Ndërhyn policia/ Gjen eksploziv në makinë, ish-gruaja e kishte kërcënuar: “Do të të hedh në erë”

0
124

Tritoli-415x260Konfliktet familjare janë pista kryesore e hetimit të policisë, pronari i automjetit, i divorcuar dhe i sapokthyer nga Italia

 Një sasi eksplozivi është gjendur në një automjet në Tiranë. Lënda plasëse u zbulua pas kontrollit të njësisë antieksploziv në kryeqytet, ndërsa mjeti ishte i parkuar në rrugën “Ylbere Bylykbashi” në afërsi të ish-parkut të autobusëve. Policia, e cila është lajmëruar nga vetë pronari nëpërmjet një telefonate në numrin 129, ka rrethuar një perimetër i zonës për arsye sigurie.

 

Ngjarja

Mësohet se mjetit me ngjyrë gri “Alfa Romeo” me targa AA 601 FP, në pronësi të shtetasit Fatjon Vrapi iu gjetën 50 gramë lëndë eksplozive, por pa detonator, e vendosur në pjesën e prapa të tij. Fatjon Vrapi kishte rreth një muaj që ishte kthyer nga Italia, ndërsa automjetin e kishte parkuar afër shtëpisë së tij. Dje rreth orës 15:15, kur kishte dashur të ndezë makinën ka konstatuar një lëndë të dyshimtë brenda saj. Dyshimet e tij janë bërë më të forta, kur ka parë se mjetit i ishte hapur njëra derë.

 

Eksplozivi

Pas verifikimeve të bëra nga ana e ekspertëve të policisë, u bë e ditur se në automjet ishte vendosur, eksploziv. Njësia antieksploziv e policisë së Tiranës rrethoi dhe evakuoi zonën përreth, ndërsa duke garantuar se nuk kishte rrezik për banorët e zonës dhe kalimtarët e ndryshëm, e larguan lëndën plasëse, si dhe zhvendosjen e automjetit nga ku ishte parkuar për të nisur hetimet lidhur me këtë ngjarje.

Ekspertët e policisë shkuan për të kontrolluar mjetin pas telefonatës dyshuese të Vrapit, i cili mësohet se ka konflikt me ish-bashkëshorten e tij.

 

Hetimet

Nga hetimet paraprake, mësohet se pronari i mjetit ishte divorcuar rreth gjashtë muaj më parë dhe në atë kohë ka marrë kërcënime nga ish-gruaja. Ajo i ka thënë se “do ta hidhte në erë”. Pikërisht konfliktet familjare janë pista kryesore e hetimit të policisë. Pas pastrimit të zonës, policia mori në pyetje, për ndonjë hasmëri të mundshme, pronarin e automjetit. Nga hetimet paraprake, mbeten ende të paqarta rrethanat e vendosjes së eksplozivit, si dhe autorëve të saj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency