Koment/ Kujt do t’ia lërë “kungulleshkën” në dorë këtë herë guvernatori??

0
107

Ervin Kaduku

fullani kungulleshka Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë thënë në mënyrë konfidenciale se janë habitur nga fakti që guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, para se të dilte vendimi i Gjykatës për arrestimin e dy punonjësve të Emisionit të Monedhës, skandalin e vjedhjes e shpalli me nxitim në shtyp. Madje, thuhet se për një veprim të tillë kryeprokurori Lalla ka komunikuar me nervozizëm me kreun e BSH-së, duke i vënë në dukje se një gjë e tillë u krijonte mundësi reale keqbërësve të largoheshin për t’iu shmangur gjyqit dhe burgut. Pse e bëri Fullani një gjë të tillë? A nuk ishte ai përgjegjësi kryesor për çdo gjë që ndodh në institucion që drejton prej vitesh?

Para disa vitesh, një koleg, që është edhe pedagog serioz e doktor shkencash në fushën e ekonomisë dhe financave, shkruante se Banka e Shqipërisë, me anë të disa deklaratave të saj, nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka lënë vazhdimisht në dorë “kungulleshkën” e gjendjes ekonomike qeverisë. Banka e Shqipërisë ka deklaruar se ajo ka punuar dhe vazhdon të punojë fort për arritjen dhe mbajtjen e objektivit të saj madhor që është ruajtja e qëndrueshmërisë së çmimeve, duke ulur apo rritur normën bazë të interesit dhe duke injektuar likuiditete në sistemin bankar apo duke i tërhequr ato nga ky treg.

Me këto deklarata, Banka e Shqipërisë u thoshte qytetarëve se ajo po përpiqet të bëjë maksimalen për të mbajtur nën kontroll çmimet sipas objektivit të saj madhor dhe, nëse ndodh diçka me inflacionin dhe produktet në tregun vendas, atëherë fajin e ka vetëm tregu ndërkombëtar dhe qeveria, e cila nuk merr masa që, nëpërmjet politikave fiskale – atribut i Ministrisë së Financave – nuk ndërhyn për të rregulluar tregun.

Të çudit fakti që i njëjti drejtues i Bankës së Shqipërisë vijon të udhëheqë këtë institucion shtyllë të ekonomisë dhe shtetit shqiptar, madje duke u rikonfirmuar nga qeveria e mëparshme edhe kur erdhi radha e rizgjedhjes, për një nga mandatet më të gjata në krye të një institucioni shtetëror madhor, pra për një periudhë 14-vjeçare. Ishte i njëjti person që bëri “suflerin” për Edi Ramën sapo ky mori postin e kreut të ekzekutivit, kur, para syve të shqiptarëve u paraqit duke pëshpëritur: “Je i madh, sa bukur e the!!” për Kryeministrin e ri, që nga ekonomia merr vesh po aq sa ç’merr vesh Fullani nga mekanika kuantike…

Këto ditë, guvernatori Ardian Fullani ndodhet në syrin e ciklonit të një mega-skandali, që do të pasohej në çdo vend demokratik nga dorëheqja e kreut të institucionit të rëndësishëm financiar, nisur nga dëmet që ka shkaktuar vjedhja në dhomën e Thesarit të Bankës Qendrore. Në çdo vend do të ndodhte kështu, por jo në Shqipëri. I njëjti guvernator-sulltan Ardian Fullani që ka arritur të dalë në publik për të dhënë leksione për të kursyer, ndërkohë që tregohej me gisht si përgjegjës personal dhe kryesor i shpërdorimeve shumëmiliardëshe nga një audit i posaçëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit, dikur hodhi në qarkullim “paketën e re mësimore ‘1,2,3… derrkuci Çufo mëson të kursejë’”, në çeljen e vitit shkollor 2013-2014. Paketa i dedikohet edukimit financiar të nxënësve që ndjekin klasën I, II dhe III të shkollës 9-vjeçare.

Ndërkohë, në të gjitha daljet e tij të fundit publike, Ardian Fullani nuk ka reshtur së kërkuari nga baballarët e “Çufove” shqiptarë që të mos kursejnë, por të konsumojnë, edhe pse nuk u ka treguar kurrë – nuk kish ç’t’u tregonte! – se ku t’i gjejnë paratë për të prishur. Kjo, sipas tij, pasi ekonomia ka nevojë për në shumë konsum që të ecë përpara dhe të shmangë krizën më mirë se sa deri tani.

Guvernatori e ka të lehtë që të lëshojë udhëzime të tilla, pasi për atë deti është bërë me kohë kos dhe madje ka ndërruar kushedi sa herë lugën që fut në të, nga konsumi i tepërt. Por, të luash rolin e gjyshes së përrallave për të kërkuar nga fëmijët shqiptarë që të kursejnë, kur për vete paranë e luan fort, ky është kulmi i cinizmit.

Ndërkohë që merret me… gica, Fullani, sipas Kontrollit të Shtetit, në shpenzimet për udhëtim e dieta brenda vendit nuk zbaton kërkesat e përcaktuara në pikën 2 dhe 4 të vendimit të Këshillit Mbikëqyrës nr. 26, datë 1.4.2003 “Për miratimin e masës së dietave të personelit të Bankës së Shqipërisë, të cilët dërgohen me shërbim jashtë qendrës së tyre të banimit, për qëllime pune, shërbimi, kualifikimi, specializimi etj.”. Më konkretisht mungojnë dokumentet që përcaktojnë kthimin e punonjësve nga shërbimi brenda ditës dhe jashtë kohës normale të punës, si dhe autorizimi i administratorëve ose personave të autorizuar prej tyre për daljet me shërbim jashtë vendbanimit.

Kontrolli i Shtetit konstaton se lidhur me shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit të personelit të Bankës, Ardian Fullani dhe Këshilli Mbikëqyrës kanë dhënë “OK” për nivele të dietave ditore për guvernatorin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës pothuaj sa dyfishi i atij të Kryeministrit ose 60 euro më tepër se dieta e Presidentit të Republikës dhe vetëm dietat e drejtorëve të departamenteve krahasohen me dietën e Presidentit.

KLSH i rekomandon këtij rekomanduesi të kursimeve “të përcaktohet një kornizë e kujdesshme rregullatore në lidhje me nivelin e pagës së guvernatorit, e cila duhet të ndjekë trendin e pagave të tregut bankar, por gjithmonë duhet të jetë në raporte të pranueshme krahasuar me pagën e Presidentit të Republikës, bazuar kjo në përvojat dhe praktikat më të mira të vendeve të ngjashme por pa harruar përshtatshmërinë me realitetin shqiptar.

Gjithashtu, të vendosen nivele të arsyeshme për shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, nivele shpërblimi të cilat duke marrë në konsideratë edhe nivelin e pagës bazë të tyre nuk duhet të tejkalojnë gjithsesi pagën e guvernatorit apo këto paga të jenë më pak sesa paga e anëtarëve të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Të japësh këshilla është e bukur, por kurrë në stilin “bëni si them unë, mos bëni si bëj unë, o Çufo!!!!”

Por, tani fabula nuk është më për fëmijë. Tani ajo po merr trajtat e një trilleri, pasi fjala është për një vjedhje masive e të përsëritur në një skutë të shtetit shqiptar, ku është gati e pamundur vjedhja, natyrisht, në rast se nuk përgatitet një grup i tërë bashkëpunëtorësh, që janë bashkëfajtorë në krimin më të madh që është bërë ndaj ekonomisë shqiptare dhe bankës së saj qendrore pas vjedhjes anonime të Thesarit dhjetë vjet apo më shumë më parë.

Ashtu sikurse ka konstatuar, në disa shkrimet e saj gazeta “Standard”, në veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë dhe direkt të guvernatorit të saj Ardian Fullani ka pasur vazhdimisht shkelje skandaloze të ligjeve dhe rregulloreve të brendshme të vetë BSH-së. Këtu përfshihen paga jashtëzakonisht të larta, qira që ngarkojnë kot buxhetin e BSH-së për shkak se investimet nuk kryhen në kohën e caktuar, nuk mbahen procesverbale të rregullta për dokumentacionet e prokurimeve, ndërkohë që dieta që Fullani i cakton vetes, kur lëviz jashtë shtetit, është dy herë më e lartë se ajo e Kryeministrit dhe 60 euro në ditë më e madhe se e Presidentit të Republikës.

Minimumi i ndjenjës së përgjegjësisë dhe qytetarisë që duhej të kishte treguar menjëherë guvernatori Fullani do të ishte paraqitja e dorëheqjes në Kuvend, duke dhënë edhe kontributin që zëvendësuesi i tij të hidhte dritë mbi gjithë ngjarjen dhe dëmin kolosal të shkaktuar vendit. Por, “Çufoja” i kungulleshkave nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency