Raporti i BB-së / Si Shqipëria humbet rreth 700 mln USD nga taksat në vit  

0
154

Florenc Drizari

leke-tufa

Shifrat e publikuara nga një raport i Bankës Botërore tregojnë se buxheti i shtetit humbet çdo vit rreth 680 milionë dollarë të ardhura nga taksat e pambledhura. Raporti merr në analizë sistemet e taksave në rreth 61 vende të botës për periudhën 2000-2010. Gjithashtu në raport vërehet se hendeku tatimor në Shqipëri, diferenca mes të ardhurave që duhet të mblidheshin nga taksat dhe atyre që mblidhen realisht është sa 4.87 për qind e prodhimit kombëtar, nëse merret parasysh dhe ekonomia informale.

Kjo e klasifikon Shqipërinë si një vend me efiçencë të dobët në mbledhjen e taksave, e cila sipas raportit është përkeqësuar veçanërisht pas vitit 2008, duke çuar në rritjen e hendekut tatimor.

Por ku shkojnë taksat që humbasin? Një pjesë e tyre, ndoshta më e madhja janë evazion, fshehje e qëllimtë e taksave nga biznesi dhe indvidët.

Sipas dokumentit, në Shqipëri mbi 34.1 për qind e ekonomisë është informale. Kjo bën që miliona dollarë, të cilat duhet të shkonin në arkën publike, të mbeten padrejtësisht në xhepat e privatëve.

Veç evazionit, një pjesë tjetër humbet përmes shmangieve, ku biznesi apo individët shfrytëzojnë boshllëqet e ligjit për të ulur barrën e taksave që duhet të paguajnë.

Ndërsa arsyeja e tretë që gërryen të ardhurat në buxhet lidhet me shtrirjen e dobët të shërbimeve fiskale për të informuar tatim paguesit mbi detyrimet që duhet të paguajnë. Këto janë tre arsyet kryesore të hendekut tatimor dhe të treja kanë një shkak: dobësinë e administratës fiskale dhe politikave tatimore.

Raporti thotë se Shqipëria ka hapësira të konsiderueshme për të rritur të ardhurat përmes politikave më efiçente të taksave dhe reformimit të administratës fiskale. Përfitimet do ishin të mëdha. 680 milionë dollarë që humbasin në vit janë gati sa 20 për qind e të ardhurave totale që mbledh buxheti dhe më shumë se defiçiti fiskal në një vit të zakonshëm. Mbledhja e këtyre të ardhurave do të lehtësonte borxhin, si dhe mundësonte rritjen e fondeve për sektorët jetikë si arsimi dhe shëndetësia, ku Shqipëria prej vitesh po nëninveston

 

 

 

Hetimi i administratës

 Reagon opozita: Nuk çojmë emrat në Kuvend, votimi, antikushtetues

 Paloka i përgjigjet Metës: Nuk çojmë emrat  për një komision, objektin e të cilit e caktoi vetë PS

Pas ngritjes së komisionit hetimor për emërimet në administratë, opozita refuzon dërgimin e emrave në Kryesinë e Kuvendit dhe e quan vendimin e fundit të mazhorancës si antikushtetues. Edhe pse kërkesa për ngritjen e hetimeve parlamentare mbi emërimet apo shkarkimet në administratë ishte e paraqitur nga opozita, mazhoranca ndërhyri në objektin e kërkesës, duke shtuar që hetimet të fillojnë nga 2009-ta, e jo nga shtatori i 2013-ës, siç e kërkonte pakica parlamentare. Kjo çështje u shoqërua me debate maratonë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë për dy seanca me radhë dhe pas negociatave, palët nuk gjetën konsensusin për sa i përket zgjatjes së afateve. Në seancën e fundit plenare, mazhoranca miratoi e vetme ngritjen e këtij komisioni, ndërkohë që opozita braktisi procesin e votimit, duke e quajtur nismën e shumicës si antikushtetuese për faktin se, sipas saj, nuk ka të drejtë të ndryshojë objektin e komisionit, por vetëm të shohë nëse përputhet apo jo me Kushtetutën.

 

Paloka

Ndërkaq, në një prononcim për gazetën “Standard”, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i pyetur se çfarë qëndrimi do të mbajë opozita pas votimit për ngritjen e komisionit hetimor në Kuvend, si dhe thirrjes që Kryeparlamentari Ilir Meta u bëri palëve për të dorëzuar emrat, ai u shpreh se shumica parlamentare votoi kundër komisionit dhe kërkesës së opozitës.

“Praktikisht ata votuan kundër ngritjes së komisionit hetimor. Nuk mund të çojmë emrat për një komision, objektin e të cilit e caktoi vetë PS në kundërshtim me Kushtetutën dhe sidomos me vendimin më të fundit të Gjykatës për komisionin hetimor”, – deklaroi Edi Paloka.

Më herët miratimi i komisionit hetimor për administratën nga ana e Kuvendit është kthyer në një çështje debati mes mazhorancës dhe opozitës. Në një dalje publike për mediat, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, theksoi të premten se vendimi i djeshëm ishte antikushtetues, pasi refuzohet me arrogancë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Halimit, Kryeministri Edi Rama tregoi se administrata është degraduar dhe pjesë e saj janë persona me precedentë penalë. Fill pas deklaratës së Halimit, deputeti i Partisë Socialiste, Armando Subashi, theksoi se ky ligj ka nevojë për riformatim dhe rishikim. Sipas tij, duhet të shmangen debatet shterpë.

Kuvendi miratoi të enjte me 76 vota pro ngritjen e komisionit hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në administratë, me amendimin e propozuar nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili parashikon shtrirjen e afatit të hetimit që nga viti 2009. Ndërkohë, opozita në kërkesën e saj parashikonte vetëm emërimet në postet kyçe nga ana e kësaj mazhorance, duke nisur nga shtatori i vitit 2013.

 

Eduard Halimi

“Edi Rama shkeli sërish Kushtetutën e vendit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, standardet evropiane të ekzistencës se shtetit ligjor të përcaktuara qartë në jurisprudencën Kushtetuese evropiane. Mazhoranca dje refuzoi sërish me dhunën e kartonëve, kërkesën e opozitës për të bërë transparent për qytetaret, mekanizmin e emërimeve kriminale në administratë nga kjo qeveri, për periudhën shtator 2013-ta e këtej. Vendimi i djeshëm i Kuvendit që refuzoi me arrogance zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendim që i jep opozitës të drejtën legjitime dhe të padiskutueshme për ngritjen e komisionit hetimor, implikon tërësisht përgjegjësinë e Kryeministrit, që personalisht ka bërë emërimet e administratës”, – ka thënë deputeti i PD-së, Eduard Halimi.

 

Armando Subashi

“Kuvendi pa dyshim që mbi bazën e asaj kërkese duhet të rimerrte në shqyrtim kërkesën e komisionit hetimor. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese duhet të na bëjnë të reflektojmë si Kuvend, pasi ka ardhur momenti që duhet të shohim ligjin me kujdes. Ka nevojë për t’u ndryshuar dhe për të reflektuar ato sugjerime që ka sanksionuar jurisprudenca. Nuk bëhet fjalë që ne të minimizojmë vlerën e komisioneve hetimore”, – bëri me dije Subashi. Sipas tij, Kushtetuta ka vetëm një nen të saj, për ngritjen e komisioneve hetimore. “Fakti ka treguar se përderisa ka pasur nevojë për një sërë vendimesh nga ana e vetë të cilët kanë interpretuar këtë ligj, ka ardhur momenti që ky ligj të përshtatet dhe për të bërë më efektiv”.

 

Majko: Ju tregoj 7 komisionet hetimore të opozitës

“Në 7 muaj të mazhorancës aktuale, opozita ka kërkuar 7 herë të ngrejë komision hetimor, pra, çdo muaj, afërsisht, nga një komision hetimor. Ata janë: komision hetimor për emërimet në polici, për serverin e tatimeve, për shkarkimet në administratë, për hetimin e drogës, për armët kimike, për avionin e Divjakës, duke përfunduar te ky komision që po kërkohet të ngrihet për ligjshmërinë e emërimeve në detyrë të personave të dyshuar, që kanë kryer veprime kriminale apo trafikim të lëndëve narkotike”, – ka deklaruar deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko në seancën e fundit plenare.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency