Sot kandidaturat/ Kuvendi plotësimon vakancat te AMA, si dështuan negociatat e fshehta PD-PS

0
213

Florenc Drizari

 Peza: Kemi pasur një negociatë jozyrtare me opozitën në muajin qershor dhe korrik

komisioni i medias korrik 2014 lsa sakte Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik pritet të miratojë plotësimin e vendeve vakante në Autoritetin e Medias Audiovizive, AMA. Ky proces vazhdon të shkaktojë përplasje qëndrimesh në deklarata politike mes mazhorancës dhe opozitës prej gati një viti, lidhur me zhvillimin e procesit në tërësi si dhe emrat e kandidaturave. Përfaqësues të opozitës thanë dje se Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në Komisionin e Medias për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH dhe AMA-s. Sipas së djathtës, mazhoranca kishte si qëllim shkarkimin e kryetares së AMA-së dhe jo të bënte të mundur funksionimin e këtyre institucioneve.

Nënkryetari i Komisionit të Medias, Alfred Peza, theksoi një ditë më parë se vendimi i mazhorancës vjen si pasojë e situatës emergjente në të cilën ndodhen dy institucionet, AMA dhe Këshilli Drejtues i RTSH-së. “Opozita duhet të kuptojë që është emergjencë për nevoja publike, ligjore dhe institucionale që AMA dhe RTSH të bëhen me kupola drejtuese dhe të plotësohen vendet bosh, sepse të dyja këto institucione janë prej disa vitesh jashtë shinave ligjore dhe kushtetuese pasi janë në pamundësi drejtimi dhe nuk marrin dot vendime. Qoftë kjo për AMA-n, qoftë për RTSH”, – tha Peza.

Deputeti i mazhorancës zbardhi edhe një pjesë të negociatave të zhvilluara me opozitën në muajin korrik të këtij viti për anëtarët e AMA-së, por që, sipas tij, marrëveshja nuk u bë e mundur, për shkak të bojkotit të opozitës.

“Për herë të parë dua të them që ne kemi patur një negociatë jozyrtare me opozitën në muajin qershor dhe korrik. Zoti Boçi e di shumë mirë këtë. Ne nuk do të prekim në thelb asnjë nga ato të drejta që kemi rënë dakord mazhorancë-opozitë, një marrëveshje që nuk arriti të zyrtarizohet për shkak se disa orë më vonë, opozita bojkotoi parlamentin. Ne do të zgjedhim dy anëtarë, një vend do t’ia lëmë bosh opozitës sepse i takon sipas ligjit, dhe më pas do të vijojmë siç e ka ligji në seancë plenare për të zgjedhur edhe kryetarin e ri të AMA-s”, – deklaroi Peza. Ndërkohë, burime nga e majta konfirmojë se për zgjedhjen e anëtarëve të AMA-s ka pasur kontakte me përfaqësuesit e së djathtës, por që negociatat u ndërprenë pas incidenteve të ndodhura në mesin e muajit korrik, incident i cili nisi edhe bojkotin e opozitës nga Kuvendi. Nga ana e tyre deputetët e djathtë akuzojnë mazhorancën se po tenton të ndërhyjë në mënyrë antiligjore në Autoritetin e Medias Audiovizive.

Paraditen e së mërkurës Komisioni i Medias dhe i Arsimit do të mblidhet për të vijuar me procedurën e përzgjedhjeve të vendeve vakante në ama dhe në Këshillin e Radiotelevizionit Shqiptar. Ndërsa në një reagim të sajin, opozita me anë të deputetit Luçiano Boçi deklaroi se mazhoranca duhet të zbatojë ligjin për median. “I bëjmë thirrje mazhorancës të ruajë qetësinë dhe të zbatojë pikë për pikë ligjin për median. Opozita nuk mund të marrë pjesë në farsat e çiftit Rama-Meta, të cilat institucionit rregullator të medias duan t’ia nënshtrojnë me terror vetes dhe interesave të tyre dhe klientëve të tyre mediatikë”, – deklaroi deputeti Boçi. Në mbledhjen e komisionit pritet gjithashtu edhe miratimi i kalendarit të punimeve.

 

Ligji për AMA-n

Ligji për Autoritetin e Medias Audiovizive parashikon që procesi të realizohet me konsensus. Në rastin e përzgjedhjes së kandidatëve të AMA-s, veprohet duke përjashtuar kandidaturat një e nga një. Përjashtimi i kandidatëve bëhet sipas radhës ku një kandidat hiqet nga përfaqësuesit e shumicës dhe kandidati tjetër nga përfaqësuesit e opozitës. lidhur me kandidaturat, komisioni kujdeset për ruajtjen e balancës duke përcaktuar tre kandidatë nga shumica dhe tre nga pakica.

 

Deputetët që kontrolluan SHISH-in, letër Visho Ajazit: Na përgjove, jep llogari në Kuvend

 Përgjimet e mundshme të Shërbimit Informativ Shtetëror ndaj tre deputetëve të mazhorancës, të cilët kanë qenë pjesë e grupit të kontrollit që inspektoi këtë institucion, kanë bërë që këta të fundit ti kërkojnë shpjegime zyrtare këtij institucioni. Mësohet se deputetët Pirro Lutaj, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu i kanë dërguar dje një letër kreut të SHISH-it, Visho Ajazi, për të dhënë llogari para Kuvendit në lidhje me përgjimet. Në një reagim për mediat, deputeti Qefalia tha se qëllimi i mazhorancës nuk është shkarkimi i kreut të SHISH-it, por llogaridhënia e tij ndaj Kuvendit dhe evidentimi i problemeve në këtë institucion.

Letra zyrtare mësohet se i është dërguar pak ditë më parë kreut të SHISH-it, pas verifikimit të disa shkeljeve, të pretenduara si gjetje nga grupi i kontrollit. Raporti i tre deputetëve për verifikimet në SHISH është dorëzuar edhe në Komisionin e Sigurisë, i cili ka zhvilluar mbledhje me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar. Më herët në media ka qarkulluar lajmi se edhe Kryeministri Rama, Kryeparlamentari Meta si dhe kryeopozitari Basha janë përgjuar nga SHISH-i. Mes pozitës dhe opozitës ka pasur debate të forta lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni, debate të cilat kanë iniciuar edhe nisjen e hetimeve nga Kuvendi i Shqipërisë.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency