Flamuri i ISIS-it valëvitet në obeliskun e Shën Pjetrit  

0
161

Alba Kepi

dabiq Flamuri i ISIS-it valëvitet në obeliskun e Shën Pjetrit në Vatikan. Është ky provokacioni i fundit i grupit terrorist mbi kopertinën e revistës “Dabiq”. Botuar në disa gjuhë evropiane kjo revistë është gjetja e re propagandistike e xhihadistëve dhe mban një emër mjaft simbolik, pasi Dabiq është rajoni ku më 1516, otomanët mundën në fushëbetejë mamelukët, duke u konsoliduar në histori si kalifati i fundit islamik. Frymëzuar nga kjo ide, drejt krijimit të kalifatit të ri islamik, “Dabiq”, deri tani me katër numra botimi, është një nga strategjitë e ISIS për të rekrutuar sa më shumë të rinj evropianë në kauzën e tyre.

Fotomontazhi shoqërohet me artikullin e radhës, ku shpjegohet se Roma e romani janë për xhihadistët perëndimi e perëndimorët. “Kryqëzata e dështuar” shkruhet në të, duke iu referuar tentativave të Perëndimit për të pushtuar “territoret islame”, për t’i kolonizuar e për t’i imponuar fenë e krishterë. Roma si simbol i Krishtërimit përdoret për të provokuar Perëndimin dhe koalicionin luftarak nën drejtimin amerikan kundër ISIS-it. Por vazhdon materiali: “Ne do të pushtojmë Romën, do të thyejmë kryqet tuaja e do t’ju skllavërojmë gratë, ashtu siç dëshiron Allahu”. Faqet e revistës përcjellin betejat, fitoret e korrura të ISIS-it, robërit e luftës dhe ideologjinë e Shtetit të tyre Islamik. Fëmijët e gratë e etnisë yazidi, kapur në qytezat e banimit në veri të Irak, për xhihadistët janë veç pengje lufte, duke i ndarë mes luftëtarëve dhe si një e drejtë konstitutive e sheriatit.

Revista “Dabiq” përcjell edhe deklaratën e xhihadistëve të ISIS-it për një luftë të hapur kundër drejtuesve të  rrjetit social “Twitter”. Gjatë ditëve të fundit “Twitter” ka mbyllur mbi 400 profile të luftëtarëve të tyre, që përdoreshin për të shpërndarë informacione për aktivitetit e këtij grupi, por edhe për të përfshirë luftëtarë të rinj në radhët e tyre.

Evropa e SHBA së fundmi po bashkëpunojnë ngushtë me rrjetet më të rëndësishme sociale për të përballuar kërcënimin nga propaganda xhihadiste. Ditët më parë, në Luksemburg, ministrat e Brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e “Facebook”, “Twitter”, “Google” e “Microsoft” për të koordinuar punën dhe operacionet kundër terrorizmit në internet.

Njëkohësisht me publikimin e revistës “Dabiq”, xhihadistët kanë shpërndarë edhe episodin e tretë të serisë filmike “Lend me your ears” (Më kushto vëmendje), ku gazetari britanik i sekuestruar prej dy vitesh nga terroristët, John Cantlie, përcjell mesazhin e radhës të ISIS-it ndaj Perëndimit dhe SHBA-së: “Katër prej shokëve të mi të qelisë janë ekzekutuar në mënyrën më të përgjakshme nga Shteti Islamik, e nëse diçka nuk ndryshon shpejt e në mënyrë radikale, unë po pres turnin tim”.

 

10 mijë luftëtarë të ISIS-it në hyrje të Bagdadit

Kryeqyteti irakian është në shënjestrën e terroristëve të ISIS-it. Këtë alarm e jep faqja në web “Al-Arabiya”, e cila citon edhe një funksionar të lartë të qeverisë irakiane, sipas të cilit të paktën “10 mijë xhihadistë janë në hyrje të Bagdadit, të gatshëm për të shpërthyer sulmin”. E konfirmon lajmin edhe e përditshmja britanike “Telegraph”. Sipas kreut të forcave amerikane, gjeneralit Martin Dempsey, objektivi kryesor është marrja e aeroportit të Bagdadit. Gjatë ditëve të fundit kanë tentuar ta pushtojnë, por janë tërhequr pas sulmeve të helikopterëve amerikan. Sot luftëtarët e Shtetit Islamik kanë vënë nën kontroll rajonin Hit, në provincën Al Anbar, në perëndim të Bagdadit. “BBC” informon se një ekip specialistësh ka zbarkuar orët e fundit në Irak, janë 12 mijë ushtarë britanikë, që do të përgatisin luftëtarët kurdë në përdorimin e armëve të artilerisë së rëndë, furnizuar nga Britania e Madhe. Ndërkohë, në Kobane, në veri të Sirisë, luftohet dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ka lëshuar dje thirrje për preokupimin e mijëra jetë civile vënë në rrezik në këtë rajon, për shkak të sulmeve të terroristëve të Al Bagdadit. Por për drejtorin e Observatorit Kombëtar për të Drejtat Humane në Siri, Rami Abdel Rahmane, beteja në Kobane është për ISIS-in vendimtare, e sidomos për imazhin e idealit të tyre.

 

Turqia OK përdorimit të bazave të saj ushtarake nga ana e amerikanëve

Kjo e hënë ka nisur me lajmin e dhënë nga këshilltarja amerikane për Sigurinë, Susane Rice, e cila ka konfirmuar se Turqia vë në dispozicion të koalicionit anti-ISIS bazën e ajrore të Inçirlikut. Menjëherë u mendua si impenjimi i parë konkret i Turqisë ndaj xhihadistëve, por nuk kaloi shumë e mbërriti përgënjeshtrimi i qeverisë së Ankarasë: “Asnjë pakt me SHBA-në, baza turke nuk është e disponueshme!”

Sipas mediave turke, qeveria e Erdoganit për pranimin e kësaj marrëveshjeje ka kërkuar nga amerikanët krijimin e një zone “no fly” në veri të Sirisë, si dhe furnizimin me armë të rebelëve të moderuar sirianë, që destabilizojnë qeverinë e Bashar al Assadit, armik i qeverisë së Ankarasë. Negociatat mes qeverisë turke e asaj amerikane vazhdojnë e deri atëherë trupat e ISIS-it përparojnë në Kobane e pranë kufijve të Bagdadit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency