Në zyrën e shtetit/ Shefi i policisë kërkon favor seksual në këmbim të mbrojtjes, arrestohet

0
141

Sonila Mesareja

Shefi-i-Stacionit-të-Policisë-Velipojë-Ernest-Paluku-Foto-Gasper-MarkuSHKB prangos kryepolicin Ernest Paluku, i kërkoi seks denoncueses së dhunës së të shoqit

Pa u shuar jehona e skandalit seksual në Sarandë, kur një zyrtar kërkonte t’i ofrohej seks nga një e mitur në këmbim të një vendi pune, një tjetër skandal është shënuar në veri të vendit. Kësaj radhe nuk bëhet fjalë për ndonjë zyrtare partie apo administrate, por aty ku ky krim duhej denoncuar. Nuk i kanë shpëtuar skandaleve seksuale as zyrat e Policisë së Shtetit. Një zyrtar i lartë në postën e policisë së Velipojës në Shkodër është vënë në pranga pasi kërkoi favore seksuale nga një shtetase, e cila kishte denoncuar dhunë e të shoqit në polici dhe kërkonte mbrojtjen nga shteti. Por, sipas denoncimit të vetë shtetases, ofrimi i mbrojtjes sigurohej vetëm nëse ajo do i ofronte raport seksual kreut të postës së policisë në Velipojë, Ernest Palukut, i cili është vënë në pranga dy netë më parë nga strukturat e SHKB-së.

 

Arrestimi

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi dy netë më parë Shefin e Policisë së Velipojës sepse i kërkoi favore seksuale një gruaje që po denonconte dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj. Sipas burimeve zyrtare policore, shefi i policisë së Velipojës Ernest Paluku u arrestua nga SHKB pas kallëzimit të banores së Velipojës me inicialet Rajmonda.M , e cila ishte me origjinë nga Zagora dhe prej vitesh ndodhej në emigracion në Angli. Ajo trokiti në postën e policisë dhe kërkoi ndihmën e uniformave blu për t’i shpëtuar dhunës sistematike të të shoqit, por në këmbim të saj kryepolici i afroi intimitet në zyrat e shtetit. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë Ernest Paluku, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë, pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”, të parashikuar nga nenet 248 dhe 105 i Kodit Penal.

 

Hetimi

Nga hetimet rezulton se punonjësi i policisë Paluku, pas paraqitjes së shtetases Rajmonda.M, për të bërë denoncim nuk e ka kryer detyrën funksionale sipas procedurave standarde, por duke shfrytëzuar postin i ka kërkuar asaj favore seksuale. Këto veprime i ka kryer jashtë dëshirës së gruas, të cilës i premtonte mbrojtje për shqetësimet që i sillte bashkëshorti i saj. Ai dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, i kërkoi favore seksuale një shtetaseje që shkoi për të kallëzuar për dhunë bashkëshortin. Materialet hetimore ju kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime dhe hetime të mëtejshme.

 

Precedenti

Më 17 gusht, policia e Sarandës arrestoi Agron Canen, sekretarin e zyrës së deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, pasi i kërkoi një gruaje të kryente marrëdhënie seksuale me vajzën e saj 14 –vjeçare, në këmbim të një vendi pune.

 

Akuzat

“Shpërdorimit të  detyrës”

“Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”

 

Elbasan/ Përplaset me kamionin, humb jetën 23-vjeçari Malja

Drejtuesi i një motorri ka humbur jetën dje pasi u përplas me një kamion. Aksidenti ndodhi mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Elbasan-Peqin në afërsi të fshatit Pajovë. Sipas burimeve zyrtare policore, viktima është Gramoz Malja 23-vjeç nga fshati Paulesh, me profesion elektroauto. Ai po shkonte në punë kur automjeti me targa të huaja e përplasi atë në anë të rrugës. Policia po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa ka ndaluar drejtuesin e kamionit me targa të Bosnjës.

 

Bulqizë/ Konfliktohen dy persona, plagoset me thikë njëri prej tyre

Dy persona janë përfshirë në një konflikt dhe si pasojë njëri prej tyre ka mbetur i plagosur me thikë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 25 gushtit rreth orës 22:00 në Krastë të Martaneshit. Sipas policisë personi i plagosur është goditur me thikë. I plagosuri u dërgua menjëherë në spitalin e Bulqizës, por më pas është transferuar për në spitalin e Peshkopisë për mjekim më të specializuar. Policia bën me dije se ende nuk dihen motivet, ndërsa nuk dihet identiteti i autorit dhe të plagosurit. Uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

 

Vlorë/ Përplasen dy automjete, aksidentohen 4 persona

Katër persona kanë mbetur të plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti rrugor në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të mesditës së djeshme në aksin Vlorë-Orikum km 9, ku një “Volsvagen” Passat me targa AA360AD është përplasur me një mjet tip “Benz” me targa VL1766 D. Si pasojë kanë mbetur të plagosur drejtuesi i “Volsvagen” Leonard Hasani 31 vjeç, drejtuesi i mjetit tip Benz Aldrin Ramadani 23 vjeç, si dhe dy pasagjeret Irma Sala 24 vjeçe dhe Ersiola Troqe 18 vjeçe . Burime policore bëjnë me dije se shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e madhe e lëvizjes së automjete. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin e Vlorës në gjendje të rëndë. Ndërkaq, policia e mbërritur në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të rrethanave të aksidentit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency