Guvernatori Fullani, natën e parë në polici me ilaçet për tensionin

0
202

f5e0b6c9-7e97-4331-ae6e-c3bcffd47d08---0-Avokatët kontaktojnë klientët, familjarët u dërgojnë ushqime e sende personale

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, e ka kaluar natën e parë pas arrestimit në mjediset e policisë së Tiranës. Mësohet se ai do të qëndrojë aty të paktën deri të hënën, kur do të njihet me masën e sigurisë dhënë nga Gjykata ditën e arrestimit.

I arrestuar rreth orës 19:45 të mbrëmjes së premte në zyrën e tij të punës, guvernatori është futur në një qeli të posaçme në katin e dytë të Drejtorisë, ndryshe nga të paraburgosurit e tjerë të zakonshëm.

Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës ndodhet edhe Elivar Golemi, kryeinspektorja e Bankës së Shqipërisë.

Të dy të arrestuarit janë vizituar gjatë së shtunës nga avokatët, ndërsa familjarët e tyre kanë sjellë ushqime dhe sende personale, që u nevojiten në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Dje rreth mesditës, djali i tij Erik Fullani, u pa në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ai qëndroi aty vetëm disa minuta. Djali i Fullanit hyri me dy çanta në polici dhe më pas doli prej andej me duar bosh.

Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës bënë të ditur dje se Ardian Fullani nuk ka pasur ndonjë kërkesë të posaçme natën e parë, ndërsa ka kërkuar vetëm ilaçet e tensionit.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dhe inspektorja e Përgjithshme e këtij institucioni, Elivar Golemi, u arrestuan mbrëmjen e së premtes nga agjentët e policisë së Tiranës. Vetëm pak orë më vonë mbërriti në mjediset e policisë së kryeqytetit edhe kryeinspektorja e bankës, Elivar Golemi. Sipas policisë, ajo iu vetëdorëzua uniformave blu, të cilat e shoqëruan e saj në mjediset e Drejtorisë së Tiranës.

Guvernatori Ardian Fullani dhe kryeinspektorja Elivar Golemi u arrestuan pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për masën e sigurisë “Arrest me burg”, dhënë të premten rreth orës 15:00. Ardian Fullani edhe Elivar Golemi akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

 

 

Sipas Kodit Penal

 Fullani rrezikon nga 300 mijë lekë gjobë deri në 7 vjet burg

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, në mbështetje të akuzës për “Shpërdorim detyre”, ndaj guvernatorit Ardian Fullani janë konstatuar pesë shkelje

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i arrestuar tashmë për “Shpërdorim detyre, rrezikon të dënohet me gjobë ose më burg. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, neni 248 i tij, parashikon se për shpërdorimin e detyrës funksionari dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300 mijë lekë deri në 1 milion lekë.

“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë”, – thuhet në nenin 248 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Dy net më parë, burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme bënë të ditur se në mbështetje të akuzës për “Shpërdorim detyre”, ndaj guvernatorit Ardian Fullani janë konstatuar pesë shkelje.

Sipas Prokurorisë, mësohet se Ardian Fullani “nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni; Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikëqyrës nr. 13 datë 22.2.2006; Në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës; Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar dhe; Në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person aktualisht është person në hetim për “Shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal”.

 

 

Ardian Fullani, guvernatori i dytë i cili arrestohet

Në historinë e pas viteve ‘90 të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani është guvernatori i dytë i cili arrestohet. Guvernatori i parë i arrestuar ka qenë Ilir Hoti. Ai u arrestua në vitin 1992 së bashku me disa drejtues të tjerë të Bankës së Shqipërisë për skandalin “Arsidi” dhe bëri disa vite burg.

Skandali “Arsidi”, i cili përfundoi me disa arrestime, e ka zanafillën në mars të vitit 1992. Nikolas Arsidi, i cili u paraqit si biznesmen francez, firmosi një marrëveshje me qeverinë teknike për të negociuar për borxhin e jashtëm. Për punën e kryer Arsidi do të përfitonte 1.6 milionë dollarë. Kjo ishte përcaktuar dhe në marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria shqiptare. Nga Thesari i Shtetit dolën këto para për të paguar biznesmenin francez, por që më pas u zhdukën dhe nuk dihet se ku përfunduan.

Nikolas Arsidi nuk ngriti ndonjë çështje gjyqësore ndërkombëtare për të kërkuar fitimin apo për të gjetur të drejtën se kujt ia ka dhënë ato para. Ndërkohë, në vitin 1993 funksionarë të lartë të shtetit, ish-kryeministri Vilson Ahmeti, Ilir Hoti guvernator i Bankës së Shqipërisë, Agim Tartari drejtor i Bankës së Kursimeve, Agron Saliu, të gjithë u liruan më pas një nga një nga Gjykata e Tiranës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency