Reforma/ Mbyllet një pjesë e universiteteve publike dhe private, rriten tarifat për studentët

0
130

Driçim Çaka

indexNjë agjenci ndërkombëtare do të bëjë një vlerësim të të gjitha universiteteve, që do të përfundojë në muajin dhjetor

Reforma në arsimin e lartë do të ndryshojë rrënjësisht sistemin arsimor. Duke filluar nga struktura e universiteteve, skema e financimit dhe deri te studentët, të cilët përveçse do të mbështeten nga shteti me kredi, do të paguajnë tarifa më të larta. Prezantimi i raportit përfundimtar për reformën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor u bë dje nga Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe përfaqësuesit e komisionit që hartuan draftin. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një “furtunë” në të gjitha universitetet, private dhe publike. Sipas Kryeministrit, në dhjetor agjencia Enka do të përfundojë rankimin dhe akreditimin e të gjitha universiteteve, një pjesë e të cilave mund të mbyllen, nëse nuk plotësojnë kriteret. “Një ndër agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare, që ka filluar punën përgatitore, për të bërë një vlerësim të të gjitha universiteteve, që do të përfundojë në muajin dhjetor. Besoj që nuk them asgjë të re, por mbase mund të tingëllojë si e tillë, sepse përgjithësisht preferohet të mos thuhet, që duhet të jemi të përgatitur në dhjetor, të kemi një rezultat të ngjashëm me Maturën Shtetërore për universitetet, në mos edhe më tronditës”, – tha Kryeministri Rama.“Reforma i jep fund “atij të nënës dhe atij të njerkës”. I jepet fund qasjes së arsimit si mall që blihet. Akreditim për të gjithë pa përjashtim. Edhe nëse një publik nuk i plotëson kushtet, nuk do të jetë më. Nuk mund t’ia punojmë pas shpine siç i është punuar për vite të tëra gjeneratës tjetër, sepse kjo është tradhti kombëtare dhe do t’i japim fund me çdo çmim”, – theksoi Kryeministri.

 

Reforma

Reforma në arsimin e lartë do të sjellë në ndryshim rrënjësor edhe në strukturën e universiteteve, duke filluar që nga departamentet deri te bordet që krijohen me draftin e ri. “Departamenti merr më shumë autonomi, vendimmarrja kalon përmes departamentit si njësi bazë. Rritet përfaqësimi i studentëve, madje propozohet që Agjencia e Sigurimit të Standardeve çdo tre vjet të realizojë vrojtimin studentor. Por deri këtu: Studentët do të studiojnë dhe Senati do të marrë kompetenca të forta dhe të qarta së bashku me një bord administrativ, i cili duhet të marrë përgjegjësi për të garantuar të gjitha politikat që vendosen dhe bordi do të marrë përgjegjësi ligjore, jo morale, në rast se dështon financiarisht bordi. Kemi më shumë borde sesa ndërmarrje. Bordi në universitet duhet të marrë kompetencën që të vendosë për financimin, por të mbajë përgjegjësinë. Senati, instancë e miratimit të të gjitha çështjeve strategjike që kanë të bëjnë me ecurinë akademike”, – përmendi Rama. Për ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, reforma nuk sjell cenimin e autonomisë së universiteteve. “Kjo reformë e sheh universitetin nga sytë e studentit. Duam që universitetet të dalin nga gjumi letargjik dhe të kërkojnë një autonomi. Kam dëgjuar kritikat që kanë dalë gjatë kësaj kohe, por dua të them se kjo reformë nuk cenon autonominë”, – tha Nikolla. “Për herë të parë sugjerohet që tarifat dhe shpenzimet e studentëve në nevojë të mbulohen plotësisht nga shteti në nivelin Bachelor, gjithashtu të mbështetet edhe studenti që vjen nga shtresa në pamundësi ekonomike, nga familje që me mund e sakrifica shohin te formimi i të rinjve mënyrën më të shëndetshme për të investuar ato pak të ardhura, të vëna mënjanë me mund ndër vite”, – tha ministrja e Arsimit dhe Sportit. Ndërkohë, Kryeministri theksoi se bursa do të ketë edhe për ata studentë që do të ndjekin programe të caktuara, për të cilat vendi ka shumë nevojë.

 

Drafti i plotë/ Tri llojet e bursave që do të përfitojnë studentët, ulen kuotat e pranimit

Studimet part-time nuk do të mbyllen, por do të reformohen. Anglishtja, jo kusht për master. Skema e financimit me tri grante të ndryshme

Drafti përfundimtar për reformën në arsimin e lartë parashikon tri grante financimi. I pari është granti i politikave të zhvillimit të arsimit të lartë. Ky grant është shumë i rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë të vendit dhe jepet vetëm për IAL-të publike. MAS-i, në bazë të politikave të saj, përcakton përparësitë për këtë grant dhe e shpërndan atë mbi bazën e aplikimit apo të përparësive strategjike të zhvillimit të vendit. MAS-i përcakton përparësitë dhe termat e shpërndarjes së këtij granti (“guidelines”). Gjithashtu, MAS-i përcakton edhe mënyrën e shpërndarjes dhe formën e aplikimit. Masa e financimit ndryshon mbi bazën e përparësive të çdo qeverie. Shpërndarjen e këtij granti e bën Agjencia Kombëtare e financimit (AKF). Ky grant jepet edhe për mbështetjen e logjistikës/infrastrukturës mësimore- shkencore.

 

Granti i mësimdhënies

Ky grant përbën pjesën kryesore të mbështetjes nga shteti për arsimin e lartë dhe mbulon të paktën 60% të financimit shtetëror në arsimin e lartë. Ky grant përbëhet nga:

-Fondi institucional

-Fondi i mbështetjes studentore

Fondi institucional: Fondi institucional u jepet IAL-ve publike, i përllogaritur në bazë të numrit të studentëve që ndjekin ciklin e parë të studimeve, drejtimin e programeve studimore, si edhe numrit të personelit akademik. Ky fond garanton funksionim bazë të IAL-ve publike. Formula që përdoret, merr parasysh numrin e plotë të studentëve të ciklit të parë të pranuar në vitin paraardhës; treguesit e rëndësishëm të raportit student/pedagog; cilësinë e diplomave të lëshuara; logjistikën e vlerësuar të mësimdhënies.

Fondi i mbështetjes studentore: Ky fond është i përbërë nga tre zëra financimi: bursat e studimit për studentët e shkëlqyer, bursat për studentët më të mirë në programet parësore të studimit, si edhe bursat sociale:

• Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer u jepen studentëve me rezultatet më të larta në nivel kombëtar, pavarësisht nga programi i studimit dhe IAL-së publike ose jopublike, të përzgjedhur prej tyre.

• Bursat për studentët në programet parësore u jepen studentëve që zgjedhin programet parësore në IAL-të publike. Sipas rastit, bursat mund të përfitohen nga të gjithë studentët e një programi parësor ose nga studentët më të mirë që zgjedhin programin, pavarësisht se në shkallë kombëtare nuk klasifikohen si studentë të shkëlqyer.

• Bursat sociale u jepen të gjithë studentëve që përmbushin kriteret e kategorisë “në nevojë” dhe janë shpallur fitues në IAL-të publike.

Granti i punës Kërkimore-Shkencore. Ky grant është shumë i rëndësishëm për të nxitur punën kërkimore-shkencore dhe ka munguar deri diku në sistemin e arsimit të lartë në vend. Ky grant është i hapur për të gjithë IAL-të në vend. Jepet për punën shkencore (përfshi doktoratat), ku përfitojnë si IAL-të publike edhe ato jopublike.

 

Tarifat e studentëve

Deri tani këto tarifa kanë qenë minimale dhe, si të tilla, nuk përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të të ardhurave të IAL-ve publike. në të ardhmen, komisioni vlerëson si të pashmangshme rritjen e kontributit të tarifave të nivelit Bachelor në buxhetin e IAL-ve. Shteti për këtë nivel studimi është i detyruar të vendosë një tarifë tavan, bazuar në studimet e detajuara të tregut, mbi bazën e mundësisë së çdo familjeje për të përballuar të ardhurat e arsimimit të lartë. Tarifat e studimeve në IAL-të publike përcaktohen prej tyre. Niveli maksimal i tarifave të studimeve për programet e ciklit të parë caktohet me vendim të Këshillit të ministrave. Qeveria, gjithashtu, duhet të nxitë mobilizimin e financave nga burime alternative, si nga projektet evropiane të kërkimit dhe të inovacionit dhe bashkëpunimet dypalëshe. Kjo do të rrisë edhe bashkëpunimin ndërkombëtar të institucioneve tona. Qeveria, gjithashtu, duhet ta shohë si parësore dhënien e shërbimeve dhe konsulencave institucioneve të arsimit të lartë, dhe këto duhet të kenë përparësi në krahasim me organizmat e tjerë në treg.

 

Programet e studimit

Aktualisht, sot në Shqipëri ka 59 IAL, nga të cilat 15 publike dhe 44 jopublike. Në këto institucione ofrohen gjithsej 1560 programe studimi, nga të cilat 725 ofrohen nga IAL-të publike dhe 835 nga ato jopublike. Drafti i ri sugjeron një sërë ndryshimesh duke filluar që nga numri i studentëve. “Numri i studentëve për çdo program studimi dhe IAL të përcaktohet mbi bazën e kapaciteteve akademike e infrastrukturore, si edhe të rikonceptimit të ngarkesës së personelit akademik. është e rëndësishme që në këtë kuadër të zbatohen standardet ndërkombëtare. Për çdo cikël studimi të IAL-ve publike të përcaktohen programet e studimit që do të financohen nga buxheti i shtetit si parësore dhe të domosdoshme për zhvillimin strategjik të vendit, si edhe kufijtë e kuotave përkatëse të studentëve, që do të financohen për këto programe. IAL-të publike, mbi bazën e kapaciteteve akademike dhe infrastrukturore, mund të ofrojnë programe të tjera studimi, mbështetur në studimin e tregut të punës dhe në vendosjen e tarifave të shkollimit brenda vlerave dysheme dhe tavan të përcaktuara nga shteti. nëse për hapjen e këtyre programeve kërkohet financim shtetëror, atëherë këto programe duhet të miratohen, përpos MAS-it, edhe nga Agjencia Kombëtare e financimit”, – thuhet në draftin për arsimin e lartë.

 

Master dhe part-time

Ofertës formuese të ciklit të tretë të studimeve i shtohet masteri i ciklit të tretë (master ekzekutiv). Kjo dallon kualifikimin e kryer pas programeve të ciklit të dytë. Ky master ka kohëzgjatje 1 ose 2 vite akademike, me 60 deri 120 kredite ECTS. Hapja e këtij masteri do të përmirësojë ofertën formuese universitare e, në mënyrë të veçantë, atë të ciklit të tretë. Kohëzgjatja e masterit profesional është 1 vit akademik dhe organizohet me 60 kredite ECTS, për t’u dalluar qartë nga masteri i shkencave. Programet e ciklit të 2-të dhe të 3-të, me përjashtim të masterave profesionalë dhe ekzekutivë, duhet të kenë përbërës kërkimorë-shkencorë dhe të mbështeten me infrastrukturën e nevojshme, si kusht për hapjen e këtyre programeve. pjesë integrale e këtyre programeve janë edhe tezat e masterit e të disertacionit sipas fushave përkatëse. Programet e studimit të ciklit të 2-të dhe të 3-të të financuara nga shteti si parësore për politikat zhvillimore dhe strategjike, duhet të zbatohen dhe të mbikëqyren rreptësisht.

Të reformohet sistemi i studimeve part-time, duke e orientuar vetëm në formimet profesionale të nivelit diplomë profesionale 1-2 vjeçare, master profesional dhe master ekzekutiv. Sistemi “part-time” nënkupton shtrirjen në kohë të procesit të mësimdhënies të sistemit me kohë të plotë, por jo më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes së këtij të fundit, duke garantuar të njëjtën cilësi formimi. Gjithashtu, ai parashikon gjatë kësaj periudhe kohore edhe kryerjen e së njëjtës ngarkesë mësimore, si edhe të sistemit me kohë të plotë.

Të hiqet detyrimi ligjor i mbrojtjes vetëm të gjuhës angleze si kusht për fitimin e diplomës “Master i Shkencave”. Për fillimin e studimeve të ciklit të dytë në formimin “Master i Shkencave” me dy cikle ose me cikël të integruar apo për fillimin e studimeve të ciklit të tretë, studentët duhet të kenë mbrojtur, në përputhje me standardet ndërkombëtare, një nga pesë gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian me zgjedhjen e tyre të lirë (anglishte, frëngjishte, gjermanishte, spanjishte ose italishte). Standardet ndërkombëtare janë të njësuara në plan kombëtar dhe përcaktohen nga MAS në bashkëpunim me institucionet zyrtare të vendeve përkatëse.

 

Si do të funksionojë organizimi i studentëve

Organizimi studentor duhet të marrë një rëndësi të veçantë për çdo IAL. IAL-ja është përgjegjës për krijimin e kushteve të nevojshme logjistike dhe financiare për organizimin e studentëve. Studentët duhet të përfaqësohen në një numër të caktuar Komisionesh të përhershme brenda IAL-së që merren me çështjet e tyre të drejtpërdrejta. Sipas natyrës së komisionit, studentët mund të kenë deri në një të tretën e anëtarësisë. Komisioni sugjeron futjen e mbledhjes së përbashkët të personelit akademik dhe të studentëve në nivel departamenti. në këto mbledhje trajtohen çështjet e studentëve për çdo program. Çdo program përfaqësohet me dy studentë. Rekomandohet që çdo program studimi të zhvillojë në fund të vitit pyetësorin studentor për cilësinë e mësimdhënies. Ky pyetësor është një tregues i rëndësishëm i cilësisë së mësimdhënies dhe shërben si referencë për matjen e performancës së departamentit. Komisioni, gjithashtu, sugjeron që ASCAL-i të organizojë çdo tre vjet vrojtimin studentor për çdo IAL/Departament, i cili bëhet publik dhe merret parasysh në vlerësimin e cilësisë së mësimdhënies së çdo IAL-je

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency