Publikohet A2-shi/ Matura, nuk do të ketë formular A3

0
169

matura a2Pavarësisht se në tri vitet e fundit është hapur një fazë e tretë për konkurrimin në universitet, këtë vit nuk do të ketë formular A3. Arben Fagu, specialist i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, ka pranuar se A3-shi ka sjellë disa probleme. “Formulari A3 kishte ca të meta dhe mirë bënë që u hoq, por kishte edhe ndonjë të mirë të vogël, sepse ata që kishin bërë ndonjë gabim te A2 mund ta rregullonin tek A3”, – theksoi Arben Fagu. Specialisti i Agjencisë Kombëtare të Provimeve këshillon maturantët për plotësimin e formularit A2 për në universitete. “Unë besoj që do të ketë ulje për shkak të forcimit të kontrollit gjatë administrimit të provimeve, por pastaj duhet të kesh programe studimi që i kapërcen, je mbi to. Nëse unë e kam të rreshtuar një program studimi të 10-in në preferencë dhe dikush ka të parin por unë kam 0,1 pikë më shumë se ai që e ka preferencë të parë e fitoj unë që e kam preferencë të 10, jo ai”, – përmend Arben Fagu. Ditën e sotme do të publikohet dhe formulari A2, ku maturantët do të zgjedhin 10 preferenca për të konkurruar për në universitet. Kandidatët do të kenë rreth 10 ditë kohë për të plotësuar formularin A2.

 

Invalidët/ Veliaj akuzon Avokatin e Popullit

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ka paraqitur dje pikat e projektligjit për personat me aftësi të kufizuara, të cilat janë kundërshtuar ashpër prej një pjese të tyre. Duke raportuar para Komisionit të Ekonomisë, Veliaj tha se ndryshimet ligjore janë të domosdoshme, pasi synojnë që të disiplinojnë këtë sektor dhe të heqin nga listat rreth 30 mijë abuzues. Ministri Veliaj gjithashtu iu kundërpërgjigj deklaratave të Avokatit të Popullit, Igli Totozanit, se nuk ka qenë pjesë e grupit të punës për këtë projektligj. “Tani unë nuk e kuptoj; ke qenë në grup pune, ke një nen të veçantë që e monitoron; je anëtar i këtij Këshilli Kombëtar, se deri dje e monitoronte në distancë – kurse tani është vetë anëtar i këtij Këshilli Kombëtar. Pra, i është çuar përfaqësimi Avokatit të Popullit në rang ministri dhe thotë nuk është konsultuar dhe nuk bën avokatinë e popullit “që paguan taksa dhe që është i shqetësuar për përdorimet”, – nënvizoi Veliaj. Ndërsa në lidhje me protestën, Veliaj deklaroi se drejtuesit e saj janë të drejtuar dhe paralajmëroi se do të çojë në Prokurori ata që kanë abuzuar me fondet. Menjëherë pas kësaj deklarate të ministrit ka reaguar i indinjuar edhe kreu i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj. “Veliaj ka rënë moralisht si ministër. Dua të sqaroj opinionin publik që nga viti 2000, kur unë kam qenë punonjës në institucionet shtetërore, unë nuk kam përfituar asnjëherë, nuk jam paguar asnjëherë nga fondet publike”, – u shpreh Tafaj.

 

 Protesta/ Tregtarët e ish-uzinës “Dinamo”: Mos lini pa punë 5 mijë persona

Tregtarët e ish-uzinës “Dinamo” kanë protestuar ditën e djeshme pranë Ministrisë së Bujqësisë. Tregtarët kanë kërkuar që të rrëzohet vendimi për lëvizjen e tregut dhe se me këtë vendim do të lihen pa punë jo pak, por5 mijë persona. Tregtarët e ish-uzinës “Dinamo” kanë firmosur edhe një peticion kundër mbylljes së tregut, të cilin ia kanë dërguar Kryeministrit Rama, Kryetarit të Kuvendit Meta, ministrave Ahmetaj dhe Veliaj. Tregtarët kanë theksuar se do të vijojnë protestat edhe në ditët në vijim, në mënyrë që të mos ekzekutohet vendimi për pezullimin e 386 subjekteve, ku sipas tyre, janë të punësuar 5 mijë persona, të cilët me këtë vendim po hidhen në rrugë të madhe.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency