“Terrorizmi etnik”/ PD: Deklarata e ministrit, e turpshme, skandal kombëtar. MPB: Shtrembërim i së vërtetës

0
148

Gëzim Saliu

Aldo Bumci “Deklarata e ministrit përbën një skandal kombëtar, ajo konfirmon se shqiptarët përbëjnë një rrezik, duke legjitimuar dhe nxitur persekutimin dhe dhunën ndaj tyre”

 Partia Demokratike akuzoi ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se deklarata e djeshme e tij gjatë konferencës për shtyp me homologen e Maqedonisë për luftë ndaj terrorizmit etnik përbën një turp dhe skandal kombëtar. Përmes deputetit demokrat Aldo Bumçi, opozita theksoi se deklarata e ministrit është një ngjarje mjaft e rëndë. “Ministri Tahiri deklaroi se në bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve, një vend të veçantë zë edhe lufta kundër terrorizmit etnik. Në vend që t’i kërkonte homologes se tij maqedonase që të zbatohet Marrëveshja e Ohrit dhe të respektohen të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, ministri Tahiri deklaron se do të luftojë terrorizmin etnik. Kjo është një deklaratë e turpshme, e paprecedentë në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një deklaratë që përbën një skandal kombëtar, ku ministri i Brendshëm i Shqipërisë flet për luftën kundër terrorizmin etnik shqiptar në Maqedoni. Këto deklarata shqiptarët i kanë dëgjuar në kohën e Millosheviçit. Por sot shqiptarët i dëgjojnë nga Ministri i Brendshëm i Shqipërisë”, – u shpreh ai. Më tej, Bumçi pohoi se me këtë deklaratë, Tirana zyrtare konfirmon se shqiptarët përbëjnë një rrezik, duke legjitimuar dhe nxitur sipas deputetit demokrat persekutimin dhe dhunën ndaj tyre. “Shumica qeverisëse duhet të dënojë këtë deklaratë të papërgjegjshme të ministrit të Brendshëm të Qeverisë Rama. Dhe për të vendosur dinjitetin kombëtar të dhunuar nga ky ministër, minimalja që mund të bëjë Kryeministri, është shkarkimi i tij”, – tha deputeti i PD-së.

 

Reagimi

Ndërkaq, Ministria e Brendshme hodhi poshtë akuzat e Partisë Demokratike lidhur me deklaratën e ministrit Tahiri për luftën ndaj terrorizmit etnik. Në një reagim publik, Ministria theksoi se në takimin mes dy ministrave është folur për domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të të gjitha llojeve si dhe terrorizmit. “Ministria e Punëve të Brendshme hedh poshtë me indinjatë akuzat e opozitës, nëpërmjet të cilave ajo synon të shtrembërojë të vërtetën dhe të dezinformojë opinionin publik vendas e ndërkombëtar. Gjatë takimit të sotëm të ministrit Tahiri me ministren e Brendshme Maqedonase, Gordana Jankulovska, për asnjë çast të vetëm nuk është folur për terrorizëm etnik shqiptar në Maqedoni. Sipas ministrit Tahiri, “lufta kundër terrorizmit të çdo lloji, përfshirë terrorizmit fetar dhe etnik, është tashmë një sfidë që nuk rri dot brenda kufijve të një shteti, por është sfidë rajonale dhe globale”. Kjo deklaratë vjen në kontekstin e një qëndrimi tashmë të konsoliduar të të gjithë partnerëve të Aleancës së Atlantikut Perëndimor, ndaj situatës së krijuar në konfliktin fetar dhe etnik që po ndodh në disa vende në rajonin e Lindjes së Mesme, si Siri, Irak etj.”, – thuhej në reagim. Më tej, ministria e Brendshme pohoi: “Fakti se të dy vendet tona janë konsideruar nga terroristët si hapësira të mundshme për të rekrutuar luftëtarë për këto konflikte e bën edhe më të domosdoshëm bashkëpunimin jo vetëm dypalësh por edhe më gjera në rajon. Çdo deklaratë tjetër e pretenduar nga opozita është krejtësisht e pavërtetë dhe çdo koment keqdashës në lidhje me këtë qëndrim parimor të ministrit të Brendshëm vetëm sa tregon dritëshkurtësinë e atyre që deri dje drejtonin politikën e jashtme të këtij vendi”.

 

 Raporti/ Rezoluta e KiE-së: Shqetësim për Shqipërinë, pavarësia e gjyqësorit

Asambleja e Këshillit të Evropës shpreh shqetësimin e saj në draft-rezolutën për Shqipërinë lidhur me paanshmërinë e institucioneve demokratike, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. “Asambleja shpreh nevojën për reforma të mëtejshme gjithëpërfshirëse, duke përfshirë ndryshime ne kushtetute për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit dhe një administrim efikas të drejtësisë. Reformat ne drejtësi duhen në mënyre urgjente dhe duhen të jenë prioritet për autoritetet. Asambleja shpreh veçanërisht shqetësimin rreth sistemit korruptiv të përhapur në të gjitha nivelet e gjyqësorit i cili dëmton eficencën e institucioneve”, – thuhej në raport. Më tej, KiE inkurajoi autoritetet të bëjnë reforme ne gjykatën e lartë dhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Po ashtu në raport kërkohen veprime konkrete te vazhdueshme nga qeveria por dhe nga opozita, dhe theksohet rëndësia e zbatimit të reformave dhe paketës legjislative, për të adresuar efektivisht shqetësimet e shënuara nga asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës. Ndërkaq lidhur me reformën administrative territoriale, KiE mirëpriti dhe inkurajoi autoritetet te vazhdojnë iniciativën për të siguruar qe kjo reforme te jete konsensuale. “Në këtë kontekst i bëjmë thirrje opozitës të marre pjese ne punën për zbatimin e reformës territoriale”, – thuhej në raportin e Asambleja e Këshillit të Evropës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency