Vepra e fundit që na la Demiraj, historia e gjuhës

0
601

Evalda PACI

 

Shaban_Demiraj_810406Studimet mbi historinë e gjuhës shqipe përfaqësojnë një traditë solide që ka pasur me vite me radhë si objekt studimi çështjet e gjenezës së gjuhës dhe të popullit shqiptar, autoktoninë dhe vijimësinë e ekzistencës në të njëjtat troje të njërit prej popujve më të lashtë në arealin ballkanik dhe atë evropian.

Këto studime kanë kërkuar përherë një veshje apo një kontekstualizim të domosdoshëm historik dhe social, sa herë që nëpërmjet tyre dhe disiplina të tëra të kësaj fushe të gjerë të studimeve humane janë përfshirë, ndihmuar dhe mbështetur nga gjetjet apo diskutimet përkatëse.

Vepra Gjuha shqipe dhe historia e saj e Shaban Demirajt (botimet Onufri, 2013) shënoi një arritje për ecurinë e gjurmimeve në fushë të trajtimit të mjaft problemeve që nuk përfshinë vetëm aspektin gjuhësor apo dhe të sqarimit të thjeshtë të historisë së një dukurie, të disa dukurive apo të regjistrave të caktuar gjuhësorë të shqipes.[1]

Vështrimi i gjuhës sonë si një gjuhë me origjinë i.e. mbi bazë tiparesh që e afrojnë studimin e saj me të tjera gjuhë që kanë pasur dokumentim më të hershëm shkrimor, mbetet ndër trajtesat më origjinale të punimit të Shaban Demirajt. Të tilla trajtesa jo vetëm e vënë shqipen në një plan vështrimi të përafërt me gjuhë të tjera të kësaj familjeje, por dhe plotësojnë qasje të niveleve themelore, ndër të cilat spikatin afëritë gjenetike sa i përket tipologjisë së shfaqjeve të disa dukurive të nënsistemeve të caktuara gjuhësore si dhe regjistri leksikor që përfshin pikërisht ato elemente që merren parasysh në çdo manual mbi gjuhësinë indoevropiane, historinë e gjuhëve të Evropës dhe vetë gjuhët indoevropiane.[2]

Karakteri konservator në drejtim të disa tipareve drejton vëmendjen ndaj natyrës së evolucionit të shqipes, të dallueshëm nga gjuhë të tjera të së njëjtës familje tek të cilat të njëjtat tipare nuk mund të gjurmohen a të konstatohen në të njëjtën shkallë shfaqjeje apo ruajtjeje.Ky evolucion merret parasysh në disa krerë të punimit, në veçanti dhe kur bëhet fjalë për modifikimin e kategorive të caktuara gramatikore, ndër të cilat eptimi emëror dhe ai foljor i shqipes.[3]

Evidentimi i fenomeneve që vënë në dukje qasje herë të pjesshme, herë më të veçuara sa në shqipen sa në gjuhë të tjera të familjes gjuhësore i.e., i jep veprës një perspektivë të domosdoshme drejt studimeve në fushë të gjuhësisë i.e. dhe përbën njëkohësisht një prej kontributeve më të vyera të autorit në këtë punim shkencor.[4]

Këtij vështrimi i bashkangjiten trajtesa mbi shqipen si gjuhë ballkanike si dhe vënia në dukje e disa tipareve të veçanta të saj, përftimi i të cilave mendohet të jetë kryer gjatë evolucionit historik të shqipes pikërisht në sistemin fonetik dhe strukturën gramatikore.[5]

Gjuha shqipe përbën një faktor që duhet marrë parasysh në çdo studim që ka për objekt fazat më të hershme të historisë së gjuhëve ballkanike, gjuhëve të arealit adriatik e në veçanti atij jugor, areal në të cilin dhe janë shkëmbyer që në antikitet kultura e elemente qytetërimi mes popujve të këtyre viseve.

Ndaj në çdo trajtesë a studim të kësaj natyre, artikuluar në kapituj që synojnë të trajtojnë si problematikën themelore të sqarimit të origjinës së kësaj gjuhe ashtu dhe traditën e studimeve që në mënyrë të pashmangshme paraqet dhe mospërkim pikëpamjesh e përfundimesh, kontekstualizimi i çdo dukurie të rëndësishme gjuhësore në një kornizë të natyrës historike dhe sociokulturore mbetet një prirje e studimeve tona në lidhje me këto argumente,konkretizuar më së miri dhe në punimin e profesor Shaban Demirajt.[6]

Të tilla fakte i dëshmojnë më së miri dhe kapitujt në të cilët janë marrë me radhë në bazë të një kriteri kronologjik sipas depërtimit dhe prejardhjes së mundshme huazimet apo elementet me origjinë greke, latine si dhe ato sllave e turke.Në veçanti trajtimi i greqizmave me shtresëzimet përkatëse sipas vetë historisë së gjuhës përkatëse dhe i huazimeve latine me të gjitha proceset fonetike që i karakterizojnë ato, mbetet një ndër argumentet më të rëndësishme nëse bëhet fjalë për raportet konkrete mes popullsive dhe fiseve antike në arealin epirot dhe më tej, duke qenë se del në pah dhe një faktor historik mjaft i rëndësishëm që qëndron në themel të natyrës së gjithsecilës prej këtyre popullsive, influencuese të padiskutueshme në historinë dhe psikikën e popujve me të cilët ranë në kontakt në rrugë ushtarake apo kolonizuese.[7]

Vetë çështja e sqarimit të vendbanimit të hershëm të popullit tonë përfshihet drejtpërdrejt nga studimi i këtyre elementeve, lashtësia e të cilave dëshmon dhe për një fakt tjetër po aq të rëndësishëm: praninë e tyre në gjuhën tonë e jo në gjuhë të tjera siç është rasti i disa gjuhëve romane.[8]

Ndër huazimet latine pikërisht një pjesë e tyre që i përkasin terminologjisë kishtare janë bërë objekt studimi dhe më tej nga studiuesi Demiraj për faktin se nëpërmjet tyre dëshmohen procese fonologjike që bëjnë të gjykosh për lashtësi të depërtimit të tyre në gjuhën shqipe apo nënën e saj.[9]

Këto kontribute e trajtesa të sipërpërmendura duhen parë në një vështrim që merr në konsideratë dhe studime të tjera të Shaban Demirajt, duke qenë se në ecuri të natyrshme janë finalizuar prej tij studime mbi morfologjinë historike të shqipes, fonologjinë historike të saj por dhe janë parë kontaktet e mundshme me gjuhë të tjera në dritën e një perspektive që shpie studiuesit në kërkim të sqarimit të rrethanave të shkëmbimeve mes popujve të hershëm, shkëmbime që paraqesin interes dhe për vetë kulturat fqinje që përfshihen në këto raste.

Elementet leksikore të konsideruara si paraindoevropiane e të bartura nga një popull në tjetrin(të pranishme në greqishte, latinishte dhe në shqipe) dëshmojnë se çdo popullsi ka asimiluar nga kulturat e mëparshme por dhe vetë vijimësinë e bartjes së tyre në areale të mëtejme, siç është rasti i mjaft elementeve që qëndrojnë në bazë të kulturës dhe qytetërimit antik italik me gjasa të sjella apo të ndërmjetësuara nga fiset greke, por që përfshijnë mbarë popullsitë e këtij areali, jo vetëm ato që njihen si i.e.[10]

Çështjet e lidhura drejtpërdrejt me gjenezën, vijimësinë dhe lidhjet birnore dhe të afërisë më të ngushtë gjenetike të shqipes janë parë vazhdimisht në studimet e albanologëve shqiptarë dhe të huaj me gjithë vështirësinë që në rastin e gjuhës sonë paraqet fakti i mungesës së të dhënave konkrete që gjuhë të tjera i kanë pasur si falë një dokumentimi shkrimor më të hershëm, si dhe falë vetë referimit ndaj identitetit dhe historisë së tyre në burime historike dhe gjeografike të shkruara në gjuhë të vjetra të kohës. Rimarrja e këtyre argumenteve në një shtjellim të gjerë dhe evidentues në punimin e Sh.Demirajt vë në dukje gjithashtu kontributin e shkencës së arkeologjisë dhe gjurmimet përkatëse të kryera në vendin tonë dhe në hapësirat kufitare me të.[11]

Trajtimi i historisë së lindjes së shkrimit shqip dhe i veprave themelore të kësaj historie mbetet ndër krerët më të rëndësishëm të këtij punimi. Çështja e gjetjes së burimeve më të plota shkrimore para librit të Gjon Buzukut është dhe sot e kësaj dite një objektiv i pazgjidhur nga studiuesit. Gjuha e konsoliduar deri në njëfarë shkalle në tekstet e veprave të letërsisë së vjetër shqipe, përfshirë librin e Buzukut nuk mund të mos konsiderohet si një provë e ekzistencës së një tradite shkrimore të mëparshme, dhe pse disa tipare gjuhësore në këto vepra jo gjithmonë përbëjnë shembuj vijimësie në pikëpamje përdorimit të termave dhe emërtesave të posaçme, ashtu dhe veçorive dialektore të gjuhës së gjithsecilit.[12]

Dokumentet e njohura dhe sot me emërtimin “dokumente parabuzukiane” nuk përbëjnë prova të mjaftueshme për të gjykuar mbi një vijimësi të qartë prej tyre në veprat e mëvona me të cilat përfaqësohet letërsia e vjetër shqipe.

Gjithsesi, fakte të caktuara si qëndrueshmëria fonetike dhe morfologjike me një raport të përcaktuar mes shkronjës dhe tingullit të Buzuku, alfabeti mjaft i stabilizuar që pësoi dhe modifikime evolutive graduale në autorët pasardhës si Budi, Bardhi, Bogdani etj., janë dëshmi që flasin në të mirë të tezës që shqipja është lëvruar dhe para këtij autori.[13]

Duke sjellë shembuj nga tekstet tipike introduktive apo përmbyllëse të këtyre veprave si dhe modele të formimit të fjalëve që dëshmojnë aftësinë e lëvrimit të shqipes nga ana e tyre, autori i veprës realizon një percursus të rëndësishëm të historisë së shkrimit shqip nga fillesat e tij deri në autorë të tjerë që i përkasin një tradite të mëvonë shkrimore.Një rëndësi e veçantë i kushtohet lidhjes me traditën shkrimore të lëvruar këtej Adriatikut përfaqësuar nga autorë të rëndësishëm të letërsisë arbëreshe.[14]

Sa i përket trajtimit të kategorive themelore dhe specifike gjuhësore në studimet e Shaban Demirajt, dhe në këtë punim me natyrë sintetizuese e që nuk mund të shihet i ndarë nga të tjera kontribute po aq të rëndësishme në fushë të studimeve mbi historinë e gjuhës shqipe, spikat një arsenal i mjaftë i evidentimit të burimeve nga shqipja e vjetër e më saktë nga veprat dhe autorët përfaqësues të letërsisë së vjetër shqipe, vjelë përherë si burim parësor në trajtesat mbi dukuri të caktuara që shfaqen në gjuhën e shkruar shqipe.

Gjuha shqipe dhe historia e saj mbetet një punim shkencor që për vetë natyrën dhe objektin e studimit ka shoqëruar breza të tërë studiuesish, duke shërbyer për ta si një vademecum i rëndësishëm formimi profesional.Ribotimi aktual i veprës rikonfirmon rëndësinë e saj në fushë të formimit të tyre dhe përbën një homazh domethënës për vetë autorin e saj, profesor Shaban Demirajn.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[1] Demiraj Sh., Gjuha shqipe dhe historia e saj, Shtëpia botuese e librit universitar, Tiranë, 1988.

[2] Shih në veçanti Kreun Shqipja gjuhë indoevropiane, në Gjuha shqipe dhe historia e saj, botim i dytë i ripunuar, Tiranë, 2013, f.56-66. Trajtimi i tipareve konstitutive si sistemi tri gjinish (mashkullore, femërore, asnjanëse); sistemi rasor i modifikuar në krahasim me sistemin e supozuar të indoevropianishtes; supletivizmi i foljeve i pranishëm në të njëjtat folje dhe në gjuhë të tjera të vjetra i.e.(greqishtja e vjetër, latinishtja), tipare të tjera më specifike të pranishme në eptimin emëror dhe atë foljor mbeten rastet më tipike të qasjes së shqipes me këto gjuhë të familjes gjuhësore i.e.; shih gjithashtu Demiraj Sh., Albanese; Il sistema nominale; në Ramat P., Ramat A.G., Le lingue indoeuropee, Il Mulino, Bologna, 1994, f.517.

[3] Për një trajtim sintetik të çështjeve të ruajtjes dhe modifikimit të mundshëm të disa kategorive gramatikore në sistemin foljor të shqipes shih Demiraj Sh., Albanese; Il sistema verbale, në Ramat P., Ramat A.G., Le lingue indoeuropee, Il Mulino, Bologna, 1994, f.522.

[4] Për bashkëpërkimet e vjetra leksikore të pjesshme të shqipes me gjuhë të tjera simotra shih Demiraj Sh., Gjuha shqipe dhe historia e saj, botim i dytë i ripunuar,Tiranë, 2013, Kreu II: Vendi i shqipes në rrethin e gjuhëve indoeuropiane, f.88-89; sa i përket ruajtjes së dukurisë së aoristit sigmatik dhe bashkëpërkimeve në këtë pikëpamje me gjuhë të vjetra i.e.(indishte e vjetër, greqishte e vjetër dhe latinishte), shih sërish Demiraj Sh., botim i cituar, po aty, Kreu II/22, f.87.

[5] Demiraj Sh., Gjuha shqipe dhe historia e saj, botim i dytë i ripunuar,Tiranë, 2013, Kreu III: Shqipja gjuhë ballkanike, f.91-105; Kreu IV: Disa tipare të veçanta të shqipes, f.106-121.

[6] Shih në veçanti Demiraj Sh., Gjuha shqipe dhe historia e saj, botim i dytë i ripunuar,Tiranë, 2013, Kreu VIII: Prejardhja e gjuhës shqipe, f.200: Për çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe deri sot janë parashtruar hipoteza të ndryshme, nga të cilat mund të përmenden hipoteza të ndryshme, nga të cilat mund të përmenden hipotezat pellazgjike, ilire, trakase, dako-mize etj., me një mbizotërim të hipotezës për burimin ilir të kësaj gjuhe. Argumentet që janë sjellë në të mirë të kësaj apo të asaj hipoteze, kanë qenë të karakterit gjuhësor, historik, gjeografik etj., duke mbizotëruar herë argumentet e karakterit gjuhësor, herë ato të karakterit historik- gjeografik.

[7] Shih në veçanti Demiraj Sh., Gjuha shqipe dhe historia e saj, botim i dytë i ripunuar,  Kreu VI(Shtresimi kohësor i fjalorit të gjuhës shqipe),f.153-165.

[8] Shih në veçanti Demiraj Sh., Gjuha shqipe dhe historia e saj, botim i dytë i ripunuar,Kreu IX: Vendi dhe koha e formimit të gjuhës shqipe, f.255-260.

[9] Për trajtimin e proceseve morfonologjike që përfshijnë dhe një pjesë të këtyre termave shih në veçanti Demiraj Sh., Fonologjia historike e gjuhës shqipe, Tiranë, 1996, Kreu IX: Dukuritë morfonologjike, f.144-148; shih gjithashtu dhe Demiraj Sh., Gjuha shqipe dhe historia e saj, botim i cituar, Kreu VI(Shtresimi kohësor i fjalorit të gjuhës shqipe), f.162-163: Gjithashtu nga analizat që i janë bërë elementit latin që gjuha shqipe e ka trashëguar nga “nëna” e saj, ka dalë në shesh se ai përfshin fjalë të sferave të ndryshme të jetës lëndore dhe shpirtërore. Ndër këto të dytat bie në sy edhe një fakt me rëndësi: terminologjia fetare (e krishterë) e shqipes, sidomos ajo më e moçmja, është në përgjithësi prej burimi latin. Lidhur me këta terma fetarë të shqipes, do pasur parasysh se mungojnë fare asish prej burimi sllav, që në rumanishte zënë një vend të rëndësishëm. Për më tepër, termat kishtarë të shqipes prej burimi latin paraqiten me ndryshime të tilla fonetike që dëshmojnë për një  vjetërsi relativisht të madhe.

[10] Këto elemente që nuk u përkasin vetëm kulturave nga vijnë dëshmojnë qartë kontributin e disiplinave gjuhësore ndaj atyre kufitare me to dhe u japin një vështrim më të gjerë nga pikëpamja e përfshirjes dhe vetë trajtesave në fjalë të studiuesit tonë.Shih në veçanti Demiraj Sh., Gjuha shqipe dhe historia e saj, botim i dytë i ripunuar,Tiranë, 2013, Kreu VIII: Prejardhja e gjuhës shqipe, f.201.

[11] Për traditën e studimeve në lidhje me këtë argument dhe kontributet përkatëse shih Demiraj Sh., Gjuha shqipe dhe historia e saj, botim i dytë i ripunuar, Tiranë, 2013, Kreu VIII: Prejardhja e gjuhës shqipe, f.200-220; shih gjithashtu Demiraj Sh., Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët, Tiranë, 2008, f.34 v.

[12] Shih Demiraj Sh., Albanese; Note preliminari,  në Ramat P., Ramat A.G., Le lingue indoeuropee; Il Mulino, Bologna, f.507-508.

[13] Shih Demiraj Sh., Gjuha shqipe dhe historia e saj, botim i dytë i ripunuar, Botime Onufri, Tiranë, 2013, Kreu XIII: Lëvrimi i gjuhës shqipe, f.324-331.

[14] Sa i përket afërisë mes traditës drejtshkrimore të autorëve të letërsisë së vjetër shqipe dhe atyre të traditës arbëreshe shih Demiraj Sh., Gjuha shqipe dhe historia e saj, botim i dytë i ripunuar, Tiranë, 2013, Kreu XIII: Lëvrimi i gjuhës shqipe, f.330: Prania e një norme të tillë drejtshkrimore në veprat e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë përkëtej dhe përtej Adriatikut nuk mund të jetë një rastësi, as diçka e përftuar nën ndikimin e përbashkët të drejtshkrimit të ndonjë gjuhe tjetër. Siç dihet, gjuhët letrare më të përhapura të kohëve të vjetra dhe mesjetare, greqishtja dhe latinishtja, i shënonin krejt ndryshe zanoret e gjata. Për më tepër, norma drejtshkrimore në shqyrtim nuk ndeshet as në traditën shkrimore romane, sllave etj. Prandaj prania e një norme të tillë drejtshkrimore te shkrimtarët shqiptarë pas Buzukut dhe te shkrimtarët arbëreshë pas Matrëngës dëshmojnë qartë se në këtë rast kemi të bëjmë me një traditë drejtshkrimore të ngulitur mirë qysh para shekullit të Buzukut e të Matrëngës. Dhe kuptohet vetiu që ngulitja e një tradite drejtshkrimore në kushtet historike të Shqipërisë së asaj periudhe nuk ishte punë që mund të kryhej brenda një kohe të shkurtër.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency