Vjedhja e bankës/ Vetëdorëzohet në polici ish-drejtori i Thesarit, Dorian Çollaku. Akuza: Nuk hartoi rregulloren, bashkëfajtor

0
213

Sonila Mesareja

 dorian collakuNuk ndërmori nismat ligjore të urdhëruara nga Këshilli Mbikëqyrës. Bashkëfajtor në vjedhjen e 713 milionë lekëve

Vjedhja kolosale e ndodhur ne arkën stok të repartit “X” në Linzë tashmë ka edhe një tjetër të arrestuar, drejtorin e departamentit të Emisionit ose ndryshe drejtorin e Thesarit. Dorian Çollaku, i shkarkuar 6 ditë më parë nga guvernatori Ardian Fullani, do t’u bashkohet vartësve të tij të arrestuar pak ditë më parë. Ai akuzohet se nuk përgatiti aktet nënligjore dhe rregulloren për funksionimin e këtij departamenti të rëndësishëm, ndërsa e kishte për detyrë këtë gjë. Për këtë arsye, Prokuroria e konsideron fajtor dhe e akuzon për “Shpërdorim detyre” dhe pasojat që sollën këto mangësi ishin vjedhja e 713 milionë lekëve, duke sjellë në këtë mënyrë edhe ngritjen e akuzës së dytë, atë të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Prokuroria e akuzon ish-drejtorin Çollaku, burri i mbesës së guvernatorit Fullani, si bashkëfajtor në këtë vjedhje.

 

Vetëdorëzimi

Vetëdorëzohet në policinë e Tiranës ish-drejtori i Thesarit, Dorian Çollaku. I shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, ashtu sikundër kishte lajmëruar edhe përmes telefonit efektivët që shkuan dy net më parë për të bërë prangosjen në banesën e tij, rreth orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm ai shkoi vetë në Drejtorinë e Policisë për t’u vënë në dispozicion të hetimeve, pasi akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Njësia task-forcë kishte prerë ndaj tij dy net më parë urdhër-ndalimin për skandalin e vjedhjes prej 713 milionë lekëve të ndodhur në departamentin e Emisionit që ai drejtonte prej gati 3 vjetësh. Çollaku ka deklaruar se ishte me pushime me familjen në Orikum dhe për këtë arsye nuk gjendej në banesë, jo se kishte pasur për qëllim shmangien e ndalimit nga policia. Menjëherë pas vetëdorëzimit, burimet thanë se Dorian Çollaku nuk ka pranuar të flasë, duke u shpjeguar se ishte i traumatizuar dhe se do të zgjedhë një moment tjetër për të dhënë deklarata. “Unë nuk kam dijeni për asgjë, do flas në një moment tjetër dhe në prani të avokatit”, – mësohet të ketë thënë Çollaku. Policia e Tiranës duke njoftuar ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për Dorian Reshit Çollakun, 34 vjeç, banues në Tiranë, thotë se akuzohet për veprat penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga nenet 135 dhe 248 te Kodit Penal. Tashmë, Çollaku renditet i dhjeti në listën e të dyshuarve dhe ndaluarve për grabitjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Çollaku u shkarkua më 1 gusht 2014, nga Guvernatori i BSH-së dhe ishte i pari zyrtar i Bankës së Shqipërisë që u mor në pyetje nga prokurori i çështjes në lidhje me vjedhjen e 713 milionë lekëve. Vjedhja në ndodhur në arkën stok të repartit “X” në Linzë u zbulua më 21 korrik, kur Banka kallëzoi dy punonjës të saj, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, të cilët u arrestuan nga policia.

 

Akuza

Sipas veprimeve paraprake hetimore, Çollaku në cilësinë e drejtorit të Emisionit, bazuar në një vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të vitit 2012, kishte për detyrë të ndërmerrte nismat për nxjerrjen e akteve nënligjore rregulloreve dhe udhëzimeve përkatëse për funksionimin e Departamentit që drejtonte. Por, sipas Prokurorisë, ka rezultuar se që prej 1 janarit 2013 deri në mars 2014, ai nuk ka ndërmarrë asnjë nismë të tillë, duke krijuar në këtë mënyrë mundësi për abuzime dhe vjedhjen e mbi 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit. Sipas Prokurorisë së kryeqytetit, Çollaku është bashkëfajtor në vjedhjen e Thesarit, pasi nuk ka respektuar siç duhet rregulloren dhe nuk ka kryer funksionin e tij si drejtor i Thesarit të Shtetit. Çollaku ka hyrë në departamentin e Emisionit në muajin shtator 2011 dhe është marrë në punë me firmën e guvernatorit Ardian Fullani. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka lëshuar dy ditë më parë mandat arresti në mungesë, ndërsa grupi i efektivëve që do të zbatonin urdhrin, nuk e gjetën Çollakun në banesë. Ish-drejtori i Thesarit ndodhej me pushime në Jug dhe i kontaktuar nga policia gjatë mbrëmjes së të martës, premtoi se do të vetëdorëzohej mëngjesin e djeshëm. Ish-drejtori i Thesarit të shtetit në Linzë është shkarkuar 4 ditë më parë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, së bashku me Eduard Sinanin, ish-drejtor i Departamentit të Sigurisë.

 

Hetimi, neglizhencat që sollën supervjedhjen

Gjatë hetimit të këtyre dy javëve, grupi i hetuesve nxori në dritë disa nga shkeljet e vartësve të Dorian Çollakut, të cilat i krijuan terrenin e duhur Ardian Bitrajt për të nxjerrë nga Thesari 713 milionë lekë. Nga akuza e lexuar para Gjykatës nga prokurori Ramadan Troci bëhet me dije se operatori që vëzhgonte arkën stok Dhimitër Davidhi ka parë gjithçka ndodhte por nuk raportoi asgjë te eprorët. Ky fakt zbardhet nga procesverbali i këqyrjeve të bëra në këtë repart ku ndodhën vjedhjet. Nga procesverbali i këqyrjes së vendeve i datës 22.7.2013, konkludohet se rrethanat dhe mekanizmi i shpjeguar nga personi nën hetim Ardian Bitraj, përputhet plotësisht nga konstatimet e bëra në këqyrje. Po kështu me procesverbalin e sekuestrimit të datës 22.7.2014 janë sekuestruar gjurmë që kanë lidhje me veprën penale. Nga këqyrja e pamjeve filmike konstatohet se shtetasi Ardian Bitraj, pasi është futur në ambientet e arkës stok dyshohet se ka marrë shuma të konsiderueshme parash, i ka nxjerrë jashtë saj dhe i ka vendosur ato në një kasafortë personale. Ky fakt është konstatuar nga shtetasi Dhimitër Davidhi, i cili ka qenë mbikëqyr ambientet e godinës nëpërmjet monitorëve që ndodhen në katin e dytë të kësaj godine. Nga aktet rezulton se shtetasi nën hetim Dhimitër Davidhi ka qenë në shërbim referuar grafikut të punës, por detyra e tij e përcaktuar në aktet përkatëse ligjore e nënligjore nuk është respektuar, e konkretisht: Sipas manualit të departamentit të sigurimit dhe mbrojtjes datë 9.1.2014, i cili normon punën e vëzhguesit, ky i fundit duhej të informonte eprorët e tij direkt për çdo anomali të ndodhur gjatë shërbimit ose e thënë në mënyrë specifike në pikën 3 gërma b të këtij manuali përcaktohet se vëzhguesi gjatë kryerjes së shërbimit mban në kontroll vizual 24 orë pamjet e telekamerave në godinë dhe vëzhgon e kontrollon aktivitetin e lëvizjes së punonjësve sipas regjimit të hyrje daljeve duke u fokusuar në portat e hyrjeve në objekt. Më tej kur konstatohen shkelje të rregullores, vëzhguesi, personi nën hetim duhej të njoftonte menjëherë drejtuesin e sektorit. Po ashtu, edhe të akuzuarit e tjerë, si Lavdim Cani, Bashkim Xhilaga, Myzejen Belba, petrit Ramohitaj, Liljana Tusha verifikohet se nuk kanë zbatuar rregulloren ndërsa çelësat disponoheshin vetëm nga Bitraj dhe ky hynte vetëm në kasafortë, ndërsa asnjë prej tyre nuk e shoqëronte. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, që mbikëqyrin ambientet e brendshme të Godinës së Departamentit të Emisionit, ka rezultuar se shtetasi Ardian Bitraj, gjatë orarit të punës ka hapur i vetëm derën kasafortë të zyrës stok (transit). Më pas hynte në lojë nipi i këtij të fundit, Klevis Bejtaj, i cili me makinë transportonte paratë që daja vidhte brenda bankës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency