Një hebre këndon shqip, “O e bukura Morenë”…

0
135

tal kravitzMbresa nga nata e dytë e edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit, që mbahet në Tiranë. Këngëtari dhe muzikanti nga Izraeli ia kushton paqes së situatës në Palestinë, duke befasuar publikun shqiptar me dy këngë të kënduara në shqip. I jashtëzakonshëm spektakli i tij me instrumente të vjetra, të mbledhura së bashku me këngët nga vende të ndryshme të botës

 Të veshur mirë, sidomos gratë e vajzat, ftesa në një hotel luksoz si “Sheraton”, imponon gjithnjë një event të epërm. Në fakt, festivali i xhazit që shënon ditën e tretë në Tiranë, mbulon krejt të kundërtën e luksit; më shumë fantazi, eksplorim, thjeshtësi, vallëzim, ndjeshmëri… janë gjëra që rrallë shikohen sot në botën moderne, si krijimtari origjinale, por që shpesh bën në pak minuta t’i shkosh botës fund e krye.

Ndoshta në këtë atmosferë këngëtari izraelit mbrëmë ka krijuar ngjarjen më spektakolare në këto tri net të festivalit.

Me barrën e historisë aktuale që po ndodh në vendin e tij, iu desh të bënte pak “politikë” të përulur, çfarë po ngjet mes Izraelit e Palestinës, situatës, duke qëndruar në anën humane të kësaj ngjarjeje të rëndë, pra kundër krimeve atje. Në një publik si ky yni kësi ngjarjesh rrallë depërtojnë aq thellë sa për të ndier përgjegjësinë morale për të kuptuar nga duhet shkuar, ku humanizmi shpesh shmanget dhe ndjeshmëria qëndron e mbyllur si në 100 dryna.

Po këtë gjë nuk e anashkaloi artisti hebre. Atmosfera në pak sekonda ka pritur botën e artit në një formë eksperimentale të jashtëzakonshme. Një hebre që i bën të gjitha, ashtu sikurse kanë namin, do ironizonte dhe vetë këngëtari që shpesh paraprinte këngët me arsyet e frymëzimeve të tij.

Këngëtar dhe muzikant, ai quhet Tal Kravitz, i cili do të udhëtojë në Shkodër edhe Himarë. Me një zë bas, të fortë, të kumbueshëm, kënga dhe muzika e tij tregonte historitë e vendeve që ka prekur… Në Turqi, në vendet e Evropës, ekzotikën afrikane, te skocezët epikë apo kalorësiakët e perëndimit. Pasione që Kravitz i lidh me instrumente të vjetra, ku papritur ka befasuar publikun shqiptar, shpesh me ftesën e tij për të kënduar së bashku apo vallëzuar.

Për çdo këngë apo instrument të vjetër xhazi pothuaj humbte kuptimit e origjinës, ashtu sikurse e do fantazia e këtij artisti. Ave Maria kalon në eksperimentin e fortë të instrumentit të vjetër në formë sharre, duke prodhuar tingujt hyjnorë si sfidë e zërit!

E njeh këtë anë të magjisë së tij Kravitz, që nxiton vazhdimisht në skenë për të kapur pothuaj për dore, me radhë zilkat e vogla afrikane, xhyben antike të skocezëve… e shpesh në ironi të kësaj “bote të vjetër” të përmbysur tashmë si histori muzike, duke dhënë një shembull arkivimi, një lloj muzeu.

Ky artist i ri hebre e shpreh pasionin e tij për këngët e këto instrumente të vjetra, si koleksionist i tyre nga vende të ndryshme të botës. Para festivalit pati premtuar se numri i këngëve të huaja, të mësuara prej tij, do të shkonte 31, ia arriti duke befasuar shqiptarët me këngën e vjetër, ndoshta nga më të hershmet, epizëm e histori së bashku: “O e bukura Morenë!” Një simbiozë krejt e ngjashme me vendin e tij, të mallkimit apo dashurisë prej Zotit, që njohin dyndjen, shpërnguljen, mungesën e atdheut. Kravitz ndaloi e tha: “Kjo këngë shqiptare është nga më të bukurat që kam dëgjuar”. Për ta entuziazmuar më tej publikun, një këngë e jugut, që mezi shquhej nga tingëllimi i tekstit shqip, “Ç’mi ke prerë balluket”… do të krijonte një ritmi më gazmore, si duket e menduar kështu dhe prej vetë artistit.

Ndërsa ka kujtuar, duke kaluar në Rusi, shpikësin e instrumentit të parë akustik, se si energjia e njeriut prodhon tingujt, loja e këngëtarit izraelit ka qenë një eksperiment mirëfilli i xhazit, si legjendë mes lidhjes së shqisës njerëzore dhe natyrës së tingujve mbi instrumentin e prodhuar në komunizëm.

“Kudo që shkoj, – ka thënë ai, – studioj, mësoj këngë nga gjuhë të ndryshme si dhe historitë e instrumenteve. Këto më prekin zemrën”, – ka thënë Kravitz.

Ai thotë se ndërsa vendi i tij është i përfshirë në luftë, duke i kënduar botës, duke u marrë me muzikë është lumturia e tij.

Në vendin e tij në Izrael, këngëtari ka thënë për mediat se punon me palestinezë, të cilët u këndojnë dashurisë e paqes dhe çdo notë të këtij festivali ia kushton lutjes për ditë më të mira.

Tal Kravitz është diplomuar në National School of Choir Conducting në Tel Aviv, ku gjithashtu ka studiuar kompozicion me kanto. Ka studiuar për muzikë etnike në Bar Illan University. Performon në të gjithë botën i mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme, përfaqëson Izraelin në festivale ndërkombëtare, leksione dhe performanca në universitete rreth botës.

Re. Ku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency