Kontrolli i celularëve / Analiza, ekspertët e huaj: IMEI është çelësi për të përgjuar çdokënd

0
248

Gëzim Saliu

Eksperti Matthew T. Barker: IMEI e kthen jetën tuaj në një libër të hapur dhe të përgjuar

 

celularet-629x340

Ekspertët e huaj të aparateve celulare deklarojnë se përmes kodit IMEI mund të përgjohet çdo gjë, përfshi bisedat zanore ashtu edhe ato me shkrim. Sipas analizës së Matthew T. Barker, dy janë mjetet me të cilat gjithkush mund të përgjojë çfarëdo telefoni celular, kodi IMEI dhe aplikacioni spiun, që mund të gjendet falas dhe pa asnjë vështirësi si në platformat e aplikacioneve Android dhe Iphone, por edhe në shumë portale në internet. Marrë shkas nga vendimi i qeverisë shqiptare që detyron çdo qytetar të paraqesë pranë kompanive telefonike, kodin e IMEI-t, ekspertët paralajmërojnë rrezikun që mund të vijë nga ky veprim. Sipas tyre, kombinimi i kodit IMEI dhe i këtyre aplikacioneve spiune që mund të shkarkohen lehtësisht brenda pak sekondave nga interneti në telefonat celularë, e bën informacionin e telefonit të aksesueshëm nga telefona të tjerë apo kompjutera. “Mënyrat që dikush të sigurojë kodin IMEI të një aparati celular janë të shumta dhe fare të thjeshta. 1) duke e parë në kontratat e blerjes së celularëve, 2) në folenë e baterisë dhe 3) ose thjeshtë duke shtypur kodin”, – thuhet në analizën e botuar pak kohë më parë nga eksperti Barker.

Analiza

Sipas ekspertëve të huaj, kombinimi i software-ve të instaluar në telefonin tuaj dhe kodit IMEI bën çdo qytetar të jetë i mbikëqyrur për çdo veprimtari që kryen në telefonin e tij celular. Pas marrjes së IMEI-t dhe përmes aplikacioneve të Spy Software, telefonat mund të përgjohen në çdo kohë edhe kur nuk i përdorni. “Në këtë mënyrë mund t’i thoni lamtumirë privatësisë”, – theksojnë ekspertët. Më tej ata paralajmërojnë të bëhet kujdes me telefonat celularë dhe të mos lihen ato në asnjë moment të pambikëqyrur. “Në rast se qytetarët mendohen se po përgjohen, duhet t’i dërgoni telefonat në dyqanet që ofrojnë shërbime për riparimin e tyre, për t’i rikthyer në gjendjen fillestare”, – këshillojnë ekspertët. Në muajin gusht hyn në fuqi vendimi i qeverisë për regjistrimin e aparateve celulare në vend, ku parashikohet detyrimi i regjistrimit të aparateve celulare që përdoren në rrjetet që ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike të lëvizshme si edhe ofrimi i shërbimit vetëm për aparate me numra IMEI të regjistruar. Subjekt i këtij vendimi janë të gjithë personat fizikë apo juridikë, që importojnë apo tregtojnë aparate celulare, operatorët e telefonisë celulare si dhe individët, të cilët duan të blejnë apo që vihen në zotërim për përdorim vetjak të aparatit celular apo që, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, zotërojnë aparate celulare për përdorim vetjak. Po ashtu në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se për regjistrimin e aparateve (celularë), kompanitë e telefonisë i dërgojnë një mesazh klientit-individ në formë kërkese për regjistrimin e numrit IMEI, duke i shpjeguar të dhënat që kërkohen të regjistrohen. “Të gjithë individët, të cilët kanë marrë mesazhin njoftues nga kompania celulare ose janë paraqitur vullnetarisht në sportelet e kompanisë për të deklaruar të dhënat dhe e bëjnë regjistrimin e numrit IMEI të aparateve celulare që disponojnë, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditësh nga hapja e procesit të regjistrimit sipas parashikimit të pikës 14, të këtij vendimi, nuk paguajnë për regjistrimin”, – thuhej në vendim.

 

 

Ekspertët për IMEI-n

-Kombinimi i kodit IMEI dhe i këtyre aplikacioneve spiune që mund të shkarkohen lehtësisht brenda pak sekondave nga interneti në telefonat celularë, e bën informacionin e telefonit të aksesueshëm nga telefona të tjerë apo kompjutera.

-Mënyrat që dikush të sigurojë kodin IMEI të një aparati celular janë: 1) duke e parë në kontratat e blerjes së celularëve, 2) në folenë e baterisë dhe 3) ose thjesht duke shtypur kodin

 

 

Reagimi i opozitës

Basha: Vendimi për IMEI-n, i paligjshëm, qytetarët dhe kompanitë të mos e zbatojnë

Partia Demokratike ka kërkuar nga qytetarët dhe kompanitë telefonike që të mos zbatojnë vendimin e qeverisë për dorëzimin e kodit IMEI. Pak ditë më parë, kryedemokrati Basha tha se çdo shqiptari që ka një celular duhet të reagojë me mosbindje dhe të refuzojë me përbuzje vendimin e qeverisë dhe të mos i dorëzojë të dhënat personale. “Partia Demokratike u bën thirrje kompanive celulare në Shqipëri të respektojnë Kushtetutën e Shqipërisë dhe të mos ia dorëzojnë Edi Ramës të dhënat personale të abonentëve. Në të kundërt ato do të përballen me paditë civile dhe penale të opozitës dhe qytetarëve të vendit dhe me bojkot masiv si dhe do të mbajnë përgjegjësi për këtë paligjshmëri skandaloze”, – ka pohuar Basha. Sipas demokratëve, përmes këtij vendimi, kryeministri dhe zyrtarët e emëruar ministra, drejtorë doganash, tatimesh, policie, që do të ketë akses në data base, kanë mundësi që nëpërmjet numrit të IMEI-t, pa kërkuar lejen e prokurorisë, të identifikojnë në pak sekonda, vendndodhjen se ku është individi, me kë është, çfarë është duke bërë, të kontrollojë e-mail-in, mesazhet, “Whatsapp”, “Viber”, “BBM”, “Facebook”, “Twitter” dhe çdo telefonatë.

 

 

Ekspozita

Rama në Vlorë: Foto me legjendat e pikturës tradicionale Kamberi e Jonuzi

Kryeministri i vendit Edi Rama ka qenë këtë fundjavë në Vlorë, në ekspozitën e hapur nga piktorët e mirënjohur vlonjatë Skënder Kamberi dhe Nestor Jonuzi. Lidhur me këtë eveniment, kreu i qeverisë ka publikuar një fotografi në të cilën shfaqet me të dy piktorët, fotografi e shkrepur nga ai vetë dhe me vlerësimin: “Me legjendat e pikturës tradicionale vlonjate Skënder Kamberi dhe Nestor Jonuzi në ekspozitën e sapohapur”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency