Papa Françesku vjen në Shqipëri/ Sot sytë e botës në sheshin “Nënë Tereza”, plani i masave për sigurinë e Atiti të shenjtë

0
132

pap

Vizita e Papës

 Radio Vatikani, reportazh për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë

 Shqipëria pret Papën me flamuj dhe fotografi të martirëve katolikë

Çdo vend që pret Papën, vesh rrugët e tij me flamuj, në përpjekje për të lënë një përshtypje të mirë. Por ajo që bën përshtypje në Shqipëri në momentin që hyn në Tiranë, nuk janë flamujt, por banerat e mëdha me fotografitë e 40 martirëve katolikë shqiptarë. Çështja e kanonizimit të këtyre shërbëtorëve të Zotit u hap zyrtarisht në nivel dioqeze në vitin 2002 nga Kardinali Kreshencio Sepe, atëherë prefekti i Kongregacionit për evangjelizmin e popujve. Dhjetë vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, kardinali, në përurimin e katedrales së re në Tiranë, tërhoqi vëmendjen në sakrificat e shumë martirëve, për shkak të besimit të tyre. “Këtu, peshkopët, priftërinjtë, murgeshat dhe shumë njerëz të tjerë, përfshirë dhe ata më të thjeshtët, u masakruan”, – tha kardinali Sepe. “Dhe kjo nuk ndodhi disa shekuj më parë, por vetëm disa vjet më parë”. Luigj Paliq, një prift françeskan, u vra në vitin 1913; Atë Gjon Gazulli, në vitin 1927. Të tjerët u vranë gjatë viteve të gjata nën diktaturën ateiste komuniste. Kur çështja e tyre u hap në vitin 2002, peshkopi i Tiranës, Zef Simoni, tha: “Ata të gjithë derdhën gjakun e tyre për dashurinë që kishin për Jezusin dhe për fqinjët e tyre, duke i falur vrasësit e tyre me gjithë zemër”. Portretet përgjatë bulevardit të martirëve kombëtarë bien në sy, shkëlqejnë, sepse ata janë njerëz realë. Nuk janë portrete të shenjta apo fotografi shenjtërish, të cilët vështirë se duken realë. Ato janë fotografi të priftërinjve, fetarëve, burra dhe gra që pësuan tortura të tmerrshme dhe janë jetën e tyre për besimin që kishin tek Krishti dhe Kisha e tij. Martirizimi i tyre zë një vend në histori ashtu si dhe persekutimet më të rënda në Perandorinë pagane Romake. Dhjetëra mija katolikë vuajtën për shkak të besimit të tyre në Shqipëri, sidomos gjatë viteve të komunizmit. 40 martirët fotografitë e të cilëve rreshtohen në bulevard, duke të drejtuar për në sheshin “Nënë Tereza”, ku Papa Françesku do të celebrojë meshën e shenjtë të dielën, përfaqësojnë ata që ruajtën në heshtje besimin e tyre te kisha. Ashtu si e ka thënë dhe Kardinali Sepe: “Kisha në Shqipëri merr vendin që i takon në librin e artë të martirëve të shekullit të 20-të”.

 

 

Plan operativ masash për sigurinë e Papa Françeskut

Kreu i Vatikanit, i cili do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm, gjatë gjithë orëve të qëndrimit e vizitave të tij në Shqipëri, do të jetë nën mas atë rrepta sigurie. Për sigurinë e Atit të Shenjtë nga Rinasi drejt Tiranës janë të përfshira katër njësi speciale të Gardës dhe policisë, por dhe agjentë të vetë Vatikanit. Përveç detyrave të tjera grupi i sigurisë do të kryejë dhe kontrollin xhenerik dhe kimik, të automjetit që do të udhëtojë Papa dhe të gjithë makinave që janë pjesë e eskortës. Me mbërritjen e Atit të Shenjtë në aeroport është ngritur një njësi speciale, e cila do të mbulojë sigurinë e Papës nga pikat më të larta të zonës. Do të vrojtohet eskorta nga Kalaja e Prezës, Bërxulli si dhe Qafë-Kashari. Gjatë vizitës së drejtuesit të kishës në Tiranë do të shpallet shërbimi i përforcuar dhe nga Garda e Republikës, RENEA, FNSH-ja dhe Antiterrorri, janë të përfshirë rreth 600 forca.

Pas mbërritjes në Presidencë dhe takimit me kreun e shtetit Bujar Nishani, për lëvizjen e Françeskut të Parë nga drejt sheshit “Nënë Tereza”, ku do të mbahet edhe mesha, ai do të ruhet nga afër me një grup i përbërë nga 20 efektivë të posaçëm. Në këtë shesh do të jetë puna më e madhe e efektivëve që do të sigurojnë jetën e Papës. Sipas planit, do të ketë edhe dy grupe speciale që do të kenë si prioritet sigurinë e personit VIP, në rast se ajo komprometohet. Këto njësi kanë për detyrë reagimin e menjëhershëm, në rast situatash të ndryshme dhe evakuimin e Atit të Shenjtë. Krahas këtyre masave dhe kontrollit të pikave të larta, njësia speciale e stacionuar në sheshin “Nënë Tereza” duhet të planifikojë dhe reagimin kundër snajperëve në një rreze prej të paktën 500 metra nga aktiviteti.

Në planin e masave janë parashikuar snajperë kryesisht në lartësitë e objekteve, të cilët kanë për detyrë kontrollin dhe ruajtjen jo vetëm të sheshit “Nënë Tereza”, por edhe të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” si dhe disa ndërtesave të larta në të dy krahët, ku do të zhvillohet mesha. Në të gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, ndërsa do të ketë kufizim të plotë të lëvizjes nga ura e madhe e Lanës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e deri te sheshi “Nënë Tereza”. Kufizime do të ketë dhe në Rrugën e Elbasanit si dhe në rrugën “Ismail Qemali” pranë Kryesisë së Kuvendit. Në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të mbahet mesha, shërbimet sekrete janë në vëzhgim të pandërprerë. Gjatë të shtunës, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka inspektuar vetë punën që po kryejnë agjencitë e sigurisë në vend për mbarëvajtjen e vizitës më të rëndësishëm të vitit.

Prioritet gjatë të dielës do të jetë edhe siguria e Ambasadës së Vatikanit, ku Françesku do të jetë i pranishëm në një takim dhe drekë punë. Edhe kjo ndërtesë do të jetë super e survejuar, të gjithë personat që do të jenë të pranishëm do të kontrollohen imtësisht si dhe ndërtesa do të survejohet nga lartësitë e ndërtesave që ndodhen aty pranë. Një nga ndërtesat më të sigurta të dielën do të jetë dhe Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku siguria do të bëhet nga forcat e sigurisë së dytë. Kontroll i rreptë i personave që hyjnë në këtë godinë dhe kapja e lartësive në këtë zonë, për të shmangur çdo lloj rreziku.

Në bazë të planit të hartuar nga autoritetet tona, në bashkëpunim me ato të Vatikanit dhe shërbime të huaja inteligjente, grupet e sigurisë do të përqendrohen në fshatin Bubq, ku Ati i Shenjtë do të vizitojë shtëpinë e fëmijës Betania. Në mbikëqyrje të rreptë kreu i Vatikanit do të niset për në aeroportin e Rinasit, ku në orën 20:00 ai do të largohet nga toka shqiptare.

 

 

Vizita e Papës

Kontrolle të imtësishme udhëtarëve dhe bagazheve të tyre

Policia dhe shërbimi sekret, masa të rrepta kontrolli në pikat kufitare

Masat e sigurisë dhe kontrollet janë përforcuar si në pikat e kalimit kufitar tokësor, edhe në ato detare dhe ajrore

Masa të rrepta sigurie njoftohen në pikat e kalimit kufitar. Policia është përforcuar me agjentë të shërbimeve sekrete që kontrollojnë imtësisht çdo udhëtar. Në siguri më të lartë kanë kaluar formacionet policore në kufi me Kosovën dhe Maqedoninë. Në këto rrethana, vizita e Atit të Shenjtë duket se ka shtuar vështirësitë për ata që hyjnë në Shqipëri. Gatishmëria e lartë në kufi është shoqëruar me kontrolle të rrepta për çdo udhëtar. Bagazhet, dokumentet, mjetet kalojnë në një vëzhgim special nga policët që mbikëqyrin prej agjentëve të shërbimeve të posaçme. Masa më të forta sigurie duket se janë vendosur pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me Kosovën dhe me Maqedoninë.

Burime policore flasin për një listë të zezë me emra të personave të dyshuar si terroristë.

 

Morinë

Në Morinë grupe të përbashkëta sigurie do të vëzhgojnë kufirin deri mëngjesin e së hënës. E njëjta panoramë është edhe në pikat kufitare me Maqedoninë.

Në pikën e Morinës janë përforcuar masat e sigurisë, duke pasuar dhe listën me emrat e të padëshiruarve që mund të tentojnë të kalojnë kufirin shqiptaro-kosovar për vizitën e Papa Françeskut. Këto individë janë të skeduar si ekstremistë dhe për të shmangu çdo lloj rreziku. Policia Kufitare e Kukësit në bashkëpunim me atë të rendit dhe shërbime të tjera të specializuara kanë rritur vigjilencën. Pika Kufitare e Morinës ka kaluar në shërbim të përforcuar ku janë shtuar kontrollet e imtësishme të shtetasve dhe automjeteve. Ndërkohë, bëhet me dije se kontrollet do të vijojnë përgjatë vijës kufitare dhe në rrugën e Kombit. Të gjitha automjetet që do kalojnë pikën kufitare do ti nënshtrohen kontrolleve.

 

Kapshticë

Shtimi i masave të kontrollit është shënuar edhe në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ku për të gjithë shtetasit që futen në Shqipëri, ushtrohen kontrolle të imtësishme. Në pikën kufitare të Kapshticës dhe Qafë-Thanës, ka shkuar Delta Force, njësi e specializuar në luftën kundër terrorizmit, ku ka nisur patrullimi i akseve rrugore për të parandaluar çdo akt të mundshëm terrorist, si edhe mbajtjen nën kontroll të personave të dyshuar si kontingjent krimi. Ndërkohë, mësohet se ka pasur dhe takime me palën maqedonase e greke për të parandaluar çdo të papritur gjatë vizitës së Papës.

 

Durrës

Në Portin e Durrësit, janë katër grupe kontrolli të posaçme të ngritura dje, të cilët do të kontrollojnë çdo hyrje dalje të pasagjerëve. Në portin e Durrësit kryhen kontrolle të imtësishme gjatë përpunimit të të dhënave të personave që hyjnë për në Shqipëri. Bëhet e ditur se policia kufitare ushtron kontrolle të imtësishme ndaj mjeteve që vinë nga jashtë dhe bagazheve të pasagjerëve, ndërsa në ndihme do të ofrohet dhe policia e Rendit. Nga niveli i lartë i gatishmërisë nuk është përjashtuar as porti i Vlorës.

 

Kakavijë

Shtimi i masave të kontrollit është shënuar edhe në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ku për të gjithë shtetasit që futen në Shqipëri, ushtrohen kontrolle të imtësishme. Shtimi i masave, ka ardhur si rezultat i një urdhri të lëshuar nga Drejtori i Policisë, në kuadër të planit të masave të sigurisë me rastin e ardhjes së Atit të Shenjtë. Sipas këtyre masave, janë shtuar kontrollet për çdo shtetas të huaj që futet në Shqipëri, ndërsa kontrolle të shumta po ushtrohen edhe në çdo automjet të dyshuar.

 

 

Për rreth dy orë asnjë fluturim mbi qiellin shqiptar

Për rreth dy orë mbi qiellin shqiptar nuk do të ketë asnjë fluturim. Në funksion të kësaj, janë marrë të gjitha masat që në mëngjes kur Papa Françesku ka fluturimin nga aeroporti i Romës në drejtim të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, në Rinas. Për pasojë, fluturime nuk do të ketë rreth orës 07:30 deri në afërsi të orës 09:00 dhe mbrëmjen e së dielës nga ora 19:45 deri në 20:45. Kjo, për arsye të sigurisë gjatë udhëtimit të Atit të Shenjtë. Në mëngjes në aeroport nuk ka nisje, ndërsa në mbrëmje do të ketë zhvendosje të orareve.

Për shkak të këtyre masave që shtrihen deri edhe te aeroporti ndërkombëtar, autoritetet shqiptare bëjnë thirrje që, për të shmangur vonesat, humbjet e fluturimeve apo incidente të ndryshme qytetarët të jenë të pranishëm më herët në Aeroportin e Rinasit, sepse edhe për gjatë ditës do të ketë kufizime dhe bllokime të rrugës së Rinasit.

 

 

Publikohen fotot e dhuratës për Papa Françeskun

Kryeministri Edi Rama, dhuratë Papës një kupë dheu prej tokës së shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama publikoi dje në rrjetin social “Facebook”, foto të dhuratës që do t’i japë sot Papa Françeskut. “Ekskluzivisht për ju disa pamje të dhuratës që Françesku do të marrë me vete nesër në Selinë e Shenjtë nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë”, – shkruan Rama.

Një kupë dheu prej tokës së shqiptarëve, bën të ditur Rama, ndërsa në dhuratën është shkruar: “Shenjtërisë së Tij, Papës Françesk, me lutjen e zjarrtë që duke bekuar këtë grusht dhe, nga trualli që shkeli në këtë ditë, të shtrijë mirësinë e Zotit mbi të gjithë vendin e shqiptarëve”.

 

Programi i vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, më 21 shtator 2014

Në orën 9:00, Papa do të mbërrijë në Aeroportin e Rinasit, ku do të pritet me një ceremoni të veçantë nga Kryeministri shqiptar Edi Rama.

Në orën 9:30, Papa do të pritet nga Presidenti i Republikës.

Në orën 10:00, do të takohet me autoritetet në sallën e pritjes së Presidencës dhe do të ketë një fjalim të Atit të Shenjtë.

Në orën 11:00, do të kremtohet një meshë në sheshin “Nënë Tereza”, shoqëruar nga fjala e Papa Françeskut në fund të saj.

Në orën 13:30, Papa do të takohet në një drekë me Ipeshkvinë Shqiptare dhe shpurën papnore.

Në orën 16:00, Papa do të takohet me krerët e komuniteteve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe aty do të mbajë një fjalim.

Në orën 17:00, do të ketë një kremtim të lutjes mbrëmësore në katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm.

Në orën 18:30, do të ketë një takim me fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi të qendrave bamirëse të kishës katolike në Shqipëri.

Në orën 19:45, Papa do të largohet me një ceremoni nga aeroporti “Nënë Tereza”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency