Korçë/ Aksidentohet në krye të detyrës gazetarja Enkelejda Skënderasi, humb jetën

0
161

Sonila Mesareja

Ngushëllime

Stafi i gazetës “STANDARD” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të koleges Enkelejda Skënderasi për humbjen e papritur të njeriut të tyre të zemrës! U prehsh në paqe Enkelejda!

 

gazetarja Enkeljeda SkenderasiKtheheshin nga aktiviteti në fshatin Panarit, makina rrëshket dhe përfundon 20 metra në greminë. Aksidentohen lehtë 3 kameramanë dhe shoferi

Aksidenti i ndodhur mesditën e djeshme ka tronditur komunitetin e gazetarëve në Korçë dhe gjithë vendin. Gazetarja e televizionit News 24 Enkelejda Skënderasi ka humbur jetën në një aksident rrugor, teksa ndodhej në krye të detyrës gjatë aktivitetit të “100-vjetorit të Panaritit” në Korçë. Ndonëse ditë e dielë, Enkelejda është nisur si çdo ditë me kolegët e saj për të pasqyruar për median ku punonte aktivitetin e 100-vjetorit të masakrës së ndodhur mbi popullësinë e Panaritit. Gazetarja, e cila mbulonte rrethin e Korçës, u aksidentua për vdekje teksa kthehej nga ky aktivitet së bashku me kolegë të tjerë, të cilët kishin shkuar për të transmetuar ngjarjen për publikun. Por, për fatin e saj të keq, misioni dhe jeta e saj e re janë ndërprerë në mes, teksa makina me të cilën korrespondentja 29-vjeçare dhe tre kameramanë të televizioneve të ndryshme po ktheheshin drejt Korçës, ka dalë nga rruga.

 

Ngjarja

Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 12:45 të së dielës në degëzimin e fshatit Panarit-Vithkuq, ku gjatë humbjes së kontrollit të automjetit të drejtuar nga Daniel Hyka (punonjës i Drejtorisë Pyjore në Korçë) fuoristrada me targa angleze K 679 EJM ka dalë nga rruga dhe ka rënë 20 metra në greminë. Gazetarja Enkelejda Skënderasi nuk ka mundur t’i mbijetojë dot plagëve të marra në kokë dhe ka humbur jetën rrugës për në spital, ndërsa operatorët dhe drejtuesi i automjetit kanë marrë dëmtime të lehta. Policia, e njoftuar për aksidentin, ka shkuar menjëherë në vendngjarje ku po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë.

 

Dëshmia

Pas ngjarjes, tepër i tronditur për çfarë ka ndodhur, operatori Reshit Dikolli tregoi momentin e aksidentit. Ai u shpreh se gazetarja Enkelejda Skënderi ishte ulur në vendin e parë të automjetit dhe në momentin e aksidentit e kishte vendosur rripin e sigurimit. “Shoferi kishte ndaluar sepse kishte dalë një makine tjetër përpara. Nuk ka qenë asnjë manovër e gabuar e shoferit. Ishim në malore dhe shoferi ndaloi. Enkelejda ishte ulur në vendin e parë, unë isha ulur mbrapa dhe kishte vendosur rripin e sigurimit por në momentin që makina u nis rrëshkiti nga zhavorri. Ne ramë poshtë dhe Enkelejda doli nga makina dhe u përplas në një shkëmb, ne e gjetëm jashtë të mbuluar në gjak, të pajetë”. Enkelejda Skënderasi ushtronte profesionin e gazetares prej vitesh dhe së fundi  punonte në televizionin News 24, ku raportonte lajmet që vinin nga qyteti i Korçës, vendin ku ajo kishte lindur, dhe ku tashmë do të prehet përjetësisht.

 

Peleshi: Jeta nuk u tregua e drejtë me Enkelejdën

Pas aksidentit të rëndë dhe lajmit të humbjes së jetës së gazetares 29-vjeçare, kanë reaguar në rrjetet sociale zv/kryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. “I paharruar kujtimi i gazetares së përkushtuar Enkelejda Skënderasi. E buzëqeshur dhe e gëzuar, kështu do të mbahet mend Enkelejda që punën e gazetares e bëri me pasion deri në ditën e fundit te jetës, por nuk u tregua e drejtë me të sot”, shkruan Peleshi në rrjetin social.

 

Panariti: I tronditur nga humbja tragjike e gazetares

“Jam shume i tronditur nga humbja e papritur tragjike dhe e parakohëshme e Enkelejdës, gazetares se palodhur dhe të talentuar te News 24. Pak minuta para aksidentit isha për herë të fundit me të në një prononcim për mediat në fshatin Panarit me rastin e 100 vjetorit të masakrës mbi popullësinë e këtij fshati në korrik 1914. Ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta familjes. Prehje në paqe shpirtit tënd të mirë. Lamtumirë”, shkruan Panariti në rrjetin social Facebook.

 

UGSH: Puna e Enkelejdës model i çmuar që meriton vlerësime

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të  gazetares së News 24 Enkelejda Skenderasi. “Lajmi për humbjen e jetës se koleges, ka hidhëruar gjithë gazetaret shqiptarë. Unioni i Gazetareve Shqiptarë në dhimbjen për humbjen e papritur të koleges Skënderasi, i shpreh familjes se saj, miqve dhe kolegëve të redaksisë së saj, ngushëllime. Për organizatën tonë puna dhe këmbëngulja profesionale e Enkelejdës janë modeli i çmuar dhe që meriton vlerësime”, shkruhet në një deklaratë nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

 

Kukës/ Gjendet arsenal armësh në kufirin Kosovë-Shqipëri

Një arsenal armësh është gjetur nga policia kufitare e Qafë-Morinit, pranë kufirit me Kosovën. Në një pyll, në vendin e quajtur “Borgu i Tropojës” rreth 1 km në afërsi të kufirit Shqipëri-Kosovë, policia ka gjetur dhe sekuestruar 2 mitraloza të rëndë, 30 predha antitank dhe disa fishekë model 56. Ndërkaq, policia po vijon të ushtrojë kontroll të imtësishëm në zonë.

 

Delvinë/ Armë e municione në një banesë, nisin hetimet

Një sasi municionesh është gjetur dhe sekuestruar ditën e djeshme në një banesë të vjetër në Delvinë. Nga kontrollet e ushtruara nga policia mësohet se janë gjetur dy arka me fishekë, një kallashnikov, një bombë. Sipas policisë së Delvinës, në banesën ku i gjetën armët nuk banon njeri, pasi pronari i shtëpisë prej 15 vitesh jeton në Greqi. Ndërkaq, materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit.

 

Krujë/ Arrestohet 27-vjeçari Tuçi, kapet me 3 kallëpe tritoli

Policia e Krujës ka arrestuar një 27-vjeçar pasi i janë gjetur dhe sekuestruar 3 kallëpe tritoli. Lënda plasëse i është sekuestruar në një lokal Alfred Tuçit në vendin e quajtur Rruga e Burrelit ne qytetin e Krujës. Mësohet se kontrolli i ushtruar në lokal është bërë nga ana e policisë pas një hetimi ndaj 27-vjeçarit Tuçi. Policia bën të ditur se hetimet Tuçin kishin filluar para 2 muajsh dhe dje gjatë zhvillimit të operacionit në ambientet e lokalit në vendin e quajtur rruga e Burrelit ne qytetin e Krujës ju gjetën 3 kallëpe lënde plasëse tritol me vete.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency