Regjistri Kombëtar i Noterëve / Prishet sistemi, bllokohet nxjerrja e dëshmive të trashëgimnisë

0
176

Sonila Mesareja

Noterët: Na është bllokuar puna, nuk verifikojmë dot në sistem nëse ka testament, prej fillimit të muajit korrik. Është procedurë detyruese para nxjerres së një dëshmie

 

Notary SealU bë më tepër se një muaj e gjysëm që noterëve u është bllokuar puna për nxjerrjen e dëshmive të trashëgimnisë. Shkak është prishja e sistemit dixhital të Regjistrit Kombëtar të Noterëve, i cili nuk funksionin prej fillimit të muajit korrik, pra prej më tepër se një muaj e gjysëm. Fakti konfirmohet nga disa noterë të pyetur nga gazeta “standard”, të cilët shprehen se e kanë të pamundur për të nxjerrë dëshmi trashëgimnie pasi është një procedurë detyruese verifikimi më parë në sistem nëse personi që ka vdekur ka lënë apo jo testament para vdekjes në një tjetër noter. Vetëm pasi vjen përgjigja negative nga ky Regjistër, atëherë fillon puna për nxjerrjen e dëshmisë së tragjëgimnisë. “Në fakt na ka bllokuar mjaft punën. Çdo gënjeshtër e individit goditet në gjykatë apo dhe te noteri duke anuluar dëshminë e mëparshme, edhe nëse dëshmia është nxjerrë pa verifikuar më parë në Regjistrin Kombëtar të Noterëve, pra të nxjerrim pa hyrë në sistem ku regjistrohet gjithçka. Por nuk duam të veprojmë në këtë mënyrë. Në bazë të ndryshimeve ligjore, verifikimi në Regjistrin Kombëtar është detyrim” shprehen noterët. Madje, një prej tyre na demostron verifikimin e një dokumenti, për ta parë me sytë tanë se sistemi nuk funksionin. Sipas noterëve, përveç pamundësisë për njerrjen e dëshmisë së trashëgimnisë, ata kanë të pamundur të hedhin në sistem çdo veprim që kanë kryer përgjatë kësaj kohe, edhe ky një detyrim që rrjedh nga ligji për “Noterinë”.

Verifikimi

Për të nxjerrë dëshminë e trashëgimisë duhet të dorëzohen nga familjarët çertifikata e vdekjes së personit që është pjesë e trashëgimisë apo pronar i kësaj trashëgimie, si dhe certifikatat e të gjithë familjarëve të tij që lë pas. Pasi merr këto dokumente, për një periudhë dyditore, noteri verifikon në Dhomën Kombëtare të Noterisë vërtetësinë e dokumentacionit dhe nëse personi që ka vdekur ka lënë ndonjë testament para vdekjes. Nëse nuk ka lënë, atëherë noteri përfundon procedurën dhe nxjerr dëshminë e trashëgimisë, ku origjinalin e mban vetë dhe dy kopje të njësuara me origjinalin dhe të noterizuara ia jep personit që kërkon çeljen e trashëgimisë. Kjo procedurë mund të nisë menjëherë pas vdekjes së personit apo dhe më pas. Pas nxjerrjes së kësaj dëshmie, familjarët e çojnë në kopje në Hipotekë, duke bërë të mundur përmes këtij dokumenti kalimin e pronave në emër të gjithë personave që janë pjesë e familjes së trashëgimlënësit. Lidhur me tarifën që duhet të paguajë qytetari pranë noterëve, bëhet me dije se nxjerrja e dëshmisë së trashëgimisë kushton 12 mijë lekë të reja. Të gjitha dëshmitë e trashëgimisë të lëshuara nga noterët regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve.

Çelja e trashëgimisë

Noteri, pasi vihet në dijeni zyrtarisht nëpërmjet një kërkese të shkruar nga personat e interesuar, fillon procedurat e tij të verifikimit para se të lëshojë këtë dokument për familjarët e interesuar. Së pari, ai kontrollon kompetencën vendore të tij në përputhje me parashikimet e Kodit Civil. Më pas, dërgon një kërkesë pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë, së cilës i bashkëlidh një kopje të kërkesës së personit të interesuar dhe një kopje të certifikatës së vdekjes së trashëgimlënësit. Pas marrjes së kërkesës, Dhoma Kombëtare e Noterisë kontrollon në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimisë nëse trashëgimlënësi ka lënë një testament dhe/ose është bërë çelja e trashëgimisë ligjore apo testamentare nga ndonjë noter. Brenda tri ditëve pas marrjes së përgjigjes nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, noteri drejton personin e interesuar tek noteri i cili ka çelur trashëgiminë ose pranë të cilit është redaktuar testamenti, nëse ka. Nëse nuk ka ndonjë testament, procedon me çeljen e trashëgimisë ligjore /testamentare, në përputhje me parashikimet e Kodit Civil, dhe e regjistron atë në Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit. Për rastet e trashëgimisë testamentare, noteri duhet të kontrollojë elementet e pavlefshmërisë, parashikuar nga Kodi Civil, dhe të lëshojë dëshminë e trashëgimisë vetëm në rast se asnjë prej këtyre elementeve nuk ka prekur testamentin. Në rastin kur testamenti preket nga një element pavlefshmërie, noteri, me vendim të arsyetuar, refuzon lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i dërgon palët përpara gjykatës kompetente për zgjidhjen e çështjes.

Ankimi në gjykatë

Pavarësisht parashikimeve të nenit 41, të ligjit “Për noterinë”, ndaj çdo vendimi të noterit për lëshimin, refuzimin e lëshimit, ndreqjen e gabimeve, ndryshimin apo shfuqizimin e dëshmisë së trashëgimisë, mund të bëhet ankim në gjykatë nga çdo person që ka një interes të ligjshëm, në përputhje me nenin 46 të Kodit të Procedurës Civile. Gjykata, në rast se çmon se dëshmia ose pjesë të saj nuk janë të sakta, ndreq, ndryshon ose shfuqizon dëshminë e trashëgimisë ose urdhëron noterin të ndreqë, ndryshojë a shfuqizojë dëshminë e trashëgimisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency