuajse me gjobë, pavarësisht se quhej riedukim nëpërmjet punës, në fakt ajo thjesht konvertohej në ndalesë page. Apo ai rasti që më është përmendur edhe atëherë, janë dënuar me disa vite burg një grup të rinjsh që vendosën një ditë të bukur të ndërmerrnin një anije dhe të largoheshin nga Shqipëria. Natyrisht që ai veprim sot mund të duket si heroik, por në rolin e gjyqtarit unë nuk mund të thosha që ju nuk keni shkelur ligjin. Ishte e drejta e atyre që të merrnin përsipër rreziqet e shkeljes së ligjit. Ajo që unë kam bërë është që kam treguar kurajën dhe kam vlerësuar në tërësi rrethanat e çështjes dhe të paktën ai lloj vendimi në kuptimin e ashpërsisë do ishte i njëjtë dhe në rrethanat e ligjit të sotëm, kur jemi në kushte krejt të tjera për mbrojtjen e kufijve. Në këtë këndvështrim, ato dënime nuk mund të konsiderohen politike.

Xhafaj: Zoti Kosta, cilat çështje duhet të adresojë KLD për administrim më të mirë të pushtetit gjyqësor dhe një qasje më efektive për t’u siguruar akses të gjerë qytetarëve te sistemi i drejtësisë dhe në funksion të rritjes së shkallës së besueshmërisë? Për zonjën Shtylla, cilat mund të jenë instrumentet që mund ta bënin KLD-në institucion më dinamik?

Kosta: Në këndvështrimin tim, KLD shumë pak është fokusuar në përmbushjen e detyrimeve të fushës së administrimit të gjykatave. Kjo fushë përzien disi kompetencat mes ministrit dhe KLD-së. Ajo që kam konstatuar është qëndrimi disi pasiv i KLD-së në këtë proces. Përveç emërimit dhe shkarkimit të kryetarëve të gjykatave, pak akte ka që të vënë në lëvizje mirëfunksionimin e gjykatave. Mungon një këndvështrim i drejtë në përgjithësi tek gjyqtarët lidhur me atë çka përfaqëson gjykata.

Shtylla: Gjatë analizave dhe vlerësimeve është vënë re një shkëputje mes konceptit që ka parashikuar Kushtetuta, pra funksionimin e tij si një organ kolegjial dhe marrjen të disa kompetencave apo funksioneve në mënyrë të posaçme nga njëri prej anëtarëve të këtij organi, të nënkryetarit të KLD-së. KLD në ushtrimin e veprimtarisë së saj duhet të jetë dinamike duke qenë drejtpërdrejtë e përfshirë në përditshmërinë e veprimtarisë së saj dhe jo si pjesë e shkëputur nga pjesa tjetër administrative e këtij organi kushtetues.

Braho: Doja të thosha që këta marrin përsipër një risk që venë e punojnë në KLD, në mënyrë figurative ne vemë e i nisim në luftë kundër ISIS-it këta. Ai që është në krye të KLD-së është nëna e tërë të këqijave kështu që nuk e di se çfarë do bëj, kam përshtypjen që duhet të angazhohem fort personalisht. Nuk e ndreqim KLD-në duke çuar dy vetë. KLD duhet përmbysur dhe duhen çuar njerëz të tjerë. Duhet të angazhohemi për ta thelluar reformën në KLD.

Xhafaj: Ne po i japim KLD-së jo dy individë, por dy personalitet të fushës. Në fund në Këshill do të ketë edhe një shoqe, znj. Hysi, që do të zërë vend. Jam dakord që balanca e Këshillit nuk ndryshohet me dy veta, por fryma në Këshill është shumë e rëndësishme.

 

Votimi i kandidaturave

Albana Shtylla – Të gjithë pro, kundër dhe abstenime asnjë

Vangjel Kosta – Të gjithë pro, kundër dhe abstenime asnjë

 

 Klosi: Pse s’reaguat për ndeshjen në Beograd.

Baraku: S’donim të ndikonim tek vendimi i UEFA-s

Në seancën e djeshme dëgjimore me Komisioneren për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, deputeti socialist Blendi Klosi kërkoi të dinte se pse ky institucion nuk reagoi pas ndeshjes Serbi-Shqipëri në kuadër të racizmit që u shfaq. “Nuk e di a e keni ndier veten se do të duhet të ishit më të evidentuar në lidhje me atë që ndodhi në stadiumin e Beogradit, s’ka pasur asnjë reagim nga institucioni juaj për një ngjarje që ka të bëjë me funksionimin me atë që ju duhet të mbroni, mbrojtjen nga diskriminimi. Ishte një ngjarje që kërkonte dhe një mesazh profesional nga ana juaj”, – pyeti deputeti socialist. Në përgjigjen e saj, që habiti jo pak anëtarët e Komisionit, Komisionerja Irma Baraku tha: “Ne, kur trajtojmë një rast, mundohemi që mos jemi ndikues në vendimet që merren dhe në momentin që është dhënë vendimi i UEFA-s”. Ndaj kësaj përgjigjeje nuk mungoi reagimi i Klosit, cili tha: “Opinioni publik shqiptar, taksapaguesit dhe ne ju kemi zgjedhur dhe ata mendojnë se ka një komisioner, prisnin nga ju reagimin. Nuk mendoj se UEFA do ndikohej nga reagimi juaj, por opinioni publik duhet të dëgjonte zërin tuaj”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency