Dita e 3-të në Dukagjin / Operacioni antikanabis, identifikohet grupi i zjarri që qëlloi mbi policinë

0
127

Sonila Mesareja

Policia: Ofrohet 100 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion për dhjetë personat. Apeli: Dorëzohuni! Asgjësohet droga, RENEA merr urdhër për të qëlluar nëse qëllohet mbi policinë

 

dukagjin1Përsëritet historia edhe në Dukagjin gjatë operacionit antikanabis. Ashtu si disa muaj më parë në Lazarat, policia është pritur me armë. Një grup i organizuar, të identifikuar si poseduesit e parcelave me drogë dhe tashmë të gjithë të identifikuar si “grupi i zjarrit” nga policia me emra dhe mbiemra, kanë qëlluar edhe dje në ditën e tretë të operacionit policinë. Për fat të mirë nuk ka persona të lënduar.  Pavarësisht të shtënave, policia ka vijuar operacionin antikanabis, ndërsa uniformat blu dhe forcat speciale drejtohet nga vetë kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Ndërkohë mësohet se forcave speciale RENEA u është dhënë urdhër të qëllojnë nëse do ketë sërish sulm ndaj bluve që janë shpërndarë në zonën e Dukagjinit duke asgjësuar parcelat e mbjella me kanabis.

Operacioni

Dje, në ditën e tretë të aksionit antikanabis, në komunën Pult u asgjësuan mbi 20 mijë bimë narkotike. Në total, në tri ditë janë asgjësuar mbi 42 mijë rrënjëve kanabis sativa, si edhe janë sekuestruar rreth 15 kg bimë narkotike boçe kanabis.  Operacioni është shtrirë në komunat e thella të Shllakut, Shoshit, Pultit dhe Temal të Dukagjinit. Ndërkohë që dy ditë më parë, nga të shtënat me armë drejt helikopterëve 3 pilotë rrezikuan jetën. Një helikopter u detyrua të bëjë ulje emergjente. Policia u ka bërë thirrje të tërhiqen pasi nuk do të ndalen deri në asgjësimin plotë të parcelave të identifikuara me bimë narkotike.  Dy ditë më parë, policia dha urdhër që do të qëllohet me snajper kushdo që mund të rrezikojë jetën e punonjësve të policisë së shtetit duke ngritur armët në drejtim të tyre.

Identifikimi

Pas asgjësimit të mijëra rrënjëve kanabis, rreth 43 mijë, policia ka rinisur dje ditën e tretë të operacionit. Ndërkohë që përveç identifikimit dhe asgjësimit të parcelave me kanabis, policia ka mundur të identifikojë edhe grupin e zjarrit që për tri ditë me radhë i ka pritur me plumba. Grupi i zjarrit mësohet të ketë qëlluar papushim mbi policinë dhe mbi helikopterët e forcave speciale të angazhuara gjatë operacionit për asgjësimin e parcelave me kanabis në komunat e Dukagjinit. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se grupi i zjarrit përbëhet nga 10 persona banorë të komunës Pult, ndërsa policia informon se do të japë shpërblim 100 mijë euro për ata që ndihmojnë në arrestimin e tyre. Policia bën me dije se të shtëna me armë ka pasur edhe gjatë ditës së djeshme. Pas identifikimit të personave që qëllojnë me armë drejt policisë, në Polici është thirrur edhe kryetari i komunës Pult, Sokol Martini (Cubi). Atij dhe familjarëve të personave të identifikuar u është kërkuar të bashkëpunojnë me policinë dhe t’u kërkojnë të identifikuarve si grupi i zjarrit që të dorëzohen dhe të ulin armët.

Apeli

Rreth orës 14:10 të mesditës së djeshme, drejt Shkodrës ka udhëtuar edhe vetë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri për të zhvilluar një takim me strukturat e policisë pjesëmarrëse në operacion, i cili drejtohet nga vetë kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Gjatë takimit me FNSH-në, ai u ka bërë thirrje grupit te zjarrit të dorëzohen. “Operacioni po afrohet drejt fundit. Ky është operacioni i dytë më i madh pas Lazaratit. Ato persona që janë përfshirë, i bëjmë thirrje që të dorëzohen. Të mos të mendojnë se i bëjnë ballë policisë. Jemi të vendosur ta mbyllim me sukses këtë operacion, i cili do zgjasë deri në rrënjën e fundit të kanabisit. Jemi të vendosur ta pastrojmë njëherë e mirë nga çdo hapësirë të mbjellë me lëndë narkotike. Do i japim fund praktikës që e njihte Shqipërinë si vendin e lulëzimit të lëndëve narkotike” tha Tahiri. Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u shpreh se “në krahasim me operacionin në Lazarat, ka pasur më vështirësi përsa i përket terrenit malor në Shkodër. Deri më tani janë asgjësuar 45 mijë rrënjë kanabis, do vazhdojmë bashkëpunimin me prokurorinë”. Sipas numrit një të Policisë së Shtetit, sipërfaqet e mbjella në Dukagjin janë më të mëdha se ato të Lazaratit, të cilat u shkatërruan nga policia. Për më tepër numri një i policisë u shpreh se po haset vështirësi për shkak të terrenit të thyer, por garantoi se e gjithë droga e mbjellë në këtë zonë do të ketë fatin e asaj të Lazaratit.

Didi: Ndaj policisë u qëllua nga dy drejtime

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi ka dhënë informacione të detajuara në lidhje me atë se çfarë po ndodh deri më tani gjatë aksionit antikanabis në Dukagjin. Kryesuesi i këtij operacioni antikanabis në veri të vendit i është përgjigjur interesimit të mediave duke u shprehur se janë të vendosur për të çuar deri në fund këtë operacion. Më tej ai sqaron se policia është qëlluar dje në dy drejtimi. “Sipas informacioneve është qëlluar nga dy drejtime. Kemi kërkuar edhe bashkëpunimin e pushtetit vendor dhe të banorëve për dorëzimin e këtyre personave që kanë qëlluar në drejtim të policisë. Ky operacion do të vazhdojë disa ditë në këtë vend, ajo që krijon probleme dhe vonesa është terreni i thyer. Por puna po vijon”, u shpreh Didi. Ndërsa duke bërë një krahasim me operacionin antikanabis të realizuar në Lazarat, kreu i Policisë së Shtetit tha se situata në Dukagjin është ndryshe, pasi banorët janë më të qetë dhe vijojnë jetën e përditshme. Më tej në prononcimin e tij, kreu i Policisë së Shtetit shprehet se ky operacion has vështirësi edhe për shkak të terrenit të thyer malor ku po realizohet. “Terreni i thyer krijon vonesa, por operacioni vazhdon. Ky operacion ka vështirësitë e veta, pasi edhe një helikopter na u dëmtua. Policia e shtetit kontrollon çdo metër katror të territorit të Republikës së Shqipërisë. Ky është mesazhi në luftën ndaj drogës në vendin tonë”, u shpreh z. Didi.

RENEA merr “OK”: Qëlloni me snajper ndaj personave që hapin zjarr

Forcat Speciale RENEA kanë marrë dje “OK” për t’ju kundërpërgjigjur dhe qëlluar me snajper ndaj personave të armatosura, kultivues apo roje të parcelave me kanabis në Dukagjin. Goditja me snajper do të kryhet vetëm në rastet se qëllohen nga grupet armatosura, apo këto grupe hapin zjarr dhe rrezikojnë jetën efektivëve të policisë që lokalizojnë dhe asgjësojnë kanabis në terren. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, dhe grupit të komandimit të forcave në terren. Në të tre ditët e operacionit për asgjësimin e kanabisit në zonat e Dukagjinit ka patur të shtëna me armë ndaj policisë. Nga të shtënat nuk ka patur persona të dëmtuar, qofshin këta efektivë policie apo edhe nga vetë personat që qëllojnë ndaj uniformave blu. Policia është duke ndjekur thuajse të njëjtin skenar si në Lazarat, ku gjatë kthimit të zjarrit nuk është qëlluar drejtpërdrejt ndaj personave të armatosur por në ajër. Kjo për t’u treguar se janë të gatshëm për të ndërhyrë dhe duke u lënë edhe një mundësi personave të armatosur të tërhiqen apo të dorëzojnë armët.

Grupi i zjarrit

1. Besnard Kol Bungaja

2. Lek Thani

3. Nikollë Shpati

4. Mentor Bungaja

5. Nik Tonaj

6. Pal Dushku

7. Pëllumb Dushku

8. Gjin Guri

9. Kol Bungaja

10. Geg Kola

 

Fier

Vidhnin puset e naftës, arrestohen dy punonjësit e sigurisë

Dy punonjës të një policie private janë arrestuar paraditen e djeshme, pasi akuzohen për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim. Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për shtetasit Edi Agalliu 36 vjeç dhe Erjon Muskaj 31 vjeç, të dy nga qyteti i Fierit, të cilët dyshohet se në bashkëpunim edhe me persona të tjerë kanë vjedhur në mënyrë të vazhdueshme në puset e naftës së Kompanisë Bankers në Marinez Fier. Dy shtetasit, ishin punonjës të shoqërisë së ruajtjes fizike dhe detyra e tyre kishte të bënte me sigurimin e puseve të kompanisë.

 

Tiranë

Grabiten dy gra brenda ambjenteve të QSUT-së, arrestohet autori

Kishin shkuar të vizitonin të afërmit e tyre por edhe aty janë gjendur të sulmuara. Dy gra kanë rënë pre e një grabitësi dje në zonën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku përmes dhunës u janë marrë telefonat dhe portofolat. Të njoftuar nga gratë dhe dëshmitarë të shumtë, policia është vënë në lëvizje për të kapur autorin. Falë të dhënave të servirura mbi moshën dhe veshjen, brenda një kohe mjaft të shkurtër, Policia ka mundur të arrestojë autorin grabitjes. Sipas policisë, ai u kishte rrëmbyer dy grave paratë dhe portofolët.

Korçë

Kapet me 40 pako kanabis, prangoset Harizaj

Plot 40 pako me kanabis sativa janë gjetur gjatë kontrollit të një automjeti në aksin rrugor Korçë-Bilisht. Gjatë realizimit të operacionit “Morava”, strukturat e policisë së Korçës Kundër Krimit të Organizuar, kanë gjetur të fshehur në automjetin tip “VOLVO” me targa AA 721 IR, 40 pako lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sativa. Gjatë operacionit “Morava”, blutë e Korçës kanë arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit, shtetasin Kastriot Harizaj, 48 vjeç, banues në Korçë. Po vijon puna e policisë për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Ndërkaq, materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm do i kalojnë Prokurorisë se Rrethit Korçë Gjyqësor për veprën penale” Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.

 

Policia e Shtetit

Ndryshimet në polici, kush lëviz në Tiranë, Shijak e Krujë

Nesër, ditën e hënë, pritet që përveç kreut të qarkullimit rrugor, të konfimrohen edhe ndryshime të tjera në radhët e disa niveleve drejtuese në Tiranë, Shijak dhe Krujë. Sipas burimeve nga policia mësohet se në Drejtorinë e Qarkut Tiranës është ndërruar zëvendës drejtori i saj Pandi Sulla dhe në këtë detyrë është emëruar Ard Veliu. Gjithashtu, shef në komisariatin e Shijakut është emëruar Zija Sula ndërsa në atë të Krujës Ermal Lila. Një ditë më parë burime nga policia bënë me dije se është ndryshuar shefi i Komisariatit Rrugor. Në këtë detyrë do të emërohet Besmir Qebini, i cili ka drejtuar për 10 muaj ka drejtuar Komisariatin e Kavajës, ndërsa zëvendëson në këtë post Mitat Tolën. Drejtuesit e Komisariatit Rrugor janë ndryshuar 5 herë për 3 muaj. Burime nga policia bëjnë me dije se nënkomisar Besmir Qebini pritet të marrë detyrën ditën e hënë. Ndërkohë në vend të të Besmir Qebinit në Kavajë emërohet Bilbil Semanaj. Ndërkohë, u bë e ditur se është zëvendësuar edhe Shefi i Rendit Behar Caka. Të gjitha ndryshimet e firmosura nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi pritet që të zbardhen ditën e hënë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency