Denoncimi/ PD: Ndërtim pa leje, 100 metra larg shtëpisë së Ramës

0
37

Gëzim Saliu

kodra ku do behet ndertimiSalianji: Qeveria po ndjek politika selective me ndërtimet, duke prishuar ato që nuk kanë lidhje me oligrakinë e duke lejuar ndërtesta e miqve

Partia Demokratike denoncon një ndërtim pa leje që është duke u ndërtuar pranë shtëpisë së kryeministrit Edi Rama në Dajt. Koordinatori Ervin Salianji ishte dje në vendin ku po përgatitet terreni për objektin e ri, ku theksoi se në këtë vend po ndodh një masakër ndaj mjedisit me ndërtimin pa leje. Sipas demokratëve, qeveria po ndjek politika selektive me ndërtimet duke prishur ato të qytetarëve pa njohje dhe pa lidhje me atë që cilësohet si oligarkia në pushtet, dhe duke lejuar ndërtesat e miqve.“Dje Kryeministri tha që krimi ndaj mjedisit është një vrasje. Jemi sot këtu për të denoncuar një vrasje. Ky ndërtim pa leje bëhet nga njeriu më i afërt i Erjon Veliajt. Ditën për diell. 100 metra larg shtëpisë së kryeministrit. Kjo kodër e bukur që shihni pas meje ka qënë e gjelbëruar 3 muaj më parë, dhe për interesa klienteliste dhe korruptive të qeveritarëve, të njerëzve më të afërt të kryeministrit dhe nën bekimin e tij, ka marrë këtë pamje, duke u ndërtuar në mënyrë të paligjshme”, tha Salianji.

 

Ndërtimi

Sipas koordinatorit për denoncimet në PD, banorët e zonës janë ankuar në institucionet qeveritare për këtë ndërtim, por kanë gjetur, theksoi ai,  shurdhërinë e tyre. “Partia Demokratike denoncon dhe do të denoncojë fuqimisht çdo politike selektive, prishje të ndërtimeve të njerëzve të pamundur dhe çdo ndërtim pa leje që bëhet me bekimin e kryeministrit, me mbrotjen e kryeministrit, dhe nën hundën e kryeministrit. Për të vetmen arsye sepse këta janë njerëzit e oligarkëve që lyejnë rrotën e qeverisë. Kjo është e vërteta Rama. Ky është standardi Rama”, u shpreh Salianji, i cili shoqërohej nga banorë të zonës që u shprehën të shqetësuar nga ndërtimi pa leje. Dy ditë më parë Kryeministri Rama deklaroi se Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar do të shkrihet brenda 30 ditëve dhe do të kalojë në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kreu i qeverisë bëri të ditur këtë ndryshim, duke theksuar se do të kalohet nga një inspektorat që nuk përgjigjet në atë që mazhoranca qeverisëse pret në luftën ndaj krimit mjedisor, në një inspektorat për mbrojtjen e territorit. Ndërkaq, kreu i qeverisë i cilësoi ndërtimet pa leje në të njejtin stad me krimet që ndodhin në vend e në këtë kontekst ai kërkoi nga policia që të marrin masa ndaj tyre në të njëjtën formë si rastet e vrasjeve. “Do të vazhdojmë goditjen e objekteve të paligjshme, dhe goditja do të vazhdojë me të njëjtin intensitet kudo, çdo ditë, çdo muaj, çdo vit, derisa vendosja e një tulle pa leje të jetë një ëndërr e keqe e së kaluarës. Krimi mjedisor identifikohet dhe ndiqet nga Policia e Shtetit, si çdo krim tjetër i rëndë dhe përgjegjësia penale për veprat e krimit mjedisor është e pashmangshme”, tha ai.

 

Me Presidentin e dhomës ekonomike/ Nishani: Austria, partner i rëndësishëm politik e ekonomik

Presidenti Bujar Nishani e cilëson Austrinë si një vend që ka ofruar një ndihmë të madhe për konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor, ekonomisë së hapur të tregut dhe procesit euro-integrues të Shqipërisë. Në kuadër të vizitës së tij në Austri, ku u takua me Presidentin e Dhomës Ekonomike të Austrisë, Christoph Leitl, kreu i shtetit  tha se Shqipëria e konsideron Austrinë si një partner shumë të rëndësishëm politik dhe ekonomik, jo vetëm në planin dypalësh, por edhe në planin rajonal dhe më gjerë.  Nga ana e tij, Leitl shprehu kënaqësinë e veçantë për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria dhe shprehu dëshirën për ta parë sa më parë vendin tonë si anëtare të Bashkimit Evropian.  Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, ai tha se ndihet i inkurajuar nga gatishmëria e institucioneve shqiptare për krijimin e një klime të favorshme për biznesin, gjë që do të ndikojë në rritjen e investimeve. Po dje Presidenti Nishani zhvilloi gjithashtu një takim me përfaqësues të Shoqatës “IG Alpbach Albania” pjesëmarrës në Forumin Evropian Alpbach 2014.  Në takim, kreu i shtetit tha se ndihet shumë i kënaqur që të rinjtë shqiptarë janë pjesë e këtij Forumi, : “sepse kjo është një mundësi shumë e mirë për njohjen reciproke personale dhe të kulturave, për shkëmbimin e eksperiencave dhe për krijimin e rrjeteve të komunikimit”.

 

Akuza për rastin e Velipojës/ PD: Treshja oligarkike solli inkriminimin e zyrave dhe abuzimin me pushtetin

Partia Demokratike akuzoi mazhorancën qeverisëse se po lejon punonjësit të abuzojnë me pushtetin , ku sipas selisë blu, rasti i fundit i abuzimit nga ana e shefit të policisë së Velipojës është produkt i sistemit që ka ngritur qeveria. “Oligarkia Rama-Meta-Kokëdhima e ka mbjellë farën e ikriminimit të zyrave dhe abuzimit me pushtetin në çdo skaj të vendit. Rastet e shpërdorimit të autoritetit të zyrtarëve të shtetit e përfaqësuesve politikë, deri në kërkimin e favoreve seksuale, nuk janë të izoluara. Janë produkte të sistemit që ka ngritur oligarkia Rama-Meta-Kokëdhima”. Më tej në deklaratë thuhej se, : “duke bërë tutorin e prostitutave deputet, trafikantët e drogës drejtorë, rrëmbyesin e fëmijës Kryetar të Këshillit të Qarkut, Edi Rama u ka dhënë një mesazh të gjithë funksionarëve, zyrtarëve, shefave e kujtdo që ka diçka në dorë në administratë e në zyrat e shtetit, dhe mesazhi është ky; abuzoni me çtë mundni. Një kryeministër i jep mesazhet me modelin që krijon. Modeli që ka krijuar Rama është i përmbysur, e kundërta e asaj që kërkon shoqëria jonë, krejt e kundërta e asaj që ka nevojë vendi”. Sipas PD-së shpesh e më shpesh do të dëgjojmë për skandale seksuale, për abuzime, për vjedhje, për dhunim, për korrupsion e trafik. “Ky është modeli që ka ngritur Rama, këto janë tiparet e qeverisjes së tij”, përfundoi deklarata e PD-së.