Në Vlorë/ Basha: Demokratët do t’u dalin sërish zot sfidave të vendit, ADN-ja e PD-së, ndershmëria e liria

0
136

Gëzim Saliu

takimi ne Vlore, Basha “Ndryshojmë vendin, ashtu si 24 vjet më parë, kur shembëm komunizmin apo 10 vjet më parë, që larguam qeverisjen më të korruptuar të Evropës”

 Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje në kuvendin zgjedhor të kësaj partie në qytetin e Vlorës se demokratët do t’u dalin sërish zot sfidave të vendit ashtu si 24 vite më parë kur rrëzuan regjimin e diktaturës komuniste. Duke theksuar se në historinë e re të pluralizmit në Shqipëri, demokratët arritën të zëvendësonin sundimtarët dhe injorantët me intelektualë si edhe ndërmorën reforma të mëdha për vendin, kryedemokrati pohoi se e njëjta gjë kërkohet edhe në situatën aktuale pasi Shqipëria sipas tij kërkon të çlirohet nga delirantët dhe bota e krimit. “24 vjet më parë ne hodhëm diktaturën dhe shembëm komunizmin. Ne zëvendësuam sundimtarët dhe injorantët me intelektualët më të shquar. 10 vjet më parë ishim po ne demokratët që larguam nga pushteti qeverisjen më të korruptuar të Evropës me një elitë politike dhe intelektuale me staturë perëndimore. Shqipëria na ka kërkuar për punë të mëdha dhe ne e kemi nderuar sepse në ADN tonë politike qëndrojnë ndershmëria aftësia dhe liria. Kohët kanë ndryshuar por sfidat mbeten të njëjta. Dëgjojmë jehonën e vendit që thërret për ndihmë, na thërret ta shpëtojmë nga sundimtarët, nga depresivët, nga delirantët dhe nga bota e krimit”, – tha Basha.

 

Zgjedhjet në PD

Për kryetarin e demokratëve, nisur nga sfidat që ka vendi dhe domosdoshmëria e përballjes me to, zgjedhjet brenda partisë më të madhe opozitar kanë një rëndësi parësore. Sipas Bashës, zgjedhjet në PD shërbejnë për të transformuar profilin e lidershipit kombëtar. “Vendi kërkon dhe njëherë të mbështet në forcën, ndershmërinë dhe vlerat tona. Ja pse këto zgjedhje kanë rendësi kapitale. Ne nuk po zgjedhim thjesht disa kryetarë por një sistem që do të transformojë përfundimisht profilin e lidershipit kombëtar”, – deklaroi ai. Ndërkaq zgjedhjet për kreun e PD-së në degën e Vlorës shkuan në balotazh, pasi asnjë nga kandidatët që konkurroi nuk mundi të siguronte 50% të votave. Balotazhi u vendos mes Moisi Meminajt dhe Valbona Mezinit e ndërsa Lorenc Danaj u rendit në vendin e tretë dhe Hysni Sharra në vend të katërt. Në zgjedhjet për drejtuesin e ri të degës së Vlorës ishin në garë gjithsej 14 kandidatura, ku nga 499 delegatë votuan 470 prej tyre. Përkatësisht votimet në këtë degë ishin: Moisi Meminaj123 vota, Valbona Mezini 87 vota, Lorenc Danaj 81 vota, Hysni Sharra 73 vota. Procesi i zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike përmes parimit një anëtar një votë si edhe regjistrimi dhe riregjistrimi i gjithë anëtarësisë në shifra reale dhe jo fiktive janë cilësuar si një risi me ndikim për të ardhmen e forcës më të madhe opozitare. Sipas kreut të demokratëve zgjedhje e drejtuesve të rinj nga anëtarësia përbënë një model për zgjedhjet e lira dhe të ndershme ku përmes votës së lirë zgjidhen njerëz me integritet, përgjegjshmëri dhe alternativë të qartë për ringritjen, hapjen dhe ribashkimin e PD-së. Nesër me votimin në degën e Shkodrës, partia Demokratike përmbyll procesin e zgjedhjeve të brendshme, duke veçuar vetëm degën e Tiranës, e cila për shkak të zgjatjes së fazës së anëtarësimeve, do të kërkojë pak më shumë kohë. Pas përfundimit të këtij procesi, PD do të mbledhë Kuvendin Kombëtar që do të zgjedhë më pas Këshilli Kombëtar, organin që do të përcaktojë ekipin e ri drejtues të forcës më të madhe opozitare.

 

 Zgjedhjet e Vlorës/ Çollaku: Pati garë të fortë e me dinjitet, PD në proces rinovimi e modernizim në të gjithë vendin

Ish-zv.ministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Çollaku, e ka cilësuar një garë të fortë, plot dinjitet, votimin për kreun e PD-së në Vlorë. Nga konferenca e PD-së në Vlorë, Çollaku theksoi se Partia Demokratike është në proces rinovimi e modernizimi në krejt Shqipërinë. Sipas tij, mekanizmi i votës së lirë funksionon dhe jep rezultate spektakolare. “Nga konferenca e PD Vlorë… një garë e fortë e bukur plot dinjitet. Nga 490 delegatë, marrin pjesë në votim, 478. Kalojnë në balotazh dy kandidatët më të fortë, njëra zonjë. Kryesia e re e rinovuar me 80%. Një skuadër e re cilësore plot reputacion publik. Një frymë e re e moderne në drejtimin e PD Vlorë. PD në proces rinovimi e modernizimi në krejt Shqipërinë. Mekanizmi i votës së lirë funksionon dhe jep rezultate spektakolare!”, – shkruante Çollaku në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”.

 

 Zgjedhjet në Dibër/ Kaleci zgjidhet kreu i ri PD-së: Jemi parti e fjalës së lirë dhe e alternativës

Në degën e Dibrës, përmes votimi një anëtar një votë është shpallur kryetar Rahim Kaleci. Ai ka mundur të fitojë vetëm në raundin e dytë të votimeve, duke marrë votat e 171 delegatëve nga 345 gjithsej. Në balotazh Rahim Kaleci shkoi së bashku me kandidatin tjetër Premtim Kryemadhi, i cili mori 165 vota. Për Kalecin kjo është hera e dytë që vjen në krye të PD së Dibrës, pas mandatit të mbajtur 4 vjet më parë. “Marrja e këtij mandati është një besim, por edhe një përgjegjësi shumë e madhe për të ardhmen. PD dhe dega e saj ka sfida të mëdha për të përballuar për të ardhmen. Detyra jonë është të mbrojmë qytetarët dibranë përpara paligjshmërisë. PD është partia e fjalës së lirë, e alternativës”, – deklaroi ai.

 

 Ngjarjet në Shkup/ MPJ-ja maqedonase, notë proteste ambasadorit të Shqipërisë dhe Kosovës

Pas takimeve disaorëshe, Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme u dorëzoi dje notë proteste ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës në Shkup, ku gjykoi deklaratat e zyrtarëve shqiptarë lidhur me zhvillimet në Maqedoni, si dhe ndezjen e flamurit maqedonas në Kosovë. Në komunikatën zyrtare të Ministrisë së Jashtme maqedonase, deklaratat e dhëna nga zyrtarët shqiptarë janë vlerësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. “Ambasadorëve të këtyre dy vendeve u tërhoq vërejtja se qëndrime dhe interpretime me të cilat vendoset në pikëpyetje funksionimi i shtetit juridik dhe veprimi i gjyqësorit si pushtet i pavarur në Republikën e Maqedonisë – si dhe vlerësime politike nga ana e përfaqësuesve të lartë politikë – nuk kontribuojnë në kultivimin e marrëdhënieve konstruktive, pozitive, miqësore dhe ndërfqinjësore. Deklaratat e tilla mund të interpretohen si përzierje në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë dhe nuk janë në drejtim forcimit të besimit të ndërsjellë dhe fqinjësisë së mirë”, – thuhej në komunikatën e Ministrisë së jashtme maqedonase e cila vjen një ditë pas deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili tha se faji për protestat e shqiptarëve në Shkup qëndron te mosimplemenetimi i Marrëveshjes së Ohrit. Në të njëjtën komunikatë thuhet se ambasadorit të Republikës së Kosovës i është dorëzuar notë proteste me të cilën ashpër dënohet siç thuhet, akti vandal, ndezja e flamurit maqedonas para Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë, me të cilin akt ofendohet thellë dinjiteti i Republikës së Maqedonisë. Prej disa ditësh, shqiptarët në Shkup, por jo vetëm, janë ngritur në protesta në shenjë revolte kundër arrestimeve të kryera nga policia mbi shqiptarët e akuzuar për vrasjen e 5 të rinjve. Protestuesit i kaci cilësuar arrestimet si shprehje të dhunës raciste mbi shqiptarët.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency