Prokuroria/ Vrau babain nga pakujdesia, kërkohen 6 vjet burg për Thaçin

0
116

Sonila Mesareja

gjyq Akuza: U zu me babain për borxhet dhe e qëlloi për vdekje me grusht në kokë. I pandehuri e denoncoi si përplasje me makinë. I dënuar për shitje droge, ishte në liri me kusht kur ndodhi ngjarja

 Një i ri nga kryeqyteti rrezikon 6 vjet e gjysmë burg për vrasjen e të atit, ndonëse nga pakujdesia. Ardian Thaçi, i dënuar më parë për drogë dhe i liruar me kusht në kohën kur ndodhi ngjarja, është zënë me të atin për borxhet e drogës dhe e ka qëlluar me grusht në kokë të atin, duke i shkaktuar vdekjen pas tri ditësh në gjendje kome. Pavarësisht nga denoncimi si përplasje aksidentale me makinë, policia zbuloi shkakun e vdekjes së Fatos Thaçit, duke arrestuar të birin, Ardian Thaçi. I pandehuri ka kërkuar aplikim të gjykimit të shkurtuar, ndërsa ka shprehur pendesë për veprimin e kryer, i cili solli edhe vdekjen e babait të tij. Pritet që në seancën e radhës trupi gjykues të japë verdiktin përfundimtar për të pandehurin Thaçi.

 

Sherri

Sipas akuzës, ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e familjes Thaçi, e cila ndodhet në rrugën “Petro Cani” në Tiranë. Ka qenë ora 10:00 e paradites së 12 shkurtit, kur viktima është konfliktuar me djalin e tij, për shkak të disa borxheve që ky i fundit kishte marrë për drogën. Mësohet se 23-vjeçari njihet si përdorues i lëndëve narkotike dhe si pasojë ai kishte marrë para borxh te disa persona. Ky fakt e ka shqetësuar viktimën, i cili mjaft i zemëruar i ka kërkuar llogari për çështjen e borxheve djalit. Ardiani është zemëruar shumë për mënyrën e të folurit nga i ati dhe besohet se ka qenë nën varësinë e hashashit dhe alkoolit në momentin e sherrit. Palët kanë shkëmbyer fyerje me njëri-tjetrin. Në gjaknxehtësi e sipër, 23-vjeçari e ka qëlluar me grusht në kokë dhe si pasojë e goditjes, Fatosi ka rënë në tokë pa ndjenja. Bashkëshortja e viktimës, Bihanja, është përpjekur që ta sjellë në normalitet, por ka qenë e kotë. Fatosi nuk shfaqte asnjë shenjë reagimi. Të ndodhur në kushte të tilla, familja Thaçi e kanë nisur të dëmtuarin me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak. Mjekët janë përpjekur që t’i japin të gjithë ndihmën e nevojshme, por ka qenë e kotë. Viktima ka qëndruar në gjendje kome nga data 12 shkurt 2014 deri në datën 15 shkurt 2014 në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku rreth orës 05:00 të mëngjesit të datës 15 shkurt ka ndërruar jetë.

 

I liruar me kusht

Ardian Thaçi ishte një i liruar me kusht dhe duhej të ishte nën monitorim të Shërbimit të Provës. 23-vjeçari ishte dënuar më parë për shitje të lëndës narkotike, ndërkohë që njihej edhe si përdorues i saj. Mësohet se kanë qenë borxhet e shumta për blerjen e drogës që kanë sjellë edhe debatin mes viktimës dhe të birit, duke passjellë edhe përplasjen fizike, e cila solli vdekjen e Fatos Thaçit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency