1948, Letër Kapedanit/ Rrëfimi i Krujës: Si dështoi grupi i Shkodrës për t’u bashkuar me dy partitë e mërgimit kundër Enverit

0
126

shkoderKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit të disa letrave, së pari me letërkëmbimin e Krujës me familjen Gjonmarkaj dhe kryesisht, siç do ta shohim në këtë vëllim, me kapedanin e Mirditës, Ndue Gjonmarkun, figurë e mirënjohur historikisht e Derës së Gjonmarkajve të Mirditës, që udhëhoqën luftën ma të vendosun antikomuniste të krahinës në fjalë e ma vonë e shtrin në tanë territorin e Shqipnisë.

“Çfarë përfytyrimi i kthjellët i s’ardhmes, çfarë idili shpirtëror me thelbin e atij përfytyrimi, çfarë besimi në fuqinë e së mirës që strehohet në thellësitë e pafund të shpirtit të popullit që jeton në një letargji të përkohëshme, thellësi të depërtueshme vetëm nga njerëz të mbrujtun me aftësinë për të parë larg, përtej horizontit të një epoke të përflakur nga ngjyra e gjakut! Prej saj burojnë ëndrrat më frymëzuese dhe përkunden shpresat më të guximshme për sendërtimin e s’ardhmes, edhe se errësira mbulon gjithshka”, – shkruhet mbi këto letra në parathënien e vëllimit të parë. Ndërsa vetë Kruja do të shprehej: “…Në pjesën mâ të kulluet, aty ku ndërgjegja ndritë si pasqyrë xhixhilluese, t’a ngrehim Idén e nji Shqipnije e cila për secilin prej nesh të ketë fytyrën e zêmrën e nânavet tona, edhe të jetë ngushllimtare, dashunore e e adhurueshme, por sidomos e drejtë kundrejt të gjithë të Bijve në të dám të hirevet e të miradinavet të veta..”. Ky profil i Shqipërisë, asaj të ëndërruar artikulon në letrat e Krujës jo vetëm mendimin e hapur, pa pasione politike, pa urrejtje e mllefe, por për të zënë vend si një shtet i lirë, e përcjellë vlerat qenësore të kombit.

Në letrat e mëposhtme Kruja jep panoramën e përpjekjes për t’u bashkuar dhe propozuar perëndimorëve një fuqi, që do të bënte të mundur rrëzimin e pushtetit të Enver Hoxhës. Por siç vjen atmosfera nga dy letrat, Kruja me hidhërim i referohet historisë se si ka dështuar gjithnjë politika e krijimit të partive, dhe përpjekja për t’u bashkuar.

 

***

Alexandrie, 30.VI.1948      

Fort i dashuni Kapidan,

 Po u përgjigjem njiherit të dy letravet qi kam marrë prej teje e prej Ndoit. Ju falem nderës të dyve për to, se kam pasë çka me lexue. Më dukej se po kuvês me jue gojë me gojë tue qitë mallin qi më ka marrë.

Këto dit ka qênë këtu edhe Ernesti e kemi bisedue gjân e gjatë. Kur kaloi këndej për Kajro qênka ndalë vetëm nji natë e s’e ka qitë rasa me u pjekë me kurrkênd veç Ali Klisurës e, më duket, Koço Mukës qi e paskan marrë vesht gând e paskan shkue e u pjekë me tê. Tash erdh nga Kajro e u pá me të gjithë. Lajmet e atyshme i mora vesht fill e për pê prej tij. Vûna oroe se mendimet e tija përputhen me sa më shkruente Ndoi në letrën e mbrame. Nuk janë mendime të këqija. Vetëm se mue më duket qi lypin kohë për me u vû në zbatim. Mirpo ndodhít e botës me të cilat âsht lidhun fat’i ynë s’i kemi na n’dorë qi t’i ndalim për me na pritë deri qi t’mërrijë breshka e jonë atje ku duhet. Kam thânë gjithmonë qi duhet sa mâ parë nji bashkim për me u gjindun gati për çdo gjâ qi mund të gjajë e papritun. Se për ne çdo gjâ qi mund të gjajë, e papritun ka me qênë, mbasi s’jemi na qi i kemi n’dorë çelsat e ndodhive të botës. Qe, p.sh., kush e kishte mendue se Tito do t’i binte ndesh Stalinit e do të krijonte bash te portat e vêndit t’onë nji situatë qi sod âsht ende tepër heret për me parapá me saktësí se si ka me u zhvillue? Ka rasa në të cilat njeriu duhet të mendojë gjatë, por ka edhe asosh kur duhet të presë shkurt e të veprojë para se t’i dalë zogu doret.

Shpesh herë ndodh qi nji tregtar lakmues e ruen nji mall për me e shitun kur t’i ketë hypë çëmimi në qiell e kështu me fitue njimijë për qind. Nga nji herë bâhet si ka mendue ai, por shpesh ndodh edhe qi malli të kalbet në magaze ase t’i bjerë çëmimi aqë poshtë sa mos me mujtë me xjerrë as gjysën e kapitalit. Un tregtí s’kam bâ kurrë. Por mbaj mênd nji fakt politik në jetën t’eme qi ka nji farë përgjasimi me punët e soçme. Në 1921 ishin dý partí në parlamentin t’onë: Popullorja edhe Përparimtarja. Ndërmjet këtyne ishte dhe grupi i deputetënve të Shkodrës me të cilin ishem i bashkuem edhe un. Na porsa hŷmë në parlament u mblodhëm ndër veti edhe venduem kështu: “ Të dý partít, thamë, janë baras me fuqí e asnjâna s’mundet me formue nji qeverí vetëm e të dyja bashkë s’piqen kurrë. Kanë me pasë pra nevojë të domosdoshme për ne si njâna ashtu tjetra për me bâ shumicë. Prandej po rrijmë e presim mbë veti pa u bashkue as me njânën anë deri qi të na vijë uji në mullî t’onë qi t’a shesim vetin shtrênjt”.

E besa boll na lutën në fillim edhe Popullorja e Përparimtarja, por për me u bashkue me to në nji partí e jo për me formue qeverín nji herë. Mirpo na jo, e kishim dá me ndêjë mbë veti, se kështu do të na bite mâ mirë! E shka ndodhi mbandej? Ndodhi nji fakt i papritun në parlament qi na shtŷni ne padeshtas me u hjedhë në gjî të Përparimtares pa na e dijtun kurrkush për nderë. Na qi dojshim t’a shesim vetin shtrêjt e shitëm për pesë pare! E ku? Ke Përparimtarja qi s’dojshim me e pá me sŷ.

Un qi i kam jetue vetë këto fakte i mendoj shpesh edhe thom se kot bân politikë kush nuk din me marrë mësime prej historís. Me gjithë këtê ky âsht nji mendim personal, si edhe ai tjetri qi shfaqa mâ para për ndodhít e botës. E ndoshta un jam i gabuem. Ju aty jeni bab’e bir e keni edhe shokë tjerë për me u kshillue me ta. Tash vjen edhe Ernesti. Do mendime qi ju kam shfaqun mâ parë sa ishem n’Italí më duket qi s’kanë dalë të gabueme. Ju kam thânë se me Grekë na s’und merrena vesht e për Llullat e pashë menjiherë se ishin tuj u tallë me né. Faktet kujtoj se më kanë dhânë të drejtë deri sod, edhe mbas sodi veç me dashun me pá ândrra çuet për me shpresue. Tash po bâj edhe nji profetí tjetër: deri sa mos të jemi shfaqun në skenën politike të bashkuem, kurrkush s’ka për të na e varë torbën serjozisht. E po e nënvizoj se për në qoftë qi nga të gjithë Shqiptarët e mërgimit ka kush shans me i trokllue kush në derë personalisht kur të vijë dita e preme, ai ka për të qênë vetëm Zogu. Por s’ka dyshim qi bashkimi i gjithë fuqive të shëndosha qi gjinden jashtë i shton shanset t’ona mâ tepër. Mos t’ishte kështu s’kishim as nevojë me çá fort kryet për bashkim.

Sa për krizën jugoslave, me gjithë qi âsht tepër heret me dhânë nji gjykim, mue m’a merr mêndja se kurrsesi Stalini s’ka si me e lânë vetin të mujtun prej Titos. Në pastë mërrî në këtë gradë vaj halli i tij e lum na! Por edhe me likujdimin e Titos, Stalini prap se prap do të ketë hângër nji grusht moral të fortë prej të cilit s’ka për të dalë pa dobí bota e Perëndimit.

Gajret pra, po të thom prap, o i dashun Kapidan, e mos të lëshojë zêmra, beso se Zoti s’na ka lëshue krejt doret! Tito s’paku na dha njekët provë: qi ka shumë gjâna me rândsí qi vlojnë nën dhé e qi na s’i shohim. Ua kam thânë shëndetet tua gjith’atyne qi u a ke çue e të gjithë më kanë thânë me të përshëndetë prej anës së tyne. Edhe ti mos m’a harro Feridin qi ke për ditë aty ke Ercoli e gjithashtu Z. Vërlacin e kush të pyes për mue. Ty e Nduen ju marr ngrykë me mallë.

Mustafa

 

 

Aleksandrí, 16 – V – 1949

  I dashtuni Kapidan,

Sikurse të shkrova në nji letër të shkurtën përpara ksaj, un ishem gati me u nisun mbrênda ksaj jave për Romë tue kujtue se në ndonji farë mënyre mund t’i lajshem ndoj borxh të vogël edhe un çâshtjes s’onë kombtare në nji kohë fort delikate, si kjo e soçmja, kur po na duket se ndër qarqet politike e diplomatike me rândsí âsht tue u folë edhe mbi fatin e atdheut t’onë e ndoshta jo për mirë. Këtë rrugë kishem për t’a bâ qyshë në nândorin e vjetës së kalueme, sikurse e dini edhe ti e ndoj tjetër aty. Por për atë herë s’kishte qênë thânë, mbasi viza vonoi plot dy muej për me m’ardhun prej Rome e kur mbërrini më gjet në spital ku kalova edhe dy muej tjerë. Mandej erdh Gjela e kështu m’u desht me u ndalë edhe do kohë hem për me pritun qi të mësohej disi ajo para se t’a lêjshem vetëm hem për me u mbëkâmbun mâ mirë edhe un vetë prej lëngatës qi pata. E shkoi puna gjatë deri sod.

Edhe vizat e Bazit e të Koço Mukës nuk dij ku kishin qênë strukun në Legatën italjane ku u thojshin, sa herë qi shkojshin me e kërkue, se s’dijshin gjâ për atë punë. Tekembramja u gjindën edhe këto. Pra e kishim mênden me ardhun të tre, un e Koçja mejherë e Bazi tek mâ vonë tue thânë se s’mund të rrinte n’Italí ma se dy muej e se prandej donte me pritun të xetët e madh. Për çudí vûna roe mbandej se Bazit s’i pëlqeu fort as udhtim’i im. I dukej atij atij sikur po e bâjshem kot gjith’atë rrugë, pa nevojë e pa vênd. Fundi më tha se ai nuk më këshillonte as me u nisun as mos me u nisun, por me bâ si të m’a merrte mêndja mue vetë. Me të thânë të vërtetën më ka ardhun si çudë ky qëndrim i Bazit kundrejt meje, mbasi kujtoj se miku mikut e shoqi shoqit duhet t’i a thotë mendimin e vet açik kur e din se nji punë i del mirë apo keq. Njimênd se i thonë njaj fjale qi secili berr varet për kâmbe së vet, por sidomos kur âsht punë atdheu duhet qi të tânë të varemi kapak prej shoshoqit, madje duhet të varemi prej shoshoqit simbas zotsís qi ka secili për atë punë. Por me gjasë Bazi e shikon punën nga nji pikpamje partísh e grupesh. E sa për këtê ka të drejtë, mbasi mue më ka pëlqye me ndêjtun i lirë prej aso verigash.

Veçse un s’qesh tue e marrë serjozisht në dorë sjelljen e Bazit sikur mos të m’a kishte mbërrí bash sod nadjen nji lajm tjetër prej Rome. Ky lajm, i dhânë në nji letër ndër sa gjâna tjera, thotë fjalë për fjalë kështu: “Disa shokve t’atyshëm qi kanë pasë deshirue me ardhun n’Italí po marr vesht se u paskan dalë vizat. Por përpjekjet e tyne do të jenë pa fé dobije tashmâ, mbasi asht tepër vonë”.Lajmi i vjen prej nji njeriu të besueshëm nji tjetri e jo mue drejt për drejt. Tash me gjithë qi malli im me u pá me jue âsht shum’i madh, pa tjetër kishem me pritun nji rasë mâ të mirë për me qitun mallë bashkë, po qe se prej nji udhtimi kaqë të gjatë nuk do të dilte edhe nji dobí e përgjithshme. Prandej pres nji fjalë t’ânden nji or’e mâ parë qi të më thotë se a vyen barra qirán qi të vij apo jo. Po të thom dhe nji gjâ tjetër: un e dij se ka edhe gjind ndoshta qi s’duen me m’a pá bojën e me m’a ndie zânin as emnin. Edhe për këta në qoftë se tý t’a merr mêndja qi t’ardhunit t’em aty kishte me i bâ çâshtjes s’onë mâ shumë dâm se dobí, prap shkruejmë qi t’i shâjë vêndit këtu ke jam, me Gjelën në shtëpí t’eme. Për mâ tepër po mujte shkruejmë edhe ndonji lajm, të mirë a të keq si të jetë.

Bashkë me Gjelën të përqafojmë

e gjithashtu edhe Nduen.

Mustafa

 

 

 

Roma 13 – VI – 1949

I dashtuni Mustafë,

 Së pari lus Zotin qi të jeni shndosh e mirë të dy, edhe na mirë jemi. Jam koritë qi nuk ju kam shkrue, e sidomos me Gjelen; sa për ty, kam pritë me pasë ndonji lajm me rândësí.

Letrën e fundit t’anden e kemi marrë e lexue me vemendje. Ti e kishe shprazë thesin, une po t’i shtí diçka e site mirë. Po bâhen tri javë e mâ qi ka ardhë Bazi, e posë vizitave qi kemi ndrrue me tê, nuk e kemi pa mâ e prandej as bisedue. Më datën 5 të k.m. Ismaili ofroi nji darkë për nder të Bazit, e aty kje edhe Koço Muka e Xhaferr Deva. Politikë nuk u bisedue. Ne nesre vjen Bazi i shoqnuem prej Selim Damanit, n’orën 4 të mbas dites, me egjele, e mbasi na çoi prej gjumi e u takue me babën i thotë: Komiteti u formue dhe Kryetar i këtij Komiteti për deri në librimin e Shqypnís Midhat Frashëri.

Na u çuditëm dhe i thamë qi nuk dijshim gjâ. Ai pvetë babën: a e pranon Midhatin Kryetar a jo? Baba i përgjegjet: un kam edhe shokë të tjerë, bâj pjesë në nji Grup Politik ku kam nji Kryetar e s’mundem me dhanë mendime të preme, prandej nuk e njof Midhatin Kryetar e njof vetëm atê qi kan me e zgiedhë ata persona qi kan me u delegue prej grupeve të ndryshme si përfaqsuesa në Komitet. Bazi thotë qi tash tri javë mundohem për ty Kapidan dhe kam mbrrijtë me bâ qi miqtë të pranojnë Nduen si antár në Komitet, mbasi i u kam thânë qi Kapidani âsht i vetmi njeri qi përfaqson katoliçizmin e klerin katolik. Në kët Komitet jam edhe un (Bazi) si antár. Baba refuzoi.

Në kët mes ndërhyj un e i them Bazit: na kemi kujtue se ju do të na lajmoni disa ditë përpara, kështu qi të kishim kohë me bisedue na nër veti dhe me zgiedhë personat qi do të merrshin pjesë në mbledhje ku do t’u bisedote mënyra e formimit dhe formulimi i nji Statuti, qi ata njerz të gjêjshin nji “modus vivendi”, mbasi kollaj fort mund të delshin vështirsina. Bazi s’desht me ndigjue për këto fjalët e mija e ashtu siç ishim duelëm e shkuem te Ismaili. Mbasi e çuem edhe atê prej gjumi Bazi e pveti: a e pranon Midhatin Kryetar Komiteti? Ismaili përgjigjet qi nuk mujte n’asnji mënyrë, mbasi un kam nji kshillë e personalitete të tjera qi janë në Blok e qi do të më apin mendimin e tyne. Nuk mundem un, si Kryetar i Blokut me vendosë si të due e të m’a ketë qejfi mue. Bazi i thotë Ismailit: un kam folë te miqtë vetëm për Kapidanin tue u thanë qi Kapidani âsht Kryetari i katoliçizmës dhe i vetmi qi përfaqson klerin e se Kapidani ka influencë në Verí; për ty nuk kam folë, as për Blokun.

Ismaili qeshi dhe i përgjigjet: Kapidani âsht mâ i madhi eksponent i Blokut, por as un si Kryetar, as Kapidani nuk mundemi me marrë ksi vendimesh pa pëlqimin e shokve dhe pa hye përpara ndër bisedime për me dijtë se si do të formohet ky komitet. Un i bâj nji pvetje: ç’mendon z. Baz për Grupin e kosovarve? Më tha qi për Grupin e kosovarve mendojnë mâ vonë miqtë e përtejshëm. I tham se pa Grupin e kosovarve nuk bâjmë Bashkim e se na në asnji mënyrë nuk pranojmë qi mos me e quejtë Kosovën shqyptare. Fuqija e të fortit nuk ndalet, por na Amen nuk i thomi kurrë. Ismaili i thotë: edhe na mundemi me pasë ndoj amerikan qi na kshillon me e bâ bashkimin edhe pa Midhatin. Aty për aty ndrroi (Bazi) tue thanë qi në qoftë se mundesh un e la Midhatin e vij me ty!!!

Ky âsht muhabeti me Bazin. Për ne kjo sjellje e Bazit ka qênë nji çudí e madhe fort. Nuk e kishim pritë kurrë nji sjellje të tillë. A thue ndoshta Bazi me Midhatin kanë dashtë me formue nji Komitet personash? Por ata e dijnë se na kemi miq e shokë, se jemi në nji Grup politik e se nuk i tradhtojmë. Në qoftë se ata mendojnë me na lanë kopilin te dera, na kemi gazetën dhe në tê publikojmë të gjitha dokumentat e të shofi bota se kush ka faj. Ai miku qi na shkruejshe ti, nuk e dijmë a ka ardhë a jo, na pa nuk e kemi….

Me Herbert jemi takue, ka ardhë vetë me na bâ vizitë e na ka ftue edhe për mjesditë. Folëm gjanë e gjatë. Shef nevojën e madhe për nji bashkim të shqyptarve e sa mâ parë. Tha qi Shqypnija âsht në rrezik me u dá dyshë, prej Jugosllave e prej Grekve. Shkuem prap për së dyti me Ernestin e kemi ndejë mâ tepër se nji orë e gjysë. Ballistat janë bâ me dalë mêndësh pse nuk e kishin besue qi Herberti t’u shifte me né (!) e bilé të na thirrte për bukë. Këto fjalë sigurisht i a u ka thanë edhe ballistave; por ballistat….. Edhe protokollin e Alexandrís Bazi nuk e njef!!

Me kaq ndalohem e për së largu ju përqafoj

me mallë të dyve.

I jueji

Ndue Gjomarkaj

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency