Raportohet për 300 ditët e qeverisë/ Rama përballet me premtimet: Pse s’jam i lumtur me Presidentin, kryeprokurorin dhe KLD-në

0
148

Florenc Drizari

rama 300“Ne pa dyshim nuk jemi të lumtur për mënyrën se si funksion Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por as kemi rënë dhe as do të biem në batakun ku KLD na ka ftuar më shumë se një herë me reagime”

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të punës së kabinetit të tij qeverisës në 300 ditët e para, u shpreh hapur edhe për raportet mes tij dhe krerëve të disa prej institucioneve të pavarura në vend. Duke folur për reformën në drejtësi dhe angazhimin për ta miratuar atë në sesionin e ardhshëm parlamentar, Rama theksoi se nuk ishte i lumtur me marrëdhëniet institucionale me kreun e shtetit, kryeprokurorin dhe përfaqësuesit e KLD-së. Ajo që është ndryshe në mazhorancën e majtë tha Rama, është fakti se shumica parlamentare nuk fyen dhe denigron punën apo figurat e këtyre institucioneve.

 

Për Presidentin

“Ne nuk jemi të lumtur me Presidentin e Republikës, por ne në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk u kemi dhënë shqiptarëve më shembullin e vjetër të degraduar dhe njëkohësisht degradues për shoqërinë dhe për shtetin tonë të një marrëdhënieje joetike sharjesh, akuzash dhe përpjekjesh për të diskriminuar institucionin e Presidentit të Republikës”, – tha Rama. Më herët raportet mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të shtetit, Bujar Nishani, kanë qenë të tensionuara, edhe pas marrjes së pushtetit më 23 qershor. Një ndër tri vendimet e para të qeverisë në shtator të vitit të kaluar, ka qenë edhe zëvendësimi i fotos zyrtare të Presidentit në zyrat e shtetit.

 

Për kryeprokurorin

Në prezantimin e punës për 300 ditët e para të qeverisë, nuk munguan edhe kritikat e Kryeministrit Rama për punën e organit të akuzës. Duke folur për kryeprokurorin Adriatik Llalla, Rama tha: “Ne nuk jemi të lumtur me prokurorin e Përgjithshëm, por në asnjë rast dhe për asnjë arsye, ne nuk kemi vazhduar në rrugën e vjetër të diskreditimit të një institucioni, tek i cili ne sigurisht shohim me shumë shpresë për të gjetur partnerin e duhur kushtetues në një betejë që mbetet për t’u zhvilluar për t’i sjellë këtij vendin drejtësinë, që kërkon dhe aspiron”.

 

Për KLD-në

Më kritik Kryeministri ishte për veprimtarinë e KLD-së dhe qëndrimet e këtij organi në gjykimet e fundit të punës së gjyqtarëve. Rama tha: “Ne pa dyshim nuk jemi të lumtur, madje në këtë rast palumturinë tonë e kemi shprehur publikisht jo vetëm përmes Ministrisë së Drejtësisë, por edhe përmes të tjerëve për mënyrën se si funksion Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por as kemi rënë dhe as do të biem në batakun ku KLD na ka ftuar më shumë se njëherë me reagime, që nuk ka kanë asgjë të përbashkët me reagimet e një institucioni të pavarur kushtetues”. Në fjalën e tij Kryeministri foli edhe për gjyqtarin Gjin Gjoni. “Po e them copë, sepse jam ndier dhe ndihem i tmerruar kur kam përballë zyrtarët më të lartë të vendeve të tjera që e përmendin si emër. Ç’arsye ka një zyrtar i lartë të dijë emrin Gjin Gjoni, në anglisht?! E, ç’arsye ka një aleancë e tërë, që shtrihet nga Evropa në NATO dhe nga NATO në Evropë, që të dijë që është një Gjin Gjoni dhe që ta shtrojë këtë problem me të gjitha autoritetet që takon. Unë kam asnjë gjë me këtë person dhe nuk është personale, është fenomenale”, – tha Rama.

 

Shtyhet për në vjeshtë reforma në drejtësi/ Kryeministri përballet me premtimet: Do t’i mbajmë

 Rama: Shqipëria evropiane, destinacion brenda nesh

 Përfaqësuesit e qeverisë raportuan dje për punën e 300 ditëve të para të mandatit qeverisës. Nën moton “Shqipëria evropiane, destinacion brenda nesh”, Kryeministri Edi Rama dhe ministrat bënë nga një përmbledhje të punës së tyre në 10 muajt e qeverisjes. Aktiviteti i 300 ditëve të para ishte konceptuar në 3 panele raportimesh dhe u moderua nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili vuri në fokus të zhvillimeve të fundit atë se çfarë është bërë nga ekzekutivi për procesin e integrimit e vendit; luftën kundër drogës dhe trafiqeve; punësimin, arsimin, kulturën, turizmin etj. Ky prezantim u bë në sallën e TOB, ku merrnin pjesë Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, përfaqësues të trupit diplomatik, drejtues e punonjës të institucioneve të ndryshme në vend.

Në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do t’u qëndrojë premtimeve të bëra më 23 qershor të vitit të kaluar. “Dua ta nis nga një fakt për të cilin ne bashkërisht si “Aleancë për Shqipërinë Evropiane” kemi të drejtën e plotë që të jemi krenarë. Në këto 300 ditë ne kemi arritur diçka fare të thjeshtë, por që deri para 300 ditësh dukej fare e pamundur”, – tha Rama, duke vënë theksin tek marrja e statusit të vendit kandidat dhe aksionit të policisë në Lazarat. “Statusin e kandidatit Shqipëria nuk do ta kishte marrë pa betejën pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, pa rikthimin e Policisë së Shtetit në krye të detyrës, pa gjithë ato operacione të vështira dhe të suksesshme dhe pa gjithë ato mundime dhe sakrifica që u deshën në 300 ditë për ta transformuar këtë vend, nga një vend që tregohej me gisht për vendin që kishte në organizmin e vet një republikë turpi, droge dhe pandëshkueshmërie, në një vend, që tanimë Lazaratin e ka një fshat si gjithë të tjerët dhe përfundimisht ka hequr nga vetja njollën e një vendi ku lulëzon droga, ku lulëzon pandëshkueshmëria”, – deklaroi Rama.

Duke folur për reformën në drejtësi, Rama tha se “do të jetë beteja e madhe e Aleancës sonë në sesionin II të kësaj legjislature”.

Më konkretisht Rama u ndal në krijimin e vendeve të reja të punës, duke përmendur krijimin e rreth 43 mijë vendeve në sektorin privat dhe atë publik, ndërsa tha se reforma ka nisur dhe do të vazhdojë në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor, si dhe në ekonomi dhe krijimin e lehtësirave për sipërmarrësit e huaj. Duke folur për opozitën, Kryeministri Rama vlerësoi punën e Kryeparlamentarit Meta dhe në të njëjtën kohë, i bëri thirrje pakicës parlamentare që të bëhet pjesë e reformave të nisura nga qeveria. “Kemi arritur, – dhe këtu një meritë e veçantë i takon Kryetarit të Kuvendit për rrugën e vështirë që zgjodhi qysh në krye të herës, – që t’i japë opozitës në sallën e Kuvendit, atë hapësirë dhe atë kohë që opozita nuk e ka pasur për 20 e kusur vite me radhë. Madje unë kam përshtypjen se po të mbledhim minutazhin e konsumuar opozita e sotme në këto 300 ditë, është i barabartë me minutazhin e konsumuar nga opozita në tre apo më shumë vite në të shkuarën”, – deklaroi kreu i qeverisë.

 

Rama: Ja çfarë kemi arritur në 300 ditë

 1.Kemi arritur që asnjë sipërmarrës të mos ndjehet në vështirësi me qeverinë dhe administratën për shkak të simpative të tij politike apo për shkak të përkatësive të tij të çfarëdolloj qofshin.

2.Kemi arritur që asnjë media të mos ndihet në vështirësi me pushtetin ekzekutiv për shkak të linjës editoriale apo për shkak të shumë keqinformimeve, dezinformimeve të manipulimeve të qëllimshme apo të paqëllimshme të opinionit publik.

3.Kemi arritur që asnjë mësuese apo mësues, asnjë nëpunës apo nëpunëse në administratë të mos ndihet në vështirësi për shkak se çfarë mendon dhe kë takon në kohën e vet të lirë.

4.Kemi arritur që shoqëria civile të rifillojë të marrë frymë, të rifillojë të kërkojë shtigjet për të komunikuar opinionet e veta. Kemi arritur, madje përmes një momenti të paharrueshëm për të gjithë, që t’i japim shoqërisë mesazhin e qartë që ajo jo vetëm dëgjohet, por kur ka të drejtën me vete, ajo fiton.

5.Kemi arritur të transformojmë, dhe mjafton këtë përsëri ta hedhim vështrimin pas 300 ditë më parë, marrëdhëniet e qeverisë me opozitën në komunikimin publik.

6.Kemi arritur t’u japim shqiptarëve një qeveri që flet për problemet e tyre, që zgjidh problemet e tyre dhe që nuk i bombardon me propagandë kundër opozitës.

7.Kemi arritur t’u japim shqiptarëve një qeveri që nuk i rraskapit duke sharë, duke fyer dhe duke u përpjekur të diskriminojë opozitën dhe opozitarizmin në Shqipëri.

8.Kemi arritur, – dhe këtu një meritë e veçantë i takon Kryetarit të Kuvendit për rrugën e vështirë që zgjodhi qysh në krye të herës, – që t’i japë opozitës në sallën e Kuvendit, atë hapësirë dhe atë kohë që opozita nuk e ka pasur për 20 e kusur vite me radhë. Madje unë kam përshtypjen se po të mbledhim minutazhin e konsumuar opozita e sotme në këto 300 ditë, është i barabartë me minutazhin e konsumuar nga opozita në tre apo më shumë vite në të shkuarën.

9.Kemi arritur të ndërtojmë një marrëdhënie të re etike me institucionet e pavarura.

10.Ne do t’i mbajmë një për një të gjitha zotimet dhe për çdo zotim që nuk do mund të mbajmë, ne do të ndajmë me shqiptarët

 

“Shëndetësia falas, s’kemi harruar premtimet”

Një ndër premtimet e socialistëve para se të vinin në pushtet më 23 qershor të vitit të kaluar ka qenë edhe shëndetësia falas. Në aktivitetin e djeshëm të organizuar për 300 ditët e para të qeverisjes së majtë, Kryeministri Edi Rama tha se do t’i qëndrojë premtimit të bërë para shqiptarëve.

“Ne i gjetëm spitalet pa ilaçe dhe ne sot kemi garantuar që të mos mungojnë ilaçet në spitale. Por, sigurisht, ne jemi zotuar për më shumë. Ne jemi zotuar për shërbimin shëndetësor që do të jepet falas për të gjithë ata që nuk kanë mundësi ta paguajnë. Ne do ta mbajmë këtë zotim”, – tha Kryeministri. Duke u ndalur tek premtimet e rreth një viti më parë, Rama tha se: “Ne nuk kemi harruar asnjë zotim. Ne do t’i mbajmë një për një të gjitha zotimet dhe për çdo zotim që nuk do mund të mbajmë, ne do të ndajmë me shqiptarët, arsyet pse ndoshta s’do ta kemi mbajtur zotimin dhe do t’ia lëmë shqiptarëve të na gjykojnë nëse kemi qenë në vullnet të mirë, apo nëse i kemi prerë në besë. Ajo që vlen të thuhet është se ashtu si në shëndetësi, edhe në arsim dhe me radhë në të gjithë sektorët e tjerë, ne kemi vendosur gurë të rëndë themeli, për të vazhduar më tej punën me reformat”.

 

Samiti i 100-të i udhëheqësve të biznesit/ Nishani: Shqipëria ofron mundësi të mëdha për investitorët e huaj

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i pranishëm në Takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po zhvillohet në Kroaci, përshëndeti Samitin 100 të Udhëheqësve të Biznesit të Evropës Juglindore. Ai ftoi bizneset e huaja të investojnë në vendin tonë duke theksuar se Shqipëria ofron mundësi të mëdha.

“Do të doja të shihja këtu edhe kompani që operojnë në Shqipëri. Vendi im, i cili sapo fitoi statusin e vendit kandidat për në BE, ofron mundësi të mëdha, falë burimeve të shumta natyrore, bukurive bregdetare dhe malore, trashëgimisë së pasur kulturore, si dhe ambientit miqësor për investimet e huaja. Shqipëria ka një popullsi të re, shumë vitale, të aftë t`i ofrojë tregut një fuqi punëtore konkurruese. Falë zbatimit të projektit “brain gain” janë rikthyer ekspertë cilësorë, të cilët e kishin lënë Shqipërinë më parë, duke sjellë me vete edhe kualifikimin dhe eksperiencën në vendet ku kanë jetuar. Ekonomia shqiptare i rezistoi relativisht mirë krizës ekonomiko-financiare.Pozicioni gjeografik i ka dhënë Shqipërisë statusin e portës hyrëse për rajonin në mënyrë fare natyrale. Projektet madhore, si: Trans Adriatic Pipeline (TAP) dhe Korridori Adriatiko-Jonian janë bërë një domosdoshmëri nga pikëpamja gjeostrategjike, veçanërisht, pas krizës në Ukrainë”, – deklaroi kreu i shtetit, Bujar Nishani.

 

Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë/ Majko: Duhet dialog në vazhdim, akoma shohim që protestojnë

Kriteret e vendosura nga qeveria për mënyrën se si do të realizohen dëmshpërblimet e ish-të përndjekurve politikë shkaktoi diskutime mes radhëve të socialistëve dje në Komisionin e Ligjeve, ndërsa opozita nga ana e saj nuk ishte e pranishme për shkak të bojkotit që ka vendosur me Kuvendin e Shqipërisë. Relatori i këtij projektligji, deputeti Pandeli Majko, theksoi se qeveria nuk duhet ta trajtojë këtë çështje si një punë të mbaruar dhe se duhet dialog i vazhdueshëm. “Për mua është një punë shumë e mirë e filluar. Nuk mund të them e mbaruar për të strukturuar marrëdhënien ligjore a të shtetit me këtë kategori sociale. Sigurisht që duhet një dialog në vazhdim me këta njerëz pasi ne akoma i shohim që protestojnë. Që do të thotë dialogu me ta duhet mbajtur në mënyrë permanente. Dëshiroj të përgëzoj ministrinë që në krye të listës në këndvështrimin e këtij ligji ka vënë kompensimin e të dënuarave gra”, – tha Majko. Nga ana e saj, ministrja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana Sula, paraqiti kriteret se si do të realizohet dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë. “Kompozuan një grup parësor në rend përfitues që përbëhet nga gratë të parat, të moshuarit mbi 75 vjeç, të moshuarit nën 75 vjeç ku veçojmë ata që janë të sëmurë të përcaktuar nga një akt nënligjor, ata që kanë fëmijë të mitur, dhe pastaj ata që janë nën 75 vjeç. Ndryshimi i dytë që propozojmë buron nga fakti që vetë lëvrimi i fondit brenda Ministrisë së Financave ka pasur disa shqetësime, përveç faktit që ka mijëra dosje që nuk kanë marrë asnjëherë asnjë këst”, – theksoi Sula.

 

Për rajonin/ Kreu i qeverisë: Kush i do më shumë shqiptarët, ka arsye për të qenë më i qetë

“Duke u kthyer tek rajoni, ne besojmë se është koha që shqiptarët të marrin një rol të ri. Është koha që roli i shqiptarëve të njihet si i tillë, duke, nga njëra anë, ne vetë qenë në lartësinë e atij neni Kushtetues të Republikës së Shqipërisë, që i imponon Qeverisë Shqiptare, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të çdo shqiptari kudo ku ai jeton dhe nga ana tjetër, duke bërë që ajo çka shqiptarët kanë bërë gjithë këto vite si faktori kryesor i paqes dhe stabilitetit në rajon, të triumfojë në opinionin ndërkombëtar, mbi imazhin negativ të krijuar mbi shqiptarët si njerëz të lidhur me krimin, si njerëz të lidhur me gjithë të këqijat e kësaj bote. Ne, këtë imazh do ta zhbëjmë. Ne do t’i themi botës me fakte, sigurisht dhe jo me rrahje gjoksi nacionaliste, se shqiptarët jo vetëm meritojnë të vlerësohen më shumë, por meritojnë të duhen më shumë dhe kush i do më shumë shqiptarët, sigurisht ka shumë më tepër arsye për të qenë i qetë dhe ka shumë më tepër arsye për të besuar se e ardhmja është më e sigurt. Kjo vlen për gjithë rajonin. Kjo vlen për gjithë Evropën, që ka lidhje me rajonin”, – tha Kryeministri Rama në prezantimin e punës së qeverisë një ditë më parë në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency