Konferenca para Berlinit/ Përgjimet, Rama: Nuk do i diskutoj me Merkel. Presidenti, anëtar i vjetër i PD-së

0
115

Gëzim Saliu

Rama konferenca ne rinas“Shkojmë në konferencën e Berlinit për të mbështetur projektin e Korridorit të Kaltër dhe për të nisur themelin e një marrëdhënie të re BE-Ballkan”

Qeveria shqiptare nuk do ta diskutojë në konferencën e nesërme të Berlinit përgjimin e vendit nga shërbimet sekrete gjermane. Kështu bëri të ditur dje kryeministri Rama në konferencën e posaçme në aeroportin “ Nënë Tereza” para nisjes për në Gjermani, ku i pyetur nga gazetarët për përgjimet, tha se nuk ka asgjë për tu shqetësur, përderisa sipas tij, ato janë bërë në emër të sigurisë. “Përgjimet nuk i diskutoj me Merkel. Askush nuk dyshon që Gjermania është një vend thellësisht demokratik dhe i rëndësishëm, vend lider në Europë, i dorës së parë në NATO. Askush se ka harruar që ne jemi pjesë e NATO-s, pjesë e një familje që luftojnë për më shumë siguri, kur bëhet fjalë për sigurinë përpjekja për informacion dhe veprim nuk njeh kufij. Nuk na shkon ta zmadhojmë, nuk i heqim asnjë presje deklaratës së Merkel. Në rrugë diplomatike do bëjmë shkëmbim të ideve për më shumë qartësi. E keqja nuk i vjen Shqipërisë nëse Gjermania apo vende aleate për sa i përket sigurisë që kërcënohet nga terrorizmi të bëjnë punën e tyre”, deklaroi kryeministri.

 

Deklarata e Presidentit

Ndërkaq kreu i qeverisë  komentoi edhe deklaratën e presidentit Nishani, bërë gjatë një samiti në Austri, ku nuk ngurojë ta akuzojë kreun e shtetit se bën deklarata si një anëtar i vjetër i PD-së. “E thënë nga një anëtar i vjetër i PD ka besueshmëri, referojuni PD në qeveri dhe asaj në opozitë për të kuptuar sa e vërtetë është kjo deklaratë”, komentoi Rama. Më parë, Presidenti në forumin e mbajtur në Vjenë akuzoi qeverinë si autoritariste. “Mungesa e tolerancës dhe konsensusit dhe qëndrimi i dyfishtë me kërkesa për standarde të larta demokratike në opozitë dhe qëndrimet autoritare në pozitë, qëndrimi në pritje në vend të marrjes së nismave janë shfaqje e mentalitetit të shkuar, të cilat ngadalësojnë procesin e zhvillimit të demokracisë dhe të reformave”, pohoi Nishani.

 

Konferenca e Berlinit

Sipas kryeministrit të vendit, në konferencën e Berlinit, qeveria shqiptare do të shkojë me një dokument të qartë që ka në themel nisjen e një marrëdhënie të re mes BE dhe Ballkanit. Në këtë kontekst, Rama bëri të ditur po ashtu se qeveria do të mbështesë projektin e Korridorit të Kaltër, me rëndësi për Shqipërinë. “Do flas për një politikë të re që ka nisur në rajon, në shtysën e fortë të paqes dhe mbi faktin e thjeshtë se ky është viti i parë që rajoni jeton pa konflikte. Mbi këtë themel duhet ndërtuar një marrëdhënie e re, në funksion të rritjes së financimeve për rajonin. Kriza financiare e ka goditur rajonin. Janë 4 zona ku do kalojë diskutimi, bazuar sipas nesh në një strukturë që duhet të shkojë nga infrastruktura rajonale, bllok ku përfshihet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja për të mbështetur projektin e madh të korridorit të Kaltër, i cili lidh jugun e Kroacisë me Shqipërinë. Siguria energjetike është një temë tjetër që pritet të diskutohet. Ne si rajon përfshihemi në TAP por mbetet për të insistuar që të nxisim investime, të ketë ndërlidhmëri brenda rajonit. BE dhe rajoni të jenë në një rrjet të integruar të energjisë”, u shpreh kreu i mazhorancës. Po ashtu, Rama tha se temë e diskutimit në konferencë do të jetë edhe turizmi, ku theksoi se momenti që po kalon rajoni përbën një shtysë të fortë për t’ju afruar me një tentativë të re.

 

Gazeta “Danas”/ Rama viziton në shtator Serbinë, ftesa e Vuçiç në Kryeministri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në shtator do ta vizitojë zyrtarisht Serbinë. Lajmi u bë i ditur dje nga gazeta “Danas” në Beograd, ku mësohet se ftesa e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç ka mbërritur në kabinetin e Kryeministrisë shqiptare dhe tashmë mbetet vetëm përcaktimi i një date fikse se kur do të kryhet vizita zyrtare. Vizita e kreut të qeverisë ishte parashikuar të zhvillohej në fillim të vitit 2014, por u shty për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën në mars në Serbi. Rama e ka pranuar edhe më herët ftesën zyrtare, ndonëse vizita e tij hasi polemika në klasën politike shqiptare. Herën e fundit që një qeveritar i lartë ka vizituar Beogradin ka qenë viti 1947, kur Enver Hoxha ishte mysafir i Josip Broz Titos.

 

Përgjimet nga Gjermania/ Bushati: Do e trajtojmë çështjen zyrtarisht e diplomatikisht. Jemi vende të NATO-s

Përgjimi nga shërbimi sekret gjerman do të trajtohet me instrumentet zyrtare dhe diplomatike, por se konferenca e Berlinit do të ketë përparësi mbi të gjitha çështjet. Kështu deklaroi dje ministri i jashtëm Ditmir Bushati, duke theksuar se,: “Shqipëria do ta trajtojë këtë çështje në kanalet zyrtare e diplomatike dhe besoj se këtu ndoshta nuk kam çfarë t’i shtoj asaj që ka deklaruar kancelarja Merkel, që çështjet e sigurisë kombëtare gjejnë adresim në kanalet diplomatike zyrtare. Nga ana tjetër, ne jemi vende anëtare të NATO-s dhe mes dy vendeve tona ka ndërveprime në nivel politik, ushtarak dhe të shërbimeve inteligjente. Dhe kur vjen puna tek çështjet e sigurisë kombëtare ndërveprueshmëria është element kyç, sepse këto janë fenomene që kalojnë kufijtë e një shteti”. Në konferencën e përbashkët me homologun e Letonisë, ardhur në Tiranë për vizitë zyrtare, Bushati rinënvizoi edhe njëherë pritshmërinë e Shqipërisë dhe rajonit nga mbajtja e Konferencës së Berlinit ditën e nesërme, kur këtë e konsideroi një proces që do të ndihmojë në strukturimin e marrëdhënieve  politike dhe ekonomike mes shteteve të Ballkanit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency