Stefan Çapaliku/ Guximi im mbi më të vështirën… Hamletin

0
231

Kulturë/ Intervistë me dramaturgun e regjisorin Stefan Çapaliku për veprën “HamletMakina”

foto stefan3Në fillim të tetorit, skena e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dha shfaqjen “HamletMakina”, e autorit gjerman Heiner Müller, një kryevepër postmoderne dhe një portret pikëllues i jetës nën sundimin totalitar. Pjesa më e madhe e këtij teksti përbëhet nga monologë dramatikë, të dendur me aluzione dhe referenca nga Shekspiri dhe çështje të tjera të kulturës evropiane. Aluzionet mbi teatrin shëtitës të Shekspirit vijnë e marrin formë nëpërmjet një imazhi dekadent, fytyra e sotme e teatrit shqiptar. Vija e klonit kufitar ndan ende spektatorët me aktorët. Diktatura me format e saj të dhunës sociale vjen dhe zgjatet deri në ditët tona. “HamletMakina” na ka hije. “Gjithkush mund të bëjë shumë gjëra te HamletMakina”, – do të thoshte Müller. Fakti më i mrekullueshëm i dramaturgjisë së Müllerit është se të gjitha tekstet e tij dramatike janë shkruar me qëllim që t’i rezistojnë çdo produksioni. Çdo artist teatri, duke u marrë me veprën e Müllerit, do ta gjejë veten në përpjekje të pazakonta për të përballur një liri marramendëse dhe alarmuese.

Të gjithë janë të lirë për të lëvizur në copat e tij dhe për të krijuar diçka për veten e tyre. Refleksionet mbi shfaqjen dhe përpjekjet për t`ia bërë të mundur spektatorit shqiptar i gjejmë në intervistën e mëposhtme, realizuar me regjisorin e saj, dramaturgun e njohur Stefan Çapaliku.

 

  1. Çapaliku, cilat janë përshtypjet e deritanishme për vënien e shfaqjes “HamletMakina” dhe përshtypjet e atyre që kanë mundur ta shohin veprën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në Tiranë?

Unë dua të them që në krye të herës se, në përgjithësi, nuk hyj tek ata persona që pyesin spektatorët. Veçanërisht, gjëja që nuk më pëlqen është të pyes anëtaret e komunitetit teatror, sepse mendoj që teatri nuk bëhet për njerëzit e teatrit, teatri bëhet për një publik, i cili aksesin në teatër e ka “të painters”, do të thotë për njerëzit të cilët e dashurojnë teatrin dhe jam shumë i lumtur, shumë i kënaqur që në netët e tij, salla ka qenë plot, dhe kur them përplot, do të thotë që kanë qenë të mbushura edhe shkallët e platesë dhe në përgjithësi jam shumë i kënaqur për mënyrën se si e kanë ndjekur shfaqjen dhe mënyrën se si vepra i ka përfshirë ata (publikun), se si kanë treguar një sinqeritet gati-gati infantil në momentin final të saj, nëpërmjet duartrokitjeve. Kështu që, ndihem jashtëzakonisht i kënaqur dhe i mikluar, në sedër.

 

Pjesa është shkruar nga Heiner Müller në vitin 1979, ndërkohë që vepra e vënë në skenë na foli për diktaturat komuniste në përgjithësi, në mënyre universale…

Müller ka qenë një autor që i ka takuar Gjermanisë Lindore, jeta e tij është e ndarë në tri periudha të rëndësishme: fëmijëria dhe rinia e tij e hershme ka lidhje me epokën e para luftës dhe të Luftës së Dytë Botërore, pastaj vjen epoka ku ai harxhon kohën më të madhe, pra shpenzon moshën “e luanit”, në periudhën e komunizmit; dhe fatkeqësisht një pjesë e vogël e jetës së tij mbetet për t`u shpenzuar në kohen post-komuniste, pas rënies së Murit të Berlinit. Müller ka një histori interesante se si i është qasur këtij teksti. Ai kujton se në moshën 6-vjeçare, kur sapo ishte instaluar regjimi i Hitlerit, në Gjermani, disa njerëz vijnë natën në shtëpinë e tij dhe i arrestojnë të atin dhe ky fëmijë 6 vjeç shikon nga e çara e derës së dhomës së gjumit, disa burra që i rrahin babain. Dhe mendoni se çfarë mund të ndodhë me një fëmijë që e ka parë të atin duke ia dhunuar. I ati arrestohet se ai akuzohet si mbartës i ideve socialdemokrate. Ia burgosin dhe fëmijëria e Müllerit, në njëfarë mënyre, shënohet nga kjo ngjarje, sepse ai kujton veten duke shkuar me nënën në kampin e përqendrimit, për të parë të atin pas hekurave. Kjo është një prej arsyeve më të forta që shpjegon se pse Müller në vitin 1945, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ishte komunist. Mirëpo, për ironi të fatit, në vitin 1956, përsëri janë disa njerëz që vijnë dhe ia arrestojnë të atin, për të njëjtat motive për idetë e tij socialdemokrate dhe ia burgosin. Tani nuk janë nazistët, por janë komunistët. Kjo e bën Müllerin të kuptojë se diktaturat kanë të njëjtën fytyrë, nuk ka rëndësi nëse janë të majta apo të djathta. Diktaturat janë makina që dhunojnë lirinë e individit dhe personalitetin njerëzor. Për ta kapërcyer këtë krizë, Müller nis të përkthejë “Hamletin” e Shekspirit, ky i fundit është përkthyer ndërkohë edhe nga shumë njerëz të tjerë, para tij, por ky i fundit e shikon si sfidë personale. Dhe gjatë periudhës kur përkthen “Hamletin”, sepse mënyra më e mirë për ta njohur një tekst është përkthimi, ai kupton se fenomeni hamletian është fenomeni që gjendet në të gjitha veprat e mëdha të letërsisë dhe teatrit botëror. Dhe çfarë është në thelb Hamleti? Është një djalosh që vjen dhe zbulon padrejtësitë e kësaj bote, harton një plan për t`i rregulluar dhe sa më shumë që e përsos planin, aq më shumë dështon. Kjo e kthen fenomenin hamletian në një makinë, dhe kjo është arsyeja pse Müller shkruan “HamletMakinën”. Është shume interesant fakti që versioni i parë i tekstit, i shkruar nga Heiner Müller, ka qenë 200 faqe. Dramaturgu, fillimisht, kur e bëri publike veprën, e ktheu në 7 faqe. Imagjino që nga vepra jote të heqësh 193 faqe dhe ta esencializosh tekstin dramatik me 7 faqe. Këto 7 faqe në vitin 1979 arriti t`i nxirrte ilegalisht nga Gjermania Lindore, duke ia dhënë një turisti francez, i cili mundi ta çonte ekstraktin në Paris, u përkthye, dhe në 1980 u bë premiera botërore e “HamletMakines”. Vetë Müller nuk pati shansin të ishte i pranishëm në premierën e veprës së tij, por me rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989, ai u bë regjisor i parë i veprës së vet dhe realizoi premierën gjermane të “HamletMakinës”.

 

Ju, si regjisor, i keni qëndruar besnik tekstit të Heiner Müllerit apo keni përfshirë në të edhe ngjarje që i takojnë ish-sistemit tonë komunist?

Tekstit nuk i është shtuar dhe nuk i është hequr asnjë presje, teksti është identik si origjinali, sepse t`u shtosh apo t`u heqësh këtyre 7 faqeve, do të ishte aventurë e pakokë, e pandërgjegjshme. Por shfaqja me mjetet e veta teatrore, përtej tekstit, natyrisht që sjell referenca nga bota shqiptare që nuk kanë të bëjnë me tekstin në kuptimin “fjalë për fjalë”, por kanë të bëjnë me teksturën teatrore, me regjinë, koreografinë, me skenografinë, me muzikën, me aktrimin dhe me të gjitha mediumet e tjera që përdor shfaqja.

 

Sa e vështirë ishte që ta kuroje shfaqjen dhe t`ia sillje të kuptueshme publikut shqiptar? Bëhet fjalë për një shfaqje që i përket rrymës post-moderniste?

Për mua ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Mendoj dhe ngandonjëherë edhe më tremb ideja se me çfarë guximi i kam hyrë kësaj pune që do të thotë se ka qenë shumë e vështirë. Nuk besoj se mund të ketë një tekst dramatik më të vështirë se teksti i “HamletMakinës”, në dijet e mia nuk ka një tekst më të vështirë.

 

Keni sjellë në skenë dy aktorë të mirënjohur, Alfred Bualotin dhe Eva Alikajn. I pari është parë shumë rrallë në skenën e Teatrit Kombëtar, më shumë si regjisor. Çfarë të ngacmoi të bëje këtë përzgjedhje Bualoti-Alikaj?

Ka shumë faktorë dhe rrethana që të shtyjnë në zgjedhjen e çastit, ajo që më ka interesuar fillimisht ka qenë fakti se kam qenë i interesuar të kem dy njerëz, aktorë sigurisht, të cilët e kanë të shënuar të shkuarën e tyre socio-realiste në kinemanë shqiptare. Alfred Bualoti e kishte shënuar fillin si aktor me filmin e tij të famshëm, “Pylli i lirisë”, edhe Eva Alikaj me galerinë e filmave të saj, por unë kam cituar në shfaqje vetëm njërin prej tyre nga ajo, atë me titull, “Njeriu i mirë”. Të dy më kanë përngjasuar në mendjen time me një Hamlet dhe Ofeli, d.m.th. ai Vlashi i famshëm i atij filmi, në një kontekst thellësisht politik dhe te ideologjizuar të kohës, ishte një Hamlet në thonjëza dhe Eva, tek vajza e dashuruar, te filmi “Njeriu i mirë” ishte një Ofeli. Unë isha shumë i interesuar të kisha këta dy njerëz të identifikuar, jo thjesht si aktorë, por si qenie njerëzore, në mënyrë që mbas disa dekadash, të kemi mundësi të reflektojnë, jo thjesht personazhet që luajnë, por të reflektojnë edhe për veten e tyre.

 

Ka qenë e vështirë të punoje me këta aktorë, sepse Hamleti dhe Ofelia janë personazhe shumë specifike?

 Ka qenë e vështire hera-herës, e këndshme, e pakëndshme ndonjëherë. Ky është procesi në një laborator teatror. Reagimet nuk i ngjajnë dita-ditës. Por i rëndësishëm është rezultati, nuk është e rëndësishme çfarë fsheh brenda kuzhina teatrore. Ju e dini që në të gjitha restorantet e mira, kuzhina nuk shihet nga klientët.

 

Shfaqja është vendosur në Francë, Itali, SHBA. Keni pasur mundësi të shikoni ndonjërën prej tyre, thjesht për referencë, apo keni qenë “i pavarur” në idetë tuaja në këtë sjellje të Müllerit?

Unë, “live” nuk kam parë asnjë shfaqje të “HamletMakinës”, nuk më ka rënë rasti. Kam parë shume trailer-a në internet, të vënieve të ndryshme, por ato janë fragmente, nuk ke rastin të shikosh një vënie të plotë. Ka vënie në skenë prej regjisorëve eminentë, me famë botërore, si Robert Wilson dhe Dimitri Gojcev; ka variante nga më të çmendura të “HamletMakinës”, prej 20 minutash deri në 4 orë. Pra, rasti i Robert Wilsonit është 4 orë shfaqje me 7 faqe tekst. Imagjinoni se çfarë intensiteti të jashtëzakonshëm ka ai tekst. Me çdo fjali të tij mund të bësh një shfaqje. Me çdo fjali të atij teksti mund të bësh një film. Teksti është gjenial, unë surprizohem sa herë që e dëgjoj dhe imagjinoni që unë e kam dëgjuar të paktën 100 herë, prej datës 1 shtator, kur kanë nisur provat.

 

Si jeni njohur me tekstin në fjalë dhe pse morët rrezikun të eksperimentoni me Müllerin?

Jam njohur me tekstin krejt rastësisht, për të thënë më mirë me titullin e tekstit, në një nga udhëtimet e mia jashtë Shqipërisë dhe me kontaktet që kam krijuar me miqtë e mi artistë. 6 vjet përpara, një miku im në Francë me pyeti nëse ishte vënë në Shqipëri “HamletMakina”. Dhe kur unë i thashë që nuk e kam idenë se për çfarë po flet, ai mbeti shumë i çuditur. Më pas kërkova ndihmën e përkthyesit Pandeli Pani, pjesa u bë e mundur për shfaqje. Falë punës së koreografit Gjergj Prevazi, skenografisë së Sadik Spahisë, muzikën e shkëlqyer të Hajg Zaharjanit dhe interpretimit të aktorëve të tjerë: Erjon Hitaj, Reze Qerreti, Irgenta Dervishaj, Matilda Bajrami, Rosella Pelliçioti dhe Edrin Hekurani, erdhi si një e tërë. Presim së shpejti të jemi nëpër takime ndërkombëtare nga kontaktet që kemi vendosur deri tani….

 

 Biografia e Heiner Müller:

Heiner Müller ka lindur në Ependorf, Saksoni, më 1929. Ai iu bashkua Partisë së Bashkimit Socialist në vitin 1947 dhe filloi të punonte për Shoqatën e Shkrimtarëve Gjermanë. Më 1954 Müller u shpall një nga dramaturgët më të rëndësishëm të Republikës Demokratike Gjermane. Ai fitoi çmimin “Heinrich Mann” në vitin 1959 dhe çmimin “Kleist” më 1990.

Por marrëdhëniet e tij me shtetin e Gjermanisë Lindore filluan të përkeqësoheshin shpejt. Drama e tij “Die Umsiedlerin” u censurua në vitin 1961. Në të njëjtin vit Müller u përjashtua nga Shoqata e Shkrimtarëve. Më pas, qeveria e Gjermanisë Lindore u “kujdes” t’i sabotonte edhe premierën e dramës “Der Bau” në vitin 1965 dhe t’ia censuronte dramën “Mauser” në fillim të viteve 1970.

Megjithatë, pavarësisht nga këto vështirësi, puna e Müllerit filloi të fitonte popullaritet si në Gjermaninë Perëndimore ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Shumë nga dramat e tij më të njohura të kësaj periudhe patën premierë në Perëndim. Vetë Heiner Müller vuri në skenë një dramë të veten në Bohum në vitin 1982. Në Paris, Jean Jourdheuil drejtoi premierën botërore të “HamletMakinës” (Die Hamletmaschine) më 1979. Gjithashtu pjesë të veprës së tij u përkthyen në anglisht dhe vitin 1975 në Austin, Teksas, u luajt drama e tij “Mauser”.

Për shkak të famës së tij në rritje në mbarë botën, Müller qe në gjendje ta rifitonte pozicionin social dhe të pranohej në Gjermaninë Lindore. Ai u bë anëtar i Akademisë së Arteve (Akademie der Künste) të RDGJ në vitin 1984 dhe dy vjet më vonë u pranua si anëtar i Akademisë së Arteve të Berlinit Perëndimor. Pavarësisht nga këto nderime, Müller nuk pranohet në Shoqatën Shkrimtarëve të Gjermanisë Lindore deri në vitin 1988.

Pas rënies së Murit, për një kohë të shkurtër, Müller u bë President i Akademisë Lindore Gjermane të Arteve, pak para përfshirjes së saj në Akademinë e Gjermanisë Perëndimore. Në vitin 1992, ai u ftua t’i bashkohej drejtorisë së Berliner Ansamblit, ish-kompania e Brechtit, si një nga pesë anëtarët e saj së bashku me Peter Zadek, Peter Palitzsch, Fritz Marquardt dhe Matthias Langhoff. Në vitin 1995, pak para vdekjes së tij, Müller u emërua si drejtor i Përgjithshëm i këtij teatri.

Gjatë pesë viteve të fundit të jetës së tij, Müller vazhdoi të jetonte në Berlin dhe të punonte në të gjithë Gjermaninë dhe Evropën, kryesisht si regjisor i veprave të veta. Gjatë kësaj kohe ai shkroi disa tekste të reja dramatike, edhe pse, si Brecht, nuk reshti së shkruari poezi.

Müller vdiq në Berlin prej kancerit të fytit në vitin 1995, dhe u përcoll si dramaturgu më i rëndësishëm gjerman pas Bertolt Brechtit. Müller është varrosur në varrezat e famshme Dorothenstadt të Berlinit, vendi final i prehjes së disa prej artistëve dhe filozofëve më të rëndësishme të Gjermanisë, si: Brecht, Hegel, Schinkel, Mann etj.

Ndër veprat e tij më të njohura, përveç atyre të përmendura më sipër janë: “Der Lohndrücker”, “Wolokolamsker Carigradsko”, “Verkommenes Ufer Medeamaterial Landschaft mit Argonauten”, “Philoktet”, “Zement”, “Bildbeschreibung dhe “Quartett”.

 

 Per “HamletMakinën” e Heiner Müllerit kane thënë:

Genia Schulz: “Makina e Müllerit mund të ndizet në mënyra të ndryshme dhe të ndizet me marshe të ndryshme. Në varësi se cila makineri leximi është në punë, ajo i drejton energjitë e ndryshme me rrugë të ndryshme”.

Hans-Thies Lehmann: “HamletMakina” mund të konsiderohet si një pamflet kundër iluzionit vrasës, se në botën tonë njeriu mund të mbetet i pafajshëm”.

Frank-Michael Raddatz: “Qëllimi i Müllerit është që përmes paraqitjes së dështimit të karaktereve të tij, të prezantojë një ringjallje themelore të marrëdhënieve sociale”.

Vlado Obad: “Drama shërben vetëm si nxitje dhe jo më si zgjidhje e problemit. Heiner Müller do një publik të maturuar, sepse revolucioni mund të nisë vetëm prej një shumice të bindur”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency