Ndarja e re territoriale, ja si do funksionojnë zyrat e komunave. Nishani drejt kthimit mbrapsht të ligjit, PD e çon në Gjykatë

0
144

Gëzim Saliu

harta-territorialeHoti: Paketë e re e decentralizimit fiskal, vizion i ri i ndërtimit të financave të qeverisjes vendore

Miratimi i reformës administrative territoriale solli një hartë të re të ndarjes së vendit, duke shkrirë të gjithë komunat që ekzistonin më parë e krijuar vetëm 61 bashki. Nisur nga fakti se heqja e komunave ka sjellë pikëpyetje tek qytetarët për sa i përket marrjes së shërbimeve, qeveria bëri të ditur dje se si do të funksionojnë njësitë lokale me hartën e re territoriale. Këshilltari i ministrit të shtetit për pushtetin vendor, Enea Hoti tha se zyrat e komunave do të mbeten të hapura për tu shërbyer qytetarëve deri për zgjedhjet vendore, ndërsa drejtuesit e tyre do të jenë të emëruar dhe jo më të zgjedhur. Ndërkaq pritet që stafi i këtyre njësive të reduktohet në masë.  “Pavarësisht se do të kemi bashkime dhe njësi shumë të mëdha, ne do ruajmë zyrat e shërbimit në komunat ekzistuese. Ato shërbime do të vijojnë të merren po në këto zyra por tashmë me një cilësi shumë herë më të mirë për shkak të kapaciteteve të reja që do të kenë bashkitë e reja. Infrastruktura e komunave pas shkrirjes do të vihet në shërbim të bashkisë të cilës i bashkohen”, tha ai. Modeli i ri i bashkive që do të aplikohet pas zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm është i ngjashëm me atë të Bashkisë së Tiranës e cila është e përbërë nga 11 minibashki, me ndryshimin e vetëm se krerët e njësive të reja administrative,  përveç kryetarit të bashkisë,  nuk do të zgjidhen por do të emërohen. Sipas qeverisë, shkrirja e komunave mendohet se do të ul me afro 60 milion dollarë shpenzimet nga buxheti i shtetit. “Kostoja e shpenzimeve të personelit mund të reduktohet me një shifër nga 3-6 miliardë lekë. Fondet do mbeten në buxhetet vendore, por tashmë do të shkojnë ose për investime ose për përmirësimin e shërbimeve”, deklaroi Hoti.

 

Paketa e decentralizimit

Ndërkaq mazhoranca ka parashikuar të miratojë paketën e decentralizmit fiskal, ku javën e dytë të muajit shtator qeveria pritet të ketë gati paketën e të ndryshimeve ligjore, të ligjit për organizmin e pushtetit vendor. “Dëshira e mazhorancës dhe qeverisë është që patjetër të gjithë paketa e ndryshimeve ligjore dhe të politikave të jetë në fuqi përpara zgjedhjeve vendore. Pra njësitë e reja vendore pas zgjedhjeve të ardhshme lokale në 2015-ën të kenë paketën e plotë dhe të fillojnë punën me këmbë të mbarë. Po punohet për një paketë të re të decentralizimit fiskal. Eshtë një vizion i ri i ndërtimit të financave të qeverisjes vendore, për t’i dhënë sa më shumë burime dhe mundësi zhvillimi njësive të reja vendore”, pohoi Hoti. Opozita kërkoi që në nisje të debatit për reformën territoriale, që ky proçes të ecë më parë në rrugën e decentralizimit dhe thellimit të autonomisë së pushtetit vendor dhe më pas të nisej puna për hartën e re të ndarjes territoriale të vendit. Ky propozim i opozitës, i cili u konikretizua edhe përmes një rezolute të firmosur edhe nga shoqata e bashkive dhe komunave në vend, nuk u mor parasysh nga mazhoranca qeverisëse, e cila theksoi se harta ishte parësore dhe se vetëm më pas do të niste puna për një paketë ligjore për decentralizimin. Po ashtu qeveria nuk pranoi ti jepte opozitës konsensusin deri në votimin në kuvend të reformës territoriale, duke sjellë kështu edhe ngërçin e gjatë mes palëve për këtë çështje, e cila përfundoi me votimin me vetëm votat e mazhorancës në seancën e 31 korrikut.

 

Cfarë parashikonte rezoluta e opozitës dhe shoqatave të bashkive e komunave për territorialen

1. Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës

2. Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit

3. Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse

4. Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë

5. Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë

Denoncimi në ditën e 31-të/ PD: Heshtja e Ramës, dëshmi e inkriminimit

Partia Demokratika ka ridenoncuar dje kryeministrin e vendit Edi Rama për heshtjen e tij lidhur me rastin e deputetit socialist të dënuar për trafik prostitucioni si edhe rrëmbim personi.  “Edi Rama po thyen edhe rekordin personal të papërgjegjshmërisë duke hyrë në ditën e 31-të të heshtjes, pas vërtetimit me fakte e prova të inkriminimit që i ka bërë parlamentit. Opinioni publik, mbarë qytetarët mësuan me anë të dokumentave se Edi Rama i dha mandatin dhe imunitetin e deputetit, të dënuarit për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe rrëmbim personi. Një akt i paprecedent në 23 vitet e demokracisë sonë, për të cilin Edi Rama heshti ditën kur gjithë shqiptarët u tronditën nga dosja kriminale e Arben Ndokës, dhe hesht edhe sot e kësaj dite”, thuhej në deklaratë. Me tej, PD theksoi se rilindja e kryeministrit është një ngjizje e aleancës me krimin. “Por edhe pse është themeluesi i kësaj aleance, qytetarët sërish prisnin që Edi Rama të reagonte pasi faktet e rënda dolën në dritë. Siç do të kishte reaguar çdo kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s. Por Edi Rama hesht e bën të paditurin. Mosdhënia e llogarisë dhe papërgjegjshmëria janë tiparet kryesore të këtij kryeministri”. Ndërkaq demokratët theksuan se me heshtjen e tij prej 31 ditësh ndaj sulmit të opozitës në parlament, kreu i qeverisë, : “nuk ndihmon aspak në harresën e burimit të tensionit të skajshëm , përkundrazi e bën më të gjallë dëshminë e aleacës kriminale të Edi Ramës dhe pasojat që kjo ka sjelle në kulmimin e krizës politike në vend”.

 

 Harta e re e ndarjes së vendit/ Shkelja e Kushtetutës, Nishani drejt kthimit mbrapsht të ligjit, PD e çon në Gjykatë

Bylykbashi: Qeveria nuk ka realizuar konsultimet me qytetaret siç detyron kushtetuta. Ndarja e re nuk reflekton interesat e qytetareve por interesit politike-elektorale te shumicës

Pasi mazhoranca votoi më 31 korrik në mënyrë të njëanshme reformën administrative territoriale, opozita ka nisur betejën e saj ligjore dhe politike për të kundërshtuar zbatimin e saj. Një ndër hapat e parë që pritet të ndërmerret nga Partia Demokratike pritet të jetë dërgimi i ligjit të sapo votuar për ndarjen e re të vendit në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin sipas së cilit, qeveria nuk ka realizuar konsultimet me qytetaret siç detyron ligji themeltar i vendit. Nënkryetari demokrat i komisionit te ligjeve Oerd Bylykbashi në një intervistë për “VP” deklaroi dje se, “Kushtetuta thotë që rishikimi i ndarjes territorial nuk mund të bëhet pa kosnultim me piopullsinë. Ne të gjithë e dimë që jo vetëm nuk kanë ndodhur, që ato që janë bërë janë të gjitha fallso, mdaje janë bërë me njerëz që pak kohë më vonë nuk do të kenë më as të drejtë përfaqësimi, qoftë këshilltarë, kryetar bashkish, apo OJQ që nuk përfaqësojnë popullsinë”, tha ai. Sipas deputetit demokrat, ndarje e re e vendit nuk reflekton interesat e qytetareve por interesat politike-elektorale te shumicës dhe për të mbështetur këtë argument Bylykbashi solli rastin e Bashkise se Tiranës.“Komuna e Zallherit që nuk ka asnjë kufi të drejtpërdrejtë me Tiranën  është marrë dhe përmes komunës së Dajtit dhe Shëngjerjgjit lidhet me pjesën tjetër të Tiranës, sepse midis Tiranës dhe Zallherrit  qëndron Paskuqani. Ky i fundit nuk i bashkohet Tiranës, vetëm e vetëm që elektorati i djathtë që ka ajo njësi mos të ndikojë në planet elektorale të Edi ramës e Ilir Metës. Ndërkohë të gjtihë shqiptarët e dinë se planet e zhvillimit urgban të Tiranës së Madhe, qoftë Paskuqanin përmes bulevardit të ri apo edhe Kamzën”, deklaroi ai. Po ashtu, ligjvënësi demokrat theksoi se miratimi i njëanshëm i kësaj reforme cenon themelin e saj që ka të bëjë me qëndrueshmërinë. “E gjithë kjo është një çështje e një interesi public të komuniteteve lokal e gjithë  për një qeverisje vendore stabël në 30-40 apo 50 vitet e ardhshme dhe jo një hartë që bëhet vetëm nga një krah dhe griste sapo vjen pala tjetër në pushtet dhe ka votat për ta bërë”.

 

Presidenti

Pasi miratoi reformën në parlament dhe ka nisur përgatitjet për kuadrin e ri ligjor për të mbështetur ndarjen e Shqipërisë ne 61 bashki, maxhoranca do të duhet të kalojë disa pengesa, si Presidenti i Republikës, i cili ka afat deri ne 27 gusht për të dekretuar ose jo hartën e re dhe Gjykata Kushtetuese, të cilën do ta ve në lëvizje PD, e cila pretendon se nuk janë realizuar konsultimet me qytetaret duke u shkelur neni 108 i ligjit themeltar të vendit. Kreu i shtetit pritet të shprehet gjatë kësaj jave mbi ligjet e miratuara në seancën e fundit parlamentare, ku përfshihen Reforma Territoriale, ligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë si dhe ai miratimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe kompanisë ceke CEZ shpërndarje. Burime nga Presidenca bënë të ditur se Nishani do të respektojë afatet kushtetuese në lidhje me ligjet e miratuara, që sipas dokumentit themeltar të shtetit i jep të drejtën e shprehjes brenda 21 ditëve nga data e paraqitjes. Në këto kushte Kreu i Shtetit ka të drejtën e shprehjes me dekret për miratim apo për kthimin për rishqyrtim deri në javën e 3-të të Gushtit. Nëse brenda këtij afati Kushtetues, Presidenti nuk do të shprehet, atëherë ato botohen në Fletoren Zyrtare. Ndërkaq bëhet e ditur se me shumë gjasa, pasi ka nisur konsultimet me Këshilltarët e tij të fushave përkatëse, Presidenti do të kthejë për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Reformën Territoriale dhe atë për KLD-në me argumentin kryesor se bien ndesh me Kushtetutën.

 

Argumentat ligjorë kundër Reformës Territoriale

-Ndarja e re territoriale parashikon ndarjen sipas 61 bashkive, duke eleminuar në këtë mënyrë komunat si njësi të qeverisjes vendore, gjë kjo që bie ndesh me Kushtetutën sipas Partisë Demokratike, pasi në nenin 108 të Kushtetutës përcaktohet se njësitë e qeverisjes vendore janë bashkitë ose komunat, të cilat konsiderohen njësi bazë të qeverisjes vendore

– Po në nenin 108 të Kushtetutës përcakktohet se kufijtë administrativë nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to

 

 Vjedhja e BSH-së/ Konfindustria: Të nxirren përgjegjësit penal, civilë dhe moral të ngjarjes

Konfindustria i kërkon institucioneve shtetërore ligjvënëse dhe atyre të drejtësisë që të vlerësojnë me profesionalizëm dhe seriozitetin më të madh zbardhjen e skandalit të grabitjes së Bankës së Shqipërisë. Përmes administratorit të Përgjithshëm Gjergj Buxhuku Konfindustria apeloi për nxjerrjen sa më të shpejtë dhe të plotë të përgjegjësive penale, civile dhe morale të strukturave dhe individëve të cfarëdo niveli. “Grabitja e turpshme, nga brenda dhe e zgjatur në vite e Bankës së Shqipërisë, pavaresisht se nuk prek qëndrueshmërinë e sistemit financiar, është ngjarja më domethënëse e deritashme, që tregon se sa keq janë ndërtuar, menaxhohen dhe funksionojnë në dëm të interesit publik, institucionet rregullatore të tregjeve strategjike në vend, ku sektori bankar është nga më të rëndësishmit”, theksohej në deklaratë. Më tej, Buxhuku theksoi se ngjarja e fundit në Bankën e Shqipërisë shpjegon pse sektori bankar në Shqipëri shfaq shenja të qarta të oligopolit në dëm të interesit publik, me norma të rritjes së kreditimit në kufijtë e zeros si edhe daljen e paarsyeshme të parave të shqiptarëve jashtë vendit, me kreditë më të shtrenjta në rajon. “Ngjarja në Bankën e Shqipërisë në rast se nuk do të shqyrtohet me përgjegjshmëri dhe në mënyrë tërësore, rrezikon të godasë ashpër besimin e investitoreve në institucionet dhe seriozitetin e shtetit shqiptar me pasoja tepër të rënda në afatgjatë për ekonominë dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë”, nënvizohej në deklartë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency