Prokurori e Tiranës/ Hetimi për supervjedhjen në Thesar, drejt fundit, dëshmojnë Meksi e Golemi

0
119

Sonila Mesareja

Ermelinda Meksi duke dale nga prokuroria Kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha, konfirmon se hetimet përfundojnë së shpejti. Dy anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës dëshmojnë për 5 orë në Prokurori, refuzojnë të japin detaje për median. Deklaratat: Është sekret hetimor, iu përgjigjëm pyetjeve

Në momentin që i ka ardhur radha për të dëshmuar Këshillit Mbikëqyrës dhe pas tyre edhe guvernatorit Ardian Fullani, kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha, i është përgjigjur dje interesimit të gazetarëve duke deklaruar se hetimi për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë do të përfundojë së shpejti. Kreu i akuzës së kryeqytetit bëri me dije se në këto moment, Prokuroria është duke kërkuar bashkëpunëtorët e tjerë dhe destinacionin përfundimtar të parave që janë marrë nga Departamenti i Emisionit. Më tej Fusha tha se janë në përfundim të veprimeve për elementët e shpërdorimit të detyrës. “Njëkohësisht po punohet edhe për vjedhjen e bankës, kërkimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe të lekëve që janë marrë. Hetimet vazhdojnë, do t’i shkohet deri në fund”. I pyetur në veçanti nëse do të thirret në Prokurori, guvernatori i Bankës, Ardian Fullani, Fusha theksoi dy herë se “do të thirren të gjithë personat që kanë dijeni për ngjarjen”, pa specifikuar asnjë emër konkret. Gjithashtu, ai vuri në dukje se hetimet përfundojnë së shpejti dhe “në përfundim do të gjykojmë dhe vendosim për përgjegjësinë e personave”.

 

Dëshmitë

Kur pritej që dy nga anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës ta hapnin siparin e marrjes në pyetje për supervjedhjen 713 milionëshe në departamentin e Emisionit, e para që është paraqitur në mëngjes ka qenë ish-inspektorja e Bankës së Shqipërisë, Teuta Baleta, e cila i është përgjigjur së pari thirrjes së Komisionit të Ekonomisë në Kuvend dhe një ditë më pas edhe organit të akuzës. Më pas, për afro 5 orë e gjysëm, janë pyetur në orare të ndryshme dy anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës, Ermelinda Meksi e para dhe më pas Elivar Golemi. Po ashtu, në prokurori në lidhje me procedurat që Banka e Shqipërisë ndjek në lidhje me auditimet, kontrollet dhe raportet me stafin, dje dëshmoi dhe drejtori juridik i Bankës Altin Naçi, i cili pranoi faktin se prokuroria ka sekuestruar një sërë dokumentesh të tjera të dorëzuar prej tij. Në përfundim të marrjes në pyetje, pasi la ambientet e Prokurorisë së Tiranës, Meksi dha një reagim mjaft të shkurtër për mediat duke u shprehur se “iu përgjigja një ftese të Prokurorisë për bashkëpunim në këtë çështje dhe në respekt të hetimit, kërkoj mirëkuptimin tuaj. Më shumë se kaq nuk mund t’ju them.” Ndërsa, kolegia e saj, Ela Golemi, që hyri pas saj, tha në dalje, pas një ore, se dëshmoi për aq sa kishte dijeni. Bëhet me dije se pyetjet e Prokurorisë kanë pasur në fokus, detyrimet dhe përgjegjësitë ligjore të Këshillit Mbikëqyrës lidhur me sigurinë që ofron Banka e shtetit shqiptar. Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi qenë dy të parat ndër shtatë anëtarët që përbëjnë Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që u thirren në cilësinë e personave që kanë dijeni. Ndërkohë që ditën e hënë pritet të vijohet me dëshmitë e katër anëtarëve të tjerë të Këshillit, përkatësisht Adrian Civici, Dhori Kule, Elisabeta Gjoni dhe Petraq Milo.

 

Meksi: Iu përgjigja ftesës për bashkëpunim, është sekret hetimor

Pas rreth 3 orësh marrje në pyetje, anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi, la ambientet e Prokurorisë së Tiranës. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Meksi kërkoi mirëkuptimin për përgjigjen e shkurtër të saj, në respekt të hetimit. “Iu përgjigja një ftese të Prokurorisë për bashkëpunim lidhur me këtë çështje dhe në respekt të hetimit kërkoj mirëkuptimin tuaj, më shumë se kaq unë nuk mund të them”, – tha anëtarja Meksi ndërsa la Prokurorinë e Tiranës.

 

Golemi: I thashë gjithçka dija prokurorit

 Përreth një orë e gjysmë, anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të bankës së Shqipërisë Elivar Golemi ka dhënë dëshminë e saj në përballë prokurorit Ramadan Troci, i cili po heton çështjen e vjedhjes së thesarit të shtetit. Në një prononcim fare të shkurtër për mediat, Golemi tha se i ka dëshmuar organit të akuzës gjithçka që ajo di mbi vjedhjen e 713 milionë lekëve të rinj nga thesari i shtetit. “Dëshmova çdo që më pyeti prokurori, kaq mund të them, gjithçka që di i thashë në prokurori”, – u shpreh Golemi.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency