Grabisin me armë pronarin e një lokali pak metra larg postbllokut të policisë

0
133

maskat-armeGrabitjet dhe atentatet me eksploziv, ende pa autorë

Një biznesmen është grabitur në kryqëzimin e Rrugës së Kombit pak pas mesnatës midis të premtes dhe të shtunës. Dy persona te maskuar dhe të armatosur grabitën pronarin e një lokali tek Ura e Milotit. Gjithçka ndodhi pak metra larg postbllokut të policisë.

David Hotit, i njohur në zonë si pronar i një lokali, i kanë dalë përpara, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”, dy persona të maskuar e të armatosur.

Sipas dëshmive, mësohet se një prej grabitësve ishte i veshur me uniformë policie, çka ka bërë që biznesmeni ta marrë si një kontroll rutinë policor, duke ndaluar.

Më pas, nën kërcënimin e armës, 45-vjeçari është detyruar të japë të gjitha paratë dhe gjërat me vlerë që kishte me vete.

Nga hetimet e policisë mendohet se grabitësit i njihnin mirë lëvizjet e Hotit, ndaj e kanë ruajtur pikërisht pasi ka dalë nga lokali, duke i grabitur të gjitha parë që kishte nga xhiroja ditore e punës në lokal.

Policia, ndonëse mbërriti në vendngjarje, nuk ka identifikuar ende grabitësit, ndërsa janë shoqëruar disa persona, banorë të zonës me precedent në grabitjet me dhunë.

Më se një herë, biznesmenë e biznese të ndryshme kanë qenë pre e grabitjeve nën kërcënimin e armëve. Jo në pak raste nuk kanë munguar edhe atentatet ndaj tyre.

Vetëm gjatë këtij muaji, janë disa raste grabitjesh e atentatesh ndaj biznesmenëve, por edhe familjarëve.

Pak ditë më parë, një kazino në zonën e Laprakës është vjedhur me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të së mërkurës. Kanë qenë punonjësit e objektit të grabitur ata që kanë bërë denoncimin në polici. Sipas dëshmive të tyre, mësohet se tre persona të veshur me të zeza, nën kërcënimin e armës kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme në kazino dhe janë larguar në drejtim të paditur. Ende nuk dihet identiteti i tre personave si dhe sasia e parave të grabitura. Policia e cila mbërriti në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet është vënë në kërkim të tre autorëve.

Ndërkohë, në Vlorë, disa ditë më parë, një biznesmen 48-vjeçar u qëllua me armë zjarri nga dy persona ende të paidentifikuar. I plagosur mbeti Arben Veliko, 48 vjeç, biznesmen në fushën e ndërtimit.

Ngjarja pati ndodhur në afërsi të stadiumit “Flamurtari”. Dy persona ende te paidentifikuar mësohet se qëlluan me armë zjarri shtetasin Arben Veliko, vjeç 48, banues në Vlorë, i cili ka pësuar dëmtime të lehta pa rrezik për jetën.

Nga hetimet paraprake mendohet që të kenë qenë dy persona të armatosur me pistoletë ata që kanë qëlluar 48-vjeçarin. Dy personat ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri 48-vjeçarin në momentin kur ka qenë duke dalë nga një apartament në katin e pestë në zonën “Kullat e Aleksandrisë” në Skelë, në afërsi të stadiumit “Flamurtari”.

Biznesmeni 48-vjeçar është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Vlorës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ky është atentati i dytë brenda pak ditëve që i bëhet biznesmenëve në qytetin e Vlorës. Vetëm pak ditë më parë në një atentat me eksploziv humbi jetën 42-vjeçari Isuf Brahimaj, pronar i një hoteli në Radhimë që pritej të përurohej këto ditë, si dhe u plagos rëndë, me djegie të shkallës se tretë, 19-vjeçarja Ornela Gjini.

Ngjarja më e rëndë gjatë këtij muaji është ajo ndodhur pak ditë më parë në Durrës, në të cilën dy gra të moshuara janë dhunuar për vdekje. Ngjarja ndodhi natën midis së hënës dhe të martës në qytetin e Durrësit. Viktima të dhunës kanë qenë Gjinovefa dhe Elsa Vava, 77 dhe 72 vjeçe, kunata me njëra-tjetrën. Sulmit i ka shpëtuar një grua e tretë, Marjana, motër e Gjinovefës, e cila ishte e paralizuar. Ngjarja ndodhi në katin e dytë të një banese private ku rrinin dy kunatat, e cila ishte në pronësi të tyre, në lagjen nr. 11, pranë Postës të qytetit bregdetar. Viktimat dyshohet të jenë mbytur me qese plasmasi, ndërsa burime policore kanë pohuar se të moshuarat i kishin të lidhura duart dhe se janë mbytur nga asfiksia. Viktimat kujdeseshin për një grua invalide, e cila jetonte në katin e parë të banesës. Nga hetimet paraprake të policisë mësohet se autorët e këtij akti të rëndë, ende të paidentifikuar, kishin pasur si qëllim grabitjen e 200 mijë lekëve.

 

 

Gjirokastër

Sherr mes tre të rinjve, një i plagosur

Një person ka mbetur i plagosur pranë vendit të njohur si Ura e Lumit në Gjirokastër. Si përgjegjës për këtë ngjarje nga ana e policisë u bë arrestimi në flagrancë i Indrit Micit, 32 vjeç, nga Vlora, i Fabio Rrapajt, 32 vjeç, nga Fieri dhe u shpall në kërkim 34-vjeçari nga Gjirokastra, me iniciale A. N. Burime zyrtare nga policia thanë se gjatë mesnatës midis të premtes e të shtunës, tre të sipërpërmendurit janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive të dobëta. Gjatë sherrit mes tyre është qëlluar me armë, çka ka bërë që të mbetet i plagosur një kalimtar i rastit R. H., 29 vjeç. Si pasojë e plagës së marrë në shpatull i dëmtuari u dërgua në spital, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pistoletë, një gëzhojë, dy automjete dhe tre celularë.

 

 

Shkodër

Luante me armë, vetëplagoset një i mitur

Policia e Shkodrës nisi procedimin penal për një 14-vjeçar. I mituri me iniciale M. F., me banim në fshatin Mal i Jushit në Shkodër, po procedohet penalisht, pasi në banesën e tij, duke luajtur me një armë zjarri automatik është vetëplagosur duke marrë një plagë të lehtë. Në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe bllokuar dhe një armë zjarri automatik model 56 mm, të cilën i riu e mbante pa leje. Nga ana e policisë vijojnë hetimet për zbardhjen e detajeve të ngjarjes, ndërsa u bë shoqërimi i 14-vjeçarit.

 

 

Shkodër

Pranga 3 mjekëve, dhanë raport paaftësie pa kryer vizitat

Policia e Shkodrës ka nisur procedim penal për tre mjekë në spitalin Neuropsikiatrik të këtij qyteti. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë lëshuar raport paaftësie për një person i cili ndodhej jashtë shtetit në kohën që rezultonte të ishte bërë vizita. Mjekët për të cilët ka nisur procedimi penal për tre mjekët janë G. N., 41 vjeç; Gj. P., 50 vjeç 50; G. K., 61 vjeç. “Në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke lëshuar raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë për shtetasin Petrit Rr., vjeç 42, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër, i cili në kohën kur është lëshuar raporti mjekësor ka qenë jashtë shtetit”, – thuhet në njoftimin e policisë.

 

 

 Tiranë / Krimi në familje trondit përsëri,burri plagos gruan, më pas vetëvritet

Krimi brenda familjes trondit përsëri kryeqytetin. Një krim i dyfishtë është regjistruar dje në Tiranë, nga ku mësohet se një person ka plagosur armë zjarri bashkëshorten e tij dhe më pas ka vrarë veten.

Një 28-vjeçar ka qëlluar me armë bashkëshorten, duke e plagosur, ndërsa më pas i ka dhënë fund edhe jetës së tij. Ngjarja e rëndë është regjistruar dje pasdite, rreth orës 17:00, në zonën e Yzberishtit, ndërkohë që ende janë të paqarta rrethanat e ngjarjes.

Autori i krimit, Enton Senko, e ka qëlluar bashkëshorten Aurela Senko, 25 vjeçe, brenda banesës. Duke menduar që e ka vrarë dhe në gjendje të rëndë psikologjike, i riu ka dalë në rrugë dhe i ka dhënë fund jetës së tij.

Policia, e mbërritur në vendin e krimit, bën me dije se gruaja është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, pasi ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency