Letra e 1950-ës/ Mustafa Kruja i shkruan priftit françeskan, e vërteta e “rezistencës” ndaj pushtimit të italian në `39-ën

0
153

mustaKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”

Dy janë momentet më historike në letrat e mëposhtme të këmbyera mes Mustafa Krujës dhe At Paulin Margjokaj; e para lidhet me enciklopedinë italiane ku zbulohet se ishte shënuar një plan për të ndarë Shqipërinë me Jugosllavinë, dhe e dyta kur frati françeskan i kërkon Mustafa Krujës të dinte të vërtetën mbi rezistencën shqiptare të pushtimit italian më `39, për të cilën ende sot ka shumë enigma në këtë debat mes historianëve. Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.

“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vende e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

BOLZANO, me 10 Gusht 1950

Fort i dashtuni Z. Mustafa Kruja,

U ndodha jashta Bolzanos per disá dit ferje, prandej u vonova njapak me T’i pergjegjë letres së mbrame.

“Shum faktorë kanë luejtun rol për emnimin e Rexhep Mitrovicës kryeministër nën pushtimin gjerman  e âsht punë teper e gjatë me i analizue, se kishte me u dashun me përshkrue tanë kaosin e asaj kohe”. Kshtu shkrueni Ju në leter. Athue do të dalë ndokush qi do t’a analizojë punen gját e t’a përshkruej tanë kaosin e asaj kohe? Sugurisht kte mund t’ a bajë vetem njani qi ka pasë rasen me u gjetë në gjiri të ktij kaosi.

Pvetjet qi due me U ba kso here janë kto:

  1. A thue dieni me m’a spjegue arsyen pse Shqypnija nuk kje pranue në UNO? Shtete edhe mâ të vogla se kjo janë mbrendë, si p.sh Luksemburgu, Costarica etj.
  2. N’ appendice-n e dytë (1938-1948) t’ Enciclopedia Italiana, në faqen 1104 të blenit të parë lexohen kto fjalë: “Una settimana dopo (genaio 1939) Ciano si recava in Jugoslavia, dove concordava con m.Stojadinović il progetto di spartizione dell’Albania, il che doveva portare subito dopo alla caduta del capo del governo serbo”.

Si janë per t’u kuptue kto fjalë? Në prill të 1939 Italjajt zaptojn Shqypnín e në kallnduer të së njajtës vjetë paskan pasë mendue me e dá bashkarisht me Jugoslaví? E mandej: “il che portava subito alla caduta del capo del governo serbo”  , si të ishte nji coptim i Shqypnís në dý pjesë kundra interesavet të Serbvet a mâ mirë me thânë Jugoslavvet!

Dý  fjalë të letres s’Uej kanë nevojë per spjegim. Ju shkrueni kto fjalë: “T’a kam pasë shkrue ndikimin e fortë të saj (Klikës) në mbylljen e shkollavet katholike”. Kjo fjala ndikim âsht e re per mue.

Mâ pertej shkrueni: “Ka do kohë qi i ka rá (Musa Jukës) nji pikë e lehtë e âsht i dergjun në nji mirosje të kadalshme”, Jo vetem se fjala mirosje âsht e re per mue, por edhe konstrukcjoni ” âsht i dergjun në nji mirosje të kadalshme” per mue nuk âsht krejt i kjartë, megjithse veshtrimin e kuptoj se shka don me thânë.

Mbi çashtjen e bishtit e kuptova shka Ju më shkrueni, por nuk më janë krejt të kjarta fjalët e Thalloczy-t : prej fjalvet të Thalloczy-t më duket si edhe ai të dote me admetue bishtin nder të parë t’onë. Âsht e dijtun se para 80-90 vjetve kjo puna e bishtit nder njerz nuk ka ba pershtypje të madhe, tue kenë se n’at kohë ishte në voga doktrina e Darwinit, qi i ban me rrjedhë njerzt prej shtaset. Zo’, t’ ishte e vertetë kjo doktrina e evolucjonismit, nuk do të çuditej kurrkushi se edhe Shqiptarët a mâ mirë të parët t’onë prehistorikë të kén pasë bisht, krejt njashtu si të parët e serbvet etj.

Per tash njiherë shum shndet e të mira.

Miku i yt

  1. Paulin Margjokaj O.F.M.

 

  1. S. – Gati sa pata harrue me Të pvetë emnin e atij poetit filozof tyrk qi ka shkrue at poezín e rrebtë, nji strofë të së cilës m’a rreshtove Ti në leter.

Per mâ teper kishe me dashtë me dijtë kush âsht kenë qi Të ka internue në 1923? Po t’ ishte vj. 1924, kishem me e marrë vesht mâ lehtas, por vjeta 1923?

Në fund po due me U pvetë edhe pse do të shkruhet n’adresën t’ Uej përherë në kllapë Ramleh- Schutz. Shka âsht ky Ramleh e shka âsht ky Schutz?

Persrí U uroj shndet e të mira

Idem

 

 

 Ramleh (Alexandrí) , 27. 8. 1950

I dashtuni Atë,

Kush e di sa do të jeshë kënaqun kur ke pamë letërmbështjellsin t’em kaqë të frŷt ksaj here! “Mustafa më paska ngopun me lândë ksi shtegu”, do të keshë mendue. Lândë me Të ngopun po, por edhe me Të mundue, besa. Gati tri faqe, e kso faqesh, latinishte me përkthye. Ani t’ ishte latinishte e Qiqeronit… me gjithë qi këtu un jam tue folë mbas ândës, nëpër tymt, si i thomi na; se po t’ ishem kompetent në këtë lândë nuk do të Të kishem mundue Tý me e përkthye. E dij veç se n’ato kohna të datës së dokumentit t’onë s’përdorej mâ latinishtja klasike, por  das Spätlatein, ajo e prishuna. Ndera qi po Të lyp s’ka ngutë aspak, mundesh me m’a bâmë me ngae sa të duesh.

Tash po t’i përgjigjem letrës me 10 të k.m.

Shqipnija s’qe pranue në ONU sepse i shtonte blokut linduer nji votë mâ tepër në kuvendin e përgjithshëm t’asaj organizate. Dyluftimi djalektik ndërmjet Bevinit e Vischinsky-t  s’ka rândsí, arsyeja e vërtetë ka qênë e âsht ajo, si edhe për sa Shtete  tjera qi kanë mbetun ende jashtë nga njâni ase tjetri blok.

Enqiklopedija italjane paska bâmë nji gabim jo me i pasun hije nji Enqiklopedije, por qi mos me mujtun me e lamë as uji i Tibrit! Stojadinoviqi paska ramë prej fuqije, sepse qênka marrë vesht me Cianon, në bazë të proponimit të këtij, për coptimin e Shqipnisë! Se si ka lemë në trût e Cianos e prej këtij zânë vênd mbandej edhe n’ata të Mussolinit coptim’ i Shqipnisë ndërmjet Italís e Jugoslavís spjegohet hollsisht në Ditarin e Cianos vetë e në librin e titulluem L’EUROPA VERSO LA CATASTROFE,   Galeazzo Ciano, qi përmban prap dokumenta të këtij. Un shkurt po të qortoj frazën e Enqiklopedisë  e Ti ke me e marrë vesht menjiherë se si qëndron e drejta. Pra ajo frazë, dmth. “… il che portava subito alla caduta del Capo del Governo jugoslavo”, duhet këndue kështu: “… il che rimaneva lettera morta per la caduta subito dopo del Capo…”.  Italija fashiste, qi kishte për Ministër të Jashtëm nji Ciano, shihte në Stojadinoviqin nji burrë shteti realist, të vëndosun për nji afrim e lidhje të ngushtë me Italín, e nji dorë të hekurt me nji pozitë të patundshme, pra nji farë diktatori, nji Duce jugosllav a Vodja, si patën fillue me thërritun vërte partizanët e vet në gjuhë sërbo-hërvate. Edhe për njimênd Stojadinoviqi ksaj politike i a pat hŷmë edhe pat shkue mjaft thellë, madje. Por kjo edhe i a hangër kryet. Populli jugosllav, qi kishte mbetun frankofil e për nji politikë opurtuniteti, mund t’anonte kah Gjermanija e tëmershme, por jo kurr kah nji Italí qi ai ishte mësue vetëm me e përbuzun. E miqsija fashiste e fashistit të Beligradit, jo veç qi ishte antifrênge, por fshihte në të dy partnerët edhe nji thumb të prehtë antigjerman, për të njâjtat arsye qi dikur kishin krijue rivalitetin italo-austrijak në Balkan e sidomos në Shqipnín t’onë, ku ai rivalitet ishte mâ i dukshmë, sepse aso kohe çap’ i  Italís s’mund të mbërrînte mâ larg për me u matun me Austro-Hungarín, edhe pse këtu ishte edhe Adrijatiku e kanal’ i Otrantos. Qe pra pse rá Stojadinoviqi. Vizita e Cianos qe për tê il colpo di grazia,  por jo për projektin e coptimit të Shqipnís qi atëherë në Jugoslaví s’e dinte, madje s’e kujtonte kurrkush, posë Stojadinoviqit vetë e Princ Pavlit, por pse u pa qartas qi lidhja italo-jugoslave po vulosej premas. Përkundrazi marrís qi shkruente Enqiklopedia italjane, sikur të kishte pasë Stojadinoviqi mundsí me e shpallë se Jugoslavia do të përlante nji copë të Shqipnís, jo me e ligshtue, por ka pasë me e forcue madje pozitën e vet  faqe popullit jugoslav, sidomos sërb. Posë në se ky do t’a gjykonte, ndoshta, tepër të shtrêjtë çëmimin e asaj copë Shqipnije me shkeljen e Pushtetin italjan në nji pjesë të madhe të Balkanit me Vlonën mbrênda. Sido qoftë Enqiklopedín italjane për atë shprehje qi s’i përgjigjet as faktit historik as logjikës, vetëm nji gjâ mund t’a lajë: nji gabim redaktimi qi shpesh na ndodh të gjithve. Ai pronomi “il che” ka dashun t’i referohej ndoshta jo coptimit t’ Shqipnís, por vizitës së Cianos e atëbotë Enqiklopedija do të kishte të drejtë.

Fjala ndikim, qi un e shkruej edhe ndëkim, âsht nji neologjizëm, por jo e imja. Don me thânë influencë e vjen nga nji verb  qi  ka Shqipnij’ e mesme: dkoj, dëkoj, dikoj = shpraz ça ka mbrênda ana, çdo farë ane (ene) ase anën vetë. E kanë krijue mbas latinishtes influere, nga e cila rrjedh influenca. Dëkim, dëkohem, thuhet edhe për ernia, bash pse edhe atje ka nji shprazje, e kjo âsht fjalë e popullit.

Mirosem thomi na në Krujën t’eme e jo përmirsohem, qi âsht neologjizëm. Me u dergjun don të thotë me ramë, zdrypun teposhtë, me u ulun prej nji përpjete; por edhe me ramë në shtrat, me u shtrimë për shkak të nji lëngate. Pra “âsht i dergjun” = âsht i sëmûtë në shtrat, “në nji mirosje të kadalshme” = tue u mirosun dalkadalë. Në paç gjâ me thânë e pres me gzim. Shtoj se grue e dergjun, e djergjun a e dirgjun përdoret diku për gruen qi porsa ka pjellë e qi na i thomi lehonë.

Ti, si duket, paske kujtue se theorij’ e Darwinit ka dekun. Jo, lum miku, âsht gjallë ende e nji ndër shumë njerëz, bij majmunash, qi e besojnë, mundet me qênë edhe Thallóczy, shi nj’ashtu si e paske kuptue Ti, se ndryshe s’ka si me u spjegue njâna prej dý hypothezash qi vên përpara ai.

Emn’ i poetit tyrk qi të para citue âsht Tawfik Fikret.

Në prendverën e 1922-s mue me pak shokë më pat qênë dashun t’arratisem. Do kohë mbeta në mal: Lurë, Mirditë, Krasniqe. Mbrapa u shtrëngova me lypun strehë në Jugoslaví. Pushtetet e këtij vêndi m’ internuen në Gornji Milanovac të Shumadís, ku mbeta motmot (1922 – 1923), nxûna disi sërbishten e përktheva … librin e bishtit të Shqiptarvet. Mbandej gjeta mënyrën  me dalë në Vjenë e n’ Italí, prej kah u ktheva në Shqipní mbas qershorit 1924.

Ramleh âsht mû emn’i vendit ku banoj, nji lagje periferike e Aleksandrís, por qi njihet si nënqytet (sobborgo) mbë vete – nj’ashtu, b.f., si Fraskati me Romën – e emnat e rrugve të këtushme, disa nemose, ndër të cilat edhe i s’emes, gjinden të përdorun edhe në qêndër. Pra po s’u vû n’adresën t’eme edhe Ramleh, tue e lanë vetëm me Alexandrie, letra hupë, mbasi në atë rasë më kërkojnë në Rue Eglise Grecque t’atjeshëm e natyrisht s’më gjêjnë. Veçse Schutz âsht nji tregim fakultativ për t’i lehtue barrën postës: âsht stacjoni i trenit lokal nga Aleksandrija afër shtëpisë s’eme.

Tash e kam shkundun thesin krejt e Të falem me shndet fort e fort.

I yti

M.Kruja

 

BOLZANO, me 1 shtatuer 1950

Shum i dashtun Mik,

Po vehem mejherë me i  pergjegjë letres s’ Uej qi e mora mbramë.

Përkthimin e trí fletve latinishte do të mundohem me e bâ sa mâ shpejt. Âsht e dijtun se shum emna do t’i lâ njashtu si janë latin, pse nuk e dij si perkthehen shqyp, ase mâ mirë me thânë, nuk e di çfarë emnave u pergjegjen tash në gjuhen shqype. Shpresoj se sa të marr pergjegjen e ksaj letre qi po Të shkruej sot, kam me kenë në gjendje me T’a nisë perkthimin e ktyne dokumentave qi më dergove. Âsht e para herë qi po më bjen rasa me perkthye ksi dokumentash në gjuhë latine e prandêj nuk do të çuditesh, po kje se do të vonoj nji grimë me t’i nisë të perkthyem.

Sa per Stojadinoviqin shikjova persrí Ençiklopedín Treccani. Në blenin e dytë të sajë nen emnin Stojadinovic Milan, lexohen kto fjalë:

“In conseguenza all’affermazione dell’ opposizione nelle elezioni del dicembre 1938, dovette lasciare il governo il 4 febbraio 1939”.

Në blenin e parë ku bahet fjalë përmbi ndodhjet politike qi i paraprîne luftës së dytë botnore janë ato fjalët qi vetë T’i pata shkrue tekstualisht në letren e kalueme. Spjegimi i Juej âsht njimend i shkurtë, por megjithkta i kjartë e skjarues ke së ve. Mjerisht vetë deri tash nuk kam pasë rasë me shtî në dorë as Ditarin e Çianos, as at librin që më citojshi Ju në letren t’Uej.

Pyetjet qi po Ju baj kso here janë:

 

1) A ka pasë në Shkoder (apor në Shqypnín mbarë) nji grup politik të quejtun “Bashkimi Shqiptár” e shka kishte ky për program e kush e pat organizue?

 

2) A kanë pasë Gjermant ndonji plan të posaçem për të zbatue në Shyqpní, po t’a kishin mujtë ata luften? Shka do të kishin bâ e si do t’a kishin rregullue punen e Shqypnís? A thue do të kishin vû djalin e Prinz Wied-it si Mbret në Shqypní apor ndoshta ndoj Gjerman ase do t’a kishin lanë Shqypnín si republikë autonome nen protektoratin gjerman?

 

3) Kúr zdrypen Italjajt me 7 prill 1939 në bregun shqyptar, a âsht e vertetë se ata gjeten kundershtim të madh sidomos në Durrës e në Vlonë, apor âsht mâ fort propagandë qi pat bâ antifashizmi i at hershem internacjonal? Un jam gjetë n’at kohë në Shkoder e më duket se kundershtimi i Shqyptarve âsht kenë krejt i vogel e të thuesh asgjâ. Mësi u ndiete aso kohe, italjajt e paten gatue aq mirë punen sa në momentin e zhbarkimit të tyne vetem disá nen-oficera krejt të vogjel zhandarmerijet e ndoj grup i parandsí ushtarësh qi paten bâ do kundershtim, se sa per të tjerët qi e kishin punen në dorë, kurrkush nuk lujti, por mâ fort a u ritiruen a por kjén nji mendjet e nji zemret me Italjant qi zhbarkojshin.

Shum shndet e të mira T’ uron

Miku i yt

  1. P. Margjokaj

 

 

Ramleh (Aleksandrí), 27. 9. 1950

At’ i dashun,

Pa i u përgjegjun letrës s’Ate me 1 të k.m. Të pata shkrue ka do dit pak  fjalë rreth  përkthimit qi të kam lypun. Tash po i përgjigjem letrës. S’kam njohun në Shqipní nji organizatë me emën Bashkimi shqiptar.

Nuk më resulton qi Gjermanët të kenë pasun ndonji farë plani të caktuem për statutin ndërkombëtar as të përmbrêndshëm të Shqipnís e nuk besoj  nji gjâ të këtilë. Natyrisht pyetja e Jote i referohet kohës mbas prishjes s’Italís.

Kundrështimi apo qëndresa shqiptare kundra invadimit të tokës s’onë prej fuqive t’armatosuna italjane në 1939  ka qênë krejt nj’ ashtu si e dijke Ti vetë. Sa për shkaqet, këto janë të shumta e të ndërlikueme, politike e psikologjike. Nji ndër to âsht edhe përgatitja e sheshimi i trollit prej anës s’Italjanvet, por jo i vetmi as kryesori, besoj un. Mbandej historian’i vërtetë do të bânte nji gabim nëse do të merrte vetëm shkaqet e pandërmjeme (immediate) para sŷsh e të lênte mbas dore ato mâ të largtat e mâ të largtat. Sido qoftë ky âsht nji kapitull shum’ i gjatë i historís s’onë, qi për me e shkrue lyp kohë e elementa qi duhen mbledhun me kujdes. Për mue nji gjâ âsht fakt i pakontestueshëm : qi n’atë rasë populli shqiptar, i përbâmë prej nji milion shpirtësh, i paorganizuem si duhej, pa kurrgjâ prej mjeteve teknike qi lyp lufta moderne, i lânë vetem prej gjithë botës, s’ishte në gjêndje me i qindrue Italís veçse për nji kohë fare të shkurtën. Nji qëndresë e këtilë nuk them se nuk duhej bâmë, krejt përkundrazi ; por konsekvenca politike qi t’a ndërrojshin  situatën t’onë atëherë ase edhe mbas luftet s’ma merr mêndja qi do të kishte asnji. Pra kur thom se qëndresa duhej bâmë me çdo kusht, qoftë edhe nji qëndresë dëshprimi, thom vetëm tue u bazue në nji parim moral të padiskutueshëm : qi nji popull duhet të qëndrojë kundra çdo anmiku edhe tue e dijtun se s’ka për të fitue. N’atë rasë populli shqiptar bâni vetëm nji qëndresë symbolike sikurse e gjykuen dirigjentat e tij ; por Çekoslovakia e Danimarka nuk e bânë as atê.Me kaqë e kreva përgjegjen e letrës s’Ate e pra tu mir’ u pafshim me letrat e ardhshme.

I Yti

MKruja

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency