Kompromisi Rama-FMN, lejohet rritje më tej me 0.4% e borxhit publik

0
151

Ervin Kaduku

godina-e-fmn –  Po përgatitet fushatë masive e shitjes së aseteve shtetërore për të mbushur gropën në buxhet

Pavarësisht se borxhi publik i Shqipërisë ka arritur maja rekord, qeveria “Rama” synon të rritë më tej barrën e tij mbi supet e taksapaguesve. Dhe duket se ka arritur që në këtë drejtim të marrë edhe OK-in e FMN-së. Kjo del nga fakti që Fondi Monetar Ndërkombëtare ka lejuar qeverinë shqiptare që të ketë një borxh publik 0.4 pikë përqindjeje më të lartë sesa parashikohej në programin fillestar, sipas raportit mbi rishikimin e parë të marrëveshjes së zgjeruar me Shqipërinë dhe kërkesën për modifikimin e kritereve të performancës.

Në programin e rishikuar, borxhi publik parashikohet të arrijë në 72.1% të PBB-së, nga 71.7%, që ishte parashikimi fillestar.

Ndonëse raporti ka theksuar se konsolidimi fiskal është në rrugën e duhur, sërish “Balanca e rreziqeve ndaj perspektivës së rritjes në 2014 priret të jetë negative. Konsolidimi fiskal i pamjaftueshëm ka gjasa të minojë besimin e brishtë të investitorëve, të ndikojë në madhësinë e brendshme dhe të jashtme të borxhit publik dhe të influencojë zotërimet bankare të qeverisë. Reforma “të vakëta” strukturore mund të parandalojnë rigjallërimin në investime. Një perspektivë më e dobët se sa pritej në partnerët kryesorë tregtarë – Itali dhe Greqi – ka të ngjarë të ndikojë mbi perspektivat e rimëkëmbjes së udhëhequr nga eksporti”.

Raporti thekson se shirat e pakët mund të bëjnë që qeverisë t’i nevojiten importe energjie të garantuara në 2014-n, në nivelin e 0.3-0.6% të PBB-së. Kompensimi i pronave po kthehet gjithashtu në një shqetësim fiskal, teksa një numër pretenduesish, pasuritë e të cilëve u shpronësuan nën regjimin e komunizmit, kanë marrë vendime pozitive nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR). Pretendimet potenciale për kthim në vlerën e tyre të plotë mund t’i tejkalojnë ndjeshëm kapacitetet e qeverisë për të paguar.

Pasi arri kulmin në 2014, borxhi publik synohet të fillojë të zbresë gradualisht, për të arritur në 56.4% të PBB-së vetëm në vitin 2019, niveli më i ulët i pritshëm i dekadës së fundit. Ndërkohë, objektivi për deficitin buxhetor ka mbetur i pandryshuar, në -6.7% të PBB-së, për të zbritur më pas gjatë viteve në vijim.

 

Çdo gjë në shitje…

Qeveria ka planifikuar një proces intensiv privatizimesh për vitin 2014. Gjatë gjysmës së dytë të vitit pritet të privatizohen shumë objekte por edhe ndërmarrje, në të cilat shteti shqiptar zotëron aksionet e plota ose një përqindje të tyre.

Sipas Drejtorit të Privatizimeve, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Zamir Stefani, bashkë me ministritë e tjera ka nisur një inventarizim i plotë i këtyre objekteve, ku për 19 prej tyre janë thuajse gati dosjet për privatizim. Ndërsa në lidhje me privatizimet strategjike duket se do të jetë qeveria që do të vendosë për mënyrën dhe formulën e privatizimit. Kompanitë në të cilat shteti shqiptar zotëron aksione të plota ose të pjesshme dhe që mund të cilësohen edhe si privatizime strategjike janë kompanitë e naftës “Albpetrol” e “Armo” dhe kompania e shpërndarjes së energjisë “CEZ”.

Procesi i privatizimit të pasurive shtetërore është paralajmëruar edhe në programin ekonomik e fiskal të Shqipërisë për periudhën 2014-2016, ndërkohë që për këtë vit të ardhurat e parashikuara në buxhetin e shtetit nga privatizimet janë 400 milion lekë. Por shifra duhet të jetë shumë më e lartë, në rast se kalohet në shitje masive të objekteve të mëdha në pronësi të shtetit.

 

Shtohet borxhi i brendshëm me 15 milionë euro

Sipas rezultateve të ankandit të publikuara dje nga Banka e Shqipërisë, shuma e shpallur në ankandin e letrave me vlerë ishte 15 milionë euro, ndërkohë që kërkesa nga investitorët ishte dyfish më e lartë, në 36.5 milionë euro. Në ankand ishin 31 kërkesa konkurruese, nga të cilat u pranuan 12. Si rrjedhojë e kërkesës së lartë, yield-i (interesi) shënoi rënie. Yield-i maksimal i pranuar ishte 2.58%, nga 3.3%, që ishte ai i kërkuar, ndërsa yield-i i ponderuar zbriti në 2.42%, nga 2.77% ai i pranuar.
Ky ishte ankandi i dhjetë që qeveria organizoi për shitjen e letrave me vlerë në euro. Kohët e fundit qeveria po e përdor gjithnjë e më shumë shitjen e letrave me vlerë në valutë për të siguruar borxh të brendshëm.

 

Dogana vijon aksionin për mallrat e akcizës

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njoftoi se fushata e ndërgjegjësimit dhe kontrollit për zbatimin e ligjit për akcizën ka hyrë tashmë në muajin e saj të dytë. Gjatë muajit të parë, grupet e përbashkëta operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe “Crown Agents” punuan për të rritur ndërgjegjësimin tek prodhuesit, importuesit, shpërndarësit dhe shitësit me pakicë për sa u përket të drejtave dhe detyrimeve të tyre në bazë të ligjit për akcizën. Njëkohësisht, grupet operative ushtruan kontrolle tek ato subjekte tregtare të cilat kishin probleme të dukshme të përputhshmërisë ligjore.

Muaji i parë i kësaj fushate shërbeu për të identifikuar problemet apo kundërvajtjet e bizneseve për sa i përket pagesës së taksës së akcizës. Gjithashtu, këto javë shërbyen për të krijuar bazën e një analize më të detajuar e risku. Kontrollet që do të ushtrohen gjatë këtij muaji do të bazohen tek analiza e riskut dhe tek mbledhja e informacionit. Synimi i qartë i këtyre kontrolleve do të jetë identifikimi i atyre subjekteve tregtare që shmangin detyrimet e tyre ndaj shtetit.

Parashikohet që gjatë këtij muaji të ushtrohen një numër i konsiderueshëm kontrollesh tek ata operatorë ekonomik që prodhojnë, importojnë, shpërndajnë e shesin me pakicë mallra të cilat janë subjekt i ligjit për akcizën, të tilla si cigaret (duhani), alkooli, pijet energjike etj. Duke e konsideruar tashmë të mbyllur fazën e ndërgjegjësimit të bizneseve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të jetë e palëkundur në zbatimin e ligjit, mbledhjen e të ardhurave nga akciza dhe në gjobitjen e atyre subjekteve të cilët vazhdojnë të shkelin ligjin.

Për këtë arsye, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u bën thirrje edhe një herë subjekteve të autorizuara e që të rregullojnë aktivitetin e tyre në përputhje me ligjet në fuqi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency