Adonis, për herë të parë në shqip nga Visar Zhiti

0
157

Nga Sebastiano Grasso

Visar_ZhitiBotohet për herë të parë në vendin tonë poeti i njohur me famë botërore Adonis, i shqipëruar nga poeti Visar Zhiti. Libri i tij me poezi, “Iluzioni i hapave të mi”, i jepet lexuesit nga shtëpia botuese “UEGEN” në dy gjuhë, në shqip, të përkthyera nga italishtja me dëshirë të autorit, por edhe në origjinalin e tyre arabisht, që për herë të parë shoqëron botimin e një libri me poezi.

Adonis jeton në Francë, qysh prej 30 vjetësh, por vendlindja e tij është Siria. Është botuar në shumë gjuhë të botës dhe ka marrë shumë çmime, jo vetëm në Evropë dhe në botën arabe, por edhe në Amerikë e Kinë dhe është një nga kandidaturat më serioze për çmimin “Nobel”.

Botimi në shqip hapet me një hyrje të poetit të njohur Sabastiano Grasso, president i Pen Clubit Italian dhe me një pasthënie të gjerë nga shkrimtari Visar Zhiti, ku krahas vlerave dhe rëndësisë së poetit, ka një nënkapitull për diasporën shqiptare në Siri, e dalluar në fushën kulturore, veçanërisht në letërsinë e vendit. Me botimin e Adonisit, plotësohet një kërshëri për poezinë e tij moderne dhe i shtohet lexuesit shqiptar një emër i ri, ndër më të njohurit e shekullit. Vetë përkthyesi, poeti Zhiti në këtë rast është shprehur: “Adonis është poeti më i madh i botës arabe sot, ndër më të njohu­rit në të gjithë botën, i cili që prej më shumë se tre dekadash jeton në Francë, në Paris – kryeqytet dhe i artit, në një farë mënyre Meka e artistëve. Poet i paradokseve dhe eks­tremeve, i tensioneve mistike dhe i kërkimit të vazhdueshëm mbi mis­teret më të mëdha të jetës”. Më poshtë botojmë të plotë parathënien që shoqëron vëllimin poetik, të shkruar nga Sebastiano Grasso

 

***

 

          ËNDËRR E NJË POETI

 Si Guillaume Apollinaire, Rafael Alberti, Eugene Mon­tale, Salvatore Quasimodo, Henry Miller, Günter Grass, Alberto Savino – kaq sa për të përmendur disa emra – poeti sirian Adonis (Ali Ahmad Esber) bën pjesë në këtë aradhë letrarësh që udhëtojnë në binarin e dyfishtë të poezisë dhe artit. Madje do të thosha se në këtë operacion Adonis ka më përparësi se të tjerët, nga që tashmë e shkruara në gjuhën e tij paraqitet pikërisht si një arabeskë e vërtetë.

Adonis i do collages. Mbi fletë të mëdha ndërton, për­reth dhe sipër vargjeve, një lloj mozaiku me copa papirusi, fille, copa pëlhure, sfonde të copëzuara ngjyrash, objekte të vogla, shenja të tjera grafike të pikturuara ose të ngji­tura. Përfundimet? Një mélange (përzierje) e poezisë dhe e pikturës midis dadaizmit dhe Surealizmit, me efekte befa­suese.

Dhe kolazhe të vërteta janë poezitë e Nuk ka moshë sekreti që na tregon ne, marrë nga njëmbëdhjetë përm­bledhjet e botuara në Beirut: Poezi të para (1957), Gje­the në ere (1961), Metamorfozat e së dashurës (1962), Yshtje për qytetet e al-Ghazali-t (1967), Teatri dhe pasqyrat (1968), Mesha pa përfundim, rrëmujë e mundësive (1978), Rezonancë dhe origjinë (1979), Ja emri im (1980), Libri i rrethimit (1985), Në nder të së qartës dhe të errtës (1988) dhe Fillimi i trupit, fundi i detit (2003).

Për Adonisin poezia është një lloj udhëtimi i një “fëmije që vrapon në kujtesë» – sipas titullit të një kompozimi të tij, – udhëtimi i përhershëm i një njeriu, të cilit zotat i kanë dhënë dhuratën e të shikuarit të gjithçkaje, të të bërit pyetje dhe të kërkuarit ndaj vetes me mrekullinë e një fëmije (“Kujtesa ime ka zbritur nga maja e palmave”; “Gjaku im është i biri i pyetjeve” ).

Udhëtime drejt Orientin, udhëtime në një pasqyrë, udhëtime mbi det, udhëtime me erën, (“Unë vij nga larg,/ nga një vend me rrënjë shterpe, [ … ]/ nën veshjet e një krimineli/ dhe kam sjellë erërat e çmendurisë” ), udhëti­me me babanë (“Kur babai im iku/ një fushë u bë e thatë/ dhe një dallëndysheje i plasi zemra, vdiq”), udhëti­me në dashuri ( «Të dashuruarit hedhin emrat e tyre/ në kallamarët ku boja njeh vetëm vdekjet e tyre”; “E di./ Në dy vetëtima sysh mblidhet universi”).

Fjalët marrin trup dhe kanë ngjyrën e ujit; një uji që “përndizet dhe bëhet rrufé,/ tharm dhe zjarr”.

Udhëtimi vazhdon. Magjepsja lind çdo çast, heshtet në shkëlqim. Në fund një dyshim sulmon poetin: “Shkruaj – Jam i tmerruar/ e çmendem e më trëmben/ edhe boja dhe fletët/ dhe pyes veten: po shkruaj vërtet apo po digjem?». Pastaj, i përfshirë nga pasioni dhe nga një dehje e pafund, bie në ekstazë: dora dorës tek shkruan, gërmat bëhen gra që pëshpërijnë.

Por një goditje ere e hedh tej dhe poeti zgjohet.

Përktheu Visar Zhiti

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency