Debati për zgjedhjen e komisionerëve të Avokatit/ Xhafaj: Je gjirokastrit, pushtetin e ke me merak. Totozani: Po na ktheni në sekretariat teknik  

0
191

Gëzim Saliu

kom ligjeve_2Klosi kundër ndryshimeve, Totozani, Xhafajt: Ke më shumë përvojë për pushtetin. Komisionerët, jo shokët e mi, nëse doni ta dini, s’kam ndërmend të vazhdoj pas mandatit

 Heqja e kompetencave për zgjedhjen e komisionerëve hapi debate dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve mes Avokatit të Popullit Igli Totozani dhe kryetarit Fatmir Xhafaj. Mes replikave të shoqëruara me ironi mes palëve, avokati tha se me këto ndryshime po cenohet në mënyrë të ndjeshme pavarësia e institucionit që ai drejton, duke e kthyer atë, sipas Totozanit, në një sekretariat teknik. “Kështu si është, nuk e bën zgjedhjen Avokati i Popullit, por ai kthehet në një sekretariat teknik që mbledh kandidatura dhe i sjell këtu. Normalisht, i takon Avokatit të Popullit prerogativa që të propozojë dhe ju të vendosni”, – tha ai. Ndërkaq, kryetari i Komisionit e ka cilësuar ligjin një risi, duke shtuar edhe një batutë për Avokatin e Popullit: Në Shqipëri, po pate pushtet sa më shumë është… është sëmundje e vjetër kjo zoti Totozani, po e heq dhe ti. Nuk kam çfarë të të bëj, nuk të shëroj dot nga kjo. Je edhe gjirokastrit dhe pushtetin e ke me merak”, – tha Xhafaj. Në kundërpërgjigje të tij, Totozani tha: “Për pushtet ke më shumë përvojë se unë”. Ndërkaq, deputeti Blendi Klosi ka mbështetur qëndrimin e Avokatit të Popullit, duke theksuar kërkesën për riformulim të pikës 6 dhe 7, se po të jenë kështu siç janë, unë jam me Avokatin e Popullit në këtë moment që përzgjedhja nga gjithë lista pastaj nuk i takon më Avokatit të Popullit”. Në përfundim të mbledhjes, Klosi votoi kundër ndryshimit.

 

Debati

Totozani: E konsiderojmë një nga elementët më të rëndësishëm të pavarësisë dhe ky moment i lidhur ngushtë me mekanizmin dëmton seriozisht pavarësinë e Avokatit të Popullit. Propozojmë të mbetet siç ishte, Avokati i Popullit propozon, kuvendi voton. Kështu si është nuk e bën zgjedhjen Avokati i Popullit por ai kthehet në një sekretariat teknik që mbledh kandidatura dhe i sjell këtu.

Xhafaj: Dakord, ju kërkoni që të kthehet kuvendi në noter.

Majko: Unë e kuptoj pavarësinë që kërkon Avokati i Popullit në procesin e përzgjedhjes, por besoj se nuk duhet tepruar me logjikën e sekretarisë se p.sh. Presidenti sjell kandidatura për Gjykatën e Lartë, nuk është sekretar. Ne ia pranojmë, ia rrëzojmë, ka ndodhur që Parlamenti ia ka rrëzuar, ka sjellë të tjera. Është një proces check &balance.

Totozani: Me ligjin e ri unë jam detyruar t’ju sjell një listë kandidatësh, të gjithë kandidatët që vijnë tek unë. Nuk e kuptoj defektin e ligjit ekzistues ku Avokati propozon dhe Parlamenti miraton. Çfarë defekti ka në këtë pikë?

Klosi: Do kërkoja një riformulim të pikës 6 dhe 7 se po të jenë kështu siç janë, unë jam me Avokatin e Popullit në këtë moment që përzgjedhja nga gjithë lista pastaj nuk i takon më Avokatit të Popullit. Nuk thuhet në asnjë moment që listën me 4 veta e bën Avokati i Popullit.

Vasilika Hysi: Po more.

Klosi: Është parimore, do ta zgjidhë Kuvendi apo Avokati i Popullit. Mbështes Avokatin e Popullit në këtë pikë, që të jetë më e plotë.

Xhafaj: Besoj se duhet ta rilexosh edhe një herë që ta kuptosh.

Klosi: Fatmir, unë e lexoj aq herë sa më nevojitet, siç e lexoj unë mendoj se Avokati i Popullit ka të drejtë.

Totozani: Që nga momenti që ju përmendi ‘lista e plotë e kandidatëve të paraqitur’, ju kërkoni që gjithë kandidatët që paraqiten pavarësisht se vlerësohen mirë apo keq të vijë në komision dhe ju të filloni konkursin 4 e nga 4. Kjo nuk mund të bëhet. Këta janë njerëz që do punojnë pranë Avokatit të Popullit, nuk kanë për të qenë shokët e Ilir Totozanit nëse doni ta dini se nuk kam ndërmend të vazhdoj këtë punë. Do ta vazhdoj deri në atë moment që mbaron mandati ose dëshironi ju dhe pastaj do të iki, nuk kam interes për këtë por e ngre çështjen në parim.

Klosi: Unë jam kundër.

Xhafaj: Gjithë ky ligj është risi, por nuk e di si nuk e kupton zoti Totozani. Në Shqipëri po pate pushtet sa më shumë është risi, por shqiptarët… është sëmundje e vjetër kjo zoti Totozani, po e heq dhe ti. Nuk kam çfarë të të bëj, nuk të shëroj dot nga kjo. Je edhe gjirokastrit dhe pushtetin e ke me merak.

Fino: Çfarë ke me gjirokastritët?

Totozani: Për pushtet ke më shumë përvojë se unë.

Xhafaj: Drafti është me 5 komisionerë, s’ka në Ballkan.

Totozani: Zoti Xhafaj, ju me 5 komisionerët dhe me mënyrën e përzgjedhjes së tyre do të arrini ta kontrolloni më mirë, por jo se do ndihmoni pavarësinë.

Xhafaj: Nuk u ankuat kur ju zgjodhëm ju me konkurs ndërkombëtar.

 

 Axhenda e 10 nëntorit/ Gazeta serbe: Rama nuk do të shtrëngojë dorën me Nikoliçin. Vuçiç: Vizita në Preshevë do të shihet

Kryeministri Edi Rama nuk do të shtrëngojë dorën me Presidentin serb Tomislav Nikoliç gjatë vizitës së tij në Beograd më 10 nëntor. Kështu shkruante dje gazeta beogradase “Politika”, e cila deklaronte se ka siguruar axhendën e Kryeministrit shqiptar në Serbi. Ndërkaq, kreu i qeverisë ka dërguar në Serbi kalendarin e vizitës që pritet të kryejë atje në nëntor, ku është përfshirë edhe vizita në Luginën e Preshevës, përveçse në Beograd. Lidhur më këtë pikë, gazeta serbe shkruan: “Rama ka planifikuar edhe që të mbajë një fjalim në Preshevë, edhe pse nuk është këshilluar më parë për këtë çështje me autoritetet serbe”. Nga ana tjetër, Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pohoi dje se pret që vizita e Ramës të shkojë mirë dhe të jetë frytdhënëse. Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve rreth pjesëmarrjes së Ramës në një takim në Preshevë, Vuçiç ka thënë: “Do të shohim se çfarë do të dalë nga kjo”. Ndërkohë, sipas Vuçiçit, me vendimin për shtyrjen e vizitës së Ramës janë mbrojtur interesat e Serbisë. “I kemi mbrojtur interesat, duke thënë se nuk mund të vini në Beograd të flisni çfarë doni dhe të bëni çfarë doni, pasi provokuat incidente”, – tha ai. Ndërkaq, burime pranë qeverisë shqiptare bënë të ditur dje se lidhur me axhendën e vizitës nuk ka asnjë rishikim plani nga pala serbe.

 

Serbi-Shqipëri/ Braho: Nuk shkoj më në Beograd. Dade: Presim informimin e MPJ-së

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, i cili ishte dëshmitar i incidenteve gjatë ndeshjes të 14 tetorit mes Serbisë e Shqipërisë në stadiumin “Partizani” të Beogradit, tha se nuk do të shkelë më ne kryeqytetin serb pas asaj që ndodhi. Teksa vlerësoi këmbënguljen e Kryeministrit Rama për të mos anuluar vizitën në Serbi, Braho tha se do të ishte në nderin e Kryeministrit Vuçiç të shoqëronte kreun e qeverisë shqiptare në Luginën e Preshevës. “Vetëm sforcërisht, por në Beograd unë nuk shkoj më. Në Preshevë kanë qenë edhe drejtues të tjerë të shtetit shqiptar, gjithsesi, me sa di unë, zoti Rama nuk ka hequr dorë nga kjo kërkesë, bile e ka zgjeruar dhe më tej. Do të thosha që ishte në nderin e zotit Vuçiç që ta shoqëronte Ramën gjatë vizitës në Preshevë”, – tha Braho. Ndërkohë, kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, është ende në pritje që Ministria e Punëve të Jashtme ta informojë në hollësi për situatën e krijuar dhe hapat e mëtejshëm diplomatikë. “Jemi në pritje të materialeve ose të paraqitjes së përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme sepse ne e kemi vlerësuar pozitive atë që është bërë nga MPJ përfshirë notën verbale, kërkesën për t’u paraqitur në ministri ambasadori i Serbisë, përfshirë edhe udhëzimet që Ministria e Punëve të Jashtme në linjë diplomatike ka kaluar tek ambasadat tona dhe prezenca diplomatike jo vetëm në Evropë, por dhe në botë”, – tha Dade.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency