Vetëm me gënjeshtra njerëzit ndihen më mirë!

0
163

 Gani Mehmetaj

genjeshtraKinematografi/ “Të vërtetat” e subjektivizuara dhe risitë rrëfimtare. “Rashomon” i Akira Kurosavës, njëri ndër tre filmat më me ndikim në kinematografinë botërore.

 Regjisori i njohur japonez Akira Kurosava e ka parashtruar në këtë mënyrë thelbin e filmit të tij “Rashomon” (1950): “Kur flasin njerëzit për vete, ata nuk janë të prirë të bëhen të sinqertë e të ndershëm. Prandaj ia zbukurojnë gjërat vetvetes. Skenari ynë është fotografia e atyre që nuk mund të jetojnë pa gënjeshtra, sepse vetëm me gënjeshtra ata ndihen më mirë sesa janë. Në tekst flitet për nevojën mëkatare për të pavërtetat lajkatare, që nuk i pushojnë as pas vdekjes, kështu që njëri nga personazhet e filmit, megjithëse i vdekur, nuk pushon së gënjyeri, edhe atëherë kur me ndihmën e mediumit u drejtohet të gjallëve” (Akira Kurosva, Something like an Autobiography).

“Rashomon” është njëri ndër tre filmat më emblematikë të kinematografisë botërore me: “Lindja e një kombi” të D. U. Grifitit dhe “Qytetari Kejn” i Orson Uellsit.

Me mënyrën e të rrëfyerit, me “të vërtetat” e subjektivizuara, me relativizmin e heroit kryesor, me degëzimet dramaturgjike, me tipin e katër mozaikëve, që përbëjnë një tërësi, ai zgjoi kureshtjen e opinionit si asnjë vepër kinematografike më parë. Por edhe ndikimi që ushtroi në botë ishte i jashtëzakonshëm.

Nuk është ky i vetmi segment i cili e ka bërë filmin ndër më të përmendurit në kinematografinë botërore, por edhe shembull të veprës artistike që i thyen rregullat.

“T’i thyesh rregullat fillimisht duhet të jesh mjeshtër i tyre. Së pari duhet të jesh plotësisht i vetëdijshëm në rregullat e formës së artit tënd”, – shkruan Riçard Krevolin për filmin “Rashomon” në librin “How to adapt enithing into a screenplay”. Por ashtu sikurse sugjeron Krevolini ndryshe e bën një gjë të këtillë ai që nuk i kupton rregullat ose është i paaftë t’u përmbahet rregullave, e ndryshe një gjeni. Kurosava është gjeni i filmit. Ia arrin të bëjë diçka tjetër, ndryshe nga ajo që e kemi parë deri më atëherë, sepse ai i di rregullat, por ato rregulla e pengojnë, ia zënë frymën, prandaj kërkon forma të reja shprehëse.

Nga shumë filma që i realizoi ai gjatë jetës së tij (“Shtatë samurajët”, “Froni i përgjakshëm”, “Sanjuro”, “Jojimbo”, “The hilden fotress”, “Kagemusha”, “Ran” etj.), ndërsa shumë nga filmat i pati adaptime dramash a tregimesh, filmi “Rashomon” është rrëfimi më i famshëm i shkurtër i adaptuar në shekullin XX. U bë i famshëm jo vetëm për strukturën alternative, por edhe sepse nuk i përfilli rregullat e Hollivudit.

Filmi është frymëzuar nga dy tregime: nga Akuatagava Ryonusuke “Rashomon” dhe “Në një zabel”, ndërsa ndërtohet mbi rrëfimin e një shërbëtori, i cili i strehuar nën harkun e qytetit të Kiotos me një grup të papunësh të tjerë, presin të pushojë shiu, ashtu sikurse presin një fat më të mirë pas fatkeqësisë që e ka pllakosur Japoninë.

Ngjarja nis në qytetin Kioto, qytet që e kanë goditur një sërë fatkeqësish: tërmetet, shakullinat, zjarri. Ndërkaq, cubat dhe vrasësit enden nëpër qytet pa i penguar askush.

Rashomon quhet porta më e madhe e qytetit të rrënuar.

Shërbëtori narrator përsiat për jetën e tij, ndërsa konfrontohet me plakën që ua shkulte flokët kufomave për t’i shitur për paruke. Shërbëtori i ndershëm skandalizohet nga ky veprim i plakës. Dhe këtu pastaj fillon debati moral: a është e drejtë që të bëhen gjëra të këtilla të shëmtuara? Ndërsa shërbëtori e kundërshton, plaka thotë se është e drejtë që të bëhen gjëra të këtilla, sepse nga kjo punë jeton, s’ka asnjë burim tjetër jetese. Por derisa plaka ndjek parimet e veta morale, ndërkohë shërbëtori ia vjedh rrobat. “A është e drejtë, pra që unë të të plaçkis ty? Ndryshe do të vdisja urie”, – ia kthen shërbëtori.

Kurosova shkrin të dyja tregimet në një, pra nga “Rashomon” merr strukturën narrative, intrigën, ndërsa nga tregimi tjetër “Në një zabel” merr rrëfimin për gjykimin e një vrasjeje. Këtu shpalohet tregimi për personin e përzier në atë krim, duke u zgjeruar rrëfimi i filmit.

Rrëfimtari i parë nis më tregimin e vrasjes. Ai thotë se e gjeti kufomën e të vrarit në pyll, për çka raporton në polici. Ndërkaq, narratori tjetër tregon si e ka parë të vrarin duke udhëtuar së bashku me gruan një ditë më parë. Ai e përshkruan të vrarin, gruan e tij, pajimet e kalit, shpatën.

Polici e ka kapur Tajomarun, vrasin e dyshuar, ndërsa e lidh rrëfimin se si e kapi banditin. Natyrisht banditi as që do të dorëzohej, po të mos ishte sëmurur nga uji i ndotur. Ai madje nuk tregon fare shenja pendese gjatë procesit gjyqësor.

Personazhi tjetër,nëna e gruas së të vrarit, është e pikëlluar jo vetëm sepse e bija i ka mbetur e ve, por është e brengosur me pasigurinë se ku është degdisur ajo, ndërsa e pret gjyqi, meqë është përzier në një vrasje ose është dëshmitare e asaj vrasjeje.

Dhe kulmi i rrëfimit është dëshmia e vrasësit-Tajomaru, i cili e pranon se e ka vrarë kalorësin, por e mohon se di ku është gruaja e tij.

Ndërkaq, çdo gjë, tregon ai, nisi me rastësinë, kur një puhizë e lehtë ia shpalon fytyrën gruas së bukur, e cila e magjeps me bukurinë e saj. Por as atëherë, as më vonë nuk i shkon ndërmend ta vras burrin, përkundrazi provon me dredhi të ndryshme t’ia merrte gruan. Befasisht e lidh burrin. Pastaj arrin ta mashtroj gruan duke i thënë kinse burri i saj ishte sëmurë. Por gruaja përpiqet t’i kundërvihet me luftë mashtruesit, mirëpo sipas rrëfimit të Tajomarus ajo nuk ishte e barabartë me te. Pasi ajo kishte bërë dashuri me mashtruesin, kërkon që dy burrat të bëjnë dyluftim, sepse nuk e përballonte dot shikimin përbuzës të burrit të tradhtuar.

Tajomaru tregon se si dy burrat luftuan, ndërsa Tajomaru doli fitues. Sipas tij, gruaja nuk e priti fitimtarin, por iku. Pasi e vrau, mashtruesi ia vodhi të vdekurit kalin, shpatën, harkun e shigjetat.

Dhe rrëfimi tjetër, interesant, është fakti se gruaja e të vrarit gjendet në një tempull. Sipas raportit të saj, ajo ishte dhunuar nga mashtruesi – vrasësi i burrit të saj, prandaj nuk mund ta shikonte burrin në sy. Ajo alivanoset, por gjendja shpirtërore e burrit të saj nuk kishte ndryshuar, ai vazhdonte ta urrente duke e shikuar me përbuzje. Ajo thotë se mori shpatën dhe e vrau burrin e saj, sepse sytë e burrit i thoshin: “Më vrit”. Gruaja u përpoq të vriste veten, por nuk ia arriti…

Dëshmia e fundit, ndër më interesantet në filmin “Rashomon”, është dëshmia e njeriut të vrarë, që nxirret përmes mediumit. I vdekuri rrëfen se si gruaja kërkoi nga Tajomaru ta vriste, sepse nuk e duronte turpin. Gruaja e frikësuar iku në pyll. Burri i dha fund jetës. Derisa po jepte shpirt, dikush po ia hiqte shpatën…

Janë disa rrëfime, të cilat herë e plotësojnë njëra-tjetrën, herë e kundërshtojnë njëra-tjetrën, sepse asnjëri rrëfim nuk është i njëjtë me tjetrin ose kanë detaje që e kundërshtojnë tjetrin. Kush po e thotë të vërtetën dhe kush po gënjen? A mund të ketë katër të vërteta, apo vetëm një? A ka një të vërtetë të vetmet dhe cila është ajo? Po e vërteta e subjektivizuar?

Filmi ka strukturë interesante narrative, krejtësisht të pazakonshme me risi filmike të papara deri atëherë. Nga dy tregimet e sipërpërmendura, të shkrira në një dalin këto pyetje, të cilave përpiqet t’u përgjigjet regjisori i madh në një film po ashtu të pazakonshëm. Por asnjëra nuk japin përgjigje të prera. Kështu pyetjet lënë mundësi përsiatjesh, që i sqaron regjisori në intervistën të cilën e cituam në fillim. Sidomos regjisori i jep kahe tjetër, sepse ai ka bërë adaptimin e dy tregimeve të shkrira në një, por njëkohësisht ai i ka dhënë edhe dimensione të reja, të papara deri me atëherë në filmin artistik të metrazhit të gjatë.

Secili nga tregimtarët e këtij filmi ka versionin e vet të së vërtetës, ku ka gënjeshtra, apo shmangie nga e vërteta për interesa meskine.

Karakteret që rrëfejnë, apo që janë pjesë e filmit janë karaktere nga më të ndryshmet, të cilët i shohin nga pikëpamje të ndryshme: një druvar, një prift, një njeri i zakonshëm që strehohet nën portik të Rashomonit. Përderisa druvari e prifti kishin qenë në gjyq dhe e kishin treguar të vërtetën e tyre, njeriu i zakonshëm nuk e di këtë gjë. Ata mendojnë se kanë treguar atë që e kanë parë. Por druvari thotë se të gjitha rrëfimet e tyre janë gënjeshtra, meqë ai i ka parë nga një pozicion tërë zhvillimin e ngjarjes.

Mirëpo, ai tashmë e kishte thënë “të vërtetën” e vet, prandaj nuk mund ta besojnë më. Arsyeja pse ai ka dëshmuar rrejshëm në gjyq, del nga pyetja që i bënë njeriu i zakonshëm për thikën, sepse dyshon se të vrarit ia ka vjedh druvari. Druvari e pranon se ishte thika arsyeja pse ai dëshmoi rrejshëm në gjyq, megjithëse nuk e dimë saktë a e ka marr druvari thikën apo jo.

Kështu, prifti humb besimin të njerëzimi. Një dëshmi tjetër e prishjes së njerëzimit, sipas botëkuptimeve të priftit është situata kur treshja nën portikun e Rashomonit e gjejnë një foshnjë të braktisur. Druvari bëhet nervoz, sepse njeriu i thjeshtë ia vjedh rrobat. Dalin në pah vlerat morale për ndershmërinë në fillim të filmit, kur shërbëtori grindet me plakën, e cila ua merr flokët kufomave. Por druvari megjithatë duket me human, ai propozon që ta marr foshnjën në shtëpi, megjithëse ka edhe gjashtë fëmijë të tjerë. Një më shumë nuk do t’ia përkeqësonte gjendjen, thotë ai.

Prifti nis ta ndryshoj sërish mendimin për vlerat e njerëzimit…
E thamë që në fillim të esesë se filmi “Rashomon” nuk ka strukturë narrative klasike, se ai nuk ka as personazh kryesor në kuptimin klasik të kësaj fjale. E megjithatë, është film që shikohet me lehtësi, kuptohet po aq mirë, sikurse që nuk e heton mënyrën e të rrëfyerit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency