Fondi Monetar Ndërkombëtar/ Gati aplikimin e paketës së dytë për rritjen e taksave

0
159

Ervin Kaduku

ekonomiReformat dolën më keq se ç’pritej: pagat në ulje, deficitet në rritje…

 – Statistikat nxjerrin zbuluar papërshtatshmërinë e politikave të reja fiskale në terrenin real social

– FMN mund të kërkojë aplikimin e paketës së dytë të taksave në rritje

Pagat po vijnë në ulje dhe do ta vijojnë këtë tendencë edhe në pjesët e mbetura të vitit. Të gjitha deficitet po shkojnë në përkeqësim. Situata ekonomike e financiare në vend është krejt e ndryshme nga ajo, që trumbetohet në mënyrë të përditshme nga politikanët e mazhorancës qeverisëse. Në raportin “Zhvillimet në bilancin e pagesave në tremujorin e parë 2014”, prezantuar nga disa ekspertë të Bankës qendrore dy ditë më parë, duket qartë, nëpërmjet shifrave statistikore, se reformat ekonomikë të qeverisë kanë ndikuar për keq, në vend që të riparojnë ndonjë defekt të deritanishëm.

 

Thellohen deficitet

Pozicioni neto i llogarisë korrente regjistroi një deficit prej 299.5 milionë eurosh në tremujorin e parë të vitit 2014. Ai ka ndjekur prirje zgjeruese për të dytin tremujor radhazi, duke u thelluar gjatë tremujorit në analizë me rreth 31% në nivel vjetor. Sipas BSH, deficiti i llogarisë korrente u vlerësua në nivelin 12.9% ndaj PBB-së nominale. Të gjithë zërat përbërës të llogarisë korrente kanë dhënë kontribut në kahun zgjerues në deficitin e regjistruar, ku peshën më të lartë e zë përkeqësimi i deficitit tregtar në mallra e shërbime.

Kërkesa e qëndrueshme prej partnerëve tanë tradicionalë dhe zgjerimi i lehtë i bazës së mallrave të eksportuara ndihmuan në ruajtjen e prirjes rritëse të eksportit të mallrave. Gjithashtu, tendencë zgjeruese për të dytin tremujor radhazi shfaqën edhe importet, të përqendruara kryesisht në mallra për qëllime investimi apo mallra të ndërmjetme. Një ecuri e ngjashme është regjistruar edhe për llogarinë e shërbimeve, ku si importi ashtu edhe eksporti janë rritur vit mbi vit. Deficiti i eksporteve neto nominale u thellua krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Bilanci i llogarisë së të ardhurave parësore u rikthye në territor negativ, pas dy tremujorëve me flukse pozitive neto. Maturimi i ciklit të emigracionit, kushtet jo të favorshme të tregut të punës në vendet ku emigrantët shqiptarë janë rezidentë dhe rikthimi i një numri prej tyre në atdhe, kanë ndikuar në vijimësinë e rënies së pandërprerë të remitancave dhe në humbjen e një pjese të bazës së flukseve financiare të dërgueshme drejt vendit tonë.

Flukset hyrëse neto kapitale u rritën në 22.5 milionë euro nga 9.7 milionë euro që ishin gjatë tremujorit të parë të vitit të kaluar. Flukset hyrëse neto financiare regjistruan një rritje vjetore prej rreth 29.8%, duke financuar 89.5% të deficitit të llogarisë korrente. Bilanci i përgjithshëm i pagesave, në tremujorin e parë të vitit 2014, rezultoi me rënie të mjeteve të rezervës valutore me rreth 40.3 milionë euro.

 

Tkurren pagat

Treguesi i pagës mesatare në ekonomi ra me 3% në tremujorin e parë të vitit 2014, pas rritjes mesatare me rreth 2.3% të shënuar gjatë vitit 2013, sipas të dhënave të raportuara nga Banka e Shqipërisë. I deflatuar me IÇK-në, ky indeks ra me rreth 4.8%. Paga nominale dhe reale shënoi norma rritjeje negative në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë. Në ndryshim nga sjellja historike e këtij treguesi, paga reale ra në sektorin e industrisë me 6.1%, e kushtëzuar kryesisht nga rënia e tij në nëndegën e industrisë nxjerrëse (17.86%).

Në sektorin shtetëror, paga reale qëndroi thuajse e pandryshuar në krahasim me një vit më parë. Zhvillimet e mësipërme janë në linjë me vlerësimet e bizneseve për këtë periudhë.

Të dhënat më të fundit nga vrojtimet e besimit sinjalizojnë për ngadalësim të mëtejshëm të pagave në tremujorin e dytë të vitit, në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Me pak fjalë, politika e shtrëngimit të rripit nuk po sjell gjë tjetër veç një kërkesë të mundshme nga qeveria për ta shtrënguar atë më tej. Në këto kushte, edhe misioni i Fondit Monetar që vjen në Tiranë pas pak javësh do të kishte rrugën e hapur për të kërkuar vënien në zbatim të grupit të dytë të taksave, që janë edhe më të rënda për supet e shqiptarëve…

 

 Doganat bllokojnë ilaçe kontrabandë

Me datë 6.8.2014, nga ana e Autoriteteve Doganore të Degës së Doganës Rinas është marrë një informacion në rrugë operative nga Drejtoria e Informacionit të Doganave për një sasi malli të dyshuar si medikamente që do vinin me linjën ajrore “Aegean Airlines” nga Athina me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” Rinas. Informacioni kishte të bënte me shtetasin me iniciale S. Y. Në momentin e mbërritjes rreth orës 17:30 personi në vëzhgim, pasi kreu procedurat e kalimit/kontrollit kufitar, i cili bëhet nga Policia Kufitare, ka vazhduar të lëvizë në drejtim të daljes nga zona doganore pa marrë me vete bagazhet.

Pasi kaluan të gjithë pasagjerët u bë verifikimi i bagazheve të linjës ajrore “Aegean Airlines” me nr. fluturimi TIA A 3846 nga ku ka rezultuar se pranë zyrës “LOST AND FOUND” e cila administrohet nga koncesionari “Tirana International Airport” dy valixhe me ngjyrë blu të errët me nr. 0390A3826164 dhe 0390A3826169, të cilat i përkisnin pasagjerit S. Y., i cili nuk kishte reklamuar pranë kësaj zyre për mungesën e bagazheve. Me pas nga ana e Autoriteteve Doganore të Degës së Doganës Rinas, në bashkëpunim me strukturat e specializuara pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave u bë verifikimi i bagazheve dhe nëpërmjet skanimit me rreze X u dyshua se në to ndodheshin sasira të konsiderueshme të dyshuara si medikamente.

Nga kontrolli rezultoi se në to ndodheshin 17375 paketa me MICROCEPT me nga 21 tableta në një tablet, në një total prej 364875 tableta më një peshe totale prej 61,950 Kg. Nga ana e Autoriteteve Doganore të Degës së Doganës Rinas u bë bllokimi i sasisë së mallit për të vazhduar procedurat e nevojshme ligjore.

 

Ulet çmimi i banesave, rriten qiratë

Indeksi i çmimit të banesave (IÇB) regjistroi një rënie vjetore prej 3.4% në terma realë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, raporton Banka e Shqipërisë. Rënia e IÇB-së gjatë këtij tremujori pason rënien me 1.8% në tremujorin e parë dhe me 4.7% gjatë vitit të kaluar. Nga ana tjetër, zhvillimet më të fundit në indeksin e qirasë (IQB) tregojnë për vijim të normave rritëse të tij. Në tremujorin e dytë, i rregulluar për normën e inflacionit, ndryshimi i IQB është 5.1%. Ky është tremujori i katër rresht gjatë të cilit indeksi i qirasë shënon rritje vjetore. Raporti i indeksit të çmimit ndaj indeksit të qirasë është në nivelin 2.1, rreth 0.2 pikë më i ulët krahasuar me një vit më parë.

Pavarësisht luhatjeve tremujore të këtij raporti, niveli i tij qëndron shumë afër mesatares së pesë viteve të fundit. Sinjalet që vijnë nga ky raport, i cili përdoret për të parë nëse banesat janë të mbiçmuara, mbështesin një stabilizim të çmimit të banesave gjatë pesë viteve të fundit, raporton BSH.

Ndërkohë, numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa banimi dhe ndërtesa të tjera përfaqëson një tregues paraprirës të zhvillimeve në sektorin e ndërtimit, thekson BSH. Lejet e akorduara u rritën gradualisht gjatë 2013, por qëndruan nën numrin e lejeve të miratuara në vite. Në tremujorin e parë të vitit u akorduan rreth 58 leje ndërtimi, një numër më i lartë krahasuar me tremujorët e parë të viteve 2012 dhe 2013, por ndjeshëm nën vëllimin historik. Të dhënat e lejeve të ndërtimit i referohen buletineve tremujore të publikuara nga INSTAT-i.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency