Prokuroria/ Tjetërsim trualli dhe pronësie fiktive, në Gjykatë 7 zyrtarët e Komunës Shëngjin

0
162

Anxhela Tato

shengjin kuneRegjistruan tokën kënetore në bujqësore, duke ua kthyer ish-pronarëve në mungesë dokumentacioni dhe studimi topografik

 Hetimet, shumica e këtyre pronave, pasi janë regjistruar, u janë shitur personave të tretë

 Shndërruan kënetën në tokë bujqësore me pretendimin e kthimit ish-pronarëve, në mungesë të dokumenteve. Dosja ndaj katër zyrtarëve të Shëngjinit, përfshirë drejtorin e Mbrojtjes së Tokës, është depozituar tashmë në Gjykatë nga ana e akuzës. Ndërsa pritet hedhja në short, nga ku do të caktohet trupa gjykuese dhe relatori. Prokuroria ka dërguar të pandehur shtatë persona, të cilët janë katër zyrtarë lokalë dhe tre topografë, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”. Ata akuzohen se nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, kanë shndërruar tokën kënetore në zonën turistike të Kunes, në Shëngjin, në tokë bujqësore dhe ua kanë shpërndarë disa banorëve (në dokumente kanë shënuar se këto prona u janë kthyer vite më parë, por realisht dokumentet janë bërë tani, pasi në atë zonë nuk ka pasur asnjëherë tokë bujqësore). Gjithsesi, këta banorë, të cilët janë bërë “pronarë” me dokumentet e hartuara nga këta shtetas, kanë nisur ta mbushin me inerte për t’i justifikuar si toka bujqësore ose troje për ndërtim. Këto prona, pasi u janë shpërndarë banorëve, një pjesë u janë shitur të tretëve, duke krijuar në këtë mënyrë një seri shkeljesh ligjore.

 

Dosja

Në këtë çështje, fillimisht ka qenë si person nën hetim edhe shtetasi Salvador Kaçaj, me funksion kryetar i Komunës Shëngjin. Në përfundim të këtij hetimi, Prokuroria e Lezhës pushoi hetimin ndaj tij, pasi nuk u evidentuan shkelje penale nga ky zyrtar. Hetimi provoi se shtetasi Shan Gërdhati, nëpërmjet falsifikimit, ka nënshkruar në emrin e kryetarit të Komunës në disa prej dokumenteve, objekt hetimi. Kjo është provuar nëpërmjet ekspertizës përkatëse të firmave që gjenden në dokumentet e falsifikuara. Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit, për të cilët është dërguar kërkesa për gjykim, duke kryer veprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrës shtetërore dhe duke falsifikuar dokumente, kanë arritur të shpërndajnë si toka bujqësore dhe më pas të regjistrojnë në ZRPP Lezhë, toka që ndodhen në zonën turistike Kune, Shëngjin, në hapësirat kënetore të cilat janë toka pa fryt apo liqene e këneta. Si rrjedhojë, përfituesit e këtyre pronave kanë vendosur kufijtë në këtë hapësirë kënetore dhe kanë filluar të sjellin inerte për t’i kthyer këto sipërfaqe kënetore në shesh ndërtimi. Këto pasuri të regjistruara në mënyrë të kundërligjshme janë regjistruar në parcelat me nr. 14, 47 dhe 12, që i përkasin zonës kadastrale nr. 1987.

 

Falsifikimi

Aktet e marrjes së tokës në pronësi janë plotësuar kohët e fundit për llogari të viteve të mëparshme. Këto akte janë lëshuar me numër me fraksion, si shtesë tapie. Më pas, këto dokumente janë përpunuar, konfirmuar dhe nënshkruar në kundërshtim me ligjin nga Komuna Shëngjin. Të gjitha këto akte janë hartuar me data të mëparshme, si dhe nuk mbajnë numra protokolli apo nëse i kanë, janë të paqena apo të paregjistruara në librat e protokollit të Komunës dhe më tej janë vulosur me vulën e Komunës Shëngjin. Megjithatë, ka raste qe edhe vulat janë falsifikuar. Këto praktika të paligjshme dokumentesh janë paraqitur pa protokoll tek sektori i Mbrojtjes dhe Administrimit të Tokës, në Qarkun Lezhë, ku pasi janë konfirmuar, janë dërguar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila i ka regjistruar dhe ka lëshuar certifikata pronësie. Vlen të theksohet se edhe afishimi publik i fillimit të regjistrimit fillestar të këtyre pronave, është bërë fiktivisht dhe pa u protokolluar apo regjistruar. Nga ana tjetër vetë shtetasit që janë pajisur me tokë nuk kanë dijeni se ku ndodhet kjo pasuri (të cilat janë të përmbytura nën ujë), si dhe nuk kanë caktuar asnjë topograf për matjen e tokës. Shumica e këtyre pronave, pasi janë regjistruar, janë shitur tek të tretët.

 

Lista e të pandehurve

 Shan Gërdhati, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, i hetuar me masë sigurimi “Arrest ne burg”, në mungesë

Agustin Gjini, me detyrë shef i Arshivës dhe Protokollit, i hetuar me mase sigurimi “Arrest në burg”, në mungesë

Nikoll Prelaj, me detyrë ish-kryetar i fshatit Ishull-Shëngjin, i hetuar me mase sigurimi “Arrest në burg

Fran Licaj, me detyrë shef i sektorit të Kadastrës, pranë Komunës Shëngjin, i hetuar me masë sigurimi “Arrest në burg”

Avdi Mali, me detyrë topograf, i hetuar në gjendje të lirë

Luigj Paloka, me detyrë topograf, i hetuar me masë “Detyrim paraqitjeje”

Diella Marku, me detyrë topografe, e hetuar me masë sigurimi “Detyrim paraqitjeje”

 

Lazarat/ Maskohej si polic dhe grabiste banesat, pranga autorit

Maskohej si efektiv policie për të vjedhur në banesat e Lazaratit, arrestohet autori. Operacioni është kryer dje në mëngjes në qendër të Gjirokastrës nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Tiranës. Agim Avdyli dyshohet se bashkëpunonte me një person tjetër për të kryer grabitjet, për të cilat më pas fajësoheshin forcat e policisë se gjatë aksionit në Lazarat bastisnin shtëpitë. Ndërkaq, mësohet se aksioni po vijon ende.

 

Interpol/ I dënuar në Itali për trafik droge, pranga 36-vjeçarit

 Sektori i Forcës Operacionale në policinë e kryeqytetit dje, rreth orës 13:20, në zonën e Unazës së Re, Tiranë,  bëri të mundur kapjen e personit të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, Ilir Malaj, 36 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë. Nga policia bëhet e ditur se 36-vjeçari Malaj rezultonte i shpallur në kërkim nga Zyra Qendrore e Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, pasi Gjykata e Triestes në Itali e ka dënuar me 8 vjet, 4 muaj e 10 ditë burg. Vendimi i gjykatës italiane është marrë më 15 maj 2005 për veprën penale “Pjesëmarrje në trafik droge”. Mësohet se ndaj 36-vjeçarit Malaj do të vijojnë procedurat me qëllim ekstradimin drejt shtetit Italian.

 

Bulqizë/ Hidhet nga kati i 4-t, në gjendje të rëndë 27-vjeçari

 Një 27-vjeçar është hedhur nga kati i 4-t i banesës ku jetonte në Bulqizë, për shkaqe që nuk dihen ende. I riu Afrim Totraku mësohet se është plagosur rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Bulqizës, ndërkohë që 27-vjeçari do të dërgohet drejt Tiranës për të marrë ndihmën mjekësore. Ndërkaq, policia e mbërritur në vendngjarje kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të shkaqeve që çuan të riun drejt këtij veprimi.

 

Fier/ Tenton të përdhunojë kushërirën, pranga 35-vjeçarit

Tenton të përdhunojë kushërirën, pranga 35-vjeçarit. Ngjarja ndodhi në fshatin Peshtan i Madh në Fier, kur i riu Fredi Xh. tentoi të kryente marrëdhënie me të afërmen e tij. Kanë qenë britmat e kësaj të fundit që kanë evituar ngjarjen. Sipas Policisë, 20-vjeçarja M.Xh është paraqitur për këtë ngjarje që të kryejë kallëzim. Vajza ka deponuar se kishte qenë duke biseduar normalisht me kushëririn e saj kur ai tentoi të kryente marrëdhënie me forcë. Ajo e ka kundërshtuar dhe ka bërtitur, çka e ka detyruar të riun të tërhiqet nga frika se do të merrej vesh. Ndonëse akti nuk është realizuar, 20-vjeçarja ka vendosur ta kallëzojë atë në polici për këtë veprim.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency