Reforma territoriale/ Aleatët e PD-së: Për dy ditë ndryshoi 20% e hartës, PS-LSI duan kontrollin e pushtetit vendor

0
133

Gëzim Saliu

 basha ulur me aleatetPR, Mediu: Pasi Rama dhunoi opozitën, i kërkoi të ulej në tryezë për të votuar reformën, duke i bërë karshillëk me praninë e PDIU-së në tryezë

Aleatët e Partisë Demokratike kundërshtojnë hartën e re të ndarjes së territorit të vendit të ndryshuar dy ditë më parë me ndërhyrjen e një prej anëtareve të opozitës, PDIU-së. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi dje se me hartën e re, mazhoranca e majtë synon kontrollin e pushtetit vendor, në të njëjtën formë, sipas tij, që po vepron me pushtetin qendror dhe institucionet kushtetuese. Për aleatin e demokratëve, sjellja e qeverisë me ndryshimet e hartës nuk është aspak serioze, pasi, thekoi Mediu për “Abc News”, vetëm brenda dy ditëve u ndryshua 20% e draftit të hartës, i cili ishte cilësuar më parë nga qeveria si një punë serioze. “Kishte ngut, ndaj dhe nuk u morën me kërkesën e opozitës për të bërë një reformë të qëndrueshme, bazuar fillimisht tek decentralizimi dhe zgjerimi i autonomisë vendore. Nuk është analizë financiare sa fitojmë apo humbim, por sa i vërtetë është fakti që paratë e taksapaguesve të shkojnë në funksion të qytetarëve në nivel lokal. Ka ngut për të realizuar qëllimin politik me miratimin e reformës në 31 korrik, më pas për të parë rrugët e mundshme për të garantuar numrin. Numrat nuk kanë qenë, kjo mazhorancë është votuar për numra të tjerë, jo këta që ka sot, ku shihet një marrëdhënie preferenciale”, – deklaroi kreu i PR-së.

 

Pjesëmarrja e PDIU-së

Për kryetarin e PR-së, kreu i qeverisë ka pasur objektiv të qartë përfshirjen e PDIU-së në këtë proces që në fillim, duke e arritur këtë gjë në fund. “Për shkak të specifikës me PDIU-në është parë një marrëdhënie preferenciale për PDIU-në, e cila ka qenë me ne kur kemi thënë decentralizim dhe autonomi vendore. Mendojmë që veprimi i mazhorancës dje jo vetëm që nuk është serioz dhe tregon që kemi të bëjmë, jo vetëm me një analizë të përciptë, por njëherësh nuk konsideron elementët e domosdoshëm për qytetarët”, – vlerësoi Mediu. Në këtë kontekst, ai tha se loja demagogjike e mazhorancës bëhet dhe më qesharake kur brenda një dite sipas tij, kryeministri dhunoi opozitën për fjalën e lirë dhe i kërkoi të ulet në tryezë për të votuar reformën, duke i bërë karshillëk me praninë e PDIU-së në tryezë. Për kreun e Partisë Republikane, qëllimi i gjithë kësaj reforme të ngutshme,është vetëm përpjekja për kontroll absolute. “Ka një axhendë politike që nuk lidhet më me interesat e përbashkëta pozitë-opozitë, me qytetarët e thjeshtë, me autonominë e pushtetit vendor, por me një axhendë politikë për të kontrolluara gjithçka politikisht përmes hesapeve në tavolinën dhe jo përmes votës së qytetarëve shqiptarë”, – theksoi Mediu. Dy ditë më parë, Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrative-Territoriale miratoi variantin e ndryshuar të hartës me 61 bashki, propozim i cili iu dërgua Këshillit të Ministrave për miratim. Pritet që varianti të votohet sërish në këtë Komision ditën e mërkurë, për t’i kaluar më pas Kryetarit të Kuvendit për futjen në procedurat parlamentare dhe votimin final më 31 korrik. Me këtë hartë të re, variantit të parë me 47 bashki, iu shtuan 14 bashki të tjera, si: Bashkia Fushë-Arrëz, Bashkia Klos, Bashkia Vorë, Bashkia Rrogozhinë, Bashkia Belsh, Bashkia Përrenjas, Bashkia Roskovec, Bashkia Ura Vajgurore, Bashkia Poliçan, Bashkia Selenicë, Bashkia Konispol, Bashkia Memaliaj, Bashkia Këlcyrë, Bashkia Libohovë.

 

Konflikti President-qeveri/ Paloka: Rama do drejtësinë. Subashi: Lumturohemi me Nishanin kur të vërë dorë në sistem

Konflikti mes Presidentit dhe qeverisë ka ndarë palët politike në vend, ku opozita e cilëson këtë çështje si tentativën e fundit të kreut të qeverisë për të marrë në dorë sistemin e drejtësisë e ndërkohë që mazhoranca është shprehur e pakënaqur me punën e kreut të shtetit. Megjithëse të dyja palët nuk e fshehin se përplasjet mes ekzekutivit dhe Presidencës bëhen për shkak te sistemit te drejtësisë, demokratët theksojnë se pas sulmit të LKryeministrit fshihet ambicia për ta kapur sistemin. “Kjo është beteja e fundit e Ramës për të marrë drejtësinë në dorë, duke abuzuar e duke përfituar nga problemet reale që ka drejtësia, ai po përpiqet ta marrë këtë sistem në dorë dhe absolutisht ta përdorë për qëllime politike”, – tha Paloka për “VP”. Ndërkohë që socialisti Armando Subashi, tha se mazhoranca nuk kërkon te kontrolloje sistemin e drejtësisë, por synon që ta reformoje atë. “ Presidenti të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të vejë dorë në sistemin e drejtësisë, po bëri këtë ne jemi të lumtur me të. Në qoftë se do jenë të lumtur njerëzit me këtë President ne do jemi dy herë të lumtur me atë”, – tha ligjvënësi socialist.

 

 Kreu i ri i Kuvendit të Kosovës/ Çollaku: Rama bojkotoi Mustafën, nuk e përshëndeti për postin e ri

Një bojkot nga ana e Kryeministrit Rama e ka cilësuar ish-zëvendësministri i Jashtëm Kreshnik Çollaku mospërshëndetjen nga ana e tij të Kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa. “U bënë mbi 24 orë që Isa Mustafa është zgjedhur Kryetar i Parlamentit të Kosovës. Kryetari i opozitës Basha e përshëndeti brenda orës. Kryetari Parlamentit Meta e përshëndeti gjithashtu. Kryeministri Rama vazhdon të bojkotojë zgjedhjen e Kryetarit të ri të Parlamentit të Kosovës. Deri tani asnjë përshëndetje apo deklarim..!!”, – shkruante Çollaku në “Facebook”. Më tej ai theksoi se sjellja e Kryeministrit Rama është incident i panevojshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Ministria e Jashtme e Shqipërisë, që nuk lë vend pa bërë qoka, hesht gjithashtu që prej 24 orësh. Kjo sjellje naive e qeverisë është një turp i vërtetë dhe incident i panevojshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ideologjitë partiake nuk mund të devijojnë e t’i mbivendosen interesit kombëtar dhe marrëdhënieve ndërshtetërore”, – theksoi ish zëvendës ministri, Çollaku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency