Ndryshimi qeveritar, rënie e ndjeshme e eksporteve drejt Kosovës

0
185

Ervin Kaduku 

dogana.moriniBashkimi Evropian del në pozitën e “ndërmjetësit” për të rregulluar problemet doganore midis Shqipërisë dhe Kosovës, që Tirana e Prishtina nuk po i kapërcejnë dot vetë

Ndryshimi i pushtetit ekzekutiv në Shqipëri ka sjellë, për fat të keq, ndryshimin e trendit të tregtisë mes vendit tonë dhe Kosovës. Për herë të parë pas disa vitesh, 2013-ta rezultoi negative për eksportet shqiptare drejt Kosovës. Ato jo vetëm nuk u rritën me ritmet e rritjes së eksporteve në tërësi, por shënuan rënie në vlerë reale. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, eksportet drejt Kosovës në 12 muajt e vitit të kaluar ishin 16.29 miliardë lekë ose rreth 6% më pak se një vit më parë. Ndikimin kryesor e dha pezullimi i eksportit të tjegullave për rreth dy muaj, për shkak të pengesave të shtuara administrative nga doganat kosovare. E ndërsa edhe tregtarët e Kosovës janë përballur me pengesa nga ana jonë (p.sh. për pataten, prodhimet e bulmetit), kjo nuk ka ndodhur vitin e kaluar, kur eksportet kosovare drejt Shqipërisë u rritën mbi 17%

Ndërkohë, vitet e fundit, politika e qeverisë shqiptare kishte bërë të mundur që marrëdhëniet ekonomike mes dy tregjeve shqipfolëse të kishin ardhur gjithnjë në rritje. Shifrat zyrtare të tregtisë flasin për shtim të volumeve tregtare, të paktën deri në fund të vitit 2012, kur volumi tregtar me Kosovën u rrit 3%, duke arritur në 17.4 miliardë lekë. Ritme rritjeje shënuan si importet edhe eksportet.

 

Pesha e tregtisë

E nëse deri në këtë periudhë, ecuria është e mirë, pesha e kësaj tregtie ende nuk i justifikon shtrëngimet e shpeshta të duarve mes qeveritarëve të dy vendeve. Sipas INSTAT-it, në eksportet tona jashtë, Kosova zë vetëm 8% të tyre. Një peshë e përkeqësuar më tej gjatë vitit që sapo mbyllëm, ku pesha e tyre zbriti në gati 7%. Në fakt të dhënat e 2013-ës flasin për një stepje të tregtisë me Kosovën, pasi vëllimi tregtar ishte pak më i ulët se një vit më parë, mbi 22 miliardë lekë.

Shifrat tregojnë faktin e pakundërshtueshëm që pengesat e qeverive japin efektin e tyre. Gjatë verës së vitit 2013, qeveria kosovare zhvendosi pikat e zhdoganimit të mallrave, duke krijuar probleme për eksportuesit shqiptarë. Kostot e rritura bllokuan pothuajse tërësisht eksportin e materialeve të ndërtimit (kryesisht tulla e tjegulla).

Vlerësohet të jetë pikërisht periudha e gushtit, kur po ndodhte tranzicioni qeveritar, gjatë së cilës eksportet tona drejt Kosovës zbritën për herë të parë që nga viti 2009. Sipas INSTAT-it, vlera e eksporteve ra 7%, ndërkohë që eksportet tona në total u rritën gati 16%. Në të njëjtën periudhë, importet nga Kosova shënuan rritje me 17%.

 

Masat

Duke ofruar fondet, BE ka “urdhëruar” ngritjen e një terminali të përbashkët doganor mes dy vendeve. Objektivi parësor i saj është administrimi më i mirë i kufijve, por pritet që kjo pikë të përgjysmojë kostot tregtare të kompanive. Doganat kanë rënë dakord për një transit të vetëm dhe të heqin çmimet e referencës. Me një marrëveshje të nënshkruar javës së kaluar mes drejtorëve të doganave të Shqipërisë dhe Kosovës, pakkush mund ta marrë guximin të thotë se problemet e tregtisë mes dy vendeve u zgjidhën. Nuk vihet në dyshim dëshira e mirë e drejtuesve të administratave, por dëshira e mirë nuk ka munguar as në të shkuarën, ashtu si dhe marrëveshjet e pafund të bashkëpunimit ekonomik.

Por, të paktën tani angazhimi i Brukselit sjell rreze shprese për tregtarët nga Shqipëria e Kosova. Kjo, pasi kësaj radhe angazhimi i qeverive vjen nga detyrimi që lind nga Bashkimi Evropian. Me tregun kosovar pritet të hiqen çmimet e referencës ndërsa për shkak të fluksit të madh të pushuesve në verë, po aplikohen procedura të lehtësuara për kalimin e pasagjerëve. Për t’iu kundërvënë pengesave shpesh të pashpjegueshme në doganë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e fundit plenare ratifikimin e marrëveshjes në fushën e tatimeve me qeverinë e Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje synon shmangien e tatimit të dyfishtë mbi të ardhurat dhe kapitalin.

 

 Statistikat: 60 për qind e shqiptarëve kanë akses në internet

Sipas të dhënave nga Internet Live Stat, Shqipëria kishte 1.79 milionë përdorues interneti në vitin 2013, me një rritje prej 3% në raport me vitin e kaluar. Penetrimi, (përqindja e popullsisë me internet) ka arritur në rreth 60%.

Sipas të dhënave krahasuese, Shqipëria ka 0.06% të përdoruesve totalë të internetit në botë, ndërkohë që ka 0.04% të popullsisë së botës. Për sa i përket penetrimit, Shqipëria pozicionohet në vendin e 76-ta nga 198 shtete. Nga vendet e rajonit, më mirë paraqiten Bosnjë-Hercegovina, me një penetrim prej rreth 68%. Edhe Mali i Zi pozicionohet pak para Shqipërisë, ndërkohë që Bullgaria është një vend para Shqipërisë. Serbia ka një penetrim më të ulët, në rreth 50%.

Shteti që ka përqindjen më të lartë të popullsisë që përdor internet është Bermuda, me 97.5%, e ndjekur nga Katari me 96.65% dhe Bahrejni me 96.53%. Si vlerë absolute, numrin më të madh të përdoruesve të internetit e ka Kina, me 642 milionë përdorues apo rreth 22% të përdoruesve të internetit në botë, ndërkohë që ky shtet ka 19.2% të popullsisë globale. Në vend të dytë janë SHBA-të me 280 milionë përdorues, të ndjekur nga India, me 243 milionë përdorues.

Si vlerë absolute, numrin më të madh të përdoruesve të internetit e ka Kina, me 642 milionë përdorues, apo rreth 22% të përdoruesve të internetit në botë, ndërkohë që ky shtet ka 19.2% të popullsisë globale.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency