Gëzim Saliu
Spaho: Grupet e punë funksionojnë në varësi të kalendarit të punës së Kuvendit. Nuk jemi në kushtet normale, por kjo është forma e vetme aktualisht për të shprehur mendimin e opozitës
Strukturat paralele të Partisë Demokratike do të vazhdojnë të funksionojnë derisa mazhoranca e majtë të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj akteve të dhunës e kërcënimit të opozitës në Parlament. Kështu bëri të ditur dje deputeti i PD-së, Edmond Spaho, duke theksuar se edhe pse strukturat paralele në selinë blu nuk lejojnë të kryhet funksioni normal i opozitës, janë, sipas tij, të vetmet forma aktuale që mund të përdoren për t’iu kundërvënë projektligjeve dhe nismave të së majtës. “Sigurisht nuk jemi në pozita të njëjta me të qenët në Kuvend, por kjo është një formë në rrethanat aktuale për të shprehur mendimin e opozitës. Shpresojmë që mazhoranca të reagojë për çfarë ka ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë dhe të japë garanci që opozita t’i rikthehet Parlamentit”, – tha ai për VP. PD ka krijuar 8 grupe pune, aq sa është edhe numri i komisioneve parlamentare, që punojnë me të njëjtin kalendar si Parlamenti. “Kemi gjetur si formë punë këtë që deputetët tanë të diskutojnë të gjitha çështjet që janë në axhendën e punës së Kuvendit dhe të shprehim opinionet tona për publikun. Sikurse e dini, këto grupe pune kanë filluar të funksionojnë në varësi të kalendarit të punës së Kuvendit”, – u shpreh Spaho.
Qëndrimet e pritshme
Mazhoranca dhe opozita duken ende shumë larg njëra-tjetrës në kuadrin e rikthimit të bashkëpunimit mes tyre për reforma me rëndësi parësore për vendin si edhe integrimin si edhe njëkohësisht për të zgjidhur çështjen e bojkotit. E ndërsa opozita ka bërë të qartë se pa një reflektim të mazhorancës ndaj ngjarjes së ndodhur në Kuvend, si edhe çështjeve që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimit të gjykatave nuk do të ndryshojë qëndrim, duket se edhe të majtët nuk janë në rrugën e lëshimit. Vetëm pak ditë më parë në një intervistë televizive, Kryeministri Rama tha se për të gjithë deputetët e tij ka një dëshmi penaliteti që vërteton të shkuarën e tyre, ku ndërkohë e cilësoi strukturën paralele të PD-së si një qeveri në mërgim. Por pavarësisht se mundësitë më të mëdha janë kundër rikthimit të shpejtë të opozitës në Kuvend, një shans i mirë për të rikthyer dialogun mes palëve është edhe takimi i nivelit të lartë Shqipëri-BE që do të zhvillohet në 29 shtator në Tiranë. Takimi, i cili vjen fill pas Kuvendit Kombëtar të PD-së, do të mbledhë përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës në një tryezë të përbashkët të drejtuar nga eurokomisioneri Stefan Fyle, i cili është edhe në fund të detyrës së tij. Në këtë tryezë pritet që opozita të paraqesë tek përfaqësuesi i lartë i KE-së të gjitha shqetësimet e saj për mazhorancën, duke filluar që nga dhuna në Kuvend e deri tek mos zbatimi i vendimeve të gjykatës. Por ndërkaq, kjo do të mund të shërbejë edhe si një mundësi që palët të reflektojnë në qëndrimet e tyre, duke mundësuar rikthimin në Kuvend të opozitës, gjë të cilën e kërkojnë edhe aleatët e PD-së. Në këtë kontekst, një reflektim i mazhorancës qeverisëse nën “bekimin” e Fyles për këto çështje do të shënonte një hap të mirë në kuadër të rikthimit të normalitetit politik në vend, pas ngërçit tre mujor, që kurse opozita vendosi të ndërpresë marrëdhëniet me Parlamentin.
Kryeministri
Rama: PD la pa legalizuar banesat e të varfërve, duke dhënë leje ndërtimi korruptive
Kryeministri Edi Rama akuzoi dje qeverinë e kaluar se la pa legalizuar shumë banesa të familjeve të varfra shqiptare. Në një mesazh në rrjetin social “Twitter”, Rama theksoi se u pajisën me leje ndërtimi përmes korrupsionit, edhe atje ku ligji e ndalon. “Lanë pa legalizuar qindra-mijëra shtëpi familjesh të varfra, legalizuan lokale me korrupsion kudo ku ligji e ndalon!”, – theksoi ai në mesazhin e ti, të cilin e shoqëroi me një foto të lokaleve që po prishen përgjatë vijës së liqenit të Ohrit në Pogradec. Ndërkohë, kreu i qeverisë ka deklaruar më parë se do të shemben të gjitha ndërtimet pa leje dhe se nuk do të lejohet më të ndërtohet pa kriter. Sakaq, pak kohë më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit bëri të ditur për të gjithë shqiptarët se nuk do të jepet më asnjë leje ndërtimi, deri pas zgjedhjeve të vitit 2015.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit
Parolin: Selia e Shenjtë e mbështet integrimin e Shqipërisë
Në prag të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për Televizionin e Vatikanit tregoi se përse Ati i Shenjtë preferoi Shqipërinë. Në intervistën e publikuar edhe ne faqen e Radio Vatikanit, kardinali Parolin tha: “Besoj se vendimi i Papës Françesku për të shkuar në Shqipëri nënvizon pikërisht këtë: pavarësisht nga vështirësitë ekonomike, që i njohim të gjithë e që nuk janë aspak të vogla, ky vend zgjodhi rrugën për të mos e përdorur kurrë fenë si shkak për konflikte”. I pyetur se çfarë ndihmese ka dhënë Selia e Shenjtë për rindërtimin e Shqipërisë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit pohoi: “Selia e Shenjtë ka qenë shumë e pranishme në rindërtimin e Shqipërisë. Mund të nisemi nga kohët e fundit, edhe pse marrëdhëniet me Shqipërinë fillojnë shumë më parë e kanë qenë gjithnjë plot gjallëri: që nga viti 1991, kur u vendosën marrëdhëniet pas rënies së regjimit komunist, duke i krijuar Kishës kushtet të rifillonte jetën e edhe të hynte përsëri në radhët e shoqërisë shqiptare. Pasoi, pastaj, shtegtimi i Gjon Palit II, që e konsolidoi këtë rol, e fuqizoi praninë dhe kontributin, që i jep Kisha vendit. E akoma, ndërmjet çasteve më themelore, mund të kujtojmë nënshkrimin e dy marrëveshjeve, më 2002 e 2007, për marrëdhëniet reciproke, në përgjithësi, e edhe për çështjet ekonomike e financiare, në veçanti. Falë këtyre hapave, Selia e Shenjtë i shoqëroi çastet e rindërtimit e të përtëritjes së vendit. Natyrisht, Papa Françesku, me këtë vizitë, ecën në këtë vazhdë, për të dhënë një ndihmesë të mëtejshme”. Ndërkaq, Parolin nënvizoi se Selia e Shenjtë i jep zemër dhe e mbështet në integrimin evropian të Shqipërisë duke kujtuar gjithashtu ndihmesën e veçantë që sjell në këtë integrim. “Mund të nënvizojmë, për shembull, edhe ndjenjën e thellë të familjes, që karakterizon shoqërinë shqiptare. Pikërisht me nënvizimin, që i pëlqen aq shumë Papës: me vlerësimin e rolit të të rinjve, që janë ardhmëria; e të moshuarve, nga ana tjetër, që janë kujtesa, që kanë një pasuri të vërtetë urtie e përvoje, e cila meriton të vlerësohet. Prej këndej themi se vetëm duke sjellë këto pasuri e këto veçori karakteristike, Shqipëria mund të ndihmojë në mënyrë të frytshme në projektin e integrimit evropian”, – tha Kardinali Pietro Parolin. Ndërkohë, ai kujtoi edhe disa fjalë, që i pati thënë Gjon Pali II në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, më 1988, me vlerë për të gjitha vendet e, posaçërisht, për Shqipërinë, me që po flasim për të: “Nëse Evropa dëshiron të jetë besnike ndaj vetvetes, duhet të dijë t’i mbledhë në një të gjitha forcat e gjalla të këtij kontinenti, duke respektuar karakterin e veçantë të çdo vendi” (Strasburg, 8 tetor). Më duket se pikërisht në këtë kuadër e shikon dhe e vlerëson Selia e Shenjtë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.