Harta e re me 61 bashki/ PDIU fut në sherr mazhorancën, PBDNJ votë kundër

0
142

Florenc Drizari

kom.ref.territorShpëtim Idrizi bëhet pjesë e komisionit të posaçëm për reformën territoriale. 

Pranimi i propozimeve të PDIU-së nga mazhoranca për ndarjen e re administrativo-territoriale të vendit, solli debate të forta mes anëtarëve të PS-së dhe PBDNJ-së, në mbledhjen e zhvilluar dje pasdite në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Fillimisht, shumica parlamentare miratoi në seancën e së enjtes ndryshimet në përbërjen e komisionit të posaçëm të reformës administrativo-territoriale, duke shtuar si anëtar kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Ndërkohë që propozimet e paraqitura prej tij në komisionin e posaçëm për hartën e re territoriale të vendit, shkaktuan debate mes përfaqësuesve të mazhorancës, kreut të komisionit Bashkim Fino dhe përfaqësuesit të PBDNJ-së, Andrea Marto, (i zgjedhur më 23 qershor në listën e PS-së), lidhur me ndryshimet në zonat minoriatere të jugut. Pas këtyre qëndrimeve, mesditën e së premtes PBDNJ ka paralajmëruar edhe një dalje publike për mediat.

 

Idrizi në komision

Gjatë fjalës që mbajti në komisionin e reformës administrativo-territroriale, Shpëtim Idrizi, tha se Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet , vendosi që të marrë pjesë këto ditë të fundit në komisionin e reformës administrative, si pjesë e pandashme e opozitës, paçka se theksoi se nisma e tij, nuk përfaqëson opozitën. Idrizi tha se fatkeqësisht shumica është e gatshme ta miratojë këtë reformë, pa praninë e partisë më të madhe opozitare, PD-së, ndërkohë që interesat e popullsisë që partia e tij përfaqëson, nuk gjendeshin të përfshira në variantet propozuara nga qeveria. Për këtë Idrizi tha se grupi punës i ngritur pranë PDIU-së, është detyruar të ridimensionojë propozimet, për të bërë modifikimet e domosdoshme në kuadër të hartave të prezantuara, në mënyrë që të mos cënojmë një proces që duhet të ndodhte mes dy partive të mëdha.

 

Propozimet e PDIU-së

“Së pari në çështjen e Konispolit, më lejoni t’ju them se nuk ka asnjë kuptim që ajo zonë të bashkohej me qytetin e Sarandës, teksa bashkia e minoritetit që ju keni vendosur të krijoni, e shkëpuste gjeografikisht Sarandën nga zona e Çamërisë. Konispoli është qyteti i vetëm i Çamërisë ,që ka mbetur në Shqipëri dhe i rrethuar nga fshatra shqiptare të Çamërisë në komunat Markat, Xarrë dhe fshatrat Pandelejmon dhe Sopik. Së pari, për Konispolin që trajtova më lartë, përfshirja e fshatrave Pandelejmon, Vagalat dhe Sopik është e domosdoshme. Nga njëra anë, duke qenë se qendra e gravitetit të bashkisë së re minoritare do të shkojë nga Livadhjaja në një fshat tjetër, logjikisht fshati Krane, atëherë këto tre fshatra gravitojnë nga Konispoli. Nga ana tjetër, fshatrat Pandelejmon dhe Sopik kanë banorë të etnisë shqiptare dhe janë në kufi me territorin e Bashkinë e propozuar të Çamërisë. Së fundmi, në kuptimin gjeografik, Sopiku, Vagalati dhe Pandelejmoni, gjoegrafikisht i përkasin hapësirës që graviton në Konispol”,-tha Idrizi, duke shprehur kështu edhe propozimet e partisë që ai drejton.

 

Qëndrimi i PBDNJ-së, Marto

Pas prezantimit të varianteve të PDIU-së nga kreu i kësaj partie Shpëtim Idrizi, deputeti Andrea Marto deklaroi se shumica duhet të rishikojë varinatet e ndryshuara, përndryshe vota e tij do të ishte kundër. “Nga një vështrim i shpejt i materialeve, duke mos qenë i bindur për arsyen e krasitjes së komunave minoritare në të gjitha drejtimet e mundshme. Them që duhet ta rishikojmë, përndryshe do të votoj kundër”,-tha Marto. Pas kësaj deklatare pati debate me kreun e komisionit Bashkim Fino, i cili i kujtoi atij se cilat zona minoritare ishin prekur.

 

PDIU në komisionin për reformën, PD: Diversioni, tipar i njohur i dyshes Rama-Meta

Partia Demokratike me anë të një deklarate për median theksoi se kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, nuk ka bërë asnjë konsultim paraprak me PD-në dhe opozitën për pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e komisionit për reformën administrativo-territoriale. Sipas PD-së, diversioni është tipar i njohur i dyshes Rama-Meta, por opozita ka folur me një zë, “kur ka theksuar rëndësinë e vendosjes së interesave të qytetarëve përpara llogarive politike”. “Opozita që prej fillimit kërkon konsensus politik. Harta Rama-Meta për pazare të pista politike dhe elektorale. Pazaret më të pista kur përpiqen të ndajnë opozitën”- thuhet në deklaratën e PD-së.

 

Ministri Çuçi pranon propozimet e PDIU-së

“Shtesat që vijnë nga propozimet e PDIU-së në Bashkinë Delvinë, ku përveç bashkisë dhe komunës që kishte në përbërje i shtohen edhe fshatrat Kardhikaq, Pec, Mizinë dhe Gerimas”,-deklaroi ministri për Çështjet Vendore Bledi Çuçi.

 

61 Bashkitë e shpërndara sipas qarqeve

Qarku i Beratit do të ketë 3 Bashki

Qarku Durrës do të ketë 3 Bashki

Qarku Dibër do të ketë 4 Bashki

Qarku Elbasan do të ketë 7 Bashki

Qarku Fier do të ketë 6 Bashki

Qarku Gjirokastër do të ketë 7 Bashki

Qarku Korçë do të ketë 6 Bashki

Qarku Lëzhë do të ketë 3 Bashki

Qarku Kukës do të ketë 3 Bashki

Qarku Shkodër do të ketë 5 Bashki

Qarku Tiranë do të këtë 5 Bashki

Qarku Vlorë do të ketë 7 Bashki

 

“Ligji për karrierën në FA”,/ Kuvendi rrëzon dekretin e Nishani, abstenojnë  Majko e Dule

Kuvendi rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës Bujar Nishani, për projektligjin e karrierës në FA. Për dekretin e presidentit kanë votuar kundër 80 deputetë ndërkohë që abstenuan deputetët Vangjel Dule dhe Pandeli Majko. Më herët për këtë projektligj reagoi deputeti Spartak Braho. Sipas tij dekreti i presidentit është i paargumentuar. Braho theksoi se nuk është cenuar asnjë kompetencë e presidentit. Ligji “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Ai u rikthye në Kuvend për rishqyrtim. Ne argumentimin e tij, Nishani thekson se ligji i paraqitur per dekretim bie ndesh me nenet 168 pika 2, 169 pika 1 dhe pika 4 të Kushtetutës. Ligji thotë Nishani, tejkalon dhe uzurpon funksionin kushtetues të Komandantit të Përgjithshëm si dhe kopetencën e Kuvendit.  “Në analizë dhe këndvështrim ligjor, gjykoj se Forcat e Armatosura nuk janë strukturë në varësi të ekzekutivit, gjyqësorit apo legjislativit. Kushtetuta (në Pjesën 15) përcakton misionin, dhe në vija të përgjithshme tregon zinxhirin e komandim kontrollit të Forcave të Armatosura, i delegon kompetencat e drejtimit të Komandantit të Përgjthshëm në kohë paqeje, Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, por gjithmonë nën komandimin e tij si eprori më i lartë në hierarkinë e Pushteteve dhe Autoriteteve të Komandimit dhe Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura.”- thekson Presidenti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency