Eliminatoret Francë 2016/ Bushi: Për t’u kualifikuar duhet të japim 200%

0
125

bushi dhe de biaziIsh-sulmuesi kuqezi deklaroi se kombëtarja është në formë të mirë dhe se do t’i duhet një punë e madhe për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Portugalisë

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga ndeshja e parë kundër Portugalisë për eliminatoret e Francë 2016, kuqezinjtë duket se e kanë nisur me hapa të mirë. Skuadra është grumbulluar prej dy ditësh në Korunja të Spanjës, aty ku po zhvillon edhe seancat stërvitore që do t’i shërbejnë De Biazit për ndeshjen ndaj Portugalisë. Skuadra duket se e ka nisur mbarë, pasi të gjithë lojtarët janë në kushte të mira dhe po përshtaten shumë me lojën që kërkon tekniku italiani. Sipas menaxherit të ekipit kombëtar, Alban Bushi, gjithçka po shkon mirë dhe skuadra gjendet në kushte të mira për sfidën e rëndësishme ndaj luzitanëve. “Gjendja e ekipit është e mirë. Në seancat e zhvilluara deri tani ekipi ka treguar formë të mirë fizike, me futbollistët që kërkojnë të japin maksimumin”. Gjithashtu, ish-sulmuesi i kuqezinjve foli edhe për klimën e mirë që ekziston në skuadër. Kjo, pasi brenda ekipit ekziston konkurrencë, çka i nxit më shumë lojtarët që të tregojnë veten dhe të japin maksimumin në fushë. Kjo i shërben mjaft edhe De Biazit, i cili në këtë mënyrë mund të nxjerrë edhe 11 -shen më të mirë. “Në ekip ka shumë konkurrencë dhe kjo është diçka e mirë, që i shërben shumë trajnerit për të përzgjedhur formacionin ideal. Gjithashtu, lojtarët janë ndjekur në ekipet e tyre ku luajnë, teksa këto ditë janë angazhuar së tepërmi”. Gjithashtu, Bushi foli edhe për mungesën e Ronaldos. Ylli i Realit të Madridit është mungesa e madhe e Portugalisë, e cila do të duhet që të përballet pa pasur në skuadër yllin e saj. Një minus ky për ekipin e Bentos, i cili çalon në fazën sulmeuse pa kapitenin e saj. Ky mund të jetë një epërsi për kuqezinjtë tanë që kanë një dhimbje koke më pak. Mirëpo, sipas Bushit, mungesa e yllit nuk shërben për t’u ekzaltuar, pasi ekipi ynë ka akoma diferenca me portugezët. “Portugalia nuk varet nga Ronaldoja, pasi ka ekzistuar edhe pa të. Nëse Portugalia do të luante me Danimarkën, atëherë do të ishte një disavantazh për ta, por jo në këtë sfidë ndaj nesh. Ata kanë shumë futbollistë me cilësi, teksa ne kemi zemrën, por edhe futbollistë që luajnë në kampionate të forta. Shanset janë njësoj për ne, si me Ronaldon ashtu dhe pa Ronaldon”. Menaxheri i kuqezinjve gjithashtu foli edhe për objektivin e kombëtares. Sipas tij, aventura që të çon drejt Francës është shumë e vështirë, pasi grupi është mjaft i vështirë dhe nuk është e lehtë, nëse nuk jep maksimumin. “Objektivi për këtë sezon është që nuk duhet të humbasim asnjë ndeshje dhe pastaj të shohim ku do të arrijmë. Kemi bërë shumë përpara, kemi qenë pranë kualifikimit, por ndërkohë edhe ekipet e tjera që janë më lart se ne, kanë bërë përpara me hapa gjigantë. Duhet të japim 200%, pasi vetëm kështu mund t’u bëjmë ballë kundërshtarëve tanë”. De Biazi dhe të tijtë do të duhet që në çdo ndeshje të japim maksimumin dhe kjo nuk është një gjë e lehtë. Kjo, pasi sfidat parashikohen të jenë shumë të vështira dhe skuadrat e grupit nuk janë të lehta në letër. E vetmja provë është puna, fusha dhe me ndihmën e fatit mund të arrihet një objekti i madh.

 

Ronaldo: Do të vazhdoj të fitoj trofe me Realin e Madridit

Lojtari më i mirë evropian i vitit, Kristiano Ronaldo, ka deklaruar se është ende ambicioz për të fituar edhe më shumë me Realin e Madridit. Sezoni i kaluar ishte një sukses për skuadrën, pasi arriti që të fitonte Kupën dhe Ligën e Kampioneve, ndërsa dështuan në misionin e tyre në La Liga dhe Superkupë. Ylli i galaktikëve është shprehur se pavarësisht nga sukseset, ka ende dëshirë që t’i shtojë ato me klubin e tij. “Sezoni i kaluar ishte fantastik. Arritëm që të fitonim Kupën dhe gjithashtu fituam edhe Ligën e Kampioneve, që tifozët madrilenë e donin shumë. Edhe këtë sezon do të synojmë që të bëjmë të njëjtën gjë, të fitojmë Championsin dhe La Ligan”. Gjithashtu, luzitani foli edhe për rekordet e tij personale, duke deklaruar se ka si synim që t’i thyejë edhe ato. “Do të synoj që të thyej edhe rekordet e mia personale, e di që nuk do të jetë e lehtë, por do të mundohem që ta realizoj”, – u shpreh CR7.

 

 Bufon: Konte mund të bëjë ndryshimin

Kapiteni i Italisë, Xhanluixhi Bufon, ka deklaruar se Antonio Konte është personi i duhur që mund të bëjë ndryshimin. Të dy kanë qenë së bashku te Juventusi, ku arritën të shpalleshin tri herë kampion. Gardiani i kaltër dëshiron që të njëjtin sukses ta pasojnë te Italia, e cila përjetoi turne për t’u harruar në Brazil 2014. “Konte është një natyrë perfeksioniste. Një trajner dhe një njeri i cili beson në disiplinë dhe në rregull”. Sipas tij, ish-tekniku bardhezi është i vetmi që mund të ndryshojë gjendjen e Italisë, që po përjeton një krizë në kombëtare. “Në një moment si ky, mendoj se ai është vetmi që mund të na kthejë në rrugën e duhur në një kohë të shkurtër. Unë e shoh atë siç e shihja te Juvja. Ai ka ide të qarta dhe nuk lë hapësira për keqkuptim”, – deklaroi portieri juventin.

 

 Lam: Spanja mbetet ekipi për t’u mundur

Kampioni i botës, Filip Lam, ka deklaruar se pavarësisht nga të gjitha, është Spanja, skuadra e cila duhet mundur dhe nga e cila duhet marrë shembull. Iberikët erdhën në Brazil si kampionë bote në fuqi dhe u larguan kokulur, pasi nuk arritën të dilnin as nga grupi. Mirëpo, sipas ish-kapitenit gjerman, ata ende janë një referim për Gjermaninë. “Nuk mendoj se mund të na krahasojnë akoma me Spanjën. Kjo, pasi ata arritën që të fitonin tre tituj radhazi. Vetëm atëherë, kur Gjermania të arrijë suksesin e saj, mund të themi që Gjermania është një shembull. Për mendimin tim, Spanja mbetet ekipi për t’u mundur edhe në 2016-ën”, – tha mbrojtësi bavarez.

 

 Van Gal: Junajtid, sfida më e vështirë e jetës

Të gjithë flasin për një Junajtid që shpenzon shumë dhe nuk po arrin asgjë, mirëpo kjo nuk e shqetëson Van Galin. Trajneri i “djajve” u shpreh se e dinte se çfarë e priste dhe gjithashtu vijoi duke thënë se e di vështirësinë që do të ketë ngritja e Mançester në nivelin që ka qenë. “Nuk jam penduar aspak që bëra këtë zgjedhje. E di shumë mirë që kam shumë presion dhe duhet të punoj mirë, pasi ka përgjegjësi. Situata nuk është aspak e keqe, sepse e dija shumë mirë çfarë më priste”. Van Gal gjithashtu deklaroi se mund të kishte zgjedhur një rrugë më të lehtë, sepse kërkesat në adresë të tij nuk kanë munguar. “Mund të kisha pranuar një detyrë me më pak presion dhe e kisha rastin ta bëja një gjë të tillë me Totenhemin. Në Londër nuk do të kisha ngarkesën që jam i detyruar të përballoj tani. Zgjodha një sfidë të madhe për karrierën time, madje më të madhen që kur kam nisur të punoj si trajner. Dëshira ime e vetme ishte të bashkohesha me klubin numër 1 të Anglisë dhe jo me Totenhemin”, – tha ish-trajneri i portokallinjve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency