Kavajë/ U mbajt 8 muaj peng, lirohet sllovenja 29-vjeçare, në kërkim i dashuri

0
116

rrembimNjë 29-vjeçare sllovene dyshohet të jetë rrëmbyer dhe mbajtur peng për gati 8 muaj në një kompleks turistik në zonën e plazhit të Qerretit në Kavajë. Alarmi është dhënë nga INTERPOL ndërsa policia e Kavajës me t’u vënë në dijeni bëri lokalizimin e apartamentit, ndërhyrjen dhe lirimin e 29-vjeçares sllovene Mojca Vlado Jakop. Sipas policisë Jakop është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa në momentin që është raportuar gjetja e 29-vjeçares, në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe zv.ambasadorja sllovene e akredituar në Tiranë. Ndërkohë që policia, prej të enjtes ka shpallur në kërkim 46-vjeçarin Peter Petrovic Matliev, gjithashtu shtetas slloven, si autor i dyshuar i “heqjes së paligjshme të lirisë” në dëm të 29-vjeçares Jakop. Ngjarja është mbajtur e fshehtë për faktin se nga hetimet ka mospërputhje në disa momente të dëshmisë së 29-vjeçares dhe pritet me mjaft interes lokalizimi dhe arrestimi i Matliev për sqarimin e plotë të ngjarjes. Sipas burimeve Matliev dhe Jakop kanë hyrë bashkë në territorin e Shqipërisë dhe janë vendosur në një kompleks në Qerret prej 8 muajsh, ku për 7 nga të cilët nuk i kishin paguar qiranë e qëndrimit. Nga burime policore bëhet me dije se Jakop kishte dërguar një mesazh se mbahej kundër vullnetit në Shqipëri nga 46-vjeçari dhe kjo kishte alarmuar ambasadën sllovene dhe INTERPOL. Ndërsa banorët e kompleksit dhe tregëtarët e dyqaneve aty pranë mësohet të jenë shprehur për policinë se i kanë parë disa herë të dalin bashkë dhe nuk kanë krijuar asnjëherë dyshime se 29-vjeçarja mund të ishte e rrëmbyer apo e kërcënuar nga bashkëjetuesi i saj 17 vjet më i madh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency