Akciza, çfarë ndryshon tek duhanet, alkooli, karburanti

0
188

Ervin Kaduku

duhani dhe alkooli– Si dështoi qeveria për të ndaluar hyrjen e mallrave me akcizë në fund të vitit të kaluar, kur shteti lejoi një evazion të pastër fiskal

Ka mbërritur në komisionet e Kuvendit projektligji, i miratuar tashmë nga qeveria, lidhur me ndryshimin e rregullave të akcizës. Me ndryshimet e propozuara në këtë projektligj gërshetohen masa të politikës fiskale në rishikimin e normave të niveleve të akcizës së disa produkteve dhe propozimet për përmirësime administrative të procedurave të administrimit të produkteve të akcizueshme.

 

Evazioni

Neni 1 i projektligjit propozon shtrëngimin e masave ligjore për dekurajimin e operatorëve ekonomikë në rritjen e importeve të produkteve të akcizës, nga hyrja në fuqi e një ndryshimi ligjor për rritje/ulje të niveleve tarifore.

Aktualisht, ligji në fuqi ka të përcaktuar: “Në rast të iniciativave për ndryshime ligjore, që kanë për qëllim rritjen e nivelit të taksimit të akcizës, sasia e importimit të mallrave të akcizës nga çasti i dekretimit të ligjit të ri, të miratuar, deri në hyrjen e tij në fuqi, nuk mund të jetë më e lartë se 20 për qind më shumë se mesatarja mujore e vitit paraardhës”.

Sipas Financave, ky përcaktim nuk ka arritur efektin e duhur të parandalimit të rritjes së importeve para hyrjes në fuqi të ligjit që përcakton rritjen e akcizës, për arsye se masa e caktuar në ligj prej 20% është e lartë. Rasti më tipik ishte rritja e importeve të akcizës gjatë tremujorit të fundit të vitit 2013, përpara hyrjes në fuqi të rritjes së akcizës së cigareve më 1 janar 2014. Për këto arsye, propozohet ulja e sasive që u lejohet importuesve, nga 20% në 15% më shumë se mesatarja mujore e vitit pasardhës.

 

Biokarburanti

Një nen tjetër i projektligjit propozon shfuqizimin e një rregulli aktual, që parashikon rastet “kur rimbursohet vlera e akcizës së paguar “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”, për vlerën e detyrimit të paguar që i korrespondon sasisë së produktit “Bio” që gjendet në produktin e deklaruar për konsum, pas konfirmimit nga laboratori kimik doganor”.

Biokarburantet dhe lëndët e tjera djegëse, të rinovueshme, që përdoren në sektorin e transportit, si dhe lëndët e para, që përdoren për prodhimin e tyre, kanë akcizë zero deri në vitin 2018. Në vitin 2012, kur u hartua ligji i ri për akcizat, lehtësia fiskale e dhënë në këtë ligj për biokarburantet dhe lëndët e tjera djegëse, të rinovueshme, që përdoren në sektorin e transportit, si dhe lëndët e para u transpozua në ligjin për akcizat

Qeveria tani propozon shfuqizimin e dispozitës për rimbursimin e akcizës për produktin “Bio” që gjendet në karburantet finale që hidhen për konsum. Arsyeja e propozimit të këtyre ndryshimeve është e lidhur me rishikimin e plotë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë të ligjit “Për energjitë e rinovueshme”, në të cilin nuk merren në konsideratë dhe nuk trajtohen biokarburantet. Rishikimi i këtij ligj, që parashikohet të propozohet nga MEI në dhjetor 2014, do të synojë që biokarburantet të kenë një vend të veçantë në drejtim të targetit kombëtar për të futur në përbërjen e karburanteve 10% si energji e rinovueshme në terma konsumi si dhe të marrë në konsideratë edhe skemën e mbështetjes në fushën e prodhimit të biokarbureve.

 

Gjobat

Nenet e tjera të projektligjit synojnë rregullimin e masave administrative që ushtron administrata doganore në rast të shkeljeve doganore në fushën e akcizës. Pas dy vitesh nga zbatimi i ligjit të akcizës nga administrata doganore kanë dalë çështje praktike që kanë sjellë nevojën e rishikimit të masave administrative. Në të gjitha këto nene propozohet heqja e minimumit të gjobës, përkatësisht, prej 1 milion lekësh ose 200.000 lekësh, me argumentet e mëposhtme.

  • Nga administrata doganore, gjatë zbatimit të ligjit, është vënë re se masa e gjobës shpesh nuk është në përputhje me llojin e shkeljes apo të shmangies së kryer nga operatorët e akcizës.
  • Në bazë të nenit “Sanksionet” të ligjit të akcizës, është përcaktuar se penalitetet duhet të jenë efektive dhe proporcionale. Nga zbatimi në praktikë i minimumit ligjor të përcaktuar për shkeljet doganore në masën 1 milion lekë ka rezultuar se këto parime të penaliteteve nuk kanë qenë as efektive dhe as proporcionale. Për shembull, vendosja e një minimumi gjobe në masën 1 milion lekë kur shkelja mund të përbëjë 30 mijë lekë (për shembull 2-fishi i masës së gjobës) nuk është as efektive dhe as proporcionale.

Heqja e minimumit të gjobës së parashikuar në dispozitat përkatëse ka qëllim të lehtësojë pozitën e tatimpaguesit, duke bërë të mundur kështu që gjoba të përkojë me shkeljen e konstatuar nga administrata doganore, si dhe në këtë mënyrë të mundësojë unifikimin e sanksioneve midis mallrave të akcizës në import dhe atyre të prodhimit vendas.

 

Heqje dhe rritje akcize

Projektligji propozon, nga ana tjetër, heqjen e akcizës për produktet bitum dhe asfalt natyral, asfaltet dhe gurët asfaltikë, si dhe rishikimin në rritje të akcizës së cigareve dhe duhanit të dredhur, për tri vitet në vijim.

 

Cigaret

Propozohet rritje e akcizës së cigareve nga 4500 lekë/1000 copë (90 lekë/paketë), që është aktualisht, në 5500 lekë/1000 copë (110 lekë/paketë), si dhe 6000 lekë/1000 copë (120 lekë/paketë) duke filluar nga 1 janar 2016; 6500 lekë/1000 copë (130 lekë/paketë) duke filluar nga 1 janar 2017.

Arsyet për rritjen e nivelit të akcizës për cigaret janë, si më poshtë:

  1. Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, duke rritur çmimin e shitjes së tyre.
  2. Rritje progresive për t’u përafruar me nivelin minimal sipas BE-së. Për këtë arsye, propozohet që rritja e akcizës së cigares të bëhet në mënyrë progresive me rritje 20 lekë/paketa nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri më 31 dhjetor 2015 dhe me rritje 10 lekë/paketa nga 1 janari në dy vitet në vijim, 2016 dhe 2017, sipas progresivitetit të mëposhtëm:
  • 5500 lekë/1000copë, deri më 31 dhjetor 2015;
  • 6000 lekë/1000 copë, më 1 janar 2016;
  • 6500 lekë/1000 copë, më 1 janar 2017.

Sipas direktivës së BE-së, niveli minimal i akcizës së cigareve duhet të jetë 57% e çmimit të shitjes me pakicë. Nisur nga çmimi mesatar 225 lek/paketa, niveli aktual i akcizës që aplikohet në Shqipëri përbën 40% të çmimit të shitjes me pakicë.

Rritja e akcizës në vendin tonë ka qenë graduale ndër vite. Kështu, nga 40 lekë/paketa u kalua në 50 lekë/paketë (viti 2006) dhe nga 50 lekë/paketa u kalua në 70 lekë/paketë (viti 2010). Ndërkohë, në vitin 2014 u bë rritja e akcizës nga 70 lekë/paketa në 90 lekë/paketa.

Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës, për vitin 2015, parashikohet të jetë rreth 3.4 miliardë lekë nga akciza dhe 600 milionë lekë nga TVSH-ja dhe 1,7 miliardë lekë nga akciza dhe 300 milionë lekë nga TVSH-ja, në dy vitet në vijim, nga rritja me 10 lekë/paketa. Si bazë për llogaritjen e efekteve është marrë konsumi vjetor prej 3600 tonë cigare.

Në linjë me rritjen e akcizës së cigareve propozohet rritja e akcizës së duhanit të dredhur me 1400 lekë/ kg deri në fund të vitit 2015 dhe me një rritje prej 700 lekë/kg për 2 vitet ne vijim.

 

 KESH, operacione importi dhe eksporti energjie

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka nisur operacionin tregtar të shitblerjes së energjisë elektrike për përfitime ekonomike. Sipas të dhënave të publikuara nga ky institucion, është kontraktuar blerja e energjisë në vlerë prej 12,6 milionë kilovat-orësh gjatë orëve të natës, ku çmimi është më i ulët për shkak të kërkesës së pakët për konsum dhe po e njëjta sasi energji po tregtohet në rajon me çmime më të larta gjatë orëve të ditës. Kompania njofton se fitimi neto pas këtij operacioni tregtar arrin në vlerën e 200 mijë euro.

Komisioni i shitblerjes pranë KESH-it, pasi mori ofertat nga kompanitë e interesuara, ka përzgjedhur “GEN-I Tirana sh.p.k” për blerjen e energjisë me një çmim prej 52.05 euro për megavat-orë në një vlerë totale prej 655,830 eurosh. Ndërsa për shitjen e energjisë është kontraktuar subjekti “EFT AG” me një çmim në dalje prej 67.95 eurosh për megavat-orë dhe në një vlerë totale prej 856.170 eurosh.

Këto janë rezultate për periudhën nga data 11 deri më 31 tetor që pritet të arrihen nga operacioni tregtar i kontraktuar prej KESH-it. Korporata sqaron se situata hidrike në kaskadën e Drinit paraqitet pozitive dhe garanton furnizimin pa ndërprerje të konsumatorëve shqiptarë, ndërsa operacioni tregtar është ndërmarrë me qëllim rritjen e përfitimeve nga energjia e prodhuar.

 

 Bankat fitojnë 51 milionë euro në 8 muaj

Sistemi bankar regjistroi për 8 muajt e këtij viti një fitim rekord prej 7.1 miliardë lekësh. Sipas të dhënave të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, gjatë muajit Gusht, fitimi i bankave u rrit më tej nga vlera 5.7 miliardë lekë e 7-mujorit.

Sistemi bankar këtë vit po konfirmon një përfitueshmëri të lartë, duke përmbysur plotësisht ecurinë negative të vitit të kaluar, kur për të njëjtën periudhë rezultonte me humbje për 1.6 miliardë lekë. Edhe treguesi i kthimit nga kapitali është përmirësuar në 10.2%, ndërsa kthimi nga aktivitet është në nivelin 0.9%.

Përveç rritjes së të ardhurave nga interesat, vlerësohet se faktori përcaktues në rritjen e fitimeve të bankave është ulja e ndjeshme e shpenzimeve për fondin rezervë të kredive me probleme. Kreditë me probleme këtë vit paraqiten më të stabilizuara, duke sjellë më pak shpenzime për provigjione të reja. Në fund të muajit Gusht, niveli i kredive me probleme qëndroi 24.8%, me një rënie të lehtë nga niveli 24.9% i Korrikut.

Qëndrueshmëria e kreidve me problem është favorizuar edhe nga masat e Bankës Qendrore dhe sidomos ato që lidhen me ristrukturimin e kredive. Deri në mesin e vitit të kaluar, kreditë e ristrukturuara klasifikoheshin automatikisht si kredi me probleme. Në paketën e masave nxitëse të kreditimit, ky detyrim u hoq dhe bankat mund t’i ristrukturojnë kreditë pa i zbritur domosdoshmërisht në nivelin e kredive të këqija.

 

Rritet në mënyrë abuzive me 20-30 lekë çmimi i cigareve

Tregtarët e vegjël thanë dje se me këtë rritje çmimi kanë bërë furnizimet në tregun e shumicës.

Në fakt, kjo është një përvojë e nismave të tjera të bëra me herët, sa herë qeveria kërkon të rrisë akcizën.

Madje kur ligji nuk ka hyrë ende në fuqi, në treg reflektohet menjëherë rritja e çmimit të produktit. Në këtë rast, e paketës së cigares.

E nëse kjo ndodh në marketet në kryeqytet, tek tregtarët ambulantë e në qytete të tjera ku kontrollet pothuajse mungojnë, bëjnë që qytetarët në mënyrë të padrejtë të paguajnë më shumë. Vetë INSTAT në raportin e fundit bëri të ditur se krahasuar më një vit më parë çmimi i duhanit u rrit me 11.7 %, edhe pse 3 muaj më herët se të ndodhte rritja e akcizës.

Një vit më parë çmimi i cigareve në treg u rrit me 50 lekë, edhe pse akciza e duhanit pësoi rritje vetëm me 20 lekë për paketë. Tregtarët i rritën çmimet e cigareve përpara se ligji për akcizat të hynte në fuqi, dhe e njëjta gjë po ndodh edhe sot. Qeveria ka paralajmëruar një rritje të çmimit të duhanit, por ai duhet të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit 2015. Edhe pse pranojnë se cigaret kanë pasur rritje këto ditët e fundit, tregtarët e pakicës thonë se fajin e kanë bizneset e mëdha të cilat i kanë furnizuar me çmime më të larta se më parë. Konsumatorët janë ata të cilët e ndiejnë më shumë shtrenjtimin. Ata thonë se prej disa ditësh po përballen me një problem te tille dhe nuk i ka sqaruar askush përse kjo është rritje e parakohshme. Në janar u ngrit një grup pune ku inspektorët tatimorë dhe sektori i mbrojtjes së konsumatorit në ministrinë e ekonomisë kontrolluan çmimet e rritura abuzivisht. Ata gjobiten tregtarët, por kjo nuk “ndryshoi” çmimet e cigareve të cilat qëndruan statike deri tani, kur për herë të dytë po ndodh e njëjta situatë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency