Sot prezantohet rezoluta/ Propozimet e PD-së për territorialen: Ndërhyrje në Kushtetutë e Kodin Zgjedhor. Variantet e ndarjes

0
135

 Gëzim Saliu

konferenca autonomise vendoreQëndrimi: Komunitetet të shprehen me referendum lokal për ndryshimin e kufijve vendorë

 “Reforma të nisë me decentralizimin, të vazhdojë me ndryshimet në ligjin për vendorët dhe të përfundojë me hartën”

 Përfaqësues të 386 njësive të qeverisjes vendore dhe këshillave të qarqeve do të mblidhen sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, për të diskutuar dhe konkluduar në një qëndrim të përbashkët, lidhur me reformën decentralizuese, administrative dhe territoriale. Konferenca e organizuar nga shoqatat e të zgjedhurve vendorë, e cila pritet të nisë në orën 11:00 të paradites, do të dalë në përfundim të saj më një rezolutë të përbashkët që do t’i drejtohet më pas komisionit të posaçëm për reformën administrative territoriale. Kjo rezolutë përbën edhe qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe opozitës lidhur me reformën territoriale, ku, sipas të djathtëve, me rëndësi parësore në këtë reformë është decentralizimi dhe autonomia vendore e më pas harta e ndarjes së re territoriale.

 

Propozimet e demokratëve

Partia Demokratike do të kërkojë hartimin e një kuadri të plotë ligjor para se të shkohet tek harta e re e territorit. Sipas opozitës, nuk mund të ketë reformë administrative territoriale, nëse më parë nuk ndryshohet Kushtetuta, ligjet organike, kodi zgjedhor si edhe pa u caktuar fillimisht kriteret e sakta për ndarjen e re. “Reforma duhet të prekë mënyrën sesi duhet të funksionojë secila prej zonave, cilat janë shërbimet bazë, si një analizë të transportit, identitetit kulturor dhe vetëm këto kritere mund të bëjnë të mundur një ndarje të re territoriale, që për ne nuk ka rëndësi se sa njësi do ketë, si do të jetë e konturuar. Për ne ka rëndësi vendosja e kritereve. Ankesa kryesore që kemi dëgjuar deri tani është, që nuk kanë funksione, harxhojnë fonde në mënyrë jo efiçente, janë disa struktura që nuk e kanë kryer funksionin e tyre. Atëherë reforma nuk po e realizon qëllimin e saj se po këto qarqe e rrethe mbeten po këto përgjegjësi ka secili prej niveleve”, – tha për “ABC News” deputetja demokrate, e cila është marrë nga afër me këtë proces, Jorida Tabaku. Më tej, ajo bëri të ditur se reforma territoriale duhet të nisë fillimisht me decentralizimin, të vazhdojë me ndryshimet në paketat e ndryshme ligjore, në ligjin për pushtetin vendor dhe të përfundojë me hartën e re. Nga ana tjetër, Tabaku theksoi se vetëm një ditë më parë qeveria pranoi atë që PD e kishte thënë me kohë se reforma territoriale do të duhet të pasohet me ndërhyrje në kodin zgjedhor. “Anëtarët e qeverisë shprehen për herë të parë se reforma territoriale do të kërkojë shpërndarje të mandateve, që do të thotë se ka implikime elektorale. Kjo përforcon akoma më shumë idenë tonë që reforma administrative duhet të përfshijë një kuadër të plotë. Decentralizimin, funksionet, kompetencat, ndryshimet përkatëse në ligjet organike, ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimet në kodin zgjedhor”. Ndërkaq me rezolutën, PD jo vetëm ka përfshirë propozimet e shoqatave të bashkive dhe komunave si edhe të organizatave që kanë dhënë ide për ndarjen e re, por përkrah edhe dhënien e mundësisë komuniteteve për t’u shprehur me referendum lokal për ndryshimin e kufijve vendore. Po ashtu, duke u mbështetur tek propozimet e ekspertëve, pritet që përmes rezolutës, PD dhe opozita të kërkojnë shtimin e njësive të miratuara tashmë në draftin e mazhorancës. Demokratët bien dakord që 385 njësi vendore janë të tepërta për vendin, por sipas tyre zvogëlimi në 39 apo 47 njësi nuk do të thotë më shumë para dhe shërbim ndaj publikut. Mësohet nga burime pranë selisë blu se demokratët do të mbështesin dy ndër variantet e propozuara nga ekspertët për ndarjen e re, të cilat nuk u morën parasysh nga mazhoranca, atë me 88 ose me 100 njësi vendore. Në fuqi gjithashtu qëndron edhe kërkesa e bërë publike nga opozita për konsensus deri në votimin në kuvend të reformës territoriale, pasi sipas demokratëve duke kujtuar rastin e 2008-ës, për reformë të mëdha palët gjithmonë kanë vepruar në këtë formë.

 

Konferencat e shoqatave të të zgjedhurve vendore

Konferenca e sotme përbën fazën e fundit të konsultimeve të shoqatave të bashkisë dhe komunave, ekspertëve e përfaqësuesve politike për reformën administrative territoriale, ku edhe do të prezantohet rezoluta. Kjo konferenca është paraprirë nga dy etapa, ku në të parën u trajtua ecuria e reformës decentralizuese në 23 vite, rezultatet që ajo ka sjellë, problemet e ndeshura. Ndërkaq në etapën e dytë, katër organizata të shoqërisë civile prezantuan rekomandimet e tyre për reformën decentralizuese dhe territoriale, rekomandime të cilat deri më sot nuk janë marrë parasysh nga mazhoranca. Në përfundimet e katër organizatave të pavarura u theksua nevoja e një reforme të decentralizimit, për zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit.

 

Çfarë përmban platformë-rezoluta

1-Decentralizim dhe autonomi vendore para ndërtimit të hartës së re për ndarjen territoriale

2- Reformë administrative territoriale duke ndërhyrë në Kushtetutë, ligjet organike, Kodin Zgjedhor si edhe duke caktuar fillimisht kriteret e sakta për ndarjen e re

3-Përfshirje e propozimeve të grupeve të interesit, ekspertëve dhe komunitetit

4- Propozim për shtimin e numrit të njësive më shumë sesa parashikohet në draftin e mazhorancës (dy variante, ai me 88 ose me 100 njësi vendore)

5- Dhënien e mundësisë komuniteteve për t’u shprehur me referendum lokal për ndryshimin e kufijve vendore

6-Kërkesën për votimin me konsensus në Parlament të produktit final të reformës

 

Variantet e mazhorancës për reformën

-Komisioni i posaçëm për reformën zgjodhi dy variante për reformën territoriale-administrative, atë me 39 njësi dhe ajo me 47 njësi

-Në variantin me 39 njësi, Himara nuk parashikohet njësi më vete

-Sipas variantit me 47 bashki, Tirana nuk do të ketë njësi bashkiake, ndërsa do përmbledhë shumë komuna si Kashari, Ndroqi dhe Petrela. Në variantin 47 edhe Himara e Kamza janë njësi më vete

 

 Reforma territoriale/ Basha mbledh aleatët, zyrtarizon qëndrimin e opozitës

 Përpara se sot të shpaloset qëndrimi përfundimtar i të zgjedhurve lokalë të opozitës për reformën administrative-territoriale, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, u takua dje me aleatët në opozitë për të rakorduar një qëndrim të përbashkët. Në takim mësohet se Basha u ka bërë të ditur aleatëve mbështetjen e PD-së për propozimet e shoqatave të bashkive dhe komunave si edhe të ekspertëve për ndarjen e re. Po ashtu burimet bën të ditur se në këtë takim palët ranë dakord se pa një reformë decentralizuese nuk mund të flitet për ndarje territoriale të vendit. Ndërkaq kryedemokrati dhe aleatët kanë rënë dakord edhe për propozimin e më shumë njësive vendore se ç’parashikon drafti i mazhorancës.

 

 Konferenca për rezolutën/ Mazhoranca konfirmon pjesëmarrjen, Vasili: Datën s’e shtyjmë, presim konsensus me opozitën

Mazhoranca do të marrë pjesë sot në konferencën e shoqatave të bashkive dhe komunave për reformën decentralizuese, administrative dhe territoriale. Ashtu si edhe në takimin e disa ditëve më parë, pritet që në takimin e sotëm të marrin pjesë kreu i komisionit të posaçëm për reformën administrative-territoriale, Bashkim Fino, si edhe deputeti i LSI-së, anëtar i këtij komisioni, Petrit Vasili. Ky i fundit bëri të ditur dje se mazhoranca është e hapur për konsensus me opozitën lidhur me reformën territoriale, duke kërkuar ndërkohë variante dhe projekte konkrete. “Ne vazhdojmë të jemi të hapur për të folur me variantet konkrete, me projekte konkrete, por prania jonë në takimin me opozitën është e kundërt me veprimet e opozitës, por është mesazhi që dëshira është e fortë, e sinqertë dhe nuk shkon në kufi të zgjidhjes së një reforme të madhe, por me idenë që është e mirë që një çështje madhore të jenë të gjithë pjesë e diskutimit dhe marrjes së vendimit”, – tha ai. Sipas Vasilit, mes të majtës dhe të djathtëve nuk ka ndarje parimore për këtë çështje, porse, theksoi ai, dallimet janë thjesht për arsye të vullnetit politik. Ndërkaq, deputeti i LSI-së bëri të ditur: “Megjithatë jemi të vendosur që të kemi një vendimmarrje në fund të korrikut, sepse kjo nuk mund të shtyhet më”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency