Deklarata/ Konte nuk ka mëshirë: Kush nuk luan, ngelet jashtë

0
145

konteTekniku i ri i të kaltërve ka deklaruar se gjithkush do të duhet ta meritojë kombëtaren, duke i bërë edhe një thirrje Balotelit për të ardhmen

Te Italia fillon revolucioni dhe kjo duket se do të nisë që nga skuadra dhe lojtarët. Konte, kur nënshkroi për kombëtaren e kaltër, deklaroi se suksesi do të kërkojë shumë punë dhe gjithashtu u hapi rrugën edhe lojtarëve të rinj për të treguar veten. Në konferencën e tij të parë për shtyp, tekniku 45-vjeçar u shfaq i lumtur për përvojën e re, duke deklaruar: “Fitorja është një dënim i ëmbël dhe unë jetoj vetëm për fitoren. E dini shumë mirë ndryshimin mes fitores dhe humbjes. Është si të jetosh apo të vdesësh. Kur humbas, më duket sikur vdes, prandaj unë dua të përçoj mentalitetin tim dhe t’u mësoj lojtarëve diferencën mes fitores dhe humbjes. Ne duam që fitorja të jetë një dënim i ëmbël edhe për kombëtaren”. Dhe për të arritur te fitorja, tekniku duket se ka vendosur rregulla të fortë në përfaqësuesen e Italisë, në mënyrë që ekipi të kthehet te suksesi i 2006-ës. Në konferencën për shtyp në prag të eliminatoreve të Euro 2016-ës, ish-trajneri i Juventusit jep një sinjal të qartë për të gjithë lojtarët që pretendojnë kombëtaren. “Kush vjen në kombëtare, duhet ta meritojë fanellën, ndryshe nuk do të kem mëshirë për askënd. Më mirë të humbas një apo dy futbollistë dhe të fitoj 25 të tjerë, sesa t’i humbas të gjithë. Vetëm talenti nuk të bën të jesh Mesi apo Maradona”. 45-vjeçari zbuloi më pas se kishte pasur një takim me Andrea Pirlon, të cilin e konsideron pjesë të projektit të tij, edhe pse për momentin do të qëndrojë për një muaj jashtë fushave për arsye dëmtimi. “Doja të kuptoja nëse ka akoma dëshirë për të kontribuar për kombëtaren. Ai është një luftëtar si Vidal. Disponueshmëria e tij më mjafton”. Lënia jashtë listës e Mario Balotelit ishte një tjetër temë të cilën Konte nuk mund ta shmangte, edhe pse nuk ia përmend kurrë emrin ish-sulmuesit të Milanit. Përforcimi i ri i Liverpulit ishte mungesa më e dukshme në përzgjedhjen e Kontes për ndeshjet e radhës ndaj Holandës dhe Norvegjisë. Por Konte thotë se ai nuk ka pasur ndonjë prapavijë që e ka lënë jashtë Balotelin, duke thënë se çdokush duhet ta meritojë vendin e tij. “Ne kemi përcjellë çdo ndeshje. Këto ftesa janë të bazuara në ato që ne kemi vërejtur, me ata për të cilët kemi pas evidenca futbollistike. Është një mesazh? Nuk më duhet të dërgoj ndonjë mesazh. Ata që më njohin se si punoj, unë nuk i dërgoj dhurata askujt. Sot unë kam këtu 26 djem dhe duhet t’u them atyre se ata duhet ta fitojnë këtë fanellë. Unë do të sillem siç kam bërë gjithmonë, nuk ka parakushte për askënd. Ata që janë në ekipin kombëtar, duhet ta dinë se çfarë duhet të kesh për të qenë këtu dhe të jenë të vetëdijshëm për vlerën e kësaj fanelle, është e rëndësishme”, – ka thënë Konte. Sigurisht që ky nuk është një lajm i mirë për Balo i cili duhet të përfitojë shumë nga aventura e re për të provuar që është në formë të mirë dhe që do t’i shërbejë skuadrës së tij. Lojtari është një ndër lojtarët italianë më cilësorë të këtyre viteve të fundit dhe do të ishte një mungesë e madhe nëse nuk do të jetë në Francë 2016. Një vendim që nuk duket surprizë, duke pasur parasysh se Konte është një teknik shumë i rreptë dhe i mbron shumë vendimet e tij.

 

Ginkel: Dua të bëhem i rëndësishëm për Milanin

Marko van Ginkel synon të ndjekë hapat e legjendave të Milanit, si Marko van Basten, Frank Rijkard, Rud Gulit dhe Klarens Sedorf, para kompletimit të huazimit nga Çelsi. “Jam shumë i kënaqur që jam këtu, te Milani. Ky është një klub i madh ku shumë lojtarë holandezë kanë luajtur në të kaluarën, disa emra vërtet të mëdhenj. Jam i ngazëllyer që jam këtu. E njoh Najxhel de Jong nga ekipi kombëtar. Kam folur me të për Milanin dhe ai më ka thënë disa gjëra të shkëlqyeshme për klubin. Nuk e kam parë atë ende që kur kam ardhur këtu, por do të takohem së shpejti. Dua të bëhem i rëndësishëm për Milanin. Dua të luaj shumë ndeshje këtu dhe të fitoj kohë të rregullt loje. Ndjej sikur Milani do të ma japë këtë mundësi në një ligë të madhe me një ekip të fuqishëm. Kam biseduar edhe me Fernando Torres për Milanin. Ai është një djalosh i mrekullueshëm dhe ne do të takohemi sërish së shpejti”, – ka thënë talenti i kuqezinjve.

 

 PSG konfirmon, Rabiot drejt Romës

Klubi i PSG-së ka konfirmuar se Adrien Rabiot është në rrugë për t’u larguar nga klubi për t’iu bashkuar Romës gjatë ditës së sotme. 19-vjeçari është lidhur me një largim nga PSG-ja pas refuzimit për të vazhduar kontratën me klubin. Roma duket se është duke avancuar në garën për të nënshkruar me lojtarin. “Ne duam të mendojmë për këtë edhe për disa orë, por është e mundshme që Adrien të largohet nga PSG për t’iu bashkuar Romës. Nëse oferta që ata na kanë dërguar ende vlen, atëherë kush e di”, – ka thënë presidenti i klubit Al-Khelaifi për “L’Equipe”.

 

Çerçi, goditja e fundit e Atletikos

Alesio Çerçi është zyrtarisht lojtar i Atletiko Madridit. Futbollisti italian kaloi testet mjekësore gjatë ditës së hënë në kryeqytetin spanjoll, para se të nënshkruante një kontratë trevjeçare. Nënshkrimi pasoi marrëveshjen e arritur ndërmjet dy klubeve gjatë fundjavës, ndërsa lojtari është shprehur krenar për transferimin. “Atletiko është një skuadër e cila akoma po zhvillohet dhe gjithmonë dëshiron të fitojë, prandaj jam krenar që gjendem këtu. Jam shumë i lumtur për pritjen e mirë që më është bërë. Shpresoj që ky sezon të sjellë shumë sukses”, – deklaroi italiani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency